Retro / Në numrin e parë, të botimit të parë, të revistës kulturore “Përpjekja” të hapur në dimër të vitit 1994, drejtuar nga Fatos Lubonja sjellim një debat të mprehtë edhe sot; raportin e kulturës me politikën. Lubonja ka vënë përballë dy opinione të kundërta me njëri-tjetrin të dhënë nga dy bashkëkohës, Branko Merxhani dhe Tomas Man, që u takojnë viteve ’30-të. Çfarë mund të mbivendosim në këtë retro, me realin e kulturës dhe politikës sot është tërheqja dhe indiferentizmi përballë politikbërësve, dhe opinionit intelektual në krijimin e atmosferës elitare për çështje qoftë politike apo dhe kulturore; a përballen këto marrëdhënie sot, apo janë brenda një sistemi kulturor të një civilizimi!?

Në numrin e parë, të botimit të parë, të revistës kulturore “Përpjekja” të hapur në dimër të vitit 1994, drejtuar nga Fatos Lubonja sjellim një debat të mprehtë edhe sot; raportin e kulturës me politikën. Lubonja ka vënë përballë dy opinione të kundërta me njëri-tjetrin të dhënë nga dy bashkëkohës, Branko Merxhani dhe Tomas Man, që u takojnë viteve ’30-të. Çfarë mund të mbivendosim në këtë retro, me realin e kulturës dhe politikës sot është tërheqja dhe indiferentizmi përballë politikbërësve, dhe opinionit intelektual në krijimin e atmosferës elitare për çështje qoftë politike apo dhe kulturore; a përballen këto marrëdhënie sot, apo janë brenda një sistemi kulturor të një civilizimi!?

Politika dhe kultura janë të veçuara në përmbajtje dhe të ndara në qëllime

Branko Merxhani

(Nga artikulli “Politika dhe Kultura ” botuar në “Përpjekja Shqiptare”, 1936)

(…) Le të vimë tani në themën kryesore: Ç’ndryshim ka midis nocioneve të Politikës dhe të Kulturës? Ç’është Politika? Ç’është kultura? Dhe sidomos ç’do me thënë të merresh me kulturë pa bërë politikë? (…)

(…) Çdo shoqëri çfaq dy farë vullnetesh sociale. E para është Kultura, e dyta është Politika. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet theorike dhe përshtypjet spiritualiste ose materialiste të një Shoqërie. Kurse Politika përmban dhe përmbledh të gjitha mundimet praktike që bën një grup shoqëror brenda rrokullimeve të historisë së vet. Puna e Kulturës, në parim, është një punë mendimi, që ecën kryesisht drejt zbulimit të së Vërtetës. Politika, në parim, është edhe kjo një punë mendimi, por një punë që nuk ka si qëllim kryesor të gjejë të vërtetën; Politika ecën drejt për drejtë për në Fuqi dhe për në Pushtet. Roli i një njeriu të Kulturës kufizohet në gjurmimin dhe përhapjen e së Vërtetës. Mendimtari përpiqet të përhapë mendimet e veta dhe t’i futë në vetëdijen e bashk’atdhetarëve të tij. Mendimtari s’ka nevojë të vërë në dorë fuqin reale dhe të sundojë botën duke u mbështetur në bajonetën e xhandarit. Ai ndjek rrugën e vet. Dhe ndjek këtë rrugë me guxim dhe me qetësi. Ai ecën edhe duke vuajtur.

Roli i një njeriu të Politikës është krejt i ndryshëm. Politikë d.m.th. sundim.

Dhe asgjë tjetër. Qëllimi i një njeriu të Politikës, natyrisht kur ky është një njeri i urtë dhe i sinqertë, është një qëllim i lartë që ka një kuptim historik. Politikani përpiqet të qërojë jetën shoqërore nga zakonet e këqija, nga veset, dhe në vëndin e tyre të vendosë të mirat. Prandaj Politikani ka nevojë të domosdoshme të vërë në dorë fuqinë e sundimit dhe të zotërojë, pa asnjë kufizim, të gjitha zotësit vepronjëse të një vëndi.

