Në kohën që ishte drejtore Arkivit të Filmit, poetja Natasha Lako, boton një libër  me ese “Energjia filmike”, ku ka zbuluar për herë të parë filmin e papublikuar të Enver Hoxhës, ku luajnë aktorët më të mirë të kinemasë, Ndriçim Xhepa dhe Marjeta Ljarja; Nga Veriu në Jug, kinematografia shqiptare fluks të prodhimit të filmave mbi diktatorin menjëherë pas vdekjes

Alibia per kohen qe jetuan gjithnje ka justifikuar ata aktore te cileve karriera iu shperdorua ne diktature. Dhe, kjo nuk ka të bëjë në rastin e shqiptarëve vetëm me individin, por me një komb të tërë.

Ironia këtë herë shkon për kinematografinë shqiptare, në kohën kur vdiq diktatori, Enver Hoxha.

“Ishte një gjë pa formë, totalisht amorfe, nuk ia vlen të përmendet ai film”, është shprehur në një të përditshme aktori Ndriçim Xhepa (2005), për një ndër filmat e parë artistikë që u xhirua pasi vdiq Enveri, nja dy vite më vonë.

Regjisorët Ibrahim Muça dhe Kristaq Mitro, në kujtim të Enverit, iu vunë punës në xhirimin e filmit “Enveri ynë”, që nuk u shfaq asnjëherë.

Ky film do të mobilizonte disa aktorë të mirë të kinematografisë shqiptare, si Marjeta Ljarja dhe Ndriçim Xhepa, të cilët ishin protagonistë të një grupi xhirimi, që kërkojnë nëpër çdo vend të Shqipërisë krijimet folklorike kushtuar Enverit… menjëherë pas vdekjes dhe pikëllimit të përgjithshëm. Por ky film nuk u shfaq kurrë. Ish drejtorja e Arkivit, Natasha Lako, që në përmbledhjen e saj të eseve mbi “Energjinë filmike” të viteve 1895-2001, freskon këtë periudhë të kinematografisë sonë, thotë se “ky film nuk del në publik, për arsyen e vetme që shqiptarët ta mbajnë mend gjithnjë udhëheqësin e tyre nëpërmjet kronikave të gjalla dhe të mos flasin për dhembje”.

Ndërsa, për aktorët protagonistë, ky film ka mbetur një hije e zezë, e kaluar, që nuk shënon asgjë në memorien kinematografike.

Për to, arsyeja e ndalimit të filmit ishte ardhja e “ustallarëve” të Komitetit të Partisë, të cilët, pasi u njohën me filmin e kritikuan rëndë për nivelin e ulët artistik!?.

Foto e publikuar nga Kastriot Dervishi ne rrjetin social

***

Por viti ’85 e nja tre vite më pas, mbahet mend për fluksin e madh të prodhimit të dokumentarëve nga Kinostudio në kujtim të Enver Hoxhës. Kineastët marrin detyra për t’u shpërndarë në të gjithë rrethet e vendit “për të portretizuar jetën e qyteteve të lidhur ngushtë me atë të njeriut që udhëhoqi jetën politike shqiptare për afro 50 vjet”. Në karater studimi mbi filozofinë e kinematografisë shqiptare, Lako, në esenë e saj “Në rrugët e reja të jetës – 1985”, thotë se  janë “të gjithë filmat dokumentarë që zbulojnë gjithë këndvështrimin dhe problematikën e kinemasë shqiptare të pothuaj gjysmë shekulli”.

Lako, pasi zbulon këtë karizmatikë të kinematografisë shqiptare, thotë se ideologjia ka pasur po aq fuqishëm ndikimin e saj mbi filmin sa në çdo fushë tjetër të artit. Vizioni kinematografik tregon këtë.

