nga David Hosaflook, PhD

Në vitin 2012, kam përfunduar përkthimin në anglisht të librit të Marin Barletit, Rrethimi i Shkodrës. Disa javë pas botimit, kam pirë një kafe me mikun tim, të ndjerin Robert Elsie, te Pesëmbëdhjetëkatëshi. Ai e mori librin me kënaqësi, dhuratë prej meje dhe botuesit “Onufri”. Më tha: “David, nuk jemi shumë veta që mund të përkthejmë mirë nga shqipja në anglisht. Të paralajmëroj se tash e tutje shumë njerëz do të të kërkojnë të përkthesh librat e tyre”.

E kështu ndodhi. U keqkuptua sikur jam përkthyes. Nuk jam. Kam mjaft angazhime, në familje, në kishë, në punë shkencore. Rrethimi i Shkodrës ishte një projekt personal, një punë dëshire, si banor i Shkodrës dhe amerikan gegëfolës. Ndaj, secilit kërkues duhet t’i shpjegoja se, ndonëse përkthej mirë, nuk kam kohë për projekte të reja. Bie dakord që thesaret e letërsisë shqipe dhe të historisë shqiptare duhet të përcillen në gjuhën time amtare, në anglisht, e për këtë arsye më vjen sinqerisht keq kurdoherë që më duhet të refuzoj kërkesën e ndonjë shkrimtari, poeti a historiani të respektuar në shoqërinë shqiptare.

Ndryshe vendosa për librin e Ferid Hudhrit (nëse mund ta quajmë “libër”). Së pari, autorin e kam mik. Feridi ka qenë këshillues, motivues dhe udhëheqës shkencor për doktoraturën time. Është burrë i rrallë, e mjaft i sinqertë. Është i shquar në fushën e historisë së artit, por nuk i bien borisë për arritjet e tij. Përkundrazi, atij i parapëlqen ta lërë punën e tij të flasë vetë, dhe me gojën e tij lëvdon të tjerët. Ku ka njerëz të tillë në botë? Ku ka mjeshtër që nuk u tregojnë të gjithëve se sa mjeshtra janë, por, për më tepër, që frymëzojnë të tjerët që të rrisin standartet e tyre të punës?

Megjithatë, nuk ishte vetëm miqësia apo mjeshtëria e tij që më shtyu të pranoja këtë projekt përkthimi. (Kam refuzuar mjaft miq e mjeshtra të tjerë.) Më shtyu libri. E jo sepse jam i apasionuar pas artit. Nuk jam. Madje, më vjen pak turp të rrëfehem se, sikur të vihesha para një vendimi, a të dal në një ekspozitë arti apo të shkoj në një ndeshje futbolli, do zgjidhja të dytën, duke u gjendur pranë njerëzve me fara luledielli në gojë, e jo pranë atyre me gota vere në dorë. Ndoshta nuk jam aq i rafinuar.

Por kjo është mjeshtëria e veçantë e këtij “libri” të Ferid Hudhrit. Të bën për vete, pavarësisht nëse di apo jo të dallosh një akuarel prej një pikture me vaj, një vizatim nga një litografi. Është udhëtim vizual në analet e historisë shqiptare, me një tekst shoqërues që as nuk të lodh (nëse je rishtar në botën e artit apo të historisë), as nuk të mërzit me thjeshtësinë e tepruar (nëse je i fushës). Nuk është kryesisht, them unë, një libër për artin, por një libër për shqiptarët nëpërmjet artit, një libër që vë në dukje rëndësinë e merituar të Shqipërisë në kulturën europiane, ndryshe nga karikaturat për shqiptarët që janë bërë shabllone prej vitesh në disa rrethe.

Them se ky libër është një “muze lëvizës”, por jo si një album që mund të blihet në dyqanin e Muzeut të Luvrit, për shembull, i cili paraqet të gjitha veprat e muzeut në fotografi. Jo aspak, sepse këtu kemi të bëjmë me një “muze” që nuk ka ekzistuar fare, një trashëgimi veprash të shpërndara në gjithë anët e botës, si vetë diaspora shqiptare. Ku dhe si i paska gjetur të gjitha këto vepra Feridi? –Një koleksion privat në Zvicër, një studio plot rrëmujë në Tiranë, një galeri në Shën Petersburg etj. Mirë paska shkruar Dr. Moikom Zeqo: “Ferid Hudhri i ka kushtuar jetën historisë së artit”. Por a dimë të vlerësojmë një përpjekje të tillë? Si mund ta falënderojmë atë dhe familjen e tij, për sakrificat e një jete të kushtuar këtij kërkimi, deshifrimi, interpretimi dhe prezantimi? 

