Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

Cilat ishin parimet e vendosjes së barazisë sociale? Kuvendi popullor vendos pagat tavan të udhëheqësve. Enveri hymnizon projektet e ndërtimeve gjigande.

Cila ishte periudha ku u shpall një prej aksioneve më të mëdhenj nën parrullën e “revolucionarizimit” të jetës së vendit dhe forcimit të diktaturës së proletariatit? Cilët ishin personalitetet dhe intelektualët që u hoqën qafe nga Enveri? Ngjarja e bujshme e Festivalit të 11-të në RTSH, në kohën kur drejtor ishte Todi Lubonja. Cilat ishin raprezaljet njerëzore që pasuan lëvizjet maoiste në vendin tonë?

 Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

***

Suksese u arritën edhe në bujqësi. Por rritja në përqindje e të gjithë treguesve, nuk pasqyronte gjendjen reale. Me rritjen e shpejtë të numrit të popullsisë në vend, prodhimi absolut i një sërë asortimentesh të rëndësishëm të produktit bujqësor për frymë të popullsisë mbeti i ulët dhe mjaft mbrapa nivelit të vitit 1962, kur llogaritej edhe ndihma e BRSS-së dhe e vendeve socialiste të Europës Lindore. U vërejt një pakësim i vazhdueshëm i numrit të bagëtive, kryesisht nga mossigurimi i bazës ushqimore.

Gjykimi formalist i parimit të drejtësisë sociale çoi në parazitizëm, që u shpreh, për shembull, me të ashtuquajturin barazim të pagave të punëtorëve dhe nëpunësve.

Në mënyrë të vazhdueshme, me ndërprerje dy-tre vjeçare, ngriheshin rrogat e kategorive të punonjësve, që paguheshin më pak dhe uleshin rrogat e tyre, që paguheshin më shumë. Në shkurt të vitit 1969, Kuvendi Popullor miratoi ligjin, i cili u vinte tavan pagave të udhëheqësve; ato nuk mund të ishin më të larta se dyfishi i pagës mesatare të punëtorit. U bë gjithashtu mesatarizimi i masës së pensionit.

Jetesa mjaft e varfër e pjesës më të madhe të popullsisë nuk u fut në kornizat e tablove të përshkruara nga propoganda partiake për sukseset, që kishte arritur Shqipëria në të gjitha fushat e jetës.

Hymnizimi i projekteve të ndërtimeve gjigande (për përmasat e Shqipërisë), si ai i kombinatit metalurgjik në Elbasan apo uzinës në Fier u bënë pjesë e fjalimeve të programuara të udhëheqësve partiakë shtetërore, të mbushura me frazeologji maoiste për revolucionarizimin e të gjitha fushave të jetës, për diktaturën e proletariatit, e cila, nëse nuk forcohet vazhdimisht, mund të degjenerojë në diçka borgjezo-revizioniste, për elementët e rinj kapitalistë, që lindin në kushtet e socializmit, për forcimin e herë pas hershëm të luftës së klasave në ekonomi. Pak nga pak teoricienët e propogandës shqiptare po shndërroheshin në fanatikë maoistë, më shumë se bashkëpuëtorët e pasuesit e Mao Ce Dunit në Kinë.

Pastërtia ideologjike e socializmit shqiptar u arrit jo aq me metodat e bindjes dhe parashtrimit të sukseseve të tij, të cilat ishin të një cilësie mjaft të dyshimtë, sesa me mënyra detyruese. Futja në ndërgjegjen e masave e psikologjisë “së kalasë në rrethim”, si një element i domosdoshëm i sistemit partiako-komandues i tipit socialist solli nevojën për të kërkuar armiqtë, që gjoja përpiqeshin ta pushtonin këtë kala nga jashtë ose nga brenda. Në një vend të vogël për nga numri i popullsisë dhe përmasat e sipërfaqes si Shqipëria, vendosja e kontrollit të plotë mbi të gjitha fushat e jetës të shoqërisë ishte diçka relativisht e lehtë e, në të njëjtën kohë, e rrezikshme për çdo qytetar.

Këtë kontroll e bënin të mundur organet e sigurimit, që drejtoheshin direkt nga kryetari i këshillit të ministrave, Mehmet Shehu, policia dhe forcat e kufirit. Përherë të gatshëm për “punë” ata kryenin në mënyrë të vazhdueshme pastrimin rutinë e, po ashtu, edhe fushata për të zbuluar “armiqtë e popullit”.

Një prej aksioneve më të mëdhenj të kësaj natyre, qe fushata e viteve 1973-1975, kur nën parrullën e, “revolucionarizimit” të jetës së vendit dhe forcimit të diktaturës së proletariatit ranë kokat e shumë personaliteteve të shquara.