“Në rast se tashmë, pas kaq vitesh u hedh një sy këtyre dokumentareve, sheh fare mirë të përcaktuar gjithë problematikën që ka shprehur edhe kinematografia shqiptare gjatë gjithë kohës dhe të gjithë preokupimet shoqërore dhe politike, e cila në mënyrë indirekte ka shfrytëzuar gjithë lidhjet dhe porositë e Enver Hoxhës për çdo rreth të vendit”, veçojmë nga Lako në esenë e saj.

Konkluzioni më “hipnotizues” është se, “nëpërmjet këtyre dokumentarëve, shihet në horizont i gjithë këndvështrimi pothuaj pesëdhjetëvjeçar, i cili është i njëjtë me vëmendjen që ka treguar Enver Hoxha ndaj problemeve të veçanta”.

Përgatiti: V.Murati

Kineastët, filma për Enverin nëpër rrethe

Një pamje e qetë dokumentare e bregdetit të fut në meditime. Hije trishtimi dhe melankoli për njeriun kryesor të vendit që ka ikur. Ky është pasazhi i sintetizuar që thuhet për dokumentarin e xhiruar në Durrës: “Në udhët e reja të jetës”. “Për herë të parë, megjithëse tingëllon pak anektodike, ndërgjegjja e shqiptarit duhet të pranojë meditimin dhe trishtimin, pasi njeriu kryesor është shuar ose ka ikur”, reflekton Lako mbi këtë imazh politik.

Ndërsa kamera kalon në uzinën e letrës, pastaj tregohet për letërkëmbimin e Enver Hoxhës me Marubin dhe më pas për inaugurimin e anijes “Kajo Karafili”.

Ky dokumentar, ashtu si dhe të tjerët, përmban disa vizita të Enver Hoxhës në rrethin e Durrësit në vite të ndryshme, vizitën e tij në shtëpinë e Vasil Laçit, ose takimin e tij me të shoqen e Adem Rekës, vizitën në amfiteatrin e Durrësit, takime pas tharjes së kënetës, fotografi me Shyqyri Kanaparin etj.

“Vetëm nga ky dokumentar mund të kujtosh disa tema kinematografike të trajtuara gjatë viteve, si në filmin artistik, si në filmin dokumentar”, hedh mendimin e saj studimor Lako.

Për rrethin e Mirditës është xhiruar dokumentari “I juaji Enver”, i cili përmend disa figura të tjera të filmit artistik. Dokumentari “Me dritën e Enverit”, i xhiruar në Shkodër, na kujton, thotë Lako në ese, edhe njëherë vizitën e Enver Hoxhës në shkollën pedagogjike, Enver Hoxhën në Fushë-Shtua, një malësore flet me të, letrën që Enver Hoxha u dërgon kooperativistëve të Dajçit, Enver Hoxhën në festën e Reçit, “nga të cilat të kujtohen menjëherë disa filma nga jeta e fshatarëve të Veriut, por jo shumë të specifikuar”.

“I gdhendur në zemrat tona”, është dokumentari për rrethin e Korçës, ku tregohen vizitat e udhëheqësit në shtëpinë e Raqi Qirixhiut, aktorin Dhimitër Trajçe duke ujitur lulet. “Enver Hoxhën duke ecur nëpër pazarin e Korçës, një tjetër post artistik dhe historik, ku janë xhiruar disa filma artistikë shqiptarë”, citon Lako.

Në një dokumentar tjetër “Mes njerëzve të thjeshtë”, del kasollja e nënë Zyrasë, ku ka ndenjur Enver Hoxha. Ky dokumentar përfundon me fëmijë që luajnë të lumtur, që, sipas Lakos, kjo përbën një temë tjetër të kronikës dhe dokumentarit shqiptar.

Foto e publikuar nga Kastriot Dervishi ne rrjetin social

Dokumentari mbi Gjirokastrën, vendlindjen e Enver Hoxhës, për kineasten sikur ka përgjegjësinë për të nxjerrë në pah pasardhësin e tij politik, Ramiz Alinë, në vizitën e tij në uzinën metalike. “Në këtë dokumentar fillojnë të përforcohen ca pauza lirike dhe shfaqen edhe të rinjtë që kalojnë mbrëmjen në bar lulishte”, spikat idenë Lako në ese.