(…) Artistët, Moralistët dhe Filozofët janë vetëm Mendimtarë. Këta i propozojnë popullit ndjenjat dhe mendimet e tyre: Vetëm i propozojnë. Nuk mund t’ia imponojnë.(…)

Kultura s’ka të bëjë aspak as me Parlamentin as me Qeverinë. Qëllimi i saj nuk është të fitojë shumicën në Parlament dhe të formojë Qeverinë. Kultura, që t’i bëjë të pranueshme bukuritë që ndjen, të mirat që jep shëmbull dhe mendimet që shfaq, nuk kërkon ndihmën e organeve zyrtare. Kultura veprat e veta i vleftëson ndryshe. Ka në dorë një tok mjetesh morale. Ka b.f. bindjen, shijën, enthuziazmën dhe një sëri mënyrash të tjera veprimi.

Që të mësohet përmënç një vjershë e bukur, s’ka nevojë që të votohet një dekret-ligjë. Gjithashtu asnjë ligjë nuk mund t’a ndalojë këndimin e një libri. Bilë është vënë re se librat e ndaluara kërkohen dhe këndohen më tepër.

(…)Një sundimtar mund t’imponohet edhe për hirë të violencës. Kurse një mendimtar thjeshtë nuk pëlqehet ose simpathizohet. Autoriteti që ky gëzon mbi një pjesë të popullit, nuk është një autoritet relatif. Është një autoritet personal. S’ka të bëjë me pozitën e vet. Ka të bëjë vetëm me personin e vet. Një e vërtetë shkencore, një vepër artistike, një meritë morale, nuk humbet asgjë nga vlera e saj kur nuk çmohet nga ana e zyrtarëve ose edhe kur gjen mospërfilljen e tyre. Vulat e zyrave nuk janë dokumenta kulturale. Janë vetëm akte administrative dhe gjyqsore. Me këto vula vihen në litar edhe të dënuarit dhe lartësohen edhe zotërinjt e ndershëm.

* * *

Siç e kemi shpjeguar gjer këtu me një mënyrë krejt të hapët dhe pothua popullore, Politika dhe Kultura janë dy farë veprimtarish krejt të ndara dhe të veçuara njera nga tjetra. Janë të veçuara në përmbajtje dhe të ndara në qëllime. Kombet që dinë mirë të ndajnë njerën nga tjetra këto dy farë veprimtarie shoqërore, përparojnë dhe lartësojnë hem organizmën e jetës së tyre politike, hem organizmën e jetës së tyre kulturale. Përkundrazi ku këto dy gjëra trazohen midis tyre, atje Kultura bëhet skllavi i Politikës dhe humbet kuptimin e qënies së vet; dhe nga ana tjetër edhe Politika fshin dhe ç’vleftëson çdo lloj përpjekje që ka si qëllim të ndihmojë Shoqërin në ecjen e sajë drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërrohen dhe degjenerohen të gjitha. Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk. (…)

Kultura do të vihej përballë një rreziku kolosal sikur asaj t’i mungonte instinkti dhe vullneti politik

Tomas Man

(nga eseja “Kultura dhe politika “, 1939)

(…) Fakti që unë arrita të bëhem ithtar i demokracisë është rezultat i bindjeve që nuk e pata të lehtë t’i përvehtësoja, madje që fillimisht ishin të huaja për mua, ngase isha rritur dhe edukuar me traditat shpirtërore të filistinizmit gjerman. Por unë formova bindjen se politika, socialja janë pjesë përbërëse dhe e pandashme e Njerëzores, se intelekti ynë duhet t’i përfshijë ato tek problemi unik i humanizmit, sepse, përndryshe, nëse ne do të shpërfillnim elementin politik, social, të pandashëm prej humanizmit, mund të na shfaqej një humnerë e rrezikshme dhe vdekjeprurëse për kulturën.

