Ekspedita në Shqipërinë e vitit 1911/ Për herë të parë në gazetën “Tomorri” të vitit 1942, botohet letra e një oficeri garibaldin, një dëshmitar i kohës dhe siç tregon, bartës i mjaft dokumentacioneve që lidhen edhe me historinë e Shqipërisë, ndërsa ishte e kërcënuar nga pushtimi austriak, por edhe sllav. Në këtë letër, publikohet dhe letra që udhëheqësi simbol i Italisë i shkruan Dora d’Istrias për Shqipërinë…
Për herë të parë, në gazetën “Tomorri” të vitit 1942, botohet letra e një oficeri garibaldin, një dëshmitar i kohës dhe siç tregon, bartës i mjaft dokumentacioneve që lidhen edhe me historinë e Shqipërisë, ndërsa ishte e kërcënuar nga pushtimi austriak, por edhe sllav. Në fakt, gazeta shqiptare ishte totalisht në duart e politikës italiane në këtë periudhë, Musolinit, ku nuk mungonte fryma propagandistike e fashizmit, por njëkohësisht dëshmon këtë anë të shqiptarëve të rreshtuar kundër bolshevizmit, luftën mes Aleatëve dhe synimet e Stalinit drejt Evropës. Në këtë frymë vjen edhe ky tekst për t’ju treguar shqiptarëve lidhjen e hershme, dhe përpjekjen e vazhdueshme italiane për t’u mos pushtuar territoret shqiptare nisur nga turqit, sllavët e së fundi, tërthorazi për të kujtuar historinë e vjetër të marrëdhënies mes dy vendeve, për të mos pranuar sovjetizmin, e për pasojë komunizmin.
Kjo letër kujton skenën dhe historinë e gjeneralit Xhuzepe Garibaldi, qëllimin që ai kishte të ndërmerrte një ekspeditë ushtarake në Shqipërinë e vitit 1911.
Garibaldi është një figurë simbol, konsideruar udhëheqësi legjendar i Italisë, që arriti çlirimin dhe bashkimin e saj, si një përvojë luftarake e pashembullt, kundër pushtuesve austriakë. Parashikohej një luftë globale, ku Garibaldi nisi strategjinë për të përfshirë gjithë Italinë e copëzuar, duke ideuar një fushatë ushtarake, që njihen edhe si ekspedita ushtarake. I njëjti rast që po përgatitej të hynte edhe në Shqipëri. Lidhja e Garibaldit me Shqipërinë, si dukej lidhej me horën e arbëreshëve, të cilët i ka pasur një mbështetje të fuqishme që t’ia dilte me sukses marshimit të tij. Kjo dobësi për shqiptarët, erdhi edhe në momentin kur u shfaq armiku i përbashkët: Austria dhe sllavët. Për këtë dëshmon letra e mëposhtme e oficerit garibaldin, e cila vë në dukje lidhje me Shqipërinë, se si për Garibaldin u bë një nga çështjet më kryesore të luftës së tij, siç dëshmohet nga i biri, Riçiotti në një letërkëmbim me Dora d’Istria, ku ajo ndodhej këtu, më 1900. Xhuzepe Garibaldi i shkruan Dora d’Istrias, ndërsa kjo e fundit ishte përfshirë në kryengritjet shqiptare, se: “Çështja e Shqipëtarëve është çështja e ime”.
Kjo letër e gjatë e Gjeneralit Riçiotti Garibaldi u komentua nga Anselmo Loreçhio, Drejtor i Nazione Albanese, që tregonte rrezikun austriak e sllav, i nxitur nga Rusia, lakmuese për të pasur një dalje në detin tonë qysh atëherë. Më poshtë botojmë artikullin e plotë të paraqitur në të përditshmen shqiptare fashiste, më 1 maj 1942, në vitin e tretë të botimit në Shqipëri.(V. M)
Shpedita Garibaldi, në Shqipëri më 1911-n
I ndershmi Drejtor,
Ju kërkoj përzemërsisht pak vënd në shtyllat e fletores s’juajë për të ilustruar, në mënyrë synthetike, me elemente dhe fakte të sakta, atë lëvizje Pro Shqipërija, që në prendverën e 1911-s, duhesh të mbyllej me shpeditën e armatosur të prirë nga Gjenerali Riçiotti Garibaldi, në ndihmë të shqiptarëve të ngritur kundra sundimit turk. Unë bëra pjesë në atë lëvizje dhe në Shpeditën e projektuar e sigurisht jam i vetmi nga ay varg i të rijve enthuasiastë që ruaj një dokumentim të pasur të pabotuar, që i kalon të dyqint copët dhe që më kushton kërkime të gjera, më flira të gjata dhe të pabesuarshme.
