Një grup miqsh e kolegë kanë kujtuar, dje, në mjediset e Universitetit të Arteve, skulptorin Arben Bajo në ditën e tij të lindjes, ndarë nga jeta më 9 gusht, të këtij viti. Modestë në këtë kujtesë, me një gotë verë dhe rivëmendje të punëve të skulptorit dhe një pikturë e dedikuar. Arteka.al e përcjell këtë nderim me një artikull të gazetares Suadela Balliu, nga një intervistë e herët me skulptorin, për vendin që zinte nudoja në krijimtarinë e tij

Mbreme ne hollin e Universitetin e Arteve duke kujtuar e nderuar, miq e kolege, skulptorin Arben Bajo permes projektimit te disa puneve tij

Skulptori flet për vendin që zë nudoja në krijimtarinë e tij, tërheqjen thuajse frojdiane që ka vepra me kundruesin, trishtimi filozofik i artistit që vjen i përkthyer në gjymtyrët e gjatë e të hollë të gruas së zhveshur me gjendjet e së cilës ka krijuar një cikël të plotë dhe pse nudoja është e pashmangshme në jetën e një artisti

Si në akt intim zhveshjeje, ai zbulon më të renë e krijimeve, duke ia hequr plastmasën që e mbron për të ruajtur lagështinë aq të nevojshme për jetën e saj , si të ishte një rrobe…Shtati prej balte, i një gruaje të re, qëndron mbi një pod gjysmë e zhveshur.

Format e lakuara, coha që e mban mbledhur në duar duke mbuluar një pjesë të trupit të lakuriqtë, qëndrimi, flokët, tiparet e bëjnë të ndryshme nga nudot e tjera që mbajnë markën e tij. Pasi të jetë hedhur në allçi, do të transferohet në oborrin e një vile, pronarët e së cilës e pajtuan për këtë punë…Megjithë përmasat e mëdha, ajo nuk mund të konkurrojë vëmendjen e atyre skulpturave të bardha, ca më tutje në studio, që megjithëse në përmasa të vogla, duket sikur e thithin vështrimin siç bebëza e syrit dritën. Është gjithnjë e njëjta modele. Me gjymtyrë të gjatë e të hollë –qëllimshëm artisti e ka kapërcyer pritshmërinë reale të shëmbëllimit –gjoks të vogël e të rrumbullakosur lehtë, ijë, vithe e bark që e bëjnë të duket sikur sapo e ka cikur fazën e të qenit grua, flokët e mbledhur chignon si të balerinave klasike që ia thekson edhe më shumë elegancën, ndërsa portreti i saj shpesh duket i trishtë, i zhytur në mendime e i përhumbur, si të trazohej së brendshmi…“Artisti bën veten në pjesën më të madhe. Nëse e sheh atë të trishtë, mund të jem unë i trishtuar” – thotë Arben Bajo, skulptor dhe pedagog i skulpturës në Universitetin e Arteve.

Modelja, sqaron ai, ka fizikun dhe bukurinë e të patëmetë të vajzave që shkelin mbi pasarelat e modës, por për artistin dhe artin pasqyrimi i thjeshtë nuk do të kishte impaktin e nuk do trazonte aq shumë jo vetëm shqisat e kundruesit, por edhe nënvetëdijen e tij. Skulpturat e vogla, herë të ulura shpenguar mbi një raft, herë ëndërrimtare në gjysmë kotje mbi një sënduk të vjetër a sensuale në një kolltuk janë ato çka kanë ngelur nga i gjithë koleksioni, me të cilin ka çelur ekspozita brenda dhe jashtë vendit. “Pjesa më e madhe janë shitur, por kanë mbetur këto modelet e vogla, që pasi janë derdhur në bronz është ruajtur allçia, që e lejon artistin ta ribëjë” . Duke cituar Picasso-n, “Unë nuk mund të flas për gjithçka, por mund të pikturoj gjithçka” , skulptori dëshiron të thotë se vepra e tij, arti i tij nuk lips sqarime verbale, veçse godet nëmënyrë të drejtpërdrejtë atë që ndalet ta kundrojë. Ndërsa sheh titujt me të cilët ka përshkruar punët e tij, kupton se perceptimi se ato vishen nga një vel trishtimi i afrohet idesë së krijuesit. “E humbur në mendime” “Pritje” “Melankoli”, “Zgjim”, “Ëndërr”, “Përballë pasqyrës” …Këto janë gjendjet e nudove femërore. “Është një lloj trishtimi filozofik i artistit, ndërsa tërheqja që ndodh është disi frojdiane, nuk ka të bëjë me teoritë. Është diçka që ngacmon përtej koshiencës”.