Mos vallë duket e çuditshme kur them se unë thjesht e barazoj demokracinë me politikën, duke e përcaktuar demokracinë, si aspektin politik të Shpirtërores, si gatishmëri të Frymës ndaj politikes? Njëzet vjet më parë, në librin voluminoz “Meditimet e një apolitiku”, që më kushtoi përpjekje aq të mundimshme, i dhashë këtij përcaktimi një theks polemik mohues. Në emër të kulturës e madje të lirisë, iu kundërvura me të gjitha forcat asaj që e quajta “demokraci” duke pasur parasysh me këtë politizimin e jetës shpirtërore. Sipas botëvështrimit tim të asaj kohe koncepti “liri” do të thoshte liri etike, ndërsa për bashkëlidhjen e saj me lirinë qytetare unë pothuaj nuk dija dhe nuk doja të dija asgjë. Por vetënjohja, nëse i kushtohesh asaj me seriozitet të mjaftueshëm, përfaqëson, në shumicën e rasteve, hapin e parë drejt rilindjes së brendshme. Unë kuptova se njeriu, duke njohur veten, nuk mbetet kurrë plotësisht sikundër qe më parë. Vetë ai libër, me synimin e tij të spikatur për të folur njëherësh për të gjitha, ishte shprehje e krizës, pjellë e rrethanave të reja të krijuara nga ngjarjet e jashtme katastrofike. Problemi i Njeriut, problemi i humanizmit ngrihej përpara vështrimit shpirtëror të brezit tonë me tërë ndërlikimin e tij dhe me një ngutshmëri të paparë deri atëhere. U bë e qartë se jetën shpirtërore nuk mund ta ndaje si me sëpatë nga politika; se mendimi që mund të krijohen vlera kulturore duke ruajtur apolitizmin përfaqëson lajthitjen e ideologjisë borgjeze gjermane; se kultura do të vihej përballë një rreziku kolosal sikur asaj t’i mungonte instinkti dhe vullneti politik.

…Pretendimi për pavarësinë e kulturës ndaj politikës është lajthitje, vetëmashtrim. Është e pamundur t’i ikësh politikës në këtë mënyrë. Më e mundshme është të gjendesh në anën tjetër të barrikadës… Apolitizmi nuk është gjë tjetër veçse antidemokratizëm e, se çdo të thotë kjo pikërisht, në ç’mënyrë vetëvrasëse një pozitë e tillë sfidon gjithë arritjet shpirtërore, zbulohet me qartësi të jashtëzakonshme në kthesat e forta historike.                                            

Duke marrë shkas nga një botim i Institutit Shqiptar të Medias, çdo të shtunë hapet rubrika “Gazetaria dhe jeta publike”, përse dhënia e lajmit nuk është e mjaftueshme duke vënë përballë realitetin tonë, një realitet po kaq në thelb të përbashkët me jetën amerikane, kur raportet vihen mes demokracisë, politikës dhe rolit të gazetarit të cilat kalojnë në sfidat e fundshekullit të 20-të dhe fillimshekullit 21, sfidë kjo dhe me botën e internetit. Realiteti: gazetaria është mbledhur në problemet e veta, dhe individët janë izoluar në shqetësimet e tyre personale, pa marrë pjesë në jetën publike. Ky libër hyn në serinë e LEA-s mbi komunikimin dhe ka për autor Deivis “Baz” Merit

Pse është i nevojshëm ndryshimi?

Roli i gazetarisë në demokraci

Po e filloj me tezën se jeta publike, pra mënyra sesi shprehet dhe përjetohet demokracia jonë, nuk na shkon përshtat. Politika jone zyrtare, e cila përbën vetëm një aspekt të jetës publike, është e kalbur dhe aspak rezultative. Shumë amerikanë mendojnë se ajo është tejet e shkëputur nga jeta e tyre e përditshme, dhe se tashmë është monopolizuar armiqësisht prej një grupi me interesa të veçanta dhe politikanësh profesioniste. Pjesa tjetër e jetës publike, etika jonë qytetare, është tejet e kufizuar, në një kohë kur amerikanët e kanë izoluar vetveten brenda mureve të halleve dhe shqetësimeve të tyre të ngushta dhe kërkojne shpëtim e ngushëllim tek komunitetet dhe aktivitetet e mbyllura.

Hendeku midis qytetarit dhe qeverisë është thelluar. Qytetarët nuk u besojnë më qeverive të tyre kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjeve të rëndësishme, dhe njëkohësisht ata janë shumë më pak të angazhuar, pasi gjenden nën trysninë e problemeve personale, të cilat duhet t’i zgjidhin vetë.

