Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë – Divizioni “Skanderbeg“ deportoi rreth 530 hebrenj në kampet e përqëndrimit

Albert Ramaj, Albanisches Institut.

Më 23 gusht 2023, në Prishtinë është inaguruar një mur që quhet “Muri i nderit – Wall of honor”, në të cilin shkruhet në shqip dhe anglisht “Shpëtimtarët e hebrenjve në Kosovë – Rescuers of Jews in Kosova” dhe ku janë vendosur 23 emra e atyre që shpëtuan hebrenjtë. Në inaugurimin e këtij muri ishin të ftuar dhe morën pjesë aktivistë nga jeta politike e Kosovës e më gjërë sikurse kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti, kryebashkiaku i Prishtinës z. Përparim Rama, z. Joseph Dioguardi etj,. Sipas mediave, projektin e kishte financuar qeveria e Kosovës. Deri më tani nuk kam hasur në ndonjë shkrim/diskutim konstruktiv lidhur me këtë temë. Por pyetja ime është se çfarë kriteresh apo kushtesh ishin renduar e paraparë për vendosjen e listës emrërore në këtë mur?

Më 2017 “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiparëve” në Shkup ka publikuar librin në të cilin shkruhet mjaft për shpëtimin e hebrenjëve, libër ky i botuar në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht dhe mban titullin: “Rrugëtimi – Патешествие – Journey”, me autorët Skender Asani & Albert Ramaj. Sipas dijenisë time, këtë libër e kanë pasur në dorë ata që kanë listuar emrat përkatës që do të vendoseshin në këtë mur të vendosur në Prishtinë. Ndër të tjera, në këtë libër gjendet edhe interevista e hebreut Shaul Gattenyo, i cili ende jeton në Izrael dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte strehuar në fshatin  Letnicë, komuna e Vitisë në Kosovë dhe ende nuk kam dëgjuar se Letnica apo Vitia është shkëputur nga kufijtë territorialë të Kosovës, pra emrat që shpëtuan Shaul Gettenyo duhet të ishin shënuar në këtë mur. Me nismën time private, në vitin 2018, Gattenyo vizitoi herën e fundit Kosovën dhe natyrisht edhe vendstrehimin e vet shpëtimtar Letnicën. Të njëjtin vit iu bë një dokumentar nga Radio-Televizioni i Kosovës (RTK), i cili kishte udhëtuar enkas në Izrael për realizimin e dokumentarit në fjalë. Përsëris sërish se ironikisht asnjë emër nga ata që i shpëtuan jetën Shaul Gettenyo-s në Letnicë nuk janë në listuar e vendisur në këtë mur. Këtu kemi të drejtë besoj t’u rikthehemi sërish kriterve të ndjekura për përpilimin e kësaj liste emërore si dekor mirënjohje e miradije me vlerë përtejnacionale.

Ajo që më shqetëson është fakti se dokumentet autentike që dëshmojnë shpëtimin e hebrenjve në Kosovë ruhen në Muzeun e Holocaust-it në Jerusalem “Yad Vashem”. Këtu dëshiroj të ceki konkretisht Letnicën dhe Janjevën, sepse janë pikërisht këto dy vende të cilat i njoh shumë mirë sa i përket kësaj teme të cilën po e trajtojmë në këtë shkrim. Këto dokumente janë anashkaluar tërësisht me vetëdije nga politika e atyre që vendosën për publikimin e emrat në këtë mur.

Ndërkohë prej asaj kohe nuk jam ndalur në sqarimin e kësaj çëshjteje delikate dhe për rrjedhojë kërkimi im ka marrë formën e një studimi të mirfilltë lidhur shpëtimin e hebrenjve në famullitë katolike Letnicë, Janjevë e më gjërë dhe rolin e Kishës Katolike në Kosovë, duke bërë bashkë materiale të reja dhe në shumë raste tërësisht të panjohura deri më tani. Studimi në fjalë që pritët të botohet si libër më vete përfshin edhe intervistat që i kam marrë “de visu” Shaul Gattenyo, kështu që kjo temë për mua është e njohur.

