Më 5 janar 1555, Gjon Buzuku përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument i shqipes mesjetare, i ruajtur vetëm në një ekzemplar, mbeti për një kohë të gjatë i njohur nga një numër shumë i kufizuar specialistësh. Prej tij u botuan herë pas here vetëm pjesë të veçanta. Vetë autori, dom Gjon Buzuku, shkruan në parathënien e ‘Mesharit’ se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555.
Nga Evalda PACI
Me një vepër komplekse si Meshari (1555) studimet mbi historinë e librit në gjuhën shqipe iniciojnë një rrugëtim të mirëfilltë drejt kërkimit të një sërë faktorësh që do të ndikonin drejtpërdrejt në zhvillimet përkatëse gjatë shekullit XVI, me përhapjen e pakthyeshme të kulturës së shtypshkrimit dhe nevojën për të disponuar tekste liturgjike të përmbajtura në botime sintetike e të përshtatshme për kohën.
Një prej arsyeve për të cilat ndërmendet një libër i tillë, i gjendur pothuaj dy shekuj pasi ishte përpiluar dhe në kushte të një dëmtimi të qartë fizik, është pikërisht dhe përmbajtja e tij, evokuese e një konfigurimi të veçantë dhe unik, që sigurisht u bë dhe objekt i reformimit përmbajtësor të ndërmarrë prej Koncilit të Trentit (1545-1563).
Ky konfigurim tekstor që përmbahet në librin e Gjon Buzukut ka bërë të mundur të gjejmë në të veçori ndërtimore që kanë të bëjnë me Oficen e Zojës, Psalmet, në veçanti ato pendestare, Litanitë e shenjtënve, pjesë nga Rituali dhe Breviari, për t’ua lënë vendin më tej pjesës që mbizotëron në libër (Mesharit) e që përmban tekste biblike nga Besëlidhja e Vjetër e ajo e Re, por dhe nga Apokalipsi dhe Aktet e Apostujve. Një ndërtim i tillë i veprës mbetet një argument objektiv në pikëpamje të shqyrtimit të reflektimit të ndikimeve përkatëse që janë supozuar dhe vite më parë, ndërkohë që analizohej dhe përkatësia e veprës, në kushte të një klime të krijuar nga Reforma dhe Kundërreforma. Ky diskutim bëri të përfshiheshin dhe studiues të historisë së asaj periudhe, në veçanti historianë që falë njohjes së një dokumentacioni arkivor mbi shekuj si Pesëqinda apo Gjashtëqinda, bënë të mundur të përfshihej në interesat e studimit dhe vetë konteksti historik që shoqëronte një problematikë të tillë.
Në pamje të parë, vërehen përkime të qarta me modele që qarkullonin në atë kohë, ndërkohë që një traditë e konsoliduar prej disa shekujsh e vinte dhe Oficen në një shkallë të qartë njohjeje dhe njëkohësisht dhe funksionale në shërbim të praktikës së liturgjisë së përditshme. Tekste të njëjta apo të ngjashme në përbërje të Ofices, por më tej dhe në atë pjesë të librit që përkon me Mesharin, në disa raste me tipare të ndryshme në ndërtimin e fjalisë apo përdorimin e ndërtimeve gjuhësore bën të mendosh për disponim nga ana e autorit të disa varianteve tekstore dhe më tej për një përdorim praktik të tyre në proces të ushtrimit të liturgjisë së përditshme.
Ndërtime të caktuara gjuhësore dëshmojnë që në këto tekste kishte gjetur vend dhe gjuha popullore, ndërkohë që nuk mungojnë as elemente të një leksiku më të specializuar, që dhe pse i papërpunuar në disa pasazhe të veprës, dëshmon faktin që ndërkohë dhe regjistrat terminologjikë të liturgjisë ishin në përpunim e sipër dhe në lidhje me të tillë libra. Shkalla e lëmimit gjuhësor dhe e gjetjes së termave të përshtatshëm në introduktimin e pasazheve kryesore në vepër ndryshon nga një pjesë e librit në tjetrën, ndërkohë që emërtesa të posaçme në përbërje të tij bëjnë të mundur të gjinden përkime me realizime të ngjashme të asaj kohe, por dhe të ndonjë shekulli më parë.
