Vepra e autorit Klaus-Peter Muller alias Peter Marxheimer, të cilën sot kemi fatin të mund ta lexojmë në gjuhën tonë amtare falë shqipërimit mjeshtëror të z. Armand Plaka, është me të vërtetë një dritare e hapur prej nga na vjen, me gati një vërtetësi befasuese, tabloja e Shqipërisë në vitin 1914. Romani titullohet “Për në Shqipëri, Karl!, e autorit gjerman Peter Marxheimer, me parathënie të Nevila Nikës

Prof. Dr. Nevila Nika

Ngritja e flamurit kombëtar kishte qenë aq shumë e dëshiruar nga shqiptarët sa sot pas më shumë se 100 vjet nga ajo mbasdite e 28 nëntorit 1912, mund të gjykojmë se pothuaj askush nuk kishte përfytyruar se çfarë do të sillte e nesërmja. Që nga çasti kur të pranishmit hodhën firmat e tyre në atë copëz letër të shkëputur me nxitim nga ndonjë bllok shënimesh, gëzimi e hareja mbushi jo vetëm atë dhomë, por mbarë qytetin e çdo cep të trojeve shqiptare.

Durres, 1914

Shqiptarët kishin marrë më në fund në dorë fatet  tyre. Tash e tutje asgjë nuk do të ishte si më parë. Vallë, dikush prej të pranishmëve kishte ndonjë farë plani, apo përfytyrimi se si do të rridhnin ngjarjet, si do të bashkoheshim rishtazi me familjen e madhe europiane prej së cilës ishim shkëputur dhunshëm rreth 4 shekuj më parë? Se si do të ishte sistemi qeverisës, si do të funksiononte administrata, ekonomia, shkollimi, sistemi gjyqësor e ai i ruajtjes së rendit e mbrojtjes, etj, etj, ishin të gjitha pyetje të cilat ishte e vështirë t’iu përgjigjej dikush me kompetencë.

Atdheu po përjetonte ditën më të lumtur, por me kaq shumë të panjohura, saqë pa asnjë mëdyshje mund ta quaje këtë ditë gati – gati edhe të frikshme. Përpjekjet për të ringritur nga asgjëja shtetin shqiptar, i cili përveç të tjerash të përmblidhte në kufijtë e tij shtetërorë të gjitha trevat shqiptare, do të zgjasnin jo pak, por plot 8 vjet. Do të ishin vite të mbushura me ngjarje, në shumicën e tyre të dhimbshme, e mund të them edhe tragjike për fatet e Shqipërisë e shqiptarëve.

Është pa asnjë dyshim një ndër periudhat më të ndërlikuara të historisë tonë kombëtare.  Luftrat Ballkanike, Lufta e Parë Botërore, prania e ushtrive të huaja në territoret shqiptare, italiane e austro-hungareze, serbe e malazeze, bullgare, franceze e greke, qeveri shqiptare e administrim ndërkombëtar, qeveri në shërbim të pushtuesve e qeverisje nga të huajt sipas vendimeve të Fuqive të Mëdha, kryengritje antikombëtare e separatiste, spatrim etnik e genocide,  janë vetëm disa nga ngjarjet e atyre viteve.

Gjithnjë kam patur bindjen se pikërisht këto 8 vite janë ndër më të vështirat për t’u rrëfyer e jo më pastaj për t’u analizuar në çdo drejtim. Shqipëria e atyre viteve ishte thjesht një fushë betejë ku përlesheshin ushtri të huaja pa asnjë lidhje me realitetin shqiptar.

E pikërisht për këtë fakt, ndërmarrja e  Marxheimer-it për të shkruar një roman historik mbështetur mbi ngjarje e personazhe realë të botës politike shqiptare e europiane të atyre viteve, është me të vërtetë për t’u admiruar. Autorit i është dashur jo pak punë kërkimore në arkiva e biblioteka në Gjermani e Austri. Për të, fatkeqësisht ka qenë e pamundur të shfrytëzojë burimet dokumentare arkivore shqiptare, por ky fakt gjithsesi nuk ia ul aspak vlerën veprës së tij tejet interesante e tërheqëse.

Fatkeqësisht duhet nënvizuar se kjo pamundësi e autorit nuk ka qenë vetëm e tij. Edhe studjuesit shqiptarë e kanë patur tejet të vështirë të studjojnë këtë periudhë për shkak të shkatërrimit të arkivave vendase gjatë rebelimit antikombëtar të vitit 1914. Rebelët të udhëhequr nga Haxhi Qamili, por të drejtuar e frymëzuar nga Musa Qazimi e kishin praktikë normale, asgjësimin e gjithçkaje që konsiderohej si shqiptare. Dëmi i shkaktuar prej tyre përsa i takon thesarit dokumentar, ka krijuar një zbraztirë që vazhdon edhe sot të jetë pengesë për studimin e atyre viteve.

E pikërisht për këtë arsye vepra e autorit Klaus-Peter Muller alias Peter Marxheimer, të cilën sot kemi fatin të mund ta lexojmë në gjuhën tonë amtare falë shqipërimit mjeshtëror të z. Armand Plaka, është me të vërtetë një dritare e hapur prej nga na vjen, me gati një vërtetësi befasuese, tabloja e Shqipërisë në vitin 1914.

