Violeta Murati

Reportazh/ Një ditë në Muzeun Etnografik të Kavajës, drejtuar nga studiuesi, poeti e dijetari Abdullah Tafa. Në homazh e nderim për këtë personalitet të heshtur, Arteka.al e risjell reportazhin, me guidë ku ngjyrat dhe kodet etnografike zbërthehen me universalen

Abdullah Tafa drejtohet nga shtëpia përballë, që duket bosh, me mure të vjetra dhe skelete dritaresh, pra që po restaurohet, – ajo është e vitit ‘700. Dikur ka qenë shtëpi e më të pasurve të zonës. Në kurriz të saj, një shtëpi e mbajtur, lyer në ngjyrë të çokollatës, është e Pavarësisë… Këto dhe shtëpia muze ku është, sot, Muzeu Etnografik, e ndërtuar më ‘600-ën, por me arketip të shekullit IV, i mjaftojnë njeriut erudit, drejtorit të Muzeut, të na sugjerojë një projektvizion: Kjo zonë e Kavajës duhet patjetër të kthehet në një zonë historike, pra të vizitohet plot kërshëri nga turistët.

Por në këtë vend pothuaj asgjë nuk ndodh.

Njerëzit, të veshur me kapota stofi të zeza, rrinë grupe-grupe në rrugë, në trotuare dhe kafenetë i mbushin në një ditë të ftohtë dimri.

Asgjë nuk bëjnë. Thjesht qëndrojnë në këmbë, bisedojnë. Gratë aty sikur i ka fshirë dheu. Njërën që pamë, ecte rëndë mbi një palë çizme me taka të trasha, të zeza, mbështetur fort mbas bashkëshortit, si dukej.

Ndërsa makina na rrëshqiti drejt një rruge që ndiqte lagjen pak kilometra larg qendrës. Aty ku ndodhej Muzeu Etnografik. Ndjekësi i shpatave në të gjithë Shqipërinë, Frederik Stamati, na lajmëron se ky muze është nga më të pasurit për nga fondet, tekstilet dhe punimet prej bakri. Muzeu Etnografik i Kavajës është stacioni tjetër ku Stamati na bën të ditur se është njoftuar për ekzistencën e dy shpatave të rralla. Kërkon t’i identifikojë.

E bardha e mureve të jashtme, në kontrast me dritaret prej dërrasë të gdhendura, është kodi që na tërheq drejt “dritës” dhe “vdekjes”, drejt një thesari që me logjikë historike i jep kuptimësi pse ka ekzistuar ky muze. Abdullah Tafa që punon aty qysh nga ‘93-shi, kohë kur u riatdhesua, na tregon me skrupulozitet gjithë dijen e tij dhe qëndresën në këtë muze. Tafa është piktor dhe krejt rrugën tonë për aty e zhvendos në një arsye pse duhet shkruar mirë për këtë vend. Ndërtesa është e veçanta e muzeut. “Është modeli i vilës Rustikana, banesë që u lind më 1665, por që është tip me hajat që shkon deri në shekullin e IV, e vjen në kohën e Pashallëqeve. Është një kopje e rrallë”, – nxiton të na thotë në fjalët e para, si për të na shtyrë me zor drejt një bote me plot kode që mban kjo shtëpi muze, e cilësuar arketip, model i marrë nga Dyseldorfi. Këtej kalon rruga “Egnatia”, prandaj janë gjithë këto shpjegime dhe “ngatërresa” shekujsh mbi këtë shtëpi.

Ashtu si edhe shtëpia muze e Elbasanit, edhe kjo e Kavajës rrëfen për një stil dhe mënyrë jetese, të hershme. Dhoma e parë që na prezanton Tafa është ajo e çiftit. Ironia shkon menjëherë tek “defektet”. Nuk ka energji sa duhet, drita është e zbehtë dhe për syrin tonë që vjen nga jashtë, errësira nuk ishte normale. Por restauratori i shpatave, Frederiku, që gjithnjë i vjen keq për këto pasuri që duken sikur po japin shpirt, thotë se për ironi dritat në të tilla ekspozita duhet të jenë kështu, të zbehta, dhe jo ndriçim i fortë. Në një zë shkojnë edhe Tafa e Zydiu, njeriu që kujdeset për Muzeun Historik të Kavajës. Qetësohemi për të mos e vënë re këtë mangësi, si një e metë me fat për dritën e muzeut. Ndonëse nuk ka krevat për çiftin, aty minderet janë adaptuar, të veshura me copat e sotme, ndërsa qilimat janë të viteve ‘80. Nuk duhet të ulësh sytë përtokë se asgjë nuk lidhet me te kaluarën, por në mëndeshat e drunjta varëset mbajnë rrobat, jelekë të qëndisur me fije ari, plot ornamente. Ornamentika është termi ku ndalet Tafa që, siç duket, fati e ka dërguar aty për ta lidhur shqisën e tij të shtatë, ndjeshmërinë moderne me primitivitetin.

