“Tirana International Film Festival” në edicionin e 18-të do të hapet më datë 19 shtator. Edhe këtë vit festivali sjell prodhime të ndryshme të kinematografisë së huaj, por dhe asaj shqiptare. Festivali do të hapet me filmin “Liqeni im”, me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani te amfiteatri i Tiranës, ndërsa në mbrëmjen e fundit do të mbyllet me “Willow” ( Shelgu) të Milcho Manchevski-t, në datën 25 shtator. Këtë vit në konkurrim janë 108 filma nga e gjithë bota, por dhe prodhime të tjera që nuk janë pjesë e garës do të shfaqen gjatë ditëve të festivalit, që këtë vit do të zhvillohet online. Drejtori i festivalit Agron Domi thotë se në total në “Tirana Intrenational Film Festival” do të shfaqen 220 filma. “Do të jenë 108 filma në konkurrim nga të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike përfshirë edhe filmin në shqip, dhe 112 filma nuk do të jenë në garë”, thotë drejtori i festivalit Agron Domi. Për “Bufin e artë” në “TIFF 2020” konkurrojnë dy filma, “Exil” i regjisorit Visar Morina dhe “Zana” i regjisores Antoneta Kastratit. Ndërsa, për “Oscar Qualifying” konkurron filmi “The news” i regjisorit Lorin Terezi. Milcho Manchevski, fitues i Venecias me “Before the Rain” dhe kandidat për Oscar vjen me filmin e fundit “Shelgu” ekskluzivisht në “TIFF”, si një bashkëprodhim i Banana Film Maqedoni dhe Tirana Film Institute, Shqipëri. Në film, dy histori e gjysmë dashurie – njëra mesjetare dhe tjetra bashkëkohore, pasqyrojnë dhe kontrastojnë njëra-tjetrën. Edhe pse i ndajnë disa shekuj, personazhet e filmit “Shelgu” kanë të njëjtat shqetësime, gëzime dhe ëndrra. Në edicionin e 18-të të festivalit të“TIFF” juria do të vlerësojë prodhime të ndryshme të filmave, ku vlerësimi do të jetë po online. Edhe këtë vit filmat janë në kategori të ndryshme, ashtu si dhe vite më parë. Kështu te “Panorama” ka disa prodhime kushtuar temave më të ndjeshme sociale. Festivali i 18 ka këtë vit për filmat dhe “Reflecting Albania” apo dhe “Focus”, ku do të jetë shkolla polake e animacionit me programin NEW WAY, një përmbledhje retrospektive e filmave më të mirë të kësaj shkolle gjatë 50 viteve të fundit të vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Filmi “Liqeni im” në festival

Një vit pas ndarjes së papritur nga jeta “TIFF” sjell për publikun më 19 shtator filmin e fundit të Gjergj Xhuvanit, si një homazh për mikun, kolegun dhe regjisorin e suksesshëm shqiptar të 30 viteve të fundit. Projekti “Liqeni im” me skenar dhe regji të Gjergj Xhuvanit është prodhuar nga On Film Production. Projekti është një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë dhe ka mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Aktorë në film janë Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia Zogu, Julinda Emiri, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Miriana Deti, etj. Në qendër të filmit djaloshi Kristo jeton në një fshat në buzë të liqenit të mrekullueshëm të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujërat në kufijtë e tre vendeve të Ballkanit: Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një kontrabandues i marihuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase. “Tirana International Film Festival” (TIFF) është eventi më i rëndësishëm kinematografik, që zhvillohet në Shqipëri jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, aftësinë selektive të filmave, programit të pasur, zbulimeve interesante dhe premierave të filmave më të rëndësishëm në tregun kinematografik sot në botë.J.V

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Deti monumental i Adrian Pacit përmbyt Mudec-in
Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}