Në dëshminë/dokumet të Zora Pičulin më 3. 8. 1975 që ruhet në Vad Yashem, shkruhet kështu: “Neve na shoqëroi motra Romana, e cila ishte në shtëpi dhe punonte në kopsht e kështu arritëm në fshatin Letnicë. Kur arritëm atje, gjetëm një djalë 11 vjeç të vetmuar, të cilin po ashtu e kishin shpëtuar murgeshat. E thërrisnin me emrin Jožko, kurse emri i tij i vërtetë ishte Beniamin. Ai qante aq shume për nënën e vet sa nuk ngushëllohej dot.”… pastaj vazhdon më tej dokumenti: “Meqenëse tashmë kam folur për Beniaminin, aty ishte edhe një vajzë tjetër, 14 vjeçare e që quhej Erika. Kam një fotografi të saj. Ishim bashkë në Shkup tek murgeshat disa ditë, pasi nuk mundëm të qëndronim në Shkup sepse na njihnin njerëzit prandaj na dërguan murgeshat në Letnicë.” Kurse më poshtë vijon dokumenti në fjalë:

Në Letnicë erdhi disa ditë më vonë një zonjë me fëmijë. Tregoi se ishte beogradase. Atë e shpëtoi ipeshkvi. Burri i saj ishte në robëri. Përmes Kryqit të Kuq dhe murgeshave merrte postën. Kemi qenë së bashku në Letnicë.  Në Letnicë qëndruam derisa mbaroi lufta. Meqë erdhën atje dhe na kërkuan, motrat (murgeshat) na strehuan, dhe me këtë rast na bënin edhe disa dokumente në emër të dikujt tjetër në të njëjtën kohë e ky ishte zotëria që quhej Don Paul.”

Ein Bild, das Text, Handschrift, Dokument, Schrift enthält.

Automatisch generierte Beschreibung
Ein Bild, das Text, Handschrift, Dokument, Schrift enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Letra e Zora Pičulin që ruhet në Vad Yashem në Jerusalem

Smiljan Čekada ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore ipeshkëv katolik i ipeshkvisë së Shkupit. Shumica e territorit të ipeshkvisë së Shkupit ishte Kosova, por edhe Maqedonia. Ipeshkvi Čekada shumicën e kohës gjatë luftës rezidoi në Letnicë. Merita shumë të mëdha për shpëtimin e hebrenjve në Letnicë e Janjevë ka ipeshkvi Čekada i cili i dërgonte nga Shkupi e Maqedonia në Kosovë apo edhe në Shqipëri. Sipas dokumenteve që ka Vad Yashem, dëshmohet se ipeshkvi Čekada i dërgoi letër proteste më 11 mars 1943 shefit të policisë së Shkupit Asen Bogdanov në të cilën i kërkon lirimin e 31 hebrenjve dhe i shkruan atij se dëshiron personalisht hebrenjtë ti vizitojë në kampin Metropol në Shkup dhe shkruan se dikush do të mbajë përgjegjësi në rast se hebrenjtë në kamp nuk trajtoheshin në mënyrë njerëzore. Kjo fjali ishte guxim shumë i madh në atë kohë të vështirë, por siç dihet Ipeshkvi i Shkupit Čekada nuk ka heshtur. Në një dokument tjetër nga Vad Yashem shkruhet kështu: “Dr. Smiljan Franjo Čekada strehoi të paktën pesë fëmijë – katër djem dhe një vajzë -, fillimisht në Kishën katolike në Shkup, dhe më vonë në manastiret katolike në Leticë dhe Janjevë”.

Ein Bild, das Text, Schrift, weiß, Schwarzweiß enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Sipas këtij dokumenti shihet se në Letnicë ishin strehuar disa hebrenjë, si p.sh., Shaul Gattenyo, Erica Weingruber, Albert, djali i Gracia dhe Jacob Mussafia… Në “Jevrejski Glas” 35/13.12.1940, fq. 5 citohen fjalët e ipeshkvit Čekada qysh në predikimin e parë në Shkup pasi mori udhëheqjen e ipeshkvisë së Shkupit më 1940. Në këtë predikim ipeshkvi kërkon drejtësi për të gjithë popujt pa dallim kombësie dhe rrace, kështu që me këtë konstatim provokonte edhe gjermanët në atë kohë. Por në kohë shumë të vështira, ky ipeshkëv ishte afër komunitetit hebre, jo vetëm në Shkup e Maqedoni, por edhe Kosovë e Shqipëri. Kisha katolike në Kosovë e Maqedoni praktikonte një metodë të sajën për shpëtimi të hebrenjëve duke i pagëzuar ata, në mënyrë që ti shpëtonte ata kështu që para autoriteteve mund të prezantoheshin si besimtarë katolikë. Në këtë mënyrë ata mund ti strehonin hebrenjtë në ato momente të vështira. Zora Pičulin shkruan (dokumenti nga Vad Yashem) se famullitari i Letnicës Atë Pavlin fallsifikonte dokumente për hebrenjtë për t’i shpëtuar ata. Siç duket, idenë për pagëzimin e hebrenjve në Kosovë apo Maqedoni e kishte ipeshkvi Čekada, i cili edhe kërkonkte nga organet në Shkup më 1943 lirimin e 31 hebrenjve që ishin pagëzuar e që i cekëm më lart. Sipas intervistës që i kemi bërë më Shaul Gettenyo, ai thekson se ishte i pagëzuar në Letnicë, kurse sipas famullitarit të Janjevës Don Matej Palić që vizituam engkas për këtë temë thekson se Erika Weingruber është shënuar edhe në librin të famullisë pagëzimi i saj.

