Arti dhe astronomia janë dy fusha të jetës që nuk kanë shumë lidhje me njëra-tjetrën. E para merret me krijimin e veprave që argëtojnë apo e bëjnë të reflektojë njeriun, e dyta merret me studimin e sjelleve dhe dukurive të trupave qiellorë. E megjithatë një lidhje së paku qëndron, dhe kjo është jo pak interesante. Të gjithë e njohim këtë pikturë të famshme të piktorit holandez Van Gogh. Ajo që përbën kureshtje në këtë pikturë është fakti se astronomët, duke përdorur atë çka Van Gogh ka lënë në këtë tablo si të dhëna hyrëse, kanë mundur të përllogarisin datën e saktë të realizimit të saj. Kështu, në të djathtë të pikturës kemi dukshëm hënën. Në pjesën qendrore të saj gjenden një bashkësi yjesh që përbëjnë konstelacionin e shenjës së peshqve, ndërsa pranë pemës shihet qartazi një yll i bardhë dhe i shndritshëm, që ndryshe quhet ylli i mëngjesit, apo thjesht Venusi. Hera e fundit kur këto trupa qiellorë kanë qenë në këto pozicione, duke përllogaritur në të kundërt lëvizjet e tyre sipas trajektoreve që përshkojnë, ka qenë agimi i datës 23 maj 1889. Së fundi, rreth kësaj pikture ka edhe studime që ngrenë hipotezën se paraqitja e këtyre objekteve në trajtë të valëzuar ka qenë edhe një homazh për skicat e William Rosse, astronom irlandez, bashkëkohës i Van Gogh dhe zbuluesi i galaktikës M51, që ndryshe quhet Galaktika Spirale. Skicat e Rosse rreth formës spirale të kësaj galaktike rezultuan shumë të përafërta me fotografitë e realizuar dekada më vonë.
pergatiti: Elis Kulo