Mënyra ime modeste për ta falënderuar ishte përkthimi i librit në anglisht. Ndihesha i detyruar, jo prej presionit nga një mik që respektoj, sepse nuk më vuri presion. (Nuk është mik me interes, të tillët dallohen menjëherë.) Ndihesha i detyruar jo kryesisht ndaj autorit, por ndaj shqiptarëve, të cilët i dua e ndër të cilët banoj. Si mund ta lija këtë kryevepër të pakthyer në lingua francan botërore? Si mund ta mbaja si sekret këtë “muze të ri”, që ka themeluar Ferid Hudhri nga hiçi?

Nuk mundesha, sepse për mua ky është libri i parë që duhet të vendoset në tavolinën e zyrës së çdo diplomati të huaj në Shqipëri. Ky është libri i parë që duhet të zbukurojë sallonin e çdo shqiptari që banon jashtë atdheut – e variantin anglisht, jo shqip, që të kuptojnë të gjithë mysafirët çfarë dimë ne vetë për historinë dhe kulturën e vendit, me të gjitha gëzimet, hidhërimet, larminë, ngjarjet dhe ngjyrat e realitetit shqiptar, ndër shekujt.


Albanians in art

Sipas botimit të Shtëpisë Botuese Onufri (Tiranë, 2018) libri “Shqipëria në Art” i studiuesit Ferid Hudhri i përkthyer në gjuhën angleze këto ditë shpërndahet  në Londër dhe në Tiranë. Botimi i ri me titullin “ALBANIANS IN ART” është realizuar nga The Centre For Albanian Studies, LONDON dhe Onufri në Tiranë (ISBN: 0-9546041-6-4. A full CIP record for this book is available from British Library, London).

Përkthimi është bërë nga albanologu i njohur amerikan David Hosaflook PhD, ndërsa redaktimi nga profesor Tim Wilson, Angli. Ndryshe nga botimi në gjuhën kineze (艺术阿尔巴尼亚,Beijing, 2021), i realizuar nga  Shtëpia Botuese e Mësimit dhe Studimit të Gjuhëve të Huaja (Foreign Language Teaching and Research Publishing Co., (FLTRP), ku formulimi grafik ishte krejt i ndryshëm nga varianti shqip, “ALBANIANS IN ART” është më pranë botimit origjinal për sa i përket paraqitjes së veprave të artit. Botimi në gjuhën angleze është pasuruar me disa tablo të reja nga arti shqiptar si dhe nga veprat me temë shqiptare të autorëve të huaj.

Midis tablove që paraqiten për herë të parë në këtë botim është edhe piktura e artistit skocez Colin Morison (1732-1810). Ngjarja e tablosë zhvillohet në qytetin antik të Butrintit. Pasqyrohet çasti kur Enea takohet me Andromakën (Aeneas arrives at the hill city of Buthrotum, The Tate Gallery, London). E realizuar në vitin 1760, kjo është nga më të hershme dhe më të çmuara tablo me temë nga trojet shqiptare. Për nga koha e realizimit, vlerat artistike dhe përmasat e telajos, mund të renditet pas afreskut të P. Veronese “Mbrojtja e Shkodrës” (Pallati Dukal, Venecia 1577), tablove nga V. Carpaccio për “Scuola degli Albanesi “ (Venezia,1503-1504) dhe para pikturës së E. Lear-it “Mali i Tomorit, Shqipëri” (1872, Koleksioni Lord Rothschild, Londër) si dhe tablove të tjera nga autorë të shquar botërorë si Rembrandt (1606-1669), G. Bellini (1429-1507), Van Dyck (1599-1641), N. Pousin (1594-1665), Van Mour (1671-1737), E. Delacroix (1798-1863), C. Corot (1796-1875), A. Decamps (1803-1860), L. Gérôme (1824-1904), F. Lewis (1805-1876), Van Gogh (1853-1890), P. Jovanovitc (1859-1957), C. Wodville (1856-1927) etj., që kanë realizuar shumë e shumë vepra me temë shqiptare.

Përballë pikturës së C. Morison (f. 104-105) është vendosur litografia e piktorit anglez Poer Beresford (1831-1906), sipas vizatimit të realizuar në Butrint në vitin 1855, plot 95 vjet më pas. Në kohët midis këtyre dy veprave, dhe në vitet më pas, janë krijuar disa dhjetëra vizatime, gravura, litografi, akuarele dhe tablo me ngjyra vaji me motive nga Butrinti prej artistëve tjerë të njohur si Louis Dupré (1819), Henry Cook (1835), Joseph d’Estournel (1844), Edward Lear (1857), Felix Ziem (1857), Smith O’Hara (1859), Ernest Gambier Parry (1889), Iginio Epicoco (1929), Adelmo Manna (1931), Luigi Piffero (1940), Umberto Marchetti (1943) etj. 