Murgeshat katolike në shumicën e rasteve shkruajnë kronikën e tyre për ngjarjet që ndodhin aty ku veprojnë. Ato shkruajnë në Shkup më 1942 se: “Zyra e famullisë ishte ende në shtëpinë e Shën Martës, e cila drejtohej nga Imzot Kordin, i cili ishte famullitar i Shkupit. Ai kishte një punë veçanërisht të madhe me familjet hebreje që po përgatiteshin të hynin në Kishën Katolike. Për këtë arsye në kishëzën e murgeshave ka pasur disa pagëzime. Atëherë të gjithë nxitonin për të ndihmuar hebrenjtë e shkretë, por shumë pak prej tyre mbijetuan. Ipeshkvi dr. Čekada, i cili e kishte zyrën e tij në jetimore, ka bërë përpjekje që të shpëtojë të paktën ata që u konvertuan në besimin katolik. Ata i kanë grumbulluar gjatë netëve në heshtje dhe i kanë larguar që andej. Shpëtuan vetëm ata hebrenj që flinin tek familjet katolike apo ortodokse. Më pas ata ikën fshehurazi në Janjevë, e cila në atë kohë i takonte Shqipërisë, ndërsa Shkupi ishte tashmë nën Bullgarinë. …

Një herë në shtëpi Tončka, mori guximin dhe e shoqëroi këtë vajzë me fëmijën dhe një djalë hebre në Letnicë tek murgeshat. Letnica ishte atëherë nën Serbi. Djali dhe fëmija hebre u pagëzuan në Letnicë.” Këtu po sjellim faksimilen nga Kronika e Motrave Vinçenciane në Shkup të vitit 1942, faqe 40, për strehimin e hebrenjve në Letnicë.

Ein Bild, das Text, Papier, Zeitung, Veröffentlichung enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Po i sjell vetëm disa rreshta nga intervista e Gattenyo-s, të cilën e kam bërë pjesë e librit në përgatitje e librit të sipërpërmendur i cili thotë kështu:

Ipeshkvi Smiljan Čekada shpëtoi disa hebrenj në Shkup e më gjërë, e për këtë nuk mori asgjë…. Ishte një vajzë e re rreth 14 veç, që unë e kam takuar në Letnicë.” … “Čekada shpëtoi shumë familje hebreje, duke i dërguar edhe në Shqipëri.” … “Murgeshat katolike në Shkup e Letnicë kanë flijuar shumë për shpëtimin e hebrenjëve.” Zora Pičulin shkroi më 3. 8. 1975 një letër/dëshmi që ruhet në Vad Yashem në të cilën shkruan disa gjëra interesante për këtë temë.” … “Një muaj pasi arritëm në Letnicë erdhi Motra Hugolina Straus nga Shkupi për të ndihmuar murgeshat në Kishë në Letnicë. Motra Gregoria u ndihmoi pa para të sëmurëve, nganjëherë me ato që i dhuronin njerëzit që të ndihmonte. Ajo më ndihmoi po ashtu edhe mua kur isha fëmijë i vogël. Në Shkup ishte një grua me djalin e vet që quhej Beniamin.” … “Pas një kohe të shkurtër që shkuam në Letnicë, erdhi një grua që e quanin Tončka me një fëmijë 7-vjeçar i cili para 11. 03. 1943 së bashku me djalin i saj ishin fshehur te Čekada e pastaj tek murgeshat në Shkup dhe pastaj shkuan në Letnicë e u strehuan tek murgeshat katolike.”