Ndërkohë, lista e gjatë dëshpëruese e problemeve të shumta kombëtare, si për shembull krimi, prapambetja e sistemit arsimor, kriza familjare dhe çështjet e mjedisit, vazhdon të shtohet dhe jo të pakësohet. Diskutimet lidhur me gjetjen e rrugëzgjidhjeve degjenerojnë në ballafaqime thirrjesh përgjatë një hendeku ideologjik, të cilat janë debate false, të stisura prej politikanëve dhe të përsëritura prej gazetarëve. Pamje të tilla të rreme u ngjallin pak shpresa qytetarëve për zgjidhjen e problemeve të tyre, dhe më keq akoma, thuajse krijon përshtypjen se shumë pak gjëra të mira mund të ndodhin. Kjo ndodh sepse mënyra e zgjidhjes së çështjeve i pozicionon disa qytetare në njërin cep të polit apo në tjetrin, ndërkohë që i bind të tjerët, se ata dhe pikëpamjet e tyre më të moderuara nuk janë dhe nuk mund të jenë pjesë e debatit. Në çdolloj mënyrë, arsyetimi i vërtetë që mund të çojë në marrëveshje për çështje të rëndësishme, është i pamundur; kështu që problemet vazhdojnë të ekzistojnë vit pas viti, dhe dekadë pas dekade. Si përfundim, në vitet 1980, shumica e amerikanëve u shprehen qartë se fëmijët e tyre do të trashëgojnë një shoqëri me pak të përshtatshme për të jetuar, më shumë të rrezikshme dhe që ofronte me pak mundësi sesa kishin ata vete. Ishte ky një gjykim negativ i paprecedent, jashtëzakonisht më i thellë dhe më shkatërrimtar sesa një pesimizëm i thjeshtë.

Gjithashtu nuk ishte aspak rastësi, që për herë të parë qysh prej vitit 1924, vetëm gjysma e votuesve që ishin regjistruar në të gjithë vendin denjuan të votojnë në zgjedhjet Presidenciale në 1988, dhe në 1996 kjo shifër tragjike ra nën masën 50 përqind. Për më tepër, në 1994, Qendra e Taims – Mirrer (Pasqyra e Kohës) për Popullin dhe Shtypin njoftoi se 71 % e amerikaneve ishin dakord me shprehjen se, “Media e lajmeve e pengon shoqërinë të zgjidhë problemet e veta”. Vetëm 25 % e tyre mendonin se media e lajmeve “e ndihmon shoqërinë të zgjidhë problemet e veta” (f. 178). Eshtë vërejtur se ekonomia përbënte vetëm një pjesë të shqetësimit të qytetarëve për të ardhmen, ndërsa forca të tjera gërryese punonin në mendjen dhe shpirtin e qytetarëve. Komentatorë të ndryshëm e diagnostikuan rrëshqitjen drejt greminës prej këndvështrimit të tyre, përfshirë këtu një dobësim të vlerave fetare dhe morale; punën e qeverisë; ristrukturimin e jetës tradicionale familjare; shpërbërjen e komunitetit të shkaktuar prej miopisë së rënies së individit; jeni; marka gjermane; madje edhe luhatjet e një komete të ngurtë, ende të paparë, që uturin me shpejtësi drejt tokës.

Çdo njëra prej dhjetra e qindra teorive është po aq kuptimplote sa edhe tjetra, pasi secila prej tyre përfundon në trajtimin e një problemi shumë dimensional: Jeta publike – demokracia – nuk po e përmbush premtimin e saj historik.

Ashtu si edhe amerikane të tjerë, gazetarët seriozë janë të shqetësuar. Shume prej atyre që filluan të merren me gazetarinë e shkruar në mesin e shekullit të 20-të, dhe pjesa më e madhe e atyre që i pasuan ata, kishin një vizion të përbashkët. Gazetaria, sipas mendimit tonë, kishte vlerë; ajo ishte pjesë përbërëse e një procesi demokratik dhe kishte një synim. Kjo rëndësi e jashtëzakonshme e bëri të vlefshëm dhe kuptimplote një profesion të paguar pak.

