Nga Fatmira Nikolli

Ishte njëherë e një kohë, një pemë qershie që lulëzonte çdo pranverë në rrethinën pranë Burgut të Burrelit. Ata që e shihnin, thoshin se lulet e saj bien mbi tokën ku prehen eshtra të dënuarish pa faj. Sa herë çelnin lulet, të burgosurit e shpëtuar gjallë luteshin për të

vdekurit dhe admironin qershinë që lulëzonte vetëm për ta. Është pothuaj legjendë ajo pemë, që sot nuk është më. Të burgosur politikë që e kanë kaluar një pjesë të jetës në atë burg thoshin se nën rrënjët e saj prehej edhe një bankier italian, Giuseppe Terrusi. Ai kishte ardhur në Shqipëri në prill 1926, kishte punuar në bankën e Gjirokastrës, më pas drejtor i bankës së Vlorës. Dëshmitë e tregojnë tërësisht të papolitizuar. Më 1945 arrestohet nga regjimi komunist që po instalohej. E akuzojnë se ua ka dorëzuar me dëshirë bankën gjermanëve, ndonëse dëshmitë tregojnë të kundërtën. Është baba i një djali, është martuar me një italiane që e ka njohur në Shqipëri dhe është kunati i një sportisti në zë që ka përfaqësuar Shqipërinë. Aurelia Poselli, duke shfrytëzuar njohjen e kahershme, shkon në Komitetin Qendror të takojë Enver Hoxhën për t’i kërkuar t’i falë të shoqin, por ai nuk e pret. Janë vitet 1948-1949. Giuseppe Terrusi, nga Vlora është dërguar në burgun e Burrelit. Familja e tij, djali dhe gruaja riatdhesohen në Itali, ndërsa ai mbetet i vetëm në burgjet shqiptare. Giuseppe vdes në burgun e Burrelit më 2 mars 1952. Thuhet se u varros pranë pemës së qershisë ku varroseshin të burgosurit deri më 1955. Që nga viti 1993, i biri, Aldo Renato Terrusi, që kujton të atin si një burrë që e ka parë vetëm një herë në burg, ka ardhur më shumëse 10 herë në Shqipëri. Ka vetëm një peng, të gjejë eshtrat e të atit që t’i çojë të prehen pranë eshtrave të së ëmës, siç qe amaneti i saj. Ende nuk ka mundur t’i gjejë, për shkak të lejes së munguar për të gërmuar në Burrel. Kujton se në 2012-n ka vajtur në burgun e Burrelit dhe punonjës të administratës shqiptare debatuan para tij për çështje teknike, por nuk e lanë të merrte lopatën në dorë. Në një intervistë për “Gazetën shqiptare” ai tregon absurdin e ‘refuzimit’ të kërkimeve dhe dokumentin e fundit të qeverisë.

Urdhri i Rames per kerkimet e eshtrave te Giuseppe Terrusit (2)
Urdhri i Rames per kerkimet e eshtrave te Giuseppe Terrusit (2)
Urdhri i Rames per kerkimet e eshtrave te Giuseppe Terrusit (3)
Urdhri i Rames per kerkimet e eshtrave te Giuseppe Terrusit (4)
Urdhri i Rames per kerkimet e eshtrave te Giuseppe Terrusit (1)

Më11 nëntor, kryeminsitri Edi Rama firmosi një urdhër për ngritjen e një grupi punë ndërinstitucional për kërkimin e eshtrave të bankierit italian. 10 muaj më pas, Terrusi nuk ka asnjë informacion, se çfarë është bërë me atë grup pune dhe pse nuk kanë nisur kërkimet për eshtrat e babait. Ndër vite, ai ka përfshirë ministra e kryeministra, drejtorë e zyrtare, ambasadën e qeverinë italianë në këtë çështje, por ende nuk ka marrë zgjidhje. Për gjendjen e mjerueshme ku ndodhet shteti shqiptar, historia e Terrusit flet më shumë se asnjë. Nse Terrusi me armatën e një ambasade dhe një ministri italiane, nuk mundet të nisë kërkimet për të atin, çdo bëhet me fatet e shqiptarëve të zhdukur? Shteti shqiptar, por retorikave pragzgjedhore, gjithnjë krejt shterpe, ende nuk ka treguar vullnet për të respketuar të vdekurit.

Më poshtë, intervista e Terrusit.