Goditja e parë iu dha kulturës. Në dimrin e vitit 1971 u organizua festivali i këngës në Radiotelevizion: tualeti i mbrëmjes i drejtuesve, kostumet e bukura të pjesëmarrësve dhe publikut krijuan atmosferën e një feste të vertëtë. Udhëheqja e PPSH-së panë shenjat e përuljes para kulturës perëndimore dhe mënyrës perëdimore të jetesës.

Në plenumin më të afërt të KQ të PPSH-së, në qershor të vitit 1973, plasi skandali.

Vetë E. Hoxha demaskoi shfaqjet e ndikimit borgjezo-revizionist dhe liberalizmit në artet pamore, letërsi, radio e televizion dhe te inteligjenca e rinia në përgjithësi. Drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit, Todi Lubonja, i cili kishte qenë i pranishëm në plenium, i tha një miku, që takoi rrugës teksa po kthehej për në shtëpi: “Kam frikë, se pas kësaj do të më kërkojnë kokën”. Dhe ai pati të drejtë. Atë dhe sekretarin e komitetit të partisë të Tiranës i bashkuan me një grup armiqësor antiparti, i përjashtuan nga KQ i PPSH-së, nga partia e më pas i arrestuan.

Fill pas masave ndëshkuese ndaj punonjësve të frontit ideologjik, pasuan ndëshkimet e drejtuesve më të lartë të shtrisë dhe ekonomisë popullore. E keqja u shkul me rrënjë: disa u pushkatuan, disa u mbyllën nëpër burgje dhe kampe përqendrimi.

Plenumi i KQ të PPSH-së, i qershorit të vitit 1974 dënoi veprimarinë antiparti dhe antisocialiste të grupit të “Komplotistëve” të kryesuar nga ministri i mbrojtjes Beqir Balluku, në të cilin bënin pjesë shefi i shtabit, Petrit Dume dhe Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Hito Çako. Ata gjoja kishin organizuar një grusht shteti për të marrë pushtetin e për të vendosur rendin borgjezo-revizionist. Që të tre,- ata mbanin dekoratën më të lartë, urdhërin e heroit të popullit-u dënuan nga gjykata ushtarake me pushkatimi. Beqir Balluku, i cili konsiderohej se kishte ndaj Hoxhës një besnikëri të pakufishme siç thonë, shkoi në ekzekutim me portretin e tij në gji. Pas larjes së hesapeve me udhëheqjen e ushtrisë u bë pastrimi i radhëve të oficerëve madhorë: 18 prej tyre morën dënime të shkallëve të ndryshme: nga internimi deri në burgim. Veçanërisht ashpër u dënuan ata, që kishin mbaruar shkollat ushtarake sovjetike.

 Të njëjtin fat me ushtarakët patën në vitin 1975 edhe presidenti i Komisionit të Shtetit, Abdyl Këllezi, Ministri i Industrisë, Koço Theodhosi dhe ministri i Tregëtisë, Kiço Ngjela. Edhe ata u akuzuan për veprimtari armiqësore, sabotazh dhe shtrembërim të vijës ekonomike të partisë. Në këtë kohë, mosmarrëveshjet midis udhëheqësve shqiptarë e kinezë kishin dalë sheshit, prandaj u fajësuan “sabotatorët”, që kishin shkatërruar ekonominë sipas porosive të armiqve të jashtëm, të cilëve u shërbenin. Kuptohet, që kundër tyre u përdorën masa shtrënguese morale e fizike dhe ata pranuan çdo akuzë  që ngrinin organet e sigurimit e hetimit. Dikë, nuk dihet përse, e detyruan të pranonte për… Karl Kautskin.

Vendin e përshkoi një valë ndëshkimesh, që u kushtoi jetën apo vite të tëra burgu bashkëpunëtorëve të vërtetë apo të sajuar të “armiqve kryesorë të popullit”. Në këtë kohë, u dënuan si spiunë të huaja edhe gra sovjetike, faji i vetëm i të cilave qe, se në vitet 50-të ishin martuar me shqiptarë.

Proceset politike të viteve 1973-1975 qenë pasoja origjinale e orientimit për zhvillimin ekonomik, të miratuara nga udhëhqja shqiptare. Sipas formulës të “mbështetjes kryesisht në forcat e veta”, që në të vërtetë donte të thoshte me investimet e përmsave të mëdha të Kinës. U bë shumë e qartë, se vende të vogla si Shqipëria nuk mund t’i zhvillojnë të gjitha degët e industrisë, qoftë në mënyra të pavarura, qoftë me ndihmë nga jashtë. U përsërit situata e viteve 1960-1961, kur u poq konflikti sovjeto-shqiptar.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>