“Ornamentika është veçori, është shumë e lashtë, ndoshta qysh nga neoliti, figurinë e njeriut e stilizuar. Ornamentika është alfabet. Kur vishte një femër një xhubletë, vishte një histori”, – thotë Tafa, si për të na shtyrë kuriozitetin tek kodet, për të zbërthyer hershmërinë e këtyre veshjeve që shkojnë deri në 100-200-vjeçare.

Të gjitha veshjet dhe tekstilet e këtij muzeu kanë një histori më vete. Tafa na tregon se në vitin 1971, kur kjo godinë u kthye në muze, gjithçka të zinte syri aty është blerë nga arkeologu Vangjel Toçi, ish-drejtori i Bibliotekës së Durrësit në atë kohë, dhe Nimet Qari. I blinin nga të gjitha anët e vendit. Ndaj Tafa na veçon me të drejtë se ky nuk është thjesht një muze i zonës, por një muze rajonal, ku etnografia është ajo që bën fërkimet dhe ngjashmëritë e etnokulturave. Dhe këtë hartë drejtori i Muzeut na e lidh me epiqendrën e Taulantëve në shek. IV, që është Kavaja.

Arti i cikliteve në veshjet e këtij muzeu që ndeshen në Egje, Tafa na i shpjegon me butësi zëri, se një pjesë i gjen edhe këtu, që i takon mijëvjeçarit të tretë para Krishtit. Në këndvështrimin historik kjo tregon qytetërimin tonë. Por duke qenë se e gjithë kjo histori në një muze të vogël na i bëri lëmsh gjërat, aq sa edhe dijet, kërkojmë se çfarë është autentike në të, cili është etnosi origjinal që i takon këtij muzeu. Tafa na përgjigjet menjëherë dhe plot shkëlqim se këto janë autentike ilire.

“Qytetërimi ilir është mirë të unifikohet nuk është sqaruar mirë. Shkolla e albanologëve e çon të kufizuar këtë deri në shekullin IV. E gjithë kjo etnografi është e pamundur të zbërthehet pa njohur sistemin e shenjave”, – thotë Tafa.

Duke kaluar nga dhoma e nuses në dhomën e miqve, ndalesa jonë në korridorin e vogël, ku drejtori i Muzeut ka vendosur edhe tavolinën, të mbushur plot libra nga të gjitha gjuhët, e lidhin botën e tij me pikturën e letërsinë. Është verandë e vogël që krijon ndarje si ballkon për të të drejtuar për nga dhoma e miqve. Gjithnjë të shoqërojnë përmbajtja e drurit të errët, prej pishe, që e bën karakteristike ndërtesën, dhe aty është dhe një kornizë e madhe, tablo me sfond të zi, e një burri me veshje popullore të zonës. Pyetjes sonë nëse kjo veshje ekziston e plotë në muze, ashtu si do donim të ishim, Tafa na e “fsheh” pak duke u përgjigjur që ka vetëm disa pjesë të saj. Duke u shtyrë drejt dhomës së miqve, drejtori i muzeut na shpjegon se tekstilet dhe qeramika janë fondet bazë të pasurisë së këtij Muzeu. Nëse tekstilet i takojnë pothuaj gjithë trevave, për qeramikën na thonë se muzeu nuk arriti të mbledhë dot gjithë historinë e tyre, por ka pjesë të prodhuar në vend, në Kavajë, dhe kjo është dëshmi e bollshme.

Në dhomën e miqve ndonëse pak më e zymtë, se ajo e çiftit, në mure varen disa veshje që me të drejtë Tafa i quan të mrekullueshme duke të tërhequr vëmendjen direkt mbi ornamentet, në gjuhën e shenjave. Skedimi për këto veshje është e frikshme për t’u marrë deri në imtësira pasi kërkon një punë studimore tepër të thellë. Tafa na tregon se me ardhjen e tij në këtë Muze ajo që e ka tmerruar më shumë është mungesa e dokumentacionit. “Na mungon kultura e dokumentacionit, në të gjithë Shqipërinë objekte të tilla duan dosje jo kartela”.

