Intervistoi: Julia Vrapi

-“Kthimi i Karl Majit” u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Si autor i tekstit, çfarë mund të na thoni për veprën, ku është pohuar se shfaqja i bën një skanim Evropës së tanishme. Çfarë përcjell vepra me mesazhet e saj?

Në dramat e mia jam marrë edhe më herët me shkrimtarin gjerman Karl Majin dhe me romanin e tij avanturesk “Durch das Land der Skipetaren” (“Përmes tokave të shqiptarëve”) – por vetëm përciptazi. Jam tallur me ato parafytyrimet e tija naïve për shqiptarët. Vjet ndërsa, kur teatri i famshëm gjerman Volksbühne nga Berlini na ftoi të bashkëprodhonim një shfaqje për festivalin e tyre POSTËEST, mendova se është koha të merrem me May-in më seriozisht! Gjithnjë më ka tërhequr obsesioni që gjermanët kanë për Karl Majin. Ai është, siç e kam kuptuar, autori më i shitur gjerman i të gjitha kohërave. Librat e tij janë argëtues, por edhe të mbushur me paragjykime e racizëm– megjithatë, ato janë shkruar në një kohë kur gjermanët e kanë konsideruar veten superior ndaj krejt të tjerëve, sidomos ndaj popujve të lindjes e të tjerëve, por edhe ndaj shqiptarëve. Kjo lloj qasje e tyre  mbi superioritetin e supozuar të tyre kulturor e racor, e dimë që ka pasur konsekuencat e veta. Por gjermanët akoma nuk janë liruar nga kjo ndjenjë superioriteti. Ato paragjykime që ka mbjellur Karl Maji me letërsinë e tij për shqiptarët – dhe jo vetëm, kan vazhduar të kultivohen me shumë dashuri nga të tjerët dhe kanë lëshuar rrënjë në shoqërinë gjermane.  Dhe kështu, shkrova dramën satirike “Kthimi i Karl Majit”, por të cilën, për shkak të pandemisë, fatkeqësisht, nuk ia arritëm ta jepnim premierën në Berlin, në Volksbühne. Atë e realizuam tani në tetor, në Prishtinë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm. Në shfaqjen tonë, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera. Shfaqja i bënë një skanim Evropës së tanishme, vlerave të saj të supozuara kulturore e civilizuese, demokracisë së proklamuar si “të shenjtë”, dhe e cila, në babelin e letrave burokratike të EU-së na vjen në variantin e garës muzikore Eurovizion – pra si një Evropë e dashurisë, e harmonisë, e shkëlqimit e diversitetit, por që në thelb, e në realitet, është edhe një Evropë arrogante, eurocentriste, madje raciste, me ndjenja anti-muslimane e anti-lindje! Është një Evropë e shkëlqimit nga jashtë, por që nga brenda gëlon nga paragjykimet!

-Teatri në Kosovë tani u hap, por sipas jush si ka ndikuar pandemia në jetën artistike të teatrit?

Pandemia i ka dhënë një goditje të fuqishme skenës teatrore, gjendja është vërtetë dramatike. Vecanërisht është e goditur skena e pavarur kulturore teatrore. Shteti nuk ka gjetur ndonjë mekanizëm ta mbështes. Më herët, në fillim të vitit, qeveria Kurti premtoi një pako prej 5 milion për këtë skenë, megjithatë, qeveria e re kur erdhi i hodhi në ujë ato zotime dhe ai fond nuk iu dha kurrë skenës së pavarur. Teatrot tani janë hapur, por po funksionojnë me vështirësi, me kapacitetet të limituara. Frika është se, pas kësaj valës së re në ardhje të pandemisë, teatrot sërish do të mbyllen – dhe kjo do të thotë, vazhdimësi e e agonisë së jetës teatrore dhe thellim i krizës ekzistenciale për artistët e pavarur.

– Çfarë mund të na thoni për rolin e Ministrisë së Kulturës, sipas jush çfarë ka munguar në ndihmë të komunitetit artistik?

