“…Kam punuar në gurore dhe në minierë… Kam punuar në ekonomi si ndihmëse; mblidhja domate, fasule, hapja kanale. Hipja majë mullarëve, hiqja urinën e lopëve, e hidhja tutje. Kur lyhej stalla e lopëve merrja fshesën dhe shpejt e shpejt mbaroja punë, e pastroja. Puna më e vështirë që kam bërë nuk ishte ngarkim shkarkimi i tullave por ruajtja e qingjave. Vrapo ato, vrapo unë pas tyre se, nuk dija si mbahej tufa. Edhe në gurore ishte punë shumë e rëndë. Jetoja me 2 lekë bukë dhe 8 lekë djath të shkrirë, edhe shishen e ujit e merrja…”

Është një nga dëshmitë tronditëse të Shpresa Selfos, ish e dënuar politike, e cila u nda nga jeta, të premten e javës që shkoi. Për fat, në projektin “Zërat e kujtesës”, vëllimi i VIII, që del nga shtypi së shpejti, projekt i ISKK, me Shpresën është siguruar një intervistë (dëshmi) e gjatë për vuajtjet e familjes së saj, gjatë diktaturës. E lindur në Gjirokastër, Shpresa ka rrëfyer persekutimin e familjes së saj, si dhe vuajtjet që nisën, edhe për të, në një moshë fare të vogël, kur ajo ishte 13 vjeç.

Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit i ka shprehur ngushëllimet familjes, dhe në homazh të saj, ne rrjetin social facebook, ka botuar fragmente nga intervista:

Kur nisi persekutimi i familjes suaj?Çfarë mbani mend?

Kur nisi persekutimi i familjes sime kam qenë e vogël, por pasojat i kuptoj sot. Babai, i detyruar, shkoi në aksion te Fabrika Myzeqeja, në Fier. Mua më la tek tezja, për të vazhduar shkollën. Isha në klasën e gjashtë. Klasën e peste e kisha përfunduar tek “Ismail Qemali”. Isha një nga nxënëset më të mira në Shqipëri. Shtëpinë ku rrinte babai, në Fier, e mori më vonë Pali Miska.

Babai u bë drejtor i fabrikës në atë kohë. Fillimisht, mbaj mend se, u sollën shumë mirë.Të gjithë e donin. Në vitin 1945, kur babain e arrestuan, ai ishte aksioner me gjashtë a shtatë të tjerë. Kur kam kërkuar më vonë dokumentet, i kishin djegur.

Na nxorën edhe nga shtëpia, dhe na dëguan diku tjetër. Nuk na dhanë as triska fronit, dhe si pasojë kaluam në një varfëri të tmerrshme. Nuk kishim bukë të hanim. Kishim uri të madhe, jo vetëm unë, që isha 13-14 vjeç, por edhe fëmijët e xhaxhait; djali i të cilit punonte hamall, ngarkonte e shkarkonte vetëm që t’i jepnin një copë bukë. Mbaj mend se për muaj të tërë kemi ndenjur tek xhaxhai. Ai, kur shkonte në dyqan, qëndronte në radhë, me orë, me njerëz pafund, dhe kur vinte radha, i thonin: Ky defter të cilëson se kush je, të marrë një herë populli, më pas ju. Nëse arrinte të tepronte ndonjë gjë, hanim, qoftë edhe një copë të vogël bukë, në të kundërtën mbeteshim pa bukë, pa ngrënë.Kur jemi kthyer në shtëpitë tona, që kishim lënë, e larguar me qira nëpër bodrume, pamë se gjithçka ishte grabitur.

Çfarë moshe kishit ju, pse u bë aq e vështirë jetesa? Si ju trajtuan?

Në atë kohë, isha13-14 vjeç. Isha në shkollë, në Fier. Mbasi na larguan nga shtëpia, nuk u mjaftuan, por na vendosën në një kodër, në një shtëpi beu, të shkatërruar nga lufta; pa tavan, pa dysheme… Në atë shtëpi jetuam me familjen e xhaxhait. Ishim totalisht të izoluar. Nuk kam fjalë ta përshkruaj mjerimin dhe urinë.