Në filmin mbi “Tiranën e kuqe të Enverit”, autorja e eseve thotë se shtrohen ato lloj tonalitete njerëzore, të cilat kanë filluar të fitojnë terren, si melankolia njerëzore dhe ndjenja e hollë e humbjes që fillon të përjetohet në film vetëm pas humbjes së udhëheqësit. Në një prej këtyre kronikave del një fëmijë, të cilit i ka vënë emrin E.H.

“Shfaqet edhe kronika e xhiruar për violinistin e vogël Tedi Papavrami, që luan para Enver Hoxhës, pavarësisht se nuk na vjen mirë edhe kinematografia shqiptare nuk mund të shkëputet nga vizionet e përcaktuara, të cilat cungojnë të tërën”, shkruan Lako në esenë e saj.

“Me flamurin e Enverit” xhirimet shkojnë në Vlorë. Këtu shfaqet rruga nga ka kaluar E.H., stani ku ka pushuar. Sinkrona e tij në Kongresin e 5-të të Frontit Demokratik, Hysni Kapo. “Porti i ri i Vlorës, që thuhet se do të ngrihet në Zvërnec dhe që publiku shqiptar e dëgjon si projekt nga gazetat e vitit 2003, pasi kaq e fuqishme është gjurma e këndvështrimit të tij në jetën shqiptare”.

Sinjifikative del dokumentari i xhiruar në Lushnjë; “Tokë e re dhe njerëz të rinj”, që Lako sjell në mend menjëherë tematikën e filmit “Tokë e përgjakur” ose “Midis dy legjendave”. Në këtë dokumentar jepen kronikat e xhiruara nga takimi i Enver Hoxhës me pleqtë që marrin tokën në Gore. Jepet edhe kronika ku Enveri Hoxha puth dorën e Selvije Hoxhës.

Pasi kalojnë Pukën me filmin “Rrahin zemrat për Enverin”, ose “Bleron kjo lulja e Jonit”, figura e Enverit zbret në Sarandë dhe rrethinat e saj, deri në tarracat ku flet kryeagronomi, i cili sikur del nga ndonjë figurë tjetër e filmit artistik. “Ky dokumentar mbyllet me kronikën ku Enver Hoxha kërcen një valle popullore me fatosat”.

Lako: Identiteti 50-vjeçar i ekranit

“Kështu në mos në trajtime filmike, kalojmë në vendngjarje të filmave të ndryshëm shqiptarë, të cilët nuk mund t’i shpëtonin këtij fokusi të përgjithshëm, që i ka bërë shqiptarët ekspertë të zbulimit të të gjitha rrethanave të vendeve dhe politikave të ndryshme, kur trajtimet tematike marrin jetë nëpërmjet politikave të gjera kulturore ose shoqërore. Shembujt e këtyre dokumentarëve të xhiruar gjatë viteve 1985-’86, tregojnë një ndikim të plotë të shkaktuar mbi imazhin që ka mbizotëruar ekranin shqiptar, i cili ka krijuar tabllonë e identitetit të një jete pothuaj 50-vjeçare.

Këto imazhe kanë qenë pothuaj bota jonë publike dhe frymëmarrja jonë shoqërore dhe përshkëndimi i interesave të një pale shoqërore. Kjo tematikë jete ka qenë pothuaj globi ynë. Por filmat dokumentarë të xhiruar pas vdekjes së Enver Hoxhës, sjellin megjithatë për herë të parë nevojën dhe të drejtën për meditim, për ndenjë dhe melodramatizëm, të cilat vijnë si një përvojë e re e humbjes ose qetësisë, humbje dhe qetësi, që më përpara ka qenë pothuajse e papranueshme ideoemocionalisht. Në vitin 1985 organizohet edhe premiera e filmit artistik “Fushë e kuqe, fushë e blertë” e Gëzim Erebarës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Filmi i socializmit
Magazina e “Nëntorit”
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}