Kompozim i profesorit të Oxford-it, (studiues i Edward Lear), Tim Wilson: “Edward Lear duke biseduar me autorin Ferid Hudhri në sallën “Edward Lear”, te Sarajet, Tiranë, 2011

Komunikim fisnik midis popujve të realizuar nëpërmjet pikturës

Nga Ismail Kadare

Në sallonin e pritjes të njërës prej kështjellave mesjetare të Luarës në Francë, të Borgarit në Blezua, midis portreteve të njerëzve e të kapedanëve të shquar të kohës, është edhe një portret i Skënderbeut. Merret me mend se një portret i vendosur në një dhomë pritjeje, në një mënyrë ose një tjetër, tërheq vëmendjen e mysafirëve dhe zgjon bisedën për të.

Portreti dhe biseda për Gjergj Kastriotin në një dhomë kështjelle mesjetare europiane nuk ishte as gjë e rrallë, e as rastësi në shekullin e pesëmbëdhjetë e në shekujt e tjerë më pas. Shqiptarët po derdhnin gjak pikërisht në portat e Europës. Lajmet për të dhe për dyndjet osmane, që ata kishin frenuar bashkë me popujt e tjerë të Ballkanit, vinin të turbullta e plot ankth nga kryeqyteti në kryeqytet, nga kështjella në kështjellë. Flitej me pasion për ndihmën që duhej të jepej, për rrezikun që kërcënonte Europën, për nevojën e organizimit të një kryqëzate të re paneuropiane, në krye të së cilës mund të vihej Gjergj Kastrioti.*

Kaluan kështu mjaft vjet. Bashkë me kalimin e rrezikut, kancelaritë e Europës e harruan shumë shpejt popullin e vogël, që u gjet në qendër të ciklonit. Interesi u zbeh nga shekulli në shekull, pasionin e zëvendësoi indiferenca dhe kjo vazhdoi gjer në formulën cinike të kryeministrit anglez Chamberlen, në mëngjesin e 7 prillit 1939, në çastet kur Shqipëria u pushtua prej fashizmit: “Anglia s’ka ndonjë interes të veçantë në Shqipëri.”

Por ndërsa u harrua prej shteteve e kancelarive, Shqipëria nuk u harrua prej letërsisë dhe artit europian. Bajroni, Vivaldi, Delakrua dhe dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë, kompozitorë e piktorë të njohur, vazhduan të kërkojnë e të gjejnë motive të papërsëritshme në dramën, tingujt dhe ngjyrat e këtij vendi.

Anglia e Chamberlen-it mund të mos kishte interes për Shqipërinë, por Anglia e Bajronit kishte tjetër mendim. Dhe për cilindo ishte fare e qartë se ky i dyti ishte mendimi i vërtetë i një vendi dhe i një populli.

Vice-versa, populli shqiptar në këngë e në balada prekëse ka folur shpesh për popujt e tjerë të kontinentit. Në këngët e tij nuk mungojnë gëzimet e hidhërimet e tyre, nuk mungojnë as Parisi, as Vjena, as Londra, Athina e Venediku.

Ferid Hudhri na dëshmoi, për herë të parë në mënyrë bindëse, atë komunikim fisnik midis popujve të realizuar nëpërmjet pikturës. Pas një pune të gjatë hulumtuese ai na dëshmoi se me dhjetëra kanë qenë piktorët që, duke udhëtuar nëpër Shqipëri, kanë marrë me vete, për t’i ringjallur më pas në pëlhurë, ngjyrat dhe fytyrën komplekse të saj e të shqiptarëve. Të tjerë që, për arsye të ndryshme, nuk erdhën dot fizikisht, erdhën me mendjen dhe përfytyrimin e tyre, huajtën kostume shqiptare nga kolegët, shpejtuan në studiot e tyre dhe atje, me ndihmën e atyre ngjyrave të paharrueshme, të asaj çka kishin dëgjuar dhe të intuitës që kanë artistët e vërtetë, krijuan tablo të një vlere të pakontestueshme.

(Fragment nga parathënia e botimit të parë. Marre nga gazeta e perjavshme kulturore- letrare, ExLibris)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fluturimi i Chagall-it
Kur arti na kujton gjuhën e harruar të njeriut
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
Sprovë për të njohur një artist bashkëkohor
Mediateke/Projekti “Idhuj në bronz”, skulpturat e Durrësit që u harruan në magazinë
Pushteti i mikut
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>