Zydiu, drejtori i Muzeut Historik të Kavajës që flet rrallë, dhe më shumë na konfirmon fjalët e Tafës, që ka një kuriozitet të pamasë se çfarë ngjet me median në Tiranë, cila është e majtë apo e djathtë, ndërhyn se që të mbijetojë gjithë ky fond do patjetër njohjen e specialistit se çfarë është e rëndësishme në një muze të tillë.

Në këtë muze hallet janë të njëjta me të tjerat, mungon krejtësisht sistemi i konservimit, por këtu pasuria ruhet falë njohjes për këto vlera.Në dhomën e miqve nuk ka ndonjë sistem të veçantë që të ruajë atmosferën e kohës, thjesht ka mbetur gjurma e dhomës. Kjo dhomë më shumë është një mikroekspozitë, ku në faqet e mureve varen disa veshje grash e jelekë burrash nga e gjithë Shqipëria.

E para gjë, që na tregon Tafa është një kapele e vogël, formë pak katrore, me copë të kuqe dhe dekoracione të derdhura si monedha. Është një kapele burrash mësojmë, ardhur nga veriu i vendit. Tafa na shtyn drejt një tip veshje gruaje, e quajtur Japanxho. Është e gjitha e kuqe e qëndisur në mëngë dhe në pjesën e përparme. Mbizotëron e kuqja. Ndërsa në mesin e qëndismën Tafa na bën të ngulim sytë mbi një shenjë në formë dollari të sotëm ($). Kjo shenjë është në të gjithë arealin e sotëm ballkanik. Është një simbol gjarpri, i ripërtëritjes. Rrethi gjeometrik shpjegon universalen. Zogjtë të qëndisur në të na kthejnë në kultin e nënës tokë. Gjithë këtë shpjegim shenjash Tafa e zbërthen me faktin se kjo është kultura e Devollit. Deshifrimi nuk mbaron këtu. Ajo e kuqja e ndezur është shumë tunduese edhe kur mësojmë se po në atë veshje është shkruar në shenja një poezi, kushtuar po nënës tokë. Është plot sensualitet. “Ajo që e ka mbajtur japanxhen ka qenë shumë e dashuruar, shumë e dhënë pas të bukurës. Është një poezi për ripërtëritjen e jetës. Është koha që vajza të gjejë një burrë”. Jemi në matriarkat – tërheq vëmendjen Tafa, dhe kjo veshje është 180-vjeçare, ku i ruhet si etiketë një letër e verdhë, që shënon fjalët bashkë me 5 mijë franga ari. Aq e shtrenjtë ka qenë në atë kohë kjo veshje kur u ble.

Të njëjtat shenja gjenden edhe në një veshje shkodrane. Është një xhybe e qëndisur, plot ornamente, me të zezë. Emërtimin e veshjes na e ndreq Tafa duke thënë se quhet sako jugor. Edhe kjo është 180-vjeçare dhe ka të njëjta shkrime si japanxhe, poezi sekrete, plot mistere dhe sensualitet. Në paradoks pse modernët mburren se i zotërojnë këto ndjeshmëri intime, Tafa qesh dhe thotë se “primitiviteti i ka këto”.

Një xhogë 100-vjeçare bën ndarjen çfarë është autoktone, shqiptare dhe e ardhur nga jashtë. Sidomos përmendet këtu periudha e tregtisë kur fustanet vinin nga Venecia për familjet e fisme, të asaj kohe. Nëse disa veshje mbajnë historinë tregtare nga pas të vendit tonë me korridoret si të perëndimit, ashtu dhe të lindjes.

Por, Tafa na tregon se origjinalet i takojnë vetëm zonave rurale, prej nga është ruajtur me fanatizëm tradita.

Kalimi nga dhoma e mbushur me veshje kryesisht grash, në një korridor të gjatë ku ruhen enët e bakrit, pra punët e artizanatit, dhe rreth 70 amfora, – është më tepër një sugjestion filozofik se sa etnokulturor. Muri prej qerpiçi kujton për specialistët “frikën” dhe sigurinë; