Nga Edmond Budina
Mes dhimbjes, lotëve, por edhe duartrokitjeve e këngës përcollëm Edi Luarasin, për në banesën e fundit. Rëndom dëgjojmë të flitet për artistë të “mëdhenj”, që tunden e shkunden para ekraneve, ndonëse vlerat e tyre nuk janë të dallueshme. Artist nuk është ai që thjesht ka një profesion në fusha të ndryshme të artit, por ai tek i cili profesionalizmi i nivelit të lartë përputhet me njeriun, qytetarin dinjitoz, koherent, modest, të ndershëm, fisnik. Në këtë këndvështrim Edi Luarasi ishte një artiste e vërtetë si rrallëkush. Emrin e saj e kam dëgjuar qysh në moshë të njomë, kur të mërkurave, në orën 20.30 dëgjoja Teatri në mikrofon, në radio Tirana. Timbri i zërit të saj ishte i veçantë, i pangatërrueshëm me askënd tek dramat “Shtëpia në bulevard”, “Doktor Aleksi”, “Mbreti Lir” etj. “Njollat e murme”, që pata fatin ta shoh shtatë herë, ishte jo vetëm një shfaqje shumë e mirë, por me interpretime aktoriale të jashtëzakonshme. Edi, së bashku, me Vangjush Furxhiun ishin të papërsëritshëm. Edi për ne të rinjtë e asaj kohe, që ëndërronim të bëheshim aktorë, ishte një pikë referimi, ishte frymëzim. Më kujtohet që diku nga fillimi i viteve shtatëdhjetë, ajo shkoi për vizitë në Prishtinë dhe mua më ra në dorë një fotografi e saj me aktorin e njohur kosovar Faruk Begolli. E kam mbajtur atë fotografi si të ishte një ikonë dhe vite më vonë, kur jam takuar me Farukun, ai më ka folur me superlativa për Edin, që sipas tij ishte një aktore e përmasave botërore.Mënyra e saj e interpretimit në kinematografi, në ato role ku ka luajtur, ka sjellë një frymë të re, një natyrshmëri, që do ta kishte zili gjithkush. Pikërisht, kur çifti Luarasi ishte në kulmin e karierës, pas shfaqjes “Orfeu zbret në ferr” dhe festivalit të njëmbëdhjetë, u godit rëndë prej diktaturës. Mihali përfundoi në burg dhe Edi në rrobaqepsi. Në ato vuajtje u shpërfaq edhe më dukshëm karakteri dinjitoz i artistes së vërtetë Edi Luarasi, që jo vetëm nuk u divorcua nga bashkëshorti i saj, megjithë “këshillat dashamirëse” të pushtetit, por i shkonte edhe ne burg. Koleget e saj të robaqepsisë flisnin me respekt e dashuri për të, për përkushtimin dhe sakrificat për të rritur fëmijët, Lean dhe Tonin. Në ato kohë të errëta, ndonëse nën zë, në teatër pëshpëritej me simpati për të.Nuk do ta harroj asnjëherë pedagogun tim me pompën e bojaxhiut mbi shpinë dhe Edin, që fluturonte me biçikletë gjithë dinjitet, pa dashur të verë në vështirësi të njohurit dhe miqtë. Në provën gjenerale të shfaqjes sime “Natë me hënë”, e ftova çiftin Luarasi. Edi nuk erdhi, ndërsa Mihali po. Më pas kam shkuar në shtëpinë e tyre, diku pranë shkollës “Petro Nini” dhe kemi biseduar gjatë.
Më ka mbetur e pashlyeshme në kujtesë drita në sytë dhe shpresa e Edi Luarasit për ndryshimet që po ndodhnin në Shqipëri.Rikthimi i saj në skenë me “Vizita e damës plakë”, ishte një nga ngjarjet më të bukura artistike të Tiranës së atyre viteve.Edi Luarasi, artistja, bashkëshortja dhe nëna e pakrahasueshme me askënd, u largua nga jeta, por ka lënë pas një trashëgimi, jo vetëm përsa i përket artit të aktrimit, por mbi të gjitha të dinjitetit njerëzor, kaq i rrallë në ditët që jetojmë. Persekutimin, vuajtjet dhe sakrificat nuk i përdori asnjëherë si medalje për t’u mburrur ose për të përfituar atë që nuk i takonte. Ajo ishte dhe një mbrojtëse e trashëgimisë sonë. Në një video të saj, ndonëse e pafuqishme ajo thotë: “O shqiptarë, mos e prishni Teatrin Kombëtar, se kemi lënë kockat atje!” Ishte si një klithmë, si një amanet që na i ka lënë të gjithëve, për të thënë “Njerëz, ruajeni dinjitetin, mos u shpërbëni”. Qoftë Toni, qoftë Lea luftuan deri në fund për Teatrin, amanetin e prindërve të tyre, të cilin barbarët e shqyen në mënyrën më të pabesë. Janë po këta të pabesë, që nuk morën pjesë as në ceremoninë e lamtumirës të një prej figurave më simbolike të historisë së artit shqiptar.Edi Luarasi mund të quhet me plot gojën një martire, që pagoi rëndë, me jetën e vet, faje që nuk i kishte bërë. Së bashku me Mihalin ata e donin artin, kulturën. Ishin njerëz, që e donin lirinë dhe për të paguan një çmim të shtrenjtë.Tek ajo ka kaq shumë dhunti, që janë në harmoni me njëra tjetrën dhe përngjasojnë me ngjyrat e ylberit, i cili shfaqet menjëherë pas shiut për të treguar se moti do të përmirësohet. E tillë dhe jeta e vepra e Edit, që na bën të shohim optimistë, ashtu sikundër ajo ishte, gjithmonë me shpresë përpara. Duket sikur thotë: “Mos u trishtoni, moti do të çelet dhe unë do të jem me ju tek ngjyrat e ylberit, tek lulet, tek këngët, tek shfaqjet, filmat …”Faleminderit për gjithshka të bukur që na ke dhuruar dhe leksionin e jetës tënde dinjitoze. Pushofsh në paqe Edi e dashur.
20202 komentePëlqejKomentoNdaj