Ministria e Kulturës këtu tek ne ka qenë si në mjegull – edhe ajo e hutuar nga pandemia. Në fillim, natyrisht kemi pasur mirëkuptim për shkak të paaftësisë së saj për të reaguar, megjithatë, kjo paaftësi u vazhdua dhe Ministria e Kulturës iu kthye rolit të sajë tradicional; të mos bëj asgjë. Natyrisht, ata vazhdojnë të ankohen se, për shkak të rrethanave, po punojnë me kapacitetet të limituara, dhe kjo është e vërtetë, megjithatë, kemi pritur e presim më shumë nga ta. Presim që ata të reagojnë dhe t’i mbështesin artistët e pavarur, sepse ata jan në cep të ekzistencës. Përderisa një pjesë e artistëve punojnë në institucione publike, në teatro të qyteteve e kështu me radhë, shumica tjetër, ata të pavarurit, janë pa të ardhura, e me sa duket, pa të ardhura do të ngelen edhe për disa muaj sa do të zgjas pandemia… Dhe prandaj mbështetja e shtetit është e domosdoshme. O tani, o kurrë!   

Kjo është sa i përket rolit të Ministrisë së Kulturës tani, ndërkohë që, ajo ka qenë e përgjumur dhe pa nerv reagimi edhe në të kaluarën. Por, ato janë gjëra qqë janë thënë tashmë disa herë.

-Muaj më parë dolët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar në Tiranë, që u shemb. Për ju çfarë solli kjo?

Solli një teatër më pak në hapësirën shqiptare. Solli një një objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare të rrënuar. Aty ishin rreth 80 vite histori, histori teatri po se po, por edhe histori të Shqipërisë, të konvertuara në kujtime, në ngjarje, në mbamendje kolektive. Dhe e kam thënë më herët, akti i shembjes fizike të Teatrit kombëtar në Tiranë ishte epilogu i një shembjeje të madhe, në kontinuitet të teatrit shqiptar atje. Sepse shembja më e madhe teatrore në Shqipëri nuk është shembja fizike e Teatrit Kombëtar, që u bë natën e 17 majit të këtij viti. Shembja më e madhe që i ka ndodhë teatrit shqiptar, krejt këto mbi 30 vite, është degradimi estetik, degradimi moral i idesë së të bërit teatër, është arroganca dhe përbuzja e shtetit ndaj teatrit, është pafuqia dhe paaftësia e komunitetit artistik për t’u organizuar. Dhe prandaj unë besoj që artistët duhet të mobilizohen dhe ky akti i shembjes fizike të teatrit atje duhet të jetë fillimi i një beteje më të gjatë për ta çliruar teatrin nga kthetrat e degradimit dhe një beteje që përpos kauzës për objektet fizike, lufton edhe për një kazuë tjetër, poaq sublime, në mos edhe më sublime; kauzën për dinjitetin e teatrit në Shqipëri, dinjitet që është rrëmbyer nga të gjith nga pak, duke përfshirë edhe nga vet artistët, por sidomos nga politika e politikanët, pa përjashtim, nga të majtit dhe nga të djathtit. Kjo me siguri tingëllon si thirrje moralizuese, megjithatë, jam i prirur të besoj në fuqinë e teatrit. Edhe kur artistët teatror humbin shpresat, ideja e teatrit ia del të triumfoj dhe t’i udhëheqë artistët, çofshin ata vetëm një grusht… Ajo që bënë disa prej tyre këto vite, në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duhet të shërbejë si inspiririm. 

-Para disa ditësh u nënshkrua dhe kalendari i bashkëpunimit kulturor mes dy Ministrive të Kulturës Kosovë-Shqipëri. Ky vit është i shtati, për ju si ka qenë deri më tani ky bashkëpunim dhe çfarë mendoni se duhet përmirësuar?

Këto kalendaret kulturor janë bërë vërtetë bajat. Sepse, janë shëndërruar në copa letre që nënshkruhen me pompozitet, por që pastaj asgjë nga to nuk del në dritë. Ndoshta, ca shkëmbime të thata tek tuk. Tani, ta përkthejmë kalendarin në fushën e teatrit në numra: sa shkëmbime shfaqjes teatri janë realizuar përgjatë këtyre 7 vitesh? Në fakt, më shpesh ka ardhur në Tiranë me shfaqjet e saj Qendra Multimedia, që është kompani e pavarur teatri, sesa që kane ardhur teatrot tjera publike të Kosovës. Dhe edhe më pak kan ardhur në Kosovë teatrot e Shqipërisë – së paku, jo ato të përfshira në këtë të ashtuquajturin “kalendar bashkëpunimi”. Tani, ta zëmë, jashtë këtij kalendari, Qendra Multimedia po sjellë në Prishtinë shfaqjen “Naten ma” të teatrit Metropol. Jam mëse i sigurt që hartuesit qeveritar të këtij kalendarit kulturor as që ia kane idenë e kësaj shfaqjeje që po vihet në Prishtinë. Por po, po vihet në kuadër të “Kosovo Theater Shoucase”, ashtu siç po vihet edhe dance-performanca e Gjergj Prevazit, “Let’s go”. 