Duke u gjendur modelet e sipërcituara të përfshira dhe të renditura brenda një libri të vetëm, përforcohet ideja që vepra në fjalë kishte funksion shërbyes në përditshmërinë e praktikës liturgjike, ndërkohë që nuk kanë munguar as hipoteza për vendin konkret në të cilin duhet të ketë qenë një instrument i vlefshëm në shërbesat fetare me gjasë të shpjeguara në gjuhën shqipe.
Hulumtimet rreth librit dhe historisë së tij nuk mund të mos shoqëroheshin me kërkime të tjera që kanë të bëjnë me tipografitë që përgjatë atij shekulli njohin një lulëzim në veprimtarinë e tyre botuese, por dhe mbi editorët që përveç ndjekjes së proceseve të përgatitjes së librave që duheshin shtypur, paraqiteshin dhe si njohës të mirë të kulturës librore dhe historikut të përpilimit të kësombllave.
Të tilla detaje mund të jenë më të qarta në lidhje me veprat e Marin Barletit, përpiluar së pari në gjuhën latine, duke qenë se dihet më shumë për qerthujt kulturorë në të cilët ky i fundit bënte pjesë dhe për mbështetjen që pati pasur në kohë të realizimit të veprave të veta mbi bëmat e Gjergj Kastriotit dhe Rrethimin e Shkodrës. Të dhënat mbi intelektualët me të cilët njihej autori ynë dhe përfshirja e tyre në botën librore e qarqet kulturore të kohës janë vënë në shërbim të kërkimeve mbi tipografë e editorë që mund të kishin rol dhe në shtypjen e librit të Gjon Buzukut, më të parit libër që njohim deri më sot të shkruar në gjuhën shqipe.
Vëzhgimet në lidhje me vendin e botimit, por dhe shtypshkronjën përkatëse që realizoi Mesharin u përqendruan natyrshëm në arealin venecian, pa përjashtuar dhe indicet që mund të deduktoheshin nga të tjerë parametra jashtëgjuhësorë, por që ndihmonin gjithashtu në zbardhjen e historisë së librit më të ndërmendur në studimet shqiptare, kryesisht në ato mbi letërsinë e vjetër shqipe dhe veprat themelore që e përfaqësojnë atë. Një areal i tillë vijon të konsiderohet një vatër e rëndësishme në shumë pikëpamje, aq më tepër që në të operuan dhe tipografë e editorë të cilët vinin dhe nga lokalitete të tjera të Gadishullit Italik, për të gjetur në Venedik një mjedis favorizues në pikëpamje të ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Si njohës të sprovuar të librit si medium, të tilla personazhe vijojnë të plotësojnë dhe sot faqe të botimeve enciklopedike e studimore mbi historinë e shtypit përgjatë shekullit XVI e më tej, ndërkohë që pikërisht një formim i tillë në fushë të kulturës së bibliofilisë, por dhe të librave më të veçantë duket e reflektuar dhe në pikëpamje të përmbajtjes së librit të Gjon Buzukut.
Vetë zbulimi i tij me gjasë rreth vitit 1743 përkon me një periudhë që shënon një kulmim të natyrshëm në veprimtarinë baritore të një prelati të shquar të historisë së kombit, emri i të cilit figuron dhe në cilësi autoriale mbi një variant doktrinar sa konciz, aq dhe të vlefshëm për të shpënë më tej vëzhgimet mbi historikun e receptimit të doktrinës së kërshtenë në viset arbërore në shekujt që e pasojnë Pesëqindën. Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) e cilëson librin si të vjetëruar e të dëmtuar, duke bërë me dije dhe gjendjen fizike të atij ekzemplari, për të cilin as në këtë moment të zbulimit nuk thuhen detaje konkrete mbi vendin ku duhet të ketë parë dritën e botimit. Në të vërtetë, ky moment shënon një hap të rëndësishëm në njohjen e librit shqip, por dhe dokumentohet falë letërkëmbimit të prelatit tonë me eprorë të Seminarit arbëresh të Palermos, në veçanti me Atë Gjergj Guzzetën (1682-1756), të cilit i dërgon dhe fragmente të kopjuara me dorë prej teksteve të Mesharit.
