Nga Kujtim Çashku

Maks Velo nuk është Henry Moore shqiptar, por Henry Moore kishte një jetë tjetër tek artisti shqiptar Maks Velo, veç asaj që jetoi në Perry Green, Hertfordshire të Anglisë.
Ai jetoi dhe jeton ende te Maks Velo në Tiranë, madje jo vetëm në Tiranë por, për 10 vjet dhe në ferrin e Burgut të Spaçit në Shqipëri.
Jeta tjetër e Henri Moore te Maks Velo është unike në botë.
Për fat të keq, ose të mirë, këtë jetë tjetër të tij në Shqipëri Henry Moore nuk e mësoi kurrë për së gjalli.
Ai lindi më 30 korrik të 1898 dhe vdiq më 31 gusht 1986.Dihet nga të gjithë që artisti nuk matet me vitet që jeton fizikisht, por me jetëgjatësinë e veprave që ai krijon. Pra artisti në thelbin e vet ka një jetë tjetër.
Jeta e Henry Moore është prezente sot në gjithë hapësirën publike të botës.
Në Shqipëri, ajo u shfaq për herë të parë për publikun tonë, në vitin 2013, në Galerinë Kombëtare të Arteve, përmes një ekspozite të organizuar nga Këshilli Britanik në Tiranë.
Në fakt, Henry Moore kish shtegtuar inkonjito shumë vite më parë në Shqipëri. Vepra e tij,ishte strehuar dhe kishte zënë vend në krijimtarinë artistike të Maks Velos që në vitin 1969.Pra vepra, jeta tjetër e Henry Moore kishte fluturuar si fantazmë nga Anglia mbi kështjellat dhe katedralet europiane, kishte kapërcyer kufijtë idhnakë ballkanikë, tela me gjemba shqiptarë dhe kishte hyrë pa trokitur në portën e hapur të mendjes, zemrës dhe shpirtit të artistit Maks Velo.
Maks Velo jetonte në qoshen më të errët të botës, ku nuk mund të penetronte kurrfarë drite perëndimore dhe pse një rilindas shqiptar u kish lënë amanet bashkëkombësve të vet që dielli i tyre lind nga perëndon.Velo, duke strehuar artin e ndaluar të Henry Moore në veten e tij, do të kryente një blasfemi, një “krim” ndaj vendit ku jetonte. Henry Moore në Shqipëri konsiderohej “armik”, siç konsiderohej çdo gjë që vinte ose rrëzëllente nga Perëndimi.
Mirëpo Maks Velo kishte strehuar këtë “armik” në veten e tij. Velo jetonte fshehurazi në shtëpinë e tij me artin e Henry Moore. Ai kish krijuar një jetë tjetër të dytë të tij. Kjo jetë, ishte në harmoni të plotë me jetën tjetër të artistit britanik.Jeta artistit britanik kishte shkelur në mbretërinë e ndaluar shqiptare. Për këtë shkelje, dikush duhet të jepte shpagim e duhej bërë shembull ndëshkimi në mënyrë që asnjë shqiptar të mos guxonte më të strehonte dikë që vinte nga Perëndimi, gati duke tejkaluar dhe përfytyrimin nazist ndaj hebrenjve, edhe pse shqiptarët në atë kohë i kishin strehuar hebrenjtë në shtëpitë e tyre.
Për të paguar haraçin e gjësë së ndaluar perëndimore, ishte zgjedhur artisti që kishte guxuar të bëhej strehë e artistit britanik.Fotot e artit të Henry Moore që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri, jo si fantazmat bunueliane të lirisë dhe as si fantazmat shekspiriane të së vërtetave. Ato ishin disa imazhe ikonografike statuetash të vogla në faqet e një katalogu që, çuditërisht, ishin arratisur nga Anglia për të hyrë në Shqipëri.
Këto imazhe kishin frymën, jetën, gjuhën, formën, tingullin dhe aromën e tyre perëndimore.
Henry Moore ishte shprehur për statuetat e tij të vogla prej argjili, se ato ai i vështronte herë pas here nga një kënd i caktuar në sfond të qiellit, dhe si të tilla ai vetë besonte se ato krijesa argjili nuk ishin më të tijat, por të dikujt tjetër mbase të vetë zotit që i kish krijuar.Ai nuk e përfytyronte se nga qielli që ai i shihte krijesat e tij, një ditë ato do të fluturonin dhe do të mbërrinin te qielli ku jetonte artisti Maks Velo.
Këto krijesa tek Maks Velo kishin gjetur mirëkuptim dhe paqëtim, në kundërshtim të plotë me vendin ku ato si krijesa ishin shpallur të ndaluara e të mallkuara.
Jeta tjetër e Henry Moore do të ndërthurej në njëfarë mënyre me një jetë tjetër të Maks Velos në formë adhurimi të gjësë së ndaluar, thuajse si në kohët e tragjedive antike.Maks Velo kishte zgjedhur të paguante çmimin e prekshmërisë së të ndaluarës, madje me riskun e flijimit për këtë bashkëjetesë të artistit anglez dhe atij shqiptar.
Njerëzit pranojnë një bashkëjetesë kur palët bien dakord. Maksi nuk kishte marrë pëlqimin e Henry Moore. Vetë Moore, po ta dinte se arti i tij do të shkatërronte jetën e dikujt tjetër, do të ndihej keq, madje mbase fajtor ose ndoshta do të kishte bërë diçka. Mbase, duke mësuar për fatin e artistit shqiptar, që po burgosej vetëm për faktin se adhuronte veprën e tij, Henry Moore do ta mbronte artistin shqiptar që po luftonte me barbarinë.Nga ana tjetër, Maks Velo ishte i vetëdijshëm dhe nuk donte që jeta tjetër, ajo e veprës së Henry Moore, të ndëshkohej në vendin e tij. Ai kishte vendosur ta mbronte artistin britanik, qoftë dhe duke flijuar jetën e tij.