Pak kohë më parë në Kolegjin Romak kam mbajtur një konferencë mbi këtë argument, duke u ndodhur present midis personave të shumtë, Gjeneralët Peppino dhe Riçiotti Garibaldi me të motrën Anita, bij të denjë të Protagonistit, që kanë admiruar- si do të shihet –pasionin t’im për të ilustruar veprën e gjerë dhe të dobishme të Atit të tyre lavdiplotë, veprimtarija e të cilit Pro-Shqipërija nis që nga 1899-ta deri në 1912, sikurse rezulton nga dokumentimi që zotëroj.
Në të vërtetë, qysh prej gushtit 1899, duke u ndodhur ky në Kryeqytetin e Republikës Argjentine intervistohej nga Orazio Irianni, gazetar italo-shqiptar prej Lungro të Kalabrisë, mbi çështjen shqiptare, ku përmend se ndodhen shumë pengesa që duhet të kalohen për ta bërë popullore në Itali dhe jashtë (Orazio Irianni: “Zgjimi i Shqipërisë” – New York, 1911)
Por, i kthyer në Itali, vihet menjëherë punës, me pasion të vërtetë garibaldin, i bërë i shkëlqyer e sympathik edhe për emrin e madh që sillte dhe së afërmi (17 maj 1897), i ilustruar ca më shumë mbi fushën e betejës së Domokos-it.
Dhe më 22 prill 1900, duke i shkruar gregarit të tijë besnik, i kthyer nga Domokos-i, Giovani Miceli (e përditshmja: L’Italia (25 prill 1900) i rekomandonte rinisë italiane pregatitjen: “Përjetë! Rini Italia-ne. Po e përsëris: pregatitje, jo provokim. Çështa e popullit shqipëtar është çështja jonë”.
Këjo moto qe, pothua, e Atit të tijë të madh, Giuseppe Garibaldit, që i shkruante Dora d’Istria-s: “Çështja e Shqipëtarëve është çështja e ime”. Kjo letër e gjatë e Gjeneralit Riçiotti Garibaldi u komentua nga Anselmo Loreçhio, Drejtor i Nazione Albanese, që tregonte rrezikun austriak e sllav, i nxitur nga Rusija, lakmonjëse për të pasur një dalje në detin t’onë qysh atëhere.
Dhe muajin pasonjës -19-20 maj 1900- fletorja II Secolo e Milanos botonte një letërë tjetër të gjatë të Gjeneralit Riçiotti,me titullin: Çështja Shqipëtare me qëllim të qartë për të krijuar një gjendje shpirtërore pregatitje për çdo ngjarje tej Adriatikut.
Po sjell një periudhë të leterës së gjatë:
“Për këtë arsye është për t’u paraparë se duke patur vend këjo gjendje gjërash në bregun lindor të Adriatikut, rinija italiane- gjithënjë patriotike, dhe gjithënjë bujare – do të marrë pjesë, në pregatitjen pak o shumë gjërësisht. Tani duke mbajtur mënd eksperiencën e hidhur të luftës greko-turke, do të jetë një punë e matur të pritet pikërisht çasti i fundit, që këjo rini të ket së paku një embrionë organizimi dhe komitete në Itali që, duke mundur, të sigurojë sa është e nevojëshme”.
E pra, lëvizja pregatitëse në javorin e çështjes shqiptare filloi pikërisht në këtë vit dhe u zgjerua me një herë në qytetet e ndryshme të Italisë, ku Biri i Heroit llogariste prozelitë, besnikë dhe enthuasiastë; të gatëshëm për ta pasuar kudo.
Prej Livornos (21 maj 1900) Omero Capitano i bënte të dijtur se ishte formuar Pro-Shqipërija “dhe grupet do të formohen prej 25 të rijsh në grup sikurse dëshironi Ju”.
Shton se pret instruksione “për të mbledhur të holla dhe për të mundur të njohim ku mund të drejtohemi në kohën e duhur”.
Prej Palermos E D’Amico ishkruan Gjeneralit (5 maj 1900) se kishte marur proklamen porse nuk mundi ta afishojë sepe Kuestori e ndali në bazë të nenit 113 të KP. Sidoqoftë puna do të vazhdohej fshehtazi dhe në heshtje. Mario Ravasini, redaktor i të përditshmes L’Italia Nuova (4 maj 1900), i shkruante kështu: “I dashuri Gjenerali i im, redaksija e jonë është transformuar, ka tani disa ditë, në një zyrë rekrutimi. Nga çdo anë e Italisë na arijnë letra adherimi në lëvizjen shqiptare dhe brohoritjeje në veprën e vetë bujare dhe patriotike”. Dhe përfundonte duke kërkuar edhe dy instruksione. Në këtë pikë e quaj të nevojshme të përmend se Anselmo Loreçhio qe mik i devotshëm dhe i shtrenjtë i Gjeneralit Riçiotti dhe se ndiqte, me interes vegimtar, veprën e tijë e veprimin e tijë dhe qysh nga 30 prilli 1899 (La Nazione Albanese –Viti i III-të, nr. 8) shënonte me hidhërim se flitej për një shpeditë garibaldine në Maqedhoni. Ky lajm (shtonte ay) “prodhoi një përshtypje të keqe në elementin shqiptar” etj., për shumë aresye që sot duket se është e tëpërtë të vihen në dukje”.