Në Kosovë kërkohen ku janë e ku nuk janë shpëtimtarët e hebrenjve dhe mund të gjejnë në ndonjë vend, ndonjë person, kurse siç shihet Letnica ishte një oaz për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë duke e krahasuar me vendet tjera të Kosovës. Sipas dokumenteve, fjala është për shpëtimin e disa hebrenjve në Letnicë e jo për një person. Disa nga dokumentet për shpëtimin e hebrenjve gjinden në Vad Yashem, por Letnica është ende e pahulumtuar për këtë temë.

Për librin përgatitur kam intervistuar edhe babain tim, Pal K. Ramaj i lindur më 1937 në Stubëll të Vitisë. Në këtë intervistë ai cekë se “dy françeskanët patër Pavlin Grkov famullitar në Letnicë dhe Patër Blagoje Naumoff famullitar në Stubëll të cilët luanin rol të rëndësishëm për shpëtimin e njerëzve në këtë rajon”. Këta ishin famullitarë gjatë luftës së Dytë botërore, njëri në Letnicë e tjetri në Stubëll. Babai im kishte njohur të dy françeskanët e përmendur, sidomos famullitarin e vet Blagoje që veproi në Stubëll. Rasti i Famullitarit të Stubllës  dhe Letnicës është ende i panjohur edhe në qarqet kishtare në Kosovë. Rasti i Famulltarit të Letnicës P. Pavlin Grkov është i shënuar edhe në dëshminë e Zora Pičulin në dëshminë e saj që ruhet në Vad Yashem dhe cek se don Paul në Letnicë iu siguronte hebrenjve “dokumente” me emra të dikujt tjetër për të shpëtuar jetën e tyre. P. Pavlin në Letnicë dhe P. Blagoje në Stubëll ishin françeskanë që vepronin në këto famulli, veprimtaria e tyre është ende e pahulumutar, jo vetëm për shpëtimin e hebrenjëve në Letnicë e Stubëll.

Sipas kësaj që deri më tani kemi shënuar, vërehet se në murin e Prishtinës, nuk janë marrë aspak seriozisht shpëtimtarët e hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hebrenjtë duhet të bëjnë një gur në vete vetëm në Letnicë për shpëtimin e tyre.

SS Divisioni Skanderbeg dhe deportimi i rreth 530 hebrenjve nga Kosova në mënyrë të parikthyeshme.

Shqetësimi dhe brenga kryesore imja është se shqiptarët e Kosovës ende nuk janë ballafaquar me historinë tragjike të hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 27. 05. 2006 kam publikuar në gazetën “Koha Ditore”artikullin me titull: “Hebrenjtë në Kosovë, një histori pak më ndryshe”. Në këtë shkrim kam shkruar edhe për SS. Divisionin Skanderbeg që veproi sidomos në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë. Në fund të këtij artikulli më 2006 kam shkruar kështu: “duhet t’u kërkohet falje hebrenjve për atë që kanë përjetuar në Kosovë”. Sa di unë, kjo nuk ka ndodhur kurrë nga ndonjë person apo institucion në Kososvë. Me këtë apo shkrime tjera në gjuhën gjermane dëshiroja që të veprohet diçka konkretisht në këtë drejtim, që të ballafaqohemi me të kaluarën tonë. Nuk ndodhi kjo vetëm tek shqiptarët në Kosovë, por ky fenomen është i gjërë në Europën Juglindore.  Fjala është për deportimin e hebrenjve nga Kosova nga ana e shqiptarëve, që ishin organizuar në SS Divizionin “Skanderbeg”. Për themelimin e SS Divizionit “Skanderbeg” meritë të madhe kishte edhe myftiu i madh i Jerusalemit Mohammed Amin al-Husseini. Siç duket, ideja e tij ishte që në SS Divizionin “Skanderbeg” anëtarësia e tij të kishte vetëm pjestarë të besimit mysliman, pra asnjë i krishterë nga Kosova të mos ishte pjesëmarrës në këtë Divizion.

Në vitin 2011/12 kam bërë disa kërkime në arkivin shtetëror gjerman (Bundesarchiv) për temën e SS. Divizion “Skanderbeg”. Disa dokumente/materiale ia dërgova të ndierit Robert Elsie në vitin 2012, i cili i përktheu anglisht dhe i publikoi në platformën e vet www.albanianhistory.net. Pas këtyre publikimeve pasuan kërcënimet primitive ndaj meje nga persona që prezantoheshin se ishin pasardhës të emrave të cekur në këto dokumente dhe se duhej të hiqeshin emrat nga këto shkrime.