Skulptura e Arben Bajos e nis rrugëtimin në fundvitet ’80. “E ndërtuar në atelietë e Akademisë së Arteve në Tiranë, skulptura e Bajos guxoi të ishte ndryshe në ato vite kur edhe studentë të tjerë shqiptarë po vinin në diskutim gjuhën plastike e stereotipale të metodës së Realizmit Socialist. Para kësaj, për dekada të gjata e të trishta, artistët shqiptarë ishin përshtatur me statusquonë e orientuar shtetërore, për të konkluduar në një produkt të shumtë në numër, monumental e glorifikues” -kështu e përshkruan skulpturën e Bajos, Ermir Hoxha.

Megjithëse ka realizuar edhe vepra publike, siç është shtatorja e At Zef Pllumit në shëtitoren e Shëngjinit apo ajo e Lef Nosit në Elbasan, Bajo e cilëson veten një skulptor kavaleti e jo monumental, ( të paktën jo e atij lloji monumental që lidhet me skulpturën e zhvilluar gjatë regjimit komunist. Megjithëse ka punuar në mënyrë konstante me nudot femërore duke realizuar një cikël të tërë – e pashmangshme në jetën e një artisti lëvrimi i saj, siç pranon ai vetë –Bajo thotë se gjatë karrierës së tij 30 –vjeçare i ka trajtuar thuajse të gjithë zhanret; instalime, skenografi, skulptura publike, instalacione… “Nudoja nuk mund të mungojë në jetën e një artisti! Është si një piktor të mos ketë bërë natyra të qeta , do të ishte i pakryer cikli, ose do të kishte një hendek. Nuk them se gjithë jetën do merrem me nudo… Nuk është te lakuriqësia, por te vërtetësia e njeriut”- shpjegon më tej.

…Bajo punon në mënyrë konstante edhe me nudot femërore. Në këmbë a të shtrira, ai ju dedikohet atyre në multiformitetin e vet ekzistencial si për të konfirmuar se jo më kot Venusi shënoi formën e parë skulpturore në historinë e artit. Ato ofrohen në shumë versione, teksa lartohen, të heshtura dhe elegante, a melankolike mbi pode. Të stërzgjata e me një tis lakonik, por tejet sensuale, ato pushojnë në vetminë e tyret ë pavëmendshme ndaj syrit kurioz. Në versione më të reduktuara ato paraqiten në çift ku trupat zhveshur, shtrirë në sofa, bashkëbisedojnë pa fjalë në çastet pas shkarkimeve epshore. Me fundshpinat e kolme e ngjyrime të forta erotike ato ofrohen si botëkuptim ekzistencial i jetës së sprovuar fizike në çift…Kështu e ka parë Ermir Hoxha këtë pjesë të krijimtarisë së Bajos, që trajton nudon.

Bajo thotë se në studion e një skulptori, kudo ku të shkosh, do të vëresh që nudoja nuk mungon. “Nuk e kam nuk e kam bërë vetëm unë. Unë ndoshta mund ta kem tepruar”- thotë duke qeshur.

Kaq rëndësi ka nudoja në jetën e një artisti saqë në universitet është lëndë më vete.

Me gjithë vështirësitë dhe pengesat që regjimi komunist i vendoste artistëve- për të ruajtur vijën ideologjike, Bajo është i mendimit se nuk ka qenë e pamundur për skulptorët të realizonin nudo, të paktën brenda studiove të tyre. “Paskali ka një gjysmë nudo në Pallatin e Brigadave, ndërsa Paço ka pasur dhjetë skulptura nudo femërore , të cilat i theu vetë pasi e detyruan. Edhe nga skulptorë të tjerë pas pasur përpjekje për të bërë gjëra interesante. Skulptura në atë kohë ishte pjesë e propagandës. Është lehtë të gjykosh tani. Por pati frymë për të sjellë gjëra të reja.” Pas ’90 –ës, edhe skulptura si edhe të gjitha format e artit e jo vetëm e gjetën veten në kaos, ndërsa nudoja edhe pse kanë kaluar 25 vite nga ndërimi i regjimeve, Shqipëria ende cilësohet vend konservator kur vjen puna te arti i lëvruar në formën e nudos. “Ju mund të më pyesni pse merrni me njeriun kur është aq i trajtur në skulpturë e pse me nudo në një vend konservator? Këtu është i gjithë problemi; nëse i vendos një burri që jeton në fshat një nudo mbi tavolinë do e quajë fyerje të madhe, ama në televizor ai sheh vajzat e spektaklit të zhveshura dhe kënaqet. Por ky në fakt është problem botëror”.Bajo rrëfen sesi Modigliani-in vajtën ta arrestonin në mes të ekspozitës së tij, në Parisin bohem, mbushur dingas me kabare dhe shtëpi publike, sepse e quajtën nudon e tij ofesë për publikun. “Edhe në shoqëritë e zhvilluara kanë ndodhur. Sigurisht, para 100 vitesh , por kanë ndodhu. Unë nuk kam pasur kështu problemesh. Ekspozitat i kam realizuar në shkollë, me studentë e publik të zgjedhur. Megjithatë po të pyesësh mamanë time, do të thotë ngele duke bërë lakuriqe” – qesh ai. “Me dhjetëra ekspozita personale e kolektive sa brenda e jashtë vendit, Bajo ofron një produkt të shumëfishtë pa e humbur atë gjuhë plastike të ngjizur në atelietë akademike. Dallohen mes tyre lehtësisht “raftet”, struktura prej allçie, ku përmblidhen në një melting pot në miniaturë të gjithë format skulpturore të krijimtarisë së tij ndër vite. Projektuar si një ikonostas personal i një krijimtarie në fazë muzeale, në to gjejmë nudo, portrete, kuaj lakonikë apo copëza projektesh të prekure në kohë”- shkruan Ermir Hoxha mbi krijimtarinë e Bajos. Artistët, e veçanërisht ata të arteve figurative kapin shenjën e kohës dhe e kapërcejnë atë drejt së ardhmes, si pararojë e epokave që vijnë.Megjithëse çdo epokë ka tendencat e saj edhe në art- deri para disa vitesh rrëfen Bajo ishte epika e kitch-it, siç përpara saj lëvizja e pop artistëve- një artist që bën një pikturë a skulpturë tradicionale e jeton në këtë epoke nuk ka pse të mos quhet bashkëkohor.