-Ju keni pritur për vite me radhë të gjeni eshtrat e babait tuaj vdekur në Burgun e Burrelit gjatë komunizmit. Në nëntor, qeveria mori një vendim që duhet të kishte çuar në zbulimin e eshtrave. Çfarë ka ndodhur që nga nëntori?

Urdhri i Edi Ramës nr.150, datë 11/11/2019, komandonte ministrat e përfshirë në menaxhimin e Burgut të Burrelit për të koordinuar dhe planifikuar, brenda një kohe të shkurtër, ndërhyrjen për kërkimin e eshtrave të babait tim Giuseppe Terrusi të varrosur në brenda burgut të Burrelit në 1952. Meqenëse në dokumentin e Ramës,shkresa i referohej disa Ministrive duke ditur konfliktin midis Ministrive, ishte logjike të prisnim sepse ato nuk do të kishin përfunduar asgjë, gjithashtu duke marrë parasysh burokracinë ndër-administrative dhe vullnetin politik për të mos ndërhyrë në Burrel. Ju mund të botoni urdhrin në mënyrë që lexuesi të kuptojë se sa e lehtë është të mashtrosh të gjithë, duke shkruar gjëra që rezultojnë jo përfundimtare nga ana praktike.

-Në gjithë këto vite keni komunikuar me ministra dhe kryeministra për këtë çështje. Si e shpjegoni që është akoma e pazgjidhur?

Bisedat e mia kanë qenëgjithmonë shumë të përzemërta dhe shpesh përfshinin ambasadën italiane. Fakti është që ministra dhe politikanë të ndryshëm që kam takuar nuk kishin fuqi dhe shpesh pas disa muajsh ata nuk ishin më në detyrë, kështu që çdo herë që vija, duhej të filloja nga fillimi … edhe sot pavarësisht Urdhrit të Edi Ramës.

-Cili ka qenë roli i ambasadës italiane në Tiranë dhe Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme për çështjen tuaj?

Fatkeqësisht, duhet të vërej se pavarësisht angazhimit të institucioneve italiane edhe në një nivel zyrtar, qeveria shqiptare ka bërë shumë premtime por kurrë nuk ka përfunduar asgjë. Pas kaq shumë vitesh jemi akoma në pikën zero dhe as Urdhri i Edi Ramës nuk na ndihmoi.

-A ka lëvizje të tjera që mbeten për t’u bërë që të vihen në lëvizje institucionet shqiptare?

Mbetet vetëm të kontaktoj Komitetin e të Drejtave të Njeriut të Komunitetit Europian përmes avokatëve të mi, të cilët janë paralajmëruar.

-Cili mendoni se është problemi i vërtetë, arsyeja pse nuk fillojnë gërmimet dhe kërkimet e eshtrave të babait tuaj?

Siç e kam thënë tashmë, arsyet janë: Politikat Burokratike përveç konfliktit të brendshëm të Qeverisë … aq sa, as urdhri i kryeministrit nuk ishte i mjaftueshëm.

– Ende sot, me gjithë kërkesat e shumta drejtuar Qeverisë Shqiptare të Edi Ramës, për kthimin e eshtrave të babait tuaj, si personale ashtu edhe institucionale, ato janë ende diku përreth burgut. A keni marrë përgjigje nga institucionet?

Sinqerisht, sjellja e qeverisë shqiptare është absurde dhe e pakuptueshme për këdo, është çështja e gërmimit në një vend të saktë dhe të kufizuar brenda një burgu për një veprim humanitar. Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të varrimit ishin Petrit Velai dhe Angelo Kokoshi në kohë të pasigurta, tani mbetet të dyshojmë edhe tek ata që e varrosën babanë tim me duart e tyre.

– Në gjithë këto vite, mund të na tregoni për hulumtimet tuaja dhe përpjekjet tuaja? Mbase edhe shpenzimet që keni bërë, librat dhe të gjitha përpjekjet?

Unë mendoj se tani Odisea ime është atje. Të gjithë e dinë, përmes intervistave multimediale dhe televizive, prezantimit të librave të mi, zbulimit të dokumenteve origjinale të gjyqit të Vlorës ndaj babait tim në vitin 1945 dhe që janë botuar në librin tim të fundit “Brenga ime shqiptare”; libri që iu dhurua nga Enver Hoxha nënës sime në 1930, dhuruar në Arkivin e Shtetit në duart e Nevila Nika … të gjitha këto janë dëshmi që flasin vetë, çfarë mund të dëshironi më shumë? A është kjo qeveria që meriton Shqipëria?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Deti monumental i Adrian Pacit përmbyt Mudec-in
Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}