Në pesë muajt e këtij viti, qeveria shqiptare ka shpenzuar më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo mund të tingëllojë paradoksale, po të kemi parasysh mbylljen e ekonomisë nga epidemia e Covid-19 dhe angazhimin për të mbështetur me financime sektorin privat, për të përballuar pasojat e mbylljes së shumicës së sipërmarrjeve.
Por, përkundrejt monologjeve torturuese të kryeministrit në Facebook dhe propagandës me frazën patetike të “pagës së luftës”, në fakt, shifrat nuk tregojnë që qeveria shqiptare të jetë harxhuar kaq shumë për të mbështetur ekonominë.
Totali i shpenzimeve për pesëmujorin ishte 187.8 miliardë lekë, ndërsa për pesëmujorin e vitit të kaluar shpenzimet kishin qenë 188.1 miliardë lekë.
Në veçanti, shpenzimet korrente ishin 166.5 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 700 milionë lekësh krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar.
Këto shifra tregojnë se mbështetja për qytetarët dhe punonjësit e prekur nga mbyllja e ekonomisë nuk kanë pasur ndonjë ndikim domethënës në llogaritë e qeverisë. Të vetëpunësuarve dhe të punësuarëve në biznesin e vogël iu dha një pagë minimale në kufirin e mbijetetës.
Një mbështetje e ngjashme u dha për punonjësit e disa prej aktiviteteve të mbyllura, të cilët morën 40 mijë lekë në tre muaj ose më pak se 17 mijë lekë në muaj, shifër kjo edhe më e vogël se paga minimale.
Për pjesën tjetër të punonjësve të prekur nga kriza, qeveria tregoi dyert e bankave dhe iu tha punëdhënësve të merrnin kredi me garanci sovrane për të paguar rrogat. Pasi kuptoi absurditetin e skemës, qeveria vendosi së paku të subvenciononte interesat e këtyre kredive.
I vetmi rëndim në buxhetin e shtetit ka ardhur realisht nga rënia drastike e të ardhurave. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat buxhetore kanë rënë me rreth 27 miliardë lekë dhe po kaq është afërsisht është rritur edhe deficiti buxhetor.