-Për ju sa ndihmohet skena e pavarur kulturore nga institucionet dhe çfarë duhet bërë më tepër në Shqipëri dhe Kosovë? ( me aq sa ju jeni në dijeni)

Që ta themi në fillim: në Shqipëri skena e pavarur kulturore vetëm se mund të thuhet se ekziston. Ndërkohë, skena e pavarur teatrore atje nuk ekziston fare, fatkeqësisht. Projektet e kohëmbaskohëshme teatrore, që bëhen me vullnetin dhe pa mbështetjen e institucioneve, janë të rëndësishme, por ato nuk jan konsekuente dhe zakonisht mbesin si “gjuajtje njëshe”, pra, si projekte që nuk kane kontinuitet. Nuk është se në Kosovë gjendja është më e mirë, megjithatë, këtu ka disa kompani teatri, të cilat megjithatë, në kontinuitet prodhojnë shfaqje teatri. Këtu e kam ndërmend teatrin Oda, Qendrën Multimedia e Artpolis. Mbështetja nga Ministria e Kulturës në Kosovë e këtyre inciativava të pavarura teatrore është e vogël, megjithatë, këto kopani teatri ia dalin të funksionojnë disi, falë edhe mbështetjes së fondacioneve ndërkombëtare.

Përgjigjia në pyetjen se “çfare duhet bërë?” – është e thjeshtë: skena e pavarur kulturore duhet mbështetur, ndryshe ajo s’ka sesi të ekzistoje. Ekzistenca e saj e stimulon pluralizmin kulturor, dhe rrjedhimisht, edhe demokracinë e brendshme. Sepse ajo bëhet njëlloj stimuli e makanizmi i kritikës shoqërore, njëlloj pasqyre që projekton problemet e shoqërisë. Kjo gjë natyrisht nuk mund të pritet nga teatrot publike të cilat janë të kapura dhe kontrollohen nga shteti. Çfare lloj kritike shoqërore a politike mund të adresoje Teatri Kombëtar në Tiranë tani? Kurrfare. Prandaj, prezenca e skenës së pavaur teatrore është shenjë e zhvillimit, progresit dhe demokracisë së një shteti. Mungesa e dëshmon të kundërtën. Dhe kjo tani po ndodh në Shqipëri – në kontinuitet, tash e 30 vite.

-Në një intervistë tuajën më parë jeni shprehur për depolitizim të institucioneve të kulturës dhe krijimi i një ambienti kulturor, që i jep prioritet profesionalizmit. Çfarë keni pasur parasysh me këtë në Kosovë dhe çfarë mendoni për institucionet në Shqipëri, pasi dhe këtu ka artistë që shprehen për depolitizim të institucioneve?

Në këtë drejtim, si në Shqipëri, si në Kosovë, situate është e njëjtë. Pra, është dëshpëruese. Institucionet e kultures, as në Tiranë e as në Prishtinë, nuk kan arritur të krijojnë një sistem meritokracie apo të vlerave, përkundrazi, sic e kemi parë, buxheti i vogël që është në dizpozicion shpesh shpërndahet tek artistët e afërt me partitë politike në pushtet, tek ata të dëgjueshmit dhe shpesh edhe tek diletantet e artit. Ndërkohë që, zërat kritik dhe ata të cilët krejt këto vite kane bërë përpjekje të ruajn njëfare dinjiteti artistik, e kane të vështirë qasjen në fondet publike. Në këtë drejtim, më shumë sesa vet shteti i Kosovës, skenës kulturore në Kosovë, sidomos skenës kulturore të pavarur, i kane ndihmuar donatorët ndërkombëtar, fondacionet e organizatat e ndryshme që kane operuar në Kosovë dhe të cilët, kohë mbas kohe kane mbështetur edhe aktivitetet kulturore. Përmes tyre kane mundur të zhvillohen dhe mbijetojnë shumë organizata, festival e ngjarje të rëndësishme kulturore në Kosovë. Pa një mbështetje të këtyre donatorëve ndërkombëtarë, sot në Kosovë nuk do ta kishim as Dokufestin, as Festivalin Ndërkombëtar të Letërisë-polip, as Teatrin Oda, as Qendrën Multimedia, as Femart-in, as Anibar-in e as shumë të tjerë organizata, festivale e evente kulturore të rëndësishme. Pra, nuk do t’kishim thuaja fare një skenë kulturore të pavarur, e cila, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në regjion, mund të konsiderohet si më vitalja, më aktivja dhe më e freskta. Dhe kështu, nëse unë do të isha në pozitë vendimarrëse, natyrisht, puna e parë që do të bëja do të ishte suportimi i pakusht i skenës së pavarur kulturore. Pastaj, do të vinte pavarësimi dhe depolitizimi i njëmendt i institucioneve të kulturës dhe krijimi i një ambienti kulturor që i jep prioritet profesionalizmit. Pra, krijimi i një ambienti kulturor ku parazitëve, dembelëve, puthadorëve e të patalentuarve do t’duhej të rrinë larg institucioneve të kulturës.