“Në botën e sotme ka shumë abuzim. Teknologjia e ka tejkaluar njeriun. Dhe ti pyet pse ky i çmenduri bën nudo femërore?”- qesh ai. Hoxha është i mendimit se skulptura e Bajos e ka gjetur rrugën e vet. “Pasi përshkroi pa shumë tronditje një rrugë në kërkim të gjurmës së vet stilistike, e cila pas eksperimentimeve tipike të një artisti të ri pranë metropoleve europianë e gjen veten në një format më realist, përshkuar nga nota humaniste, por pa humbur gjurmën e prekjeve të viteve të para, me sipërfaqe të vrazhda ekspresive”. Qendër e krijimtarisë së tij gjatë viteve të fundit mbetet figura njerëzore. Sidomos portreti, realizuar thuajse gjithnjë në përmasa reale, ofrohet si hetim i drejtpërdrejtë i artistit njëherazi sa mbi psikologjinë e personazhit aq dhe mbi vetë realitetin që rrethon. Format skulptorike të Bajos e ftojnë shikuesin, për pak kohë, në një dialog psikologjik mes formës dhe subjektit, si për të përforcuar shprehjen se arti ndryshon shikimin tonë mbi veten aq sa edhe mbi botën.Për Bajon nuk ka objekt të shëmtuar. Ka artistë në kërkim të përjetshëm të bukurisë . Nëse antikiteti pasqyronte trupa hyjnish në fizik atletësh, Mesjeta apo Rilindja format e kolme e të bollshme të grave, ai ka zgjedhur të flasë me gjymtyrë të hollë e të gjatë . Por ka të tjerë, piktorë e skulptorë bashkëkohorë që sjellin bukurinë e grave mbipeshë apo në moshë të shkuar. “Roden ka një skulpturë, titulluar “Dikur kam qenë e bukur” një plakë nudo, shumë e bukur, ka një plastikë… Lucien Frojd ka një grua obeze në pikturë. Fernando Botero është një skulptor kolumbian që bën nudo grash të shëndosha. Ka shumë artistë që merren seriozisht me figurën e njeriut. Është e pashpjegueshme kjo tërheqje. Sigmund Frojd ishte koleksionist skulpturash dhe thoshte: “Kam arritur në përfundimin se skulpturat janë fetish”.

Kur jetonte në Romë shkonte çdo ditë te Moisiu i Mikelanxhelos, në një kishë për tre vjet, bëri enjë libër dhe në fund thotë: “përsëri nuk e kam kuptuar magjinë se e pse ajo skulpturë më tërheq aq shumë. Kështu duhen parë vepra e artit. Nuk duhet të merremi me lëkurën , por me thelbin” – thotë Bajo, ndërsa shton “Skulpturoja Louise Bourgeois thotë: “Nëse vepra ime nuk ju prek, atëherë unë kam dështuar. Ka shumë rëndësi që të bëhet një nudo, por nuk ka kuptim nëse e bëj siç e bën Rodeni, apo një tjetër. Duhet të ketë shijen e kohës”. Për të, vepër arti është ajo që ka jetë dhe kur merr baltën në dorë për t’i dhënë formën fillestare, një skulptor nuk mund veçse ta shohë veten afër me zotin, që i jep jetë krijesës së tij, që në të gjithë mitologjitë a religjionet vjen në këtë botë, i zhveshur…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Magazina e “Nëntorit”
Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: Si u bëra “artist i merituar” në diktaturë
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}