Në atë kohë nuk kishte internet, nuk kishte Facebook, Twitter apo Instagram, Google Earth apo YouTube, që imazhet, galeritë e botës apo jeta tjetër e kujtdo artisti botëror të kapërcente kufijtë e botës, sistemet politike, diferencat kulturore, racat, etnitë, fetë apo kombet, sikurse ndodh sot.Në atë kohë, sytë e artistit shqiptar treteshin në horizontin e detit dhe në pafundësitë e qiellit nga ku pritej kumti i lirisë së munguar dhe ëndrra e një jete tjetër për të gjithë.
Në fakt, dikur Henry Moore, pra edhe ai vetë kishte pranuar qoftë dhe të vdiste në luftë për ëndrrën e lirisë, madje vdekja një herë i ishte përplasur në fytyrë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gazi helmues i kishte marrë frymën për t’ia përjashtuar atij banalisht jetën tjetër të artistit, që me veprën e vet do të shtegtonte më vonë kudo në botë.Maks Velo ishte i vetëdijshëm për haraçin që do të paguante në mbretërinë e vdekjes. Ai e dinte që gjatë pushtimit osman vendi i tij, i vogël europian, Shqipëria, kishte prodhuar e shkaktuar tragjedi të mëdha shekullore madje, që prej kohësh antike, dhe asnjëherë fatbardhësisht ndaj të tjerëve por gjithnjë fatkeqësisht ndaj vetvetes.
I ndodhur me një grup studentësh të Akademisë së Filmit e Multimedias “Marubi” në ekspozitën e Henry Moore në Galerinë Kombëtare të Arteve, njëri prej studentëve e pyet Maks Velon:
-Profesor ju u burgoset se admironit Henry Moore?-Jo, thotë Maks Velo – në të vërtetë unë dhe Henry Moore u burgosëm të dy së bashku në Burgun e Spaçit. Vepra e Henry Moore jetonte brenda meje në galeritë e thella të burgut. Pra ish një jetë tjetër artisti brenda jetës sime. Mua nuk më dënoi Henry Moore. Unë dhe në burg ndjehesha i lirë, inspirohesha prej tij. Disa nga skicat që ia kam dhuruar Akademisë suaj të filmit i kam bërë në Burgun e Spaçit.
Më 1978, jeta tjetër unike e Henry Moore u përplas llahtarshëm me jetën e Maks Velos. Maks Velon e lidhën duar e këmbë, e torturuan nëpër birucat e diktaturës dhe e akuzuan si formalist e modernist të influencuar nga Henry Moore. Atij i kishin gjetur në shtëpinë disa foto në bardhezi, imazhe të një katalogu të veprës së Henry Moore.(Reclining Figure at Yorkshire Sculptor Park.) Foto që do shërbenin si argument i aktakuzës për burgosjen e tij.Barbarët i vunë Maksit, përpara syve jetën artistike të Henry Moore dhe jetën artistike të tij me 245 piktura të krijuara gjatë 30 viteve. Një pjesë e këtyre pikturave ishin të inspiruara nga Henry Moore.
Barbarët kishin vendosur më parë se të zhduknin Maks Velon fizikisht, të zhdukin tek ai, atë më të rrezikshmen për to, pikturat, jetën tjetër të artistit, e cila ishte më e shtrenjtë se çdo zhdukje fizike.
Dhe kështu vepruan, në fund të shekullit të XX, në qoshen e botës të quajtur Shqipëri, ata i vunë zjarrin barbarisht dhe i shkrumbuan pikturat e Maksit, si nazistët që digjnin libra arti në turrat e druve të Europës.Duke djegur kështu jetën e artistit Maks Velo, ata kishin djegur njëherësh dhe jetën tjetër të artistit britanik, Henry Moore, në Shqipëri.
Barbarët nuk e njihnin dhe nuk e kuptonin misionin e shenjtë artistit Henry Moore, kur shprehej:“The secret of life is to have a task, something you devote your entire life to, something you bring everything to, every minute of the day for the rest of your life. And the most important thing is, it must be something you cannot possibly do.”“Sekreti i jetës është që të kesh një detyrë, diçka që t’ia përkushtosh gjithë jetën, diçka së cilës t’i japësh gjithçka, çdo minutë të ditëve tua. Dhe gjëja më e rëndësishme është, ajo duhet të jetë diçka që ti me gjasë nuk mund ta bësh”.Maks Velo ka lindur në Paris në 1935 dhe sot jeton në Tiranë. Ai, në këtë fillim të shekullit XXI, i dhuroi Galerisë Kombëtare të Arteve, institucion i shtetit që dikur e dënoi, pikturat e tij të krijuara pas burgut, si një shenjë refleksioni e kujtese të jetës tjetër të tij dhe të artistit britanik Henry Moore, duke i kujtuar kështu çdo makine shtetërore pa shpirt, se mjerimi i vërtetë i tyre u ka ardhur, u vjen e do t’u vijë, kur ato mbeten pa jetën tjetër të artistëve dhe kulturës në tërësi në Shqipëri e kudo në botë. (Publikuar në Gazetën Panorama në 29 Tetor 2015)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Gazetaria si bilanc lufte
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Unë “bir i armikut”!
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}