-Hapësira performuese e Qendrës Multimedia në Prishtinë është mbyllur, pas gati dhjetë vitesh funksionim. Si erdhi mbyllja, dhe për ju me aktivitetin e saj prej kaq vitesh çfarë përcolli kjo qendër?

Hapësira ku ka qenë e vendosur Qendra Multimedia ka qenë private. Pronari pat vendosur ta shiste. Ne natyrisht kemi qenë të vetëdijshëm që një ditë  mund të arrijmë tek kjo situatë, prandaj, me kohë patëm nisë përpjekjet për gjetje të një hapësire alternative, në mënyrë që t’mund t’i vazhdojmë aktivitetet tona. Vjet patëm nënshkruar një Memoradnum Mirëkuptimi me Komunën e Prishtinës, për një objekt të vjetër të pashfrytëzuar në Prishtinë, të cilin synonim ta kthenim në një hapësirë performuese, por përpos atij ‘nënshkrimi në letër’, komuna nuk ka treguar vullnet ta zbatoj memorandumin dhe zotimet që kishte marrë përsipër. Në këtë drejtim, jemi vërtetë të dëshpëruar me komunën e Prishtinës dhe qasjen që kane pasur ndaj teatrove dhe hapësirave performuese. Prishtina është sot kryeqyteti në Evropë me më së paku hapësira performunese. Kemi pasur shumë shpresa në kryetarin aktual të Prishtinës, baba i të cilit ka qenë një aktor i respektuar i teatrit kombëtar të Kosovës, megjithatë, dëshpërimi në të tani është tepër i thellë. Ndonjëherë, mendoj që ky kryetar jo dashuri, por ka urrejtje për teatrin. Dhe është tragjike, që një djalë i ri, i shkolluar në Harvard, që ia doli të bëhet kryetar i Prishtinë, tani është shëndërruar në një burokrat të zakonshëm, në një dembel që s’bënë gjë tjetër, përpos të shtroj në Prishtinë asfalt vend e pa vend.  

Qendra Multimedia është organizatë kulturore dhe humbja e hapësirës ku ka operuar ia kufizon disa prej aktiviteteve, megjithatë, puna jonë, siç e dini ka shtrirje ndërkombëtare. Kështu që, ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona, por duke iu përshtatë rrethanave të reja – Për sa i përket zhvillimit të aktiviteteve tona, ne edhe më herët kemi bashkëpunuar me teatrot e hapësirat tjera – veçanërisht me Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Oda, por kemi bashkëpunuar ngusht edhe me Teatrin e Gjilanit dhe atë të Ferizajit. Nga tash e tutje, bashkëpunmi me teatrin Oda do të intensifikohet. Tani, beteja e radhës është të bindim komunën ta mbështesë teatrin Oda dhe aktivitetet tona të përbashkëta në atë teatër. Dhe natyrisht, ta bindim Komunën e Ministrinë t’i mbështesë hapësirat kulturore ekzistuese, që t’mos e pësojnë fatin e Qendrës Multimedia dhe të luftojmë për hapësira të reja, kaq të domosdoshme për Prishtinën.

Qendra Multimedia është aktor i rëndësishëm kulturor në Kosovë dhe prezenca e saj e ka pasuruar jetën e varfër kulturore, veçanërisht atë leatrare e teatrore. Natyrisht, ka organizata të tjera kulturore që janë kredibile dhe që bëjnë punë të shkëlqyeshme në Kosovë, megjithatë, qasja kritike që Qendra Multimedia ka ndjekur kundrejt fenomemeve të ndryshme politike e sociale në Kosovë, e bëjnë punën e sajë unike. Natyrisht, siç themi ne, e mira nuk ka tavan, megjithatë, jamë veçanërisht krenar për faktin se shfaqjet e prodhuara nga Qendra Multimedia janë shfaqur në skena të rëndësishme në Evropë e Amerikë dhe jehona mediale e këtyre prezantimeve ka qenë e jashtëzakonshme. Për punën tonë kane shkruar disa nga revistat më të rëndësishme në Evropë dhe kjo, për kontekstin tonë, do të thotë shumë. Dhe kur të kihet parasysh që kemi punuar dhe punojmë në kushte të mizershme, me një sallë provash me kushte primitive, suksesi i arritur bëhet edhe më i çmuar.

