In memoriam
35 vjet më parë u nda nga jeta Odhise Paskali, anëtar i Akademisë së Shkencave, Skulptor i Popullit
Odhise Paskali është themeluesi i shkollës shqiptare të skulpturës.
I formuar në Itali, në Universitetin e Torinos, në degën “lettere e filosofia”, ai u diplomua për histori arti dhe më pas u kthye në atdhe, ku themeloi shoqërinë “Miqtë e artit” dhe më pas edhe shoqërinë “Studenti shqiptar” dhe shoqatën tjetër “Miqtë e Arbrit”. Këto nisma kishin për qëllim që të bashkonin talentet shqiptare të arteve pamore dhe të zhvillohej piktura e skulptura vendëse. Odhise Paskali është organizator i së parës ekspozitë të arteve figurative shqiptare dhe një nga nismëtarët e hapjes së të parës shkollë vizatimi në Tiranë.
Së bashku me Androniqi Zengon, Abdurrahim Buzën dhe Murad Toptanin, Odhise Paskali është përfaqësues i denjë traditës së arteve pamore në zhvillimet modernizuese që u shfaqën në Shqipëri në periudhën midis dy luftërave; me Migjenin, Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin në letërsi; me Tefta Tashko-Koçon dhe Jorgjie Trujan në artet skenike dhe me të tjerë shkrimtarë e artiste që dëshironin europeizimin e jetës qytetare të vendit të tyre.
Paskali iu shfaq botës shqiptare fillimisht si kritik arti dhe publicist. Libri “Gjurmë jete”, shkruar në formën e kujtimeve dhe eseve dhe botuar në vitet e fundit të jetës (1985), paraqet në një farë shkalle konceptet estetike dhe teorike të Odhise Paskalit për artet dhe jetën. Ai ia doli të krijonte një mjedis dashamirës për artet e reja që po i bashkoheshin traditës shqiptare të krijimtarisë.
Veprat monumentale që krijoi Odhise Paskali në vitet 1930 për të përjetësuar shenjat e kujtesës kombëtare, duke filluar nga figura e Skënderbeut qenë të ndikuara prej skulpturës së shekujve të humanizmit europian (nga “I urituri” deri tek “Partizani fitimtar” vendosur në muzeun e kampit të përqendrimit të Matthausen-it). Në stilin e asaj tradite janë realizuar edhe “Luftëtari kombëtar” dhe vepra të tjera të mëvonshme. Në vitin 1937, pas dështimit të konkursit ndërkombëtar të shpallur nga Ahmet Zogu për një përmendore të Gjergj Kastriotit, për shkak të konflikteve me kryetarin e jurisë M. Ivanaj, busti i Skënderbeut, vepër e tij, u vendos në Kukës (1937). Kjo është një nga veprat simptomatike të skulpturës shqiptare, njëherësh dhe njëra prej më të riprodhuarave gjatë një shekulli.
Me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare Odhise Paskali u ftua të bëhej anëtar i tij. Por shumë shpejt u detyrua të kërkojë një zgjidhje tjetër për përballimin e jetesës, duke krijuar një punishte për përgatitje shkumësash të ngjyrosur për nevojat e shkollave të vendit.
Pas luftës antifashiste ai krijoi vazhdoi të krijonte vepra të reja në stilin monumental, krahas me nudot heretike që nuk u ekspozuan asnjëherë, përveçse në studion e tij, që vizitohej vetëm nga miq shumë të afërt. Veçohet përmendorja e “Partizanti çlirimtar” (Përmet), grupi skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; busti i mirënjohur i Naim Frashërit dhe të trinisë së Frashëriotëve.
Në stilin e krijimtarisë së Odhise Paskalit shihet një largim prej gjigandomanisë dhe monumentalizmit fizik-përmasor. Vepra e tij priret nga kuptimësia dhe humanizmi.
Nga viti 1984 Odhise Paskali ishte anëtar i Akademisë së Shkencave.