Megjithatë, në vitin 1993, një ndër pesë gazetarët aktive i tha një shoqërie anketimi se do t’a braktiste profesionin brenda pesë viteve të ardhshme, një numër ky dy herë më i madh sesa ai i viteve 1982 dhe 1983 (Ëeaver & Ëilhoit, 1992). Këto shifra dokumentojnë një rritje të ndjeshme të pakënaqësise që ofron kjo punë. Gazetaria, thanë një pjesë e të anketuarve, nuk do të këtë vlerë të mjaftueshme në të ardhmen. Rëndësia e saj thelbësore ka shteruar dhe qëllimi i punës ka humbur, duke e shndërruar atë thjesht në një biznes letrar dhe vizual që ekziston mes shumë të tjerësh.

Një pjesë e këtij zhgënjimi buron prej gjendjes në të cilën ndodhet gazetaria dhe strukturat ekonomike që e mbështesin atë. Në bazë të çdo lloj matjeje, produkti gazetaresk – gazetat, lajmet në media, revistat – nuk është i besueshëm, po ashtu të tilla janë edhe motivet tona. Baza ekonomike, që është kryesisht reklama, si edhe strukturat e biznesit që e mbështesin gazetarinë, po përpëliten përballë zgjerimit të shpejtë të konkurencës.

Nuk është aspak rastësi që rënia e interesit për gazetarinë dhe jetën publike kanë ndodhur në të njëjtën kohë. Në shoqërinë moderne ato janë të ndërvarura: Jeta publike e ka të nevojshme informacionin dhe perspektiven që mund të ofrojë gazetaria, dhe gazetaria nga ana e saj ka nevojë për një jetë aktive publike, sepse pa të ajo nuk do të ishte e nevojshme.

Kështu pra gazetaria dhe njerëzit në terren po ballafaqohen me një sfidë. Në rast se ne dëshirojmë që ta lëmë vendin në një gjendje më të mirë sesa e gjetëm dhe të sigurojmë njëkohësisht të ardhmen e profesionit tonë, duhen bërë shumë ndryshime. Ky libër mbi gazetarinë dhe demokracinë sugjeron një pikënisje të zgjidhjes së problemit.

Parimet e mia dua t’i bëj të kuptueshme qysh në fillim. Unë jam i mendimit se:

•Gazetaria, në të gjitha format e saj, po i shpërfill detyrimet e veta ndaj një jete publike të efektshme.

•Ky dështim ka kontribuar shumë në gjendjen e keqe aktuale, në të cilën ndodhet jeta publike.

•Gazetaria duhet dhe mund të jetë, një forcë kryesore në rigjallërimin e jetës publike.

Megjithatë, që të ndodhë një gjë e tillë, është e rëndësishme të realizohen ndryshime radikale në këtë profesion dhe ato duhet të jenë të natyrës kulturore dhe të përgjithshme.

Unë nuk dua të them se vetëm gazetarët mund, apo duhet, të jenë forca kryesore lëvizëse në këtë drejtim, ashtu siç nuk ishim në të vetmit protagoniste të rënies. Njerëzit në përgjithësi dhe politikanët në veçanti ishin bashkë protagonistë kryesorë. Unë gjithashtu nuk dua të sugjeroj aspak se duhet të braktiset pjesa më e madhe e praktikës ekzistuese gazetareske. Praktikat tona demokratike me tepër se të gabuara nuk janë efikase. Mbulimi i ngjarjeve, sqarimi i tyre dhe analiza e lajmeve janë disa funksione të rëndësishme; megjithatë ato nuk janë të vetmet, ose më të rëndësishmet.

Gazetaria përmban, të paktën për momentin, fuqinë e kultivimit ose të vyshkjes të një jetë të shëndetshme publike. Pa ndryshime rrënjësore brenda profesionit, procesi i vyshkjes do të vazhdojë në të ardhmen.