Franziska Zaugg nga Zvicra ka punuar në disertacionin me temë: “Albanische Muslime in der Waffen-SS. Von `Großalbanien` zur Division `Skanderbeg`“. Zonjës Zaugg i kam dhuruar shumë dokumente të arkivit gjerman (Bundesarchiv) për këtë temë, bile edhe gjatë bisedave me të, theksonte se shkrimet e mia janë bërë shkak që ka filluar të merrej me këtë temë. Dëshiroj që këtu të cek se Franziska Zaugg kishte temën SS Divizionin “Skanderbeg“ dhe veprimtarinë e saj, por jo çështjen e hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nga dokumentet e Bundesarchiv që kam hulumtuar, dëshiroj të cek vetëm disa informata të rëndësishme për çështjen hebreje në Kosovë, ku vërehet se jeta e hebrenjve në Kosovë nuk ishte aspak e sigurt, bile ajo kërcënohej dhe ata dërgoheshin në kampet e shfarosjes.

Në raportin/dokumentin e Bundesarchiv NS19, 2071 të datës 07.07.1944 në faqën 4 shkruhet se prej 28. 05. deri më 05.07 1944, nga SS Divizioni “Skanderbeg„ janë arrestuar në Kosovë gjithësej 510 hebrenj, komunistë, banditë dhe të dyshuar politikë të cilët janë mbajtur në kampin e Prishtinës, kurse prejt tyre 249 janë deportuar në “ kampin e punës në Reich”, pra Gjermani.

Ein Bild, das Text, Schrift, Handschrift, Schwarzweiß enthält.

Automatisch generierte Beschreibung
Ein Bild, das Text, Schwarzweiß, weiß, Zeitung enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Këta 249 persona që u deportuan nga Prishtina për në kampin e perqëndrimit në territorin e Gjermanisë duhet të ishin ishin hebrenj, sepse banditët, komunistët e të dyshuarit politikë i ekzekutonin/menjanonin me apo pa ndonjë gjykim në atë atë kohë. Pra, depërtimi ishte i paraparë për hebrenjtë. Këta hebrenj nuk u kthyen më kurrë në Prishtinë apo Kosovë. Ata përfunduan dhe vdiqën në kampet famëkeqe naziste, duket iu “falënderuar” shqiptarëve të SS Divizionit “Skanderbeg”. Në këtë raport në faqen 2, duke shënuar synimet e SS Divizionit “Skanderbeg”, thekësohet objektivi i Divizionit kështu: “Fiksimi dhe dërgimi i hebrenjve në kampin e punës në Reich”, në të njëjtin dokument përmendet edhe kampi i përqëndrimit në Prishtinë (KZ in Pristina)

Ein Bild, das Text, Zeitung, Schwarzweiß, weiß enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Në dokumentin e Bundesarhciv RS 3-21/1 mbi Divizionin “Skanderbeg”, është raporti mbi SS Divizionin “Skanderbeg” më 02.10.1944 dhe në faqën 5 shkruhet se Divizioni “Skanderbeg” në aksionin e dytë dhe befasues arrestoi të gjithë hebrenjtë në Kosovë dhe shënon numrin e 281 të të arrestuarve.

Ein Bild, das Text, Schwarzweiß, Schwarz, monochrom enthält.

Automatisch generierte Beschreibung
Ein Bild, das Text, Schwarzweiß, monochrom enthält.