Këto variante tekstore të sjella nga dora e Imzot Kazazit përbëjnë dhe një shtysë të mirë për të njohur terminologjinë me të cilën ky i fundit emërton pjesët përbërëse të librit, të cilin në tërësi e quan Meshar duke ditur krejt mirë që në të përfshiheshin dhe modele të tjera librore, mjaft të njohura në praktikën liturgjike kishtare romane.
Nuk do të mungojnë as më vonë raste të shfaqjes së një interesimi të qartë nga ana e klerikëve arbëreshë për librin në fjalë, interesim që gjen shtysë dhe në faktet e sipërcituara, që dëshmojnë dhe për një ndërkëmbim të qartë mes njerëzish të letrave në të mirë të njohjes së historisë së librit liturgjik në gjuhën shqipe.
Në trajtesat e Eqrem Çabejt do të mund të gjindet i detajuar një historik i posaçëm në të cilin përshkruhet interesi i Imzot Skiroit ndaj librit dhe teksteve të tij, sprovat pas rizbulimit nga ana e tij për ta botuar pjesë-pjesë në revista shkencore të kohës, përpjekjet e Atë Justin Rrotës O.F.M. për ta sjellë në kopje fotografike në Shqipëri dhe më tej, për të bërë të kuptueshme disa pjesë të rëndësishme nga përmbajtja, shkrimet e Joklit në të përkohshmen Hylli i Dritës mbi këtë ekzemplar dhe problematikat që paraqet mosnjohja e vendit të botimit etj.
Pjesët hyrëse të librit përbëjnë ndër të tjera dhe mundësi konkrete për të kryer qasje me realizime të së njëjtës kohë dhe që përdoreshin në areale të afërta në pikëpamje gjeografike, por dhe përkatësisë si provinca në të cilat njihej ndikimi i kishës së Romës. Litanitë e Shenjtërve zgjuan që në krye të herës interesimin e filologut frëng Mario Roques (1875-1961), në atë kohë (1932 v.) i angazhuar qartë në pikëpamje të evidentimit të kësombllave e ekzemplarëve të veprave të letërsisë së vjetër shqipe në biblioteka e arkiva, por dhe të parashtrimit të kritereve filologjike të botimit të tyre.
Analizimi që filologu frëng u bën pjesëve që dallohen e pasojnë njëra-tjetrën në përmbajtjen e librit të cilit i mungonin faqet e para që me gjasë do të duhej të përmbanin indice që dhe sot e kësaj dite kërkohen për t’u sqaruar, përbën dhe një prej trajtesave më të mira mbi të dhe krejt kontekstin në të cilin duhet përfshirë në cilësinë e një ekzemplari që flet shumë për rrethanat e përhapjes së librit në Pesëqindën e më tej.
Si pjesë e pandarë e këtyre përpjekjeve për ta njohur më nga afër historikun e kësaj vepre, duke filluar nga dekadat e para të shekullit të kaluar, kontribuojnë Imzot Pal Schirò, Gaetano Petrotta, Atë Justin Rrota O.F.M., Eqrem Çabej, Norbert Jokl, Mario Roques, Injac Zamputi, të gjithë pararendës të një tradite që do të vijonte të bëhej më solide në drejtim të arritjeve konkrete në studimin dhe njohjen e librit të Gjon Buzukut.
Sjellja prej tyre e teksteve nga libri do të reflektohet në të përkohshmet më në zë të kohës, përfshirë ato me vështrim të qartë nga gjuhësia e krahasuar, historike dhe indoevropiane. Një kulmim të qartë disa dekada më vonë do ta shënojnë botimet e plota të librit, të realizuara përkatësisht në vitin 1958 (nga N.Ressuli) dhe 1968 (nga E.Çabej), në dy variante që përbëjnë një lëndë të mirë për t’u studiuar nga filologët dhe studiuesit e teksteve të vjetra shqipe.