Ekziston pa dyshim edhe një alternative tjetër e mundshme. Duke mbetur në gjendjen aktuale të pa efektshmërisë dhe të të qënurit e kufizuar, gazetaria do t’a bëjë veten tërësisht të panevojshme. Një shoqëri që e konsideron gazetarinë vetëm si një mekanizëm të parendësishëm irritues, apo si një barrë negative dhe jo si një protagonist të interesuar, do të kërkojë diku tjetër për të gjetur forma për të siguruar informacionin e nevojshëm, për vazhdimin e jetës së saj.

Informacioni nga bota elektronike e internetit (Superhighëay) e sugjeron fare qartë një mundësi të tillë, edhe atëhere kur u ofron gazetarëve një mundësi për të rivendosur rëndësine thelbësore të profesionit dhe autoritetin, që duhet të ketë kontributi i tyre në jetën publike.

Për t’a bërë një gjë të tillë, ne duhet t’i qartësojme vlerat tona, të kuptojmë kuadrin e vërtetë të punës tonë dhe të fillojmë ta shohim ndryshe vetveten. Ky libër pra përpiqet që të ofrojë një ripërcaktim të gazetarisë.

Unë sugjeroj rigjallërimin e jetës publike, si një objektiv të gjerë për gazetarinë dhe gazetarët. Pavarësisht prej moralit individual, përpjekjeve të qeverisë, strukturës së familjes, rritjes apo rënies se jenit japonez, apo të markës gjermane ose itinerarit të një komete kërcënuese – në rast se jeta publike nuk zhvilllohet siç duhet, në rast se komunitetet nuk do të mund të bashkëpunojnë dhe madje në mënyrë efikase për të zgjidhur problemet e tyre, atëhere frika e amerikanëve lidhur me të ardhmen është e sigurtë se do të materializohet. Dhe pavarësisht prej asaj që ne bëjmë si gazetarë, në rast se njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje jetës publike dhe në rast se ata vazhdojnë të tërhiqen e të mbyllen në guackën e shqetësimeve të tyre personale, ata nuk do të kenë më nevojë, në të ardhmen, për gazetarët apo gazetarinë.

Në të kundërtën, ne mund të ndihmojmë në rigjallërimin e jetës publike dhe të rivendosim rëndësinë thelbësore të profesionit tonë, duke u shndërruar në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe të vëmendshëm të jetës publike dhe të mos mbetemi vëzhgues të shkëputur të realitetit. (Pjesëmarrës të drejtepërdrejtë dhe të vëmendshëm nuk do të thotë angazhim total në çështjet që ne mbulojmë.

Ky është një koncept shumë më i kufizuar, dhe trajtohet në mënyrë më të hollësishme në kapitullin 8).

Unë nuk propozoj ndonjë formulë dhe në rast se ekziston një e tillë, atëherë ajo nuk është zbuluar ende. Duke u bazuar në tendencat e fundit të gazetarisë, ne duhet të jemi tepër skeptike lidhur me zgjidhjet e çastit, të cilat nuk përmbajnë ndryshime rrënjësore. Për këtë arsye ky nuk është një manual që diskuton rrugën sesi, ai ndalet tek pse-ja. Unë përpiqem të imagjinoj një gazetari, e cila është e shtrirë, një të tillë, e cila ka qëllime përtej thjesht dhënies së lajmit, dhe një auditor qime zgjuarsi e përdor një produkt të rigjallëruar gazetaresk për të ndihmuar në mbarëvajtjen e jetës publike. Se si mund të konkretizohet një ide e tillë kjo varet nga guximi dhe imagjinata e mendjeve tepër të larmishme dhe jashtëzakonisht të pavarura, që e kanë zgjedhur gazetarinë si profesionin e tyre.

Gazetaria dhe jeta publike nuk arritën ashtu menjëherë në gjendjen e tyre të ulët, në të cilën ndodhen aktualisht dhe ato nuk do t’a marrin veten shpejt.

Përktheu: Franko Egro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Rezultati i sundimit sovjetik në Ukrainë
Ministria e Diasporës u mbyll; Diaspora, problemet dhe përparësitë e saj mbeten
Forumi: Të dhëna personale të qytetarëve në rrezik dhe diktatura
Tmerri i Prishtinës, tmerri i Ballcës dhe tmerri i dështimit tonë politik
Si i trajtojnë gjermanët ata që lavdërojnë Hitlerin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}