nga Edison Çeraj

Le të jemi të drejtë që në fillim: asgjë nuk mund të themi me siguri për një pikturë. Nga ana tjetër, ndryshe ndodh kur kemi të bëjmë me një instalacion, fotografi apo video. Ndonjë do reagonte hazërxhevap se nuk ka rëndësi mediumi, por mesazhi, dhe në këtë pikë na vijnë ndërmend emra si McLuhan dhe Postman. Fjala vjen, një arsyetim të tillë Postman-i e quan “naivitet karshi teknologjikes”. Ndërsa McLuhan-i na kujton se teknologjia ka ndryshuar raportin tonë me veten dhe me të tjerët. Një pyetje e thjeshtë është: a provojmë të njëjtën përvojë kur pikturojmë një dorë dhe kur e fotografojmë atë? Një pyetje tjetër jo dhe aq e thjeshtë: a mund të fotografohet apo xhirohet një ëndërr? Po ta pikturosh a është e mundur? Tani le ta ndryshojmë pak qasjen.

A e kuptojmë/lexojmë dot gjuhën e njeriut? Atë gjuhën pa asnjë shkronjë, pa alfabet, që nuk reduktohet dot në asnjë grafemë.Mendoj se kjo është një pyetje themelore që secili duhet t’ia shtrojë vetes. Një tjetër formë e pyetjes mund të ishte: “A e mbajmë mend gjuhën e njeriut?”, sepse çdokush vjen në këtë botë bashkë me këtë gjuhë, por më pas, si rrjedhojë e përshtatjes me rrethanat, në emër të kultit të “mirëqenies”, disa e harrojnë, për të mos thënë shumica. Ja pse pikërisht shumica e njerëzve nuk e “kuptojnë” artin – sepse nuk duan, e jo ngaqë nuk janë të zotë apo ngaqë nuk kanë nivel. Thjesht kanë harruar gjuhën e tyre, paragjuhën, gjuhën e njeriut, duke u mjaftuar me sloganin gjysmëmedicinal “mos e vrit mendjen”. Ai/ajo që nuk kujton nuk mund të kuptojë. Të kujtuarit është çdo gjë.Kjo qe shkëndija e parë që më përcollën pikturat e katër artistëve të rinj, Mirjana Meçaj, Aurora Kalemi, Enes Alimadhi dhe Jonida Gjinaj, të cilët po shfaqen premtues në një tokë thatinë, e etur për pak shi – domethënë, ngjyrë.

Ka diçka organike e njëherësh të qenësishme që i bën bashkë këta katër artistë të rinj: rezistenca, jo në kuptimin e heroikes së zbrazur që i është ngarkuar kësaj fjale, por në kuptimin e mospërshtatjes me vulgaritetin dhe kitsch-in e ngjitur në altar të rrethanave dhe rretheve kulturore. E thënë shkurt, rezistencë për të mos cenuar apo lënë peng shenjtërinë e pavarësisë. Rezistenca si qëndrueshmëri.Prandaj arti i tyre qëndron diku mes blatimeve të shumëfishta që vazhdojnë t’i bëhen imitimit të natyrës (mimesis), që nënkupton të përshtatesh me atë që dashkan njerëzit, si dhe protagonizmit me tipare spektakolare që të imponon shugurimi si artist bashkëkohor – edhe kjo një përshtatje me atë që kërkon i ashtuquajturi sistem arti sot.Këto piktura nuk kanë një subjekt të fiksuar dhe as nuk rrahin të fiksojnë një subjekt, pasi nëse do ishte kështu do i drejtoheshin vetëm një kategorie të caktuar nga publiku, pikërisht atyre që do u interesonte subjekti. Si të tilla ato i drejtohen çdokujt.Ngado që ta kthesh kokën sot, përballesh me kërkesën e drejtpërdrejtë apo të tërthortë për t’u përshtatur, për të ndjekur fillin e status quo-së, në të kundërt, siç thuhet rëndom, nuk mbijeton dot. Domethënë, edhe të përshtatesh, edhe të mbijetosh! Kështu, ai ose ajo që nuk përshtatet të paktën jeton. Por, problemi është se ata që duan vetëm të mbijetojnë nuk e lënë të qetë, ngaqë ai që nuk përshtatet bëhet prova më e kthjellët se te mbijetesa ka diçka që nuk shkon, dhe ata që mbijetojnë nuk e durojnë t’ua kujtosh këtë.Të pikturosh do të thotë ta shohësh veten në pasqyrë , por jo anën e jashtme, si në pasqyrën e zakonshme, por anën tjetër. Shumë artistë kanë hequr dorë nga piktura jo se ajo përbën një medium të vjetëruar, por ngaqë nuk e durojnë dot veten kur u shfaqet në këtë lloj pasqyre.Piktura është krijim par excellence, për aq sa mund të krijojë njeriu. Është magjia apo misteri i krijimit që i ka mbërthyer këta katër artistë në një kohë të dominuar nga prodhimi e po aq nga konsumi. Ja pse një qenie si ajo e artistit “nuk merr vesh nga bota”, sepse, siç thotë Dubuffet, “në thelb arti është i papërshtatshëm, i padobishëm, antisocial, i rrezikshëm. Dhe kur s’është i tillë, ai është gënjeshtër, manekin”. A nuk është e mbushur me gënjeshtra e manekinë koha jonë? Kjo kohë cinglash. Çdo gjë matet me kriterin e përdorimit, edhe vepra e artit, edhe dija. Çdo gjë shkon drejt një kopjeje totalitare.Të pikturosh do të thotë të endësh një të vërtetë: të vërtetën tënde. Jo çdo autor e ka guximin të qëndrojë përballë kësaj të vërtete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

TË RUASH FRYMËN E AKUARELIT
Kjo vjeshtë e Orion Shimës
Fluturimi i Chagall-it
Botohet në anglisht “Shqiptarët në art”, i studiuesit Ferid Hudhri
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
Sprovë për të njohur një artist bashkëkohor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}