-Si dramaturg në vijim të vlerësimeve tuaja erdhi dhe Çmimi Europian 2020 për Arritje Kulturore. Për ju sa rëndësi ka ky vlerësim në punën tuaj?

Më duhet të them se motivimi i dhënjes së këtij çmimi më tingëlloi pak si tepër ambicioz. Më shumë se sa një shkrimtar, duket sikur unë jam ndonjë lider fetar, politikan me influencë, apo ndonjë ‘zyrtarë i lartë i UN-it’, që ka punuar sistematikisht për të krijuar mirëkuptim e lidhje ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Ndërkohë që unë, si çdo shkrimtar dramash, krejt kontributin eventual e kam në përpjekjen për të shkruar drama (e përsëris: në përpjekjen) që synojnë të rezonojnë me kohën, me pulsin e sajë, drama që, në zemrën e tyre, marrin nën mbrojtje të shtypurit e trazojnë foletë e të fuqishmëve e dhunuesve, drama që rrëfejnë për traumat e kësaj kohe e na shpalosin dilemat e së ardhmes, drama që synojnë t’i emanciojnë e vetëdijësojnë shoqërita tona për botën për rreth, për botën përtej hundës tonë… dhe këtu, besoj që do t’mund të shihet kontributi eventual i mi – dhe i cdo shkrimtari që me dramat e tija projekton këto synime, këto drama e ëndërra të njeriut e shoqërisë/ve tonë. 

Sepse, shkrimtari, duke qenë kritik ndaj, ta zëmë, Evropës sot, ai në të vërtetë tregon se e do një Evropë më të mirë. Duke qenë kritik kundër shtetit të tij, ai e aspiron një shtet më të mirë, më të dinjitetshëm. Kur shkrimtari flet për dhunën, ai e aspiron paqen. Kur ai flet për fundamentalizmin religjioz, ai e aspiron harmoninë religjioze. Kur ai pozicionohet kundër fashizmit, ai e aspiron lirinë. E kështu me radhë.

Por që të mos tingëlloj arrogant: çmimin e kam pranuar me shumë kënaqësi dhe lajmi për të pati jehonë të gjerë në mediat e Kosovës. Natyrisht, më ka motivuar edhe mua. Që t’i kthehem pyetjes tuaj: natyrisht, do të doja të shihja më shumë shkëmbime kulturore mes vendeve të ndryshme, dhe vecanërisht mes hapësirave gjeografike të ndryshme kulturore e religjioze, sepse kjo i kontribuon njohjes, e njohja pastaj zbutë frikën që kemi për tjetrin, për “tjetrin e panjohur”. Kur një ahmak nga Kosova, para ca ditësh komentoi në një debat në rrjetet sociale, duke i quajtur sërbët “barbar të pandreqshëm”, gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte të mendoja se ky që po komentonte ishte, në të vërtetë, barbari. Të tjerët që mendojnë si ai mund të gjenden lehtë, dhe janë me shumicë në Serbi, në Kosovë e gjithandej hapësirave tona. Çfare dua të them është se, ndonjëherë, na mjafton të shohim një shfaqje teatri që vjen nga vendi “ku të gjithe janë barbar”, të shohim një film, të lexojmë një libër, ta vizitojmë ate vend– dhe pastaj nuk do të na shpëtonte nga goja një barbarizëm të tillë për një shoqëri ku “të gjithë janë barbar”. Dhe kjo e mosthënë, do t’i shpëtonte nga helmimi edhe dhjetra e qindra të tjerë, njerëz që u binden symbyllazi krejt marrëzive e vullgariteteve raciste që villen në rrjetet sociale.

-Kur keni filluar të shkruani drama dhe në aktivitetin tuaj me teatrin, kë vepër dramaturgjike quani më të suksesshme në karrierë deri tani?