Automatisch generierte Beschreibung
Ein Bild, das Text, Schwarzweiß, weiß, Zeitung enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Sipas këtyre dokumentëve nga Bundesarchiv janë bërë së paku dy arrestime/deportime të hebrënjve dhe del se janë deportuar 530 hebrenj nga Kosova, nëse marrim në konsideratë numrin 249 të depërtimit të parë, sepse në atë të dytin shkruhen 281 hebrenj dhe se të gjithë këta hebrenj u dorëzuan nga shqiptarët e Kosovës, konkretisht nga SS Divizioni “Skanderbeg” në duart e gjermanëve. Shumica e hebrenjve u deportuan nga kampi i Prishtinës në drejtim të pakthyer, pra ata nuk u kthen më kurrë në Kosovë. Për ata që merren me temën e hebrenjve, ndoshta dyshojnë se numri 530 hebrenj nga Kosova është numër i madh, por të mos harrojmë një gjë, se ka shumë hebrenj që dëshironin të shkonin në Shqipërinë e sotme (quhej Shqipëria e vjetër), e përmes Kosovës së sotme (quhej Shqipëria e re) dhe si të tillë kishin ndonjë mundësi udhëtimi në Shqipëri. Por edhe për numrin e hebrenjve në Kosovë para Luftës së Dytë Botërore nuk kemi ndonjë studim, pra nuk dimë se sa hebrenj kishte para lufte në Kosovë. Në dokumentet gjermane përmendet edhe kampi i perqëndrimit (KZ) në Prishtinë më 1944, për të cilin ende nuk kemi një studim të duhur nga historianët për këtë punë. Për punën e arrestimit të hebrenjve në Kosovë dhe dorëzimin e tyre në duart e gjermanëve nuk duhet të fshehim asgjë dhe se merita për këtë ishte ajo e SS Divizionit “Skanderbeg” të përbërë nga shumica e pjestarëve të tij prej shqiptarësh.

Sipas asaj që deri më tani dihet, janë dy lista për dërgimin e hebrenjve nga Kosova në kampet naziste, që nuk u kthyen më kurrë në Kosovë. Këto lista ruhen në Gjermani. Amerikanët i kishin kopjuar këto dy lista, por ironia e saj është se këto lista gjenden edhe në Tiranë dhe besoj se edhe Prishtina e ka këtë listë e që deri më sot nuk u publikua kurrë.

Xhafer Deva-Nazistët, Divizioni „Skanderbeg“ dhe hebrenjtë.

Meritat kryesore për Divizionin „Skanderbeg“ i kanë Xhafer Deva, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica, por koka e Divizionit „Skanderbeg“ ishte Xhafer Deva. Në dokumentin e Bundesarchiv NS, 19/1488 të datës 27.07.1944 shkruhet se për arritjen e qëllimit është vetëm Deva i gatshëm dhe nese Deva nuk mbetet minisitër, Divisioni “Skanderbeg„ nuk do të bëhet realitet, por ai mund të bëjë këtë vetëm si ministër e jo person privat. Sipas kësaj është se çdo veprim i SS Divizionit “Skanderbeg„ bëhej përmes Devës, pra edhe deportimi i hebrenjve. Deva zëvendëson Pejanin dhe merr drejtimin e Komitetit Nacional (Lidhja e Dytë e Prizrenit) dhe sipas këtij dokumenti, pas ndërrimit, ndodh deportimi i parë dhe i dytë i hebrënjve nga Kosova, pikërisht pasi Deva mori drejtimin e Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe me këtë u përforcua Divizioni “Skanderbeg„ dhe kështu bëhen arrestimet e hebrenjve në Kosovë, pra arrestimi i parë dhe i dytë. Pa Xhafer Devën Divizioni nuk do të funksiononte dhe Deva ishte në dijeni për veprimet e SS Divizionit “Skanderbeg„ në territorin e Kosovës e Maqedonisës, Deva ishte logjistika e Divizionit dhe çdo veprim e bënte në bashkëpunim me nazistët.

Ein Bild, das Text, Schwarzweiß, weiß, Dokument enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Të njëjtën gjë e vërteton edhe Neubacher, kur theksohet se Deva duhet të mbetet Ministër, sepse Deva ishte bashkëpunëtor dhe besnik i ngusht i nazistëve dhe ai ishte koka e SS Divizionit “Skanderbeg”.

Ein Bild, das Text, Schwarzweiß, Schrift, Schwarz enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Në dokumentin e lartpërmendur të 07.07.1944, ku shënohet arrestimi i parë i hebrenjve në Kosovë, në faqën 5 shkruhet se tashmë Xhafer Deva kishte zëvendësuar Bedri Pejanin në komitetin nacional (Lidhja e Dyte e Prizrenit), dhe se përmes Devës do të jetë përforëcimi i SS Divizionit “Skanderbeg”.