Ishte një vit, në të cilin rrjedha e ngjarjeve ka qenë me të vërtetë shkatërrimtare për të ardhmen e vendit. U nis me dorëheqjen e Ismail Qemal Vlorës, arkitektit të Pavarësisë, vazhdoi me ardhjen në fronin e Shqipërisë të princit gjerman Wilhelm von Vid, i shoqëruar me shumë entuziazëm nga personalitete të shquara të botës shqiptare, dhe u rrënua përfundimisht falë rebelimit të banorëve të zonave rurale të Shqipërisë së Mesme, të cilët kërkonin të riktheheshin nën sundimin Osman. Largimi i princ Vidit nga toka shqiptare dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore shënoi nisjen e një periudhe tjetër tragjike për fatet e Shqipërisë.

Nisur nga sa u tha më sipër, mendoj se autori ka zgjedhur jo pa qëllim pikërisht këtë vit për ta bërë subjekt të veprës së tij. Një përzjerje tejet interesante midis një romani të mirëfilltë dhe një libri historie, të cilin thjesht mund edhe ta cilësojmë si një roman fiction historik. Një roman që e lexon me një frymë, jo vetëm se në të gjen pafundësisht personazhe tejet të njohur të historisë tonë e asaj europiane, por edhe ngjarje realisht të ndodhura në Shqipëri e vende të tjera. Natyrisht, në vepër aty këtu mund të gjenden edhe pohime apo mendime të autorëve të tjerë, që vetë Marxheimer i ka përdorur pa i kaluar në gjykim kritik apo në filtrin e vërtetësisë historike.

Gjithsesi mbasi ke mbaruar së lexuari këtë roman, – ku autori duke dalë nga rregulli i përgjithshëm, e ka gjetur me vend të na japë burimet e shfrytëzuara për të shkruar këtë vepër, – si pa e kuptuar të lindin disa pyetje; fati i Shqipërisë e shqiptarëve a do të ishte tjetër në se princ Vidi nuk do të ishte larguar nga Shqipëria, apo përse Fuqitë e Mëdha e gjetën më me vënd të tregoheshin bujarë me fqinjët tanë në dëm të trojeve shqiptare? Përse kaq shumë dashakeqësi ndaj një kombi që bëri aq shumë sakrifica shekuj më parë për të mbrojtur Europën nga pushtimi Osman, e në fund, sa ka qenë pesha e fajit tonë në atë ç’ka do të ndodhte në përfundim të Luftës së Parë Botërore? Thënë shkurt një libër krejt ndryshe nga sa jemi mësuar rëndom të kemi në duar dhe që pikërisht për këtë arsye ia vlen të lëçitet me një frymë. Shkruar nga dikush që Shqipërinë e pa në vitet e errëta të regjimit komunist dhe me siguri mbresat e atij udhëtimi e kanë ndjekur gjatë, derisa e dhanë frytin e tyre të bukur me këtë libër.

Pak fjalë rreth veprës

“Si ndodhi që një princ gjerman, nga Rini, të vinte e të ulej në fronin mbretëror të Shqipërisë, siç na dëshmon viti 1914? Kjo ishte pyetja që solli dhe fillimin e ngjizjes së idesë për të shkruar këtë libër. Për t’iu përgjigjur asaj, ne dërguam Karl Rihterin si korrespondent të një gazete vjeneze në një udhëtim në kohë dhe e lamë atë të vëzhgonte në Shqipëri rrethanat dhe problemet e gjashtë muajve të mbretërisë. Gjatë aventurës së tij shqiptare ai takon edhe baroneshën pasionante, Ameli fon Godin, britaniken kurajoze, Miss Durham, sikurse dhe baronin turbullues Nopça, të tre njohës shumë të mirë të rrethanave politike në vendin e vogël buzë Adriatikut. Për ta bërë edhe më interesant misionin e tij, ai kryen edhe një intervistë me Kajzerin Gjerman, Vilhelm II në ishullin e Korfuzit ku na zbulohet me këtë rast edhe qëndrimi gjerman për “çështjen shqiptare”. Aventura personale e Karlit përzihet me atë politike të Princ Vidit si Mbret i Shqipërisë. Nuk mungojnë aty as takimet dhe rrëfimet e personazheve të rëndësishëm shqiptarë të kohës si Ekrem Bej Vlora, e Dervish Hima. Tradhtia, intrigat e diplomatëve të kohës si dhe mbërritja papritur e oshëtimave të Luftës së Parë Botërore, i ofruan këtij eksperimenti një fund më të butë.”

Biografi

Klaus-Peter Müller, nën pseudonimin artistik Peter Marxheimer, ka lindur në 1950 në Stendal (RFGJ). Studioi gjeografi dhe politikë në Mynih dhe Marburg. Gjatë periudhës së studimeve, të cilat i mbylli me titullin “Doktor”, në vitet ’70 të shekullit të shkuar, i lindi edhe ideja për të shkruar këtë libër, ndërsa konsumonte të parin udhëtim në një vend tepër të izoluar si Shqipëria. Vëllimi i tij në gjermanisht, botuar në vitin 2007, një “fiction” historik mbarsur me një dell të admirueshëm letrar e frymëzuar nga ngjarje reale, përbën edhe një kontribut të veçantë për përcjelljen dhe kuptimin më të mirë  nga të huajt të një periudhe të trazuar të historisë së Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey
Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Unë “bir i armikut”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}