Porse përfundonte, duke sjellë të përkthyer në italisht, një letër të Gjeneralit Riçioti e botuar nga një rivistë shqiptare e Bukureshtit, që mbaronte më këto fjalë tekstuale:
“Nëse ju shqiptarët doni të rrini nënë Sulltanin është një çështje që ju përket të zgjidhni atë që ju pëlqen. Por nëse populli shqipëtar kërkon të bëhet i pamvarur dhe i lirë e arbitër i historisë së tijë të shkëlqyer, do të ketë gjithënjë me vehte sympathinë t’onë dhe atë të të gjithë popullit italian…”
[…] Dhe më e dendur qe puna dhe më e madhe veprimtarija e tijë Pro- Shqipërija në pesëvjetorin që nis prej 1900-ës deri më 1905. Në pasim të Gjeneralit ishin shtuar rij italo-shqipëtarë, vullnetarë dhe aktivë, midis të cilëve qëndron në krye Manlio Dennici i kolonisë shqiptare të Pianës së Arbëreshëve (Palermo) dhe biri i një garibaldini trim të 1860-ës e 1862-ës.
Që Ay që donte present Gjeneralin në Napoli për Kongresin Shqipëtar, që bisedoi për 4 ditë: 21, 22, 23 e 24 prill, porse në çastin e fundit ay nuk mundi të ndërvijë.
Porse më 1902 jemi përsëri në projektin e shpeditës së armatosur në Shqipëri si e dëshmojnë letrat e Salvatore Fuschos, të G. Bianchinit, të Serafino Felicianit, të Raffaele Costas, të Paolo Bargiolit dhe të shumë të tjerëve.
Në vitin pasonjës qarkullon po ay lajm dhe po ajo rrënqethje në gjithë Siujdhezën dhe besnikët janë gati për veprimin e i shkruajnë Gjeneralit Riçiotti që të vihen, të bindur të enthusiast, në urdhërat e tijë.
Po përmend: Dr. Agostino Ribeço prej Spezzano Albanese (Kosencë), Mario Rebore, Merio Pare, Antonio Zanovello, student padovanë e të tjerë.
Siç shihet, nga Venetoja deri në Kalabri, mendimi dhe veprimi i Gjeneralit Riçiotti gjejnë pëlqime dhe gatishmëri për çdo sprovim.
Flaka ishte ndezur.
Më 1904, me zgjedhjet politike, Gjenerali Riçiotti pati idenë e lumtur të inserojë në sallën “e vuvër dhe të errët”, të Montecitorios, edhe një deputet italo-shqipëtar, q’ishte avokati Carlo Basta, që duhej të zgjidhej (por që nuk u zgjodh) në Kolegjin e Bassanos në Jonio (Kalabri). Është e këtij viti proklama e Gjeneralit e drejtuar Shqipëtarëve të Italisë në pritje (thoshte) “të çasteve vendimtare për pritmin e Mëmë Dheut”.
Dhe puna vigjëllonjëse e aktive shtohej gjithënjë.
Më 1905 ndodhi në Shkodër një tërmet me dëme e viktima dhe Gjenerali i ynë, bujar e mëshirplotë për fatkeqësitë e shqipëtarëve, i drejtoi një thirrje shtypit Italian për të nisur një nënëshkrim për ndihma e të tjera. Dhe e përditshmja: Atdheu mblodhi një shumë të mirë.
Mandej vazhdoi një paranthezë heshtjeje – porse jo amtije – ndofta për të mos alarmuar Austrinë, gjithnjë vigjëllonjëse dhe dyshonjëse e kërcnonjëse në dëmet t’ona; që lakmonte të zgjerohej drejtë Lindjes dhe përmes emisarëve të vetë besnikë, kërkonte të fitonte fushë edhe e mbi të gjitha në Shqipëri. Rreziku për Italinë ishte i madh dhe çasti historik i një delikatese të gjerë, duke u marrë parasysh edhe mos përgatitja e jonë për një konflikt të armatosur…
Dr. O. C. Mandalari
Oficer garibaldin