Dramaturgu Jeton Neziraj ka ndarë njoftimin mbi aktoren Ema Andrea e cila është vlerësuar me çmimin prestigjioz të tearit Italian. “ Jemi shumë krenarë të njoftojmë se aktorja jonë e mrekullueshme, Ema Andrea është vlerësuar me çmimin prestigjioz të teatrit italian “Premio Adelaide Ristori 2025”! Urime Ema Andrea!!!”
Aktorja u vlerësua, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace”, një bashkëprodhim teatror ndërkombëtar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.
“Për mua, nje vlerësim profesional që vjen nga vendi ku kam ‘shkruajtur’ libertà 30 vjet më parë, e ku kam ndërtuar fije ëndrrash, është një kufi prej uji e toke më i sigurt në rrugën ku paskam ecur e nuk paskam ditur që jam shumë me fat”, u shpreh aktorja Andrea për çmimin.
Për çdo vit, që nga viti 1998 Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten/in më të mirë të edicionit paraprak të Festivalit Mittelfest. Për vitin 2024, ky çmim i është ndarë aktores Ema Andrea, për rolin e saj në dramën e Jeton Nezirajt ‘Negotiating Peace’, në regji të Blerta Nezirajt.
E frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, NEGOTIATING PEACE sipas dramaturgut Neziraj, shprehur në një njoftim nga Qendra Multimedia, tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen?
“Negotiating Peace” është prodhuar nga Qendra Multimedia, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).
Lajmi konfirmohet edhe nga siti i festivalit Mittelfest ku njoftohet se çmimi për aktoren shqiptare do të jepet gjatë një ceremonie që do të organizohet më 20 korrik, në kishën Santa Mardia dei Battuti.
Kështu për për vitin 2025, çmimi Adelaide Ristori shkon për Ema Andrea, protagoniste e Mittelfest 2024 e Negotiating Peace, një dramë e shkruar nga Jeton Neziraj me regji të Blerta Nezirajt, e cila trajton në formën e një satire të ashpër, mes komedisë groteske dhe dramës, absurditetet dhe kontradiktat e tyre të paqësisë.
Mbi dyqind vjet më parë, më 29 janar 1822, Cividale del Friuli pa lindjen e një prej grave më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin e 19-të: Adelaide Ristori. “Aktores së madhe”, e cila magjepsi audiencën në mbarë botën, Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli i kushton çdo vit që nga viti 1998 çmimin me të njëjtin emër, të destinuar për artistin më të mirë të edicionit të mëparshëm të Mittelfest.