Siç duket, Xhafer Deva më parë ishte involvuar edhe në intriga tjera të paskrupullta. Në një dokument të Francesco Jacomoni-t më 01.07.1944 publikuar nga Bejtullah Destani/Agim Morina e që gjendet në National Archives në Londër, shënohet se Deva ishte involvuar në vrasjen e P. Shtjefën Gjeçovit. Në atë dokument Jacomoni shkruan kështu: “Gjatë kësaj periudhe prej rreth 9 vjetësh mund të pohoj se Deva ishte armiku jonë më i keq. Bashkë me agjentët e tij jugosllavë na shkaktoi gjithfarë telashesh. Dha informata për të gjithë agjentët dhe patriotët tanë, të cilët, natyrisht u burgosën nga jugosllavët. Organizoi prita në bashkëpunim me xhandarmërinë, të cilët vranë patriotë shqiptarë, si p.sh. atdhetarin e madh dhe shkrimtarin Atë Shtjefën Gjeçovin (origj. Stefano Gjecof), i cili u vra në një pritë midis Mitrovicës dhe Prizrenit”.

Përfundimi

Duke iu rikthyer prapë  temës “Muri i nderit – Wall of honor”, që u inagurua në Prishtinë. Ironia e kësaj teme është se shumë hebrenj u arrestuan dhe me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës, konkretisht SS Divizionit “Skanderbeg”, u deportuan nga Kosova në kampe të përqëndrimit në territorin gjerman, ku edhe përfundoi tragjikisht jeta e tyre sepse nuk u kthyen më dhe se shumica prej tyre apo të gjithë ishin nisur nga Prishtina. Për këta hebrenj heshtet përherë nga ana shqiptare në Kosovë e më gjërë dhe kërkohet nga disa që emri i kolaboracionistit Deva të futet në këtë mur për shkak se “shpëtoi hebrenj” kurse në dokumentet gjermane dihet se çfarë veprimesh bënë këta njerëz. Emrat që janë në “murin e nderit” nuk di saktë se çfarë kanë bërë për shpëtimin e hebrenjve, por një gjë e di që asnjë përson, as Kisha Katolike e Kosovës si institucion, nuk gjendet në atë mur, e siç edhe e ceka, në Letnicë janë shpëtuar disa hebrenj nga Kisha Katolike. Kjo i bje që Letnica në krahasim me të gjithë Kosovën ishte një oaz shpëtimi për hebrenjtë. Nuk duhet harruar as Janjevën, konkretisht Erika Weingruber, po ashtu se Letnica dhe Stublla janë afër gjeografikisht, e cila u nda nga famullia e Letnicës dhe u bë famulli më vete në vitin 1906. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Letnicë ishte famullitar françeskani Pavlin Grkov dhe në Stubëll famullitar ishte Françeskani Blagoje Naumoff. Që të dy kanë luajtur një rol të rëndësishëm për shpëtimin e hebrenjve në këtë rajon, bashkarisht me popullatën e këtyre famullive. Në dokumentet nga Vad Yashem thuhet për Letnicën se: “…por në rast na bënin edhe disa dokumente në emër të dikujt tjetër, e që ky ishte një zotëri që quhej Don Paul.”  Duhet hulumtuar rasti i dy françeskanëve dhe famullitarëve.

Në Kosovë ende flitet e shkruhet për “shpëtimin masiv të hebrenjve”. Këto janë vetëm disa dokumente për SS Divizionin “Skanderbeg„ dhe gjendjen e hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpëtimi i hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës duhet të hulumtohet nga një komision ndërkombëtar. Ajo që prezantohet në median shqiptare është vetëm selektim i së vërtetës, ashtu sikurse bënte edhe propaganda naziste.

Jam i vetëdijshëm se do të ketë kritika/ofendime vend e pa vend për këto rreshta, sikurse tashmë është bërë zakon ndër ne, por guximi dhe kurajo qytetare duhet të kemi, sepse jetojmë në mijëvjeçarin e tretë. Nuk shtrembërohet në asnjë mënyrë historia e Kosovës nëse themi të vërtetën, por vetëm kur bëjmë të kundërtën e saj. Duhet të ballafaqohemi më të kaluarën tonë, që të kemi një të ardhme më të mirë.

Unë si kosovar u kërkoj falje publike hebrenjve për atë që kosovarët bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kërkoj që për këto akte macabre, në Prishtinë të ngrihet një pllakë përkujtimore në të cilën të përcillet një kërkimfaljeje ndaj hebrenjve nga vendi nga i cili u deportuan dhe nuk u kthyen kurrë më për të gjallë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!
Manipulimet dhe propaganda në filmat e komunizmit
Revolta që tronditi diktaturën
Muzeu Ateist i Shkodrës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}