Doriana D.MUSAJ
Ndër të gjitha humbjet e njëpasnjëshme të monumenteve të qendrës së qytetit, Kulla e Sahatit, është ende monumenti, i cili prezanton Tiranën. Landmarku me i rëndësishëm, pika e referimit dhe elementi me dominant i saj deri pak vite më parë.
E ndërtuar në vitin 1822 dhe përfunduar më 1830, ajo u financua nga familjet e fisnikëve Tiranas, dhe mbetet një nga investimet më të spikatura me fondet e komunitetit. Pozicioni i vendosjes se Kullës nuk ishte rastësor, ajo bashkë me xhaminë e Et’hem Beut, formon një ansambël arkitektonik, i cili edhe brenda sheshit të projektuar nga Florestano Di Fausto, në 1932, qëndronte e pacenuar dhe në raport të lexueshëm brenda kontekstit urban.
Gjatë procesit të planifikimit të qytetit, në fund viteve 20-të të shekullit të kaluar, projektuesit italianë e patën parasysh rëndësinë e këtij ‘obelisku’, jo vetëm për vlerat arkitektonike por edhe ato urbane. Itineraret që kryqëzohen tek kulla, gjenden ende sot në territor, që në gjurmët e para të qytetit, duke qenë pikërisht vendtakimi i dy arterieve të rëndësishme urbane dhe tregtare.
Kulla, kishte pozicion të lexueshëm nga të katër anët e horizontit, duke u shquar që larg sidomos nga pikat e hyrjes perëndimore në qytet, rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, dy arteriet më të fuqishme ekonomike të qytetit edhe në ditët e sotme.
Kulla është e ndërtuar mbi një bazë katrore 4.6mx4.6m, e cila pa arritur 1m lartësi ngushtohet në 4.3mx4.3m. Gurët e Kullës janë të sjellë nga Priska.[1].
Kulla është vendosur në anën lindore të xhamisë së Et’Hem Beut dhe paraqet një vëllim prizmor paralelopiped të lartë, që mbulohet me një çati piramidale. Sahati u sigurua nga tregtarë venedikas dhe përbëhej nga mekanizmi i kurdisjes dhe një kambanë tunxhi, numri i të rënave të së cilës tregonin orën sepse fushë dhe akrepa nuk kishte. Montimi i saj u bë nga familja Tufina, e njohur në Tiranë për lidhjen më orët [2].
Në vitin 1928, Kulla u lartësua me 5 metra, dhe mori pamjen që ka sot. U montua ballkoni, u montuan 4 fusha sahatesh me akrepa, dhe iu vendos një çati e tipit Venecian, si ajo e kullës së San Marcos.
[1]Gazmend Bakiu ‘Tirana e Vjetër’ fq. 89
[2]Gazmend Bakiu ‘Tirana e Vjetër’ fq. 89
Kulla e Sahatit variant original përpara ndërhyrjes së 1928
Kulla e Sahatit variant original pas ndërhyrjes së 1928
Ajo çka është tipar shumë i rëndësishëm por edhe tejet i veçantë i këtij monumenti kategori e parë [3], është ndërtimi i saj në dy stile. Në pjesën e bazës së saj, edhe sot gjenden basorelieve, zbukurime floreale të tipit Osman, në njërën faqe të së cilës ndodhet edhe figura një dragoi.
Ndërhyrjet në pjesën e sipërme të kullës u bënë nga qeveria shqiptare, në kuadrin e modernizimit të Tiranës, ku shteti shqiptar bleu Sahatin në Gjermani, me vlerë 13.390 franga ari. Ky ‘dyzim’ i kullës në ‘baza osmane’ dhe ‘mbulesën perëndimore’ është tregues i qartë për orientimin drejt perëndimit që kishte marrë vendi në atë kohë.
Kulla do të dëmtohej rëndë gjatë luftës së dytë botërore, por do të rivendosej në punë në 1946. Tingujt e akrepave të sahatit mekanik, do të pushonin përfundimisht në vitin 1973, kur mekanizmi i ri elektrik i sjellë nga Kina do të zëvendësonte atë origjinal [4].
[3] Aprovim ligji Nr.609 Datë 24.05.1948- Monument Kulture Kategori e Parë
[4]. Gazmend Bakiu ‘Tirana e Vjetër’ fq. 89
Kulla e Sahatit, projekti i arkivuar
Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut, është ansambli arkitektonik më i fotografuar i Tiranës, si i tillë konsiderohet edhe si ‘Kartolina e qytetit’. Fatkeqësisht pas viteve 2000, në planet urbanistike të propozuara, rëndësia e kësaj kulle ra, duke iu dhënë prioritet atyre prej betoni të cilat po rrethojnë sot të gjithë ansamblin e Florestano Di Fausto dhe po zhdukin nga silueta e qytetit këtë simbol të kryeqytetit.
Në vitin 2019, ngjitur me kullën e Sahatit u hapën punimet për të ndërtuar dy kulla me lartësi mbi 24 kate, duke e kaluar, disa fish lartësinë prej 30 metra të saj. Panorama e saj 360 gradë, nga ballkoni i së cilës mund të shihje të gjithë Tiranës, do të mbyllet përfundimisht në dy anë të horizontit, atë lindor dhe jugor. Fati i mëtejshëm i saj mbetet ende i paqartë, duke humbur monumentalitetin dhe vizualitetin, ajo mund të bjerë pre e zhvillimit të paqëndrueshëm që po pëson kryeqyteti shqiptar këtë mijëvjeçar duke humbur tërësisht vlerat që ka ajo si monument për qytetin. (urbanstories.citizens-channel.com)