Drama e parë, të themi, pak më ambicioze, që kam shkruar, është “Buzëqeshja në arkivol”. Duhet të kem qenë student i vitit të dytë apo tretë, nuk e mbaj mend. Megjithatë, atë e pat botuar Halil Matoshi në revistën e atëhershme “Sheshi”, një revistë prestigjioze që botonte shkrime shumë cilësore. Matoshi na ka botuar e ndihmuar shumicën prej neve asokohe. Mbaj mend që, atë ditë kur u botua drama, unë pata blerë së paku 10 kopje të revistës “Sheshi”. S’dij, por ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme për mua si student. Kurr më s’i kam pasur ato emocione me ndonjë botim tjetër, as kur jam botuar në gjuhë të tjera. Për shkak të titullit, shokët – Shpetim Selmani sidomos – akoma më thumbojnë për atë dramë. Pas kësaj drame shkrova dhe drama të tjera, të cilat pastaj nisën të vihen në skenë, duke përfshi edhe dramen “Liza po fle”. Megjithatë, dramë “më serioze të parë”, siç pyetët ju, ndoshta do ta konsideroja “Lufta në kohën e dashurisë”, të cilën e kam shkruar në vitin 2007. Ajo ka pasur disa inskenime të ndryshme, përfshi edhe dy në Francë.  Pastaj, disi, gjithcka bëhet rutinë. Natyrisht, botimet më gëzojnë, ashtu sic më gëzojnë edhe inskenimet e dramave, megjithatë, emocionet e botimeve e inskenimeve të para janë ndryshe, të papërsëritshme.

Por nga mbi 20 drama sa kam shkruar, ndoshta megjithatë do të veçoja tri: “Shembja e Kullës së Ajfelit” që merret me Islamin dhe terrorizmin, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” që është një parabollë satirike për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe e cila fle për kontrollin politik që pushteti përpiqet të ushtroj mbi artin dhe “Bordel Ballkan”, një dramë përmes së cilës mundohem të flas për luftën si koncept dhe si maqineri të shkatërrimit e vdekjes. Nëse do t’isha i shtrënguar që megjithatë të vecoja njërën nga këto tri drama, besoj që megjithatë do t’ndalesha te “Bordel Ballkan”, para së gjithash, për shkak të ehos mediale dhe debatit që ajo ka nxitur kur u shfaq në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Besoj se ka qenë debat konstruktiv, sepse ka konfrontuar publikun me disa prej problemeve e temave sfiduese në shoqërinë kosovare të pasluftës; ballafaqimin me të kaluarën, respektivisht me krimet e luftës, instalimin e një mendësie dhune e shantazhi në qeverisjen politike, instalimin e nje mendësie grabitjeje dhe plackeje të gjithckaje publike e jo-publike; në emër të fitores në luftë dhe në emër të të ashtucuajturave vlera të luftë e kështu me radhë.  Pra, është një dramë në të cilën publiku besoj që ka gjetur dramën e vet jetësore nëpër të cilën ka kaluar këto vitet e fundit të pasluftës.

-Si po vijon puna me dramat. Po shkruani një vepër të re?

Shkruaj vazhdimisht. Dhe shkruaj nga dy, e shumta tri, drama në vit. Edhe kur nuk shkruaj, në fakt shkruaj… Jam në kontakt të vazhdueshëm me teatrit dhe kjo më bënë të ndihem mire, edhe atehërë kur ka arsue për t’mos u ndier mirë. Pas “Kthimi i Karl Majit”, të cilën e shkrova në fillim të këtij viti, kam shkruar edhe një dramë tjetër që quhet “Audienca nga Vaclav Havel”. Nëse gjithçka do të shkoje si duhet, premiera e saj do të jete diku në fund të Nentorit në Prishtinë. Ajo tashmë ështe përkthyer edhe në gjuhen turke dhe në atë farsi të Iranit (që është drama ime e parë që përkthehet në atë gjuhë). 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Modernizmi dhe realizmi socialist ose, kontruktivizmi dhe neo- klasicizmi
Petrit Ruka: Po sikur poetët e mirë të jepnin ca orë letërsie, mundësisht në çdo shkollë të këtij vendi…
Piro Mani është teatri dhe teatri është Piro Mani
Kafja e Madhe – Tokë e zanë!
Rrëfimi unik pas 700 vjetësh/ Si u gjendën 13 këngët e munguara të Komedisë Hyjnore, dorëshkrimi ende mister për studiuesit
Shejzat 1958/ Çfarë shkruante Martin Camaj për poezinë e Kadaresë, “Nji ngjarje në pushime” dhe shkrimtarët e realizmit socialist…
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>