Realizimi i këtyre botimeve kritike solli në vëmendje rëndësinë që merr në këto rasa disiplina e tekstologjisë dhe ajo e filologjisë së tekstit, duke qenë se riprodhimi i një vepre të tillë përbën mbi të gjitha përzgjedhjen e kritereve të mirëfillta që janë premisë për ta bërë botimin shkencërisht të realizuar, pa cenuar integritetin përmbajtësor të tij.
Një punim shkencor që sheh dritën e botimit në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar e që ka për autor Martin Camajn (Il “Messale” di Gjon Buzuku, contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat) do të risjellë në vëmendje të studiuesve domosdosmërinë e vështrimit kompleks mbi veprën dhe pjesët që e ndërtojnë, aspektet grafematike që lidhen me receptimin e sistemit fonik të kohës, por dhe me të shkruarit si kulturë, ndikimet e mundshme nga gjuhë të tjera që autori mund t’i kishte njohur, por mbi të gjitha ndikime nga tradita të afërta, fakt ky që përbën dhe një nga linjat më të realizuara prej tij. Prania e disa shenjave grafike të ndryshme nga ato të alfabetit latin qe një fakt i vënë në dukje që në krye të herës nga studiuesit e veprës, përfshirë filologun Mario Roques, i cili analizon çdo detaj që mund të shpjerë dhe në përkime të mundshme me arealin më të afërt gjeografik, atë kroat e dalmatin.
Botimet kritike e filologjike të realizuara në shekullin e kaluar janë një hap i rëndësishëm drejt studimit të thelluar të librit e ndërkohë bëjnë të mundur dhe përvijimin e punimeve mbi tekstet e tij, ndërkohë që nuk kanë munguar kërkime mbi shtypshkronjën në të cilën u realizua botimi i tij dhe editorin që bëri të mundur konkretizimin e tij. Të dhënat që u ofruan nga Lucia Nadin vitet e fundit e që përqendrohen në kërkime mbi tipografi të arealit veneto-padovan paraqiten konkrete e bindëse dhe mbi të gjitha përafrojnë mes tyre botime që kanë të përbashkëta tipare teknografike të qarta, përfshirë figurat e simbole të tjera ikonografike që janë tipike për shekullin në të cilin Meshari pa dritën e botimit.
Me librin e Gjon Buzukut u pasurua historia e shkrimit shqip dhe studimet mbi letërsinë e vjetër shqipe, por plotësohet dhe panorama dokumentare mbi historinë e kishës shqiptare në shekuj që lidhen me promovimin e shtypshkrimit dhe kulturës së librit të shkruar. Dhe në rastin e librit të Gjon Buzukut, është e pashmangshme që kërkimet të orientohen ndaj zhvillimesh dhe risish të ndodhura në vendet tej Adriatikut, me gjasë në ato vise që u bënë dhe vatra të promovimit të kulturës tipografike dhe të editorisë në shekujt XVI-XVII.
Për ta parë më tej Mesharin si pjesë të pandarë të hulumtimeve albanologjike, le të mbajmë parasysh së pari trajtesat e shumta që u përpiluan mbi të dhe historikun përkatës që me vetë mungesën e indiceve të domosdoshme e bën më të madhe kërshërinë për të ditur më shumë rreth rrethanave konkrete që mundësuan daljen në dritë të shtypit të tij; le të kemi parasysh dhe studimet e pasura në lëmë të dialektologjisë historike dhe leksikut historik të shqipes, historinë e letërsisë së vjetër shqipe dhe atë të botimeve doktrinare në gjuhën shqipe, që marrin shtysë prej ekzistencës së këtij ekzemplari unik, dhe prej atyre elementeve që vijojnë të rimerren dhe më tej, në botime më sintetike, por të ngjashme për nga tematika dhe destinacioni.
Më së fundi, theksojmë lidhjen e natyrshme që krijohet me zhvillimet në arealet tej Adriatikut në pikëpamje të kulturës së shtypshkrimit dhe botimeve të librave me destinacion lokalitete a komunitete ku flitej e kultivohej gjuha shqipe.
Një linjë e tillë natyrshëm hedh dritë dhe mbi shkëmbime konkrete që duke pasur shtysë çështje të studimit të historikut të një libri si ai i Gjon Buzukut, përbën një premisë njohjeje dhe për të tjera rrethana dhe argumente studimi.