Nuk kishim ç’të hanim, para s’kishim. Pasurinë që kishim na e morën, dhe të tjerat u shitën. Mbetëm pa asnjë gjë. Njëherë mamaja kishte bërë një tavë me dhjamë e me kungull të kuq. Kur e mora nga furra ishte përvëlim, dhe duke iu ngjitur kodrës, më bie e gjithëtava në krah. Nuk na mjaftonin hallet e shumta, mbetëm dhe pa ngrënë, ndërsa dora m’u përvëlua. Një herë tjetër, një natë vjen një mik i babait, dhe i thotë se e kishin piketuar për ta internuar. Ai ishte çam, babai e kishte mik. Për gjithë natën mblodhëm plaçkat dhe, në një qerre, u nisëm për Rrogozhinë ku gjetëm një makinë e shkuam për Tiranë. Ishim unë, babai dhe motra. Do të shkonim tek motra e mamasë, tezja.  Atje qëndruam shumë të ndrojtur, nga frika mos i bënim keq. Donim vetëm të na ndihmonte të merrnim një triskë, të ushqeheshim. Më ka mbetur në kujtesë, nuk e harroj kurrë, kur erdhën e njoftuan se kishte mbledhje fronti tek “Shkolla e kuqe”. Na kërkuan me ngulm. Unë dhe motra, si të reja që ishim, e morëm me gëzim. Shkuam me dëshirë të madhe se kushedi, do na jepnin triskat e Frontit.  Hymë në një sallë të madhe, si sallë kinemaje. Ishte qetësi absolute. Na thanë që të dilnim përpara të gjithëve. Ne nuk e kuptuam, ishim të reja.  Para se të niste mbledhja, dikush ngrihet në këmbë dhe thotë, se kishte një problem. “Kundra dëshirës sonë po bëjnë pjesënë mbledhje edhe dy vajza,Flora Selfo dhe Shpresa Selfo. Mundësisht të dalin jashtë, sepse janë të padëshiruara”. Nuk e kisha ndjerë kurrë veten aq të turpëruar se ai moment. Faqet më ishin bërë vishnje dhe dolëm të dyja, sikur kushedi se çfarë turpi kishim bërë.

[….]

Në këto kushte, si arrije të siguroje punë, sa të vështira ishin?

Me shumë vështirësi kam mësuar rrobaqepësinë. Por, unë kam punuar në tetë punë të ndryshme. Kam punuar në gurore dhe në minierë. Punoja shumë, sa një herë kryetari i Bashkimeve Profesionale më pyeti, e më tha: Si arrite të bësh për vete 300 punëtorë?! Ja shpjegova se nuk më duhet klasa, kujt shtrese i përkisnin, unë thjesht bëja detyrën, shërbeja kush kishte nevojë.

Kam punuar në ekonomi si ndihmëse; mblidhja domate, fasule, hapja kanale. Hipja majë mullarëve, hiqja urinën e lopëve, e hidhja tutje. Kur lyhej stalla e lopëve merrja fshesën dhe shpejt e shpejt mbaroja punë, e pastroja. Puna më e vështirë që kam bërë nuk ishte ngarkim shkarkimi i tullave por ruajtja e qingjave. Vrapo ato, vrapo unë, pas tyre se, nuk dija si mbahej tufa. Edhe në gurore ishte punë shumë e rëndë. Jetoja me 2 lekë bukë dhe 8 lekë djath të shkrirë, edhe shishen e ujit e merrja.

Si arrite t’i përballosh gjithë këto punë, të rënda?

Me vështirësi, shumë vështirësi, saqë e gjitha reflektoi mbi shëndetin. Ngaqë unë kisha ngarkesë shumë të madhe emocionale dhe shëndetësore, fillova të kisha probleme me depresionin, stomakun dhe tiroidet. U shtrova, disa herë, në spitalin psikiatrik në Elbasan dhe, më pas, në Tiranë. Mbas disa kohësh më shtruan përsëri në Spitalin 5, në Tiranë. Edhe aty duhej të isha e vëmendshme. Një infermiere më pati thënë, njëherë, që të hiqja unazat dhe sahatin e dorës. Dyshova, dhe nuk pranova. Por, ajo më tha se do pija ilaçe të forta, prandaj, dhe nuk do mbaja mend. Me vete, po mendoja se, kurrë nuk do t’i pija ato ilaçe. Mbasi kalova pjesën më të vështirë, poshtë, më kaluan në katet e tjera. Nuk i kisha më frikë. Në fundjavë, ato, iknin sepse shkonin nëpër familje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!
Manipulimet dhe propaganda në filmat e komunizmit
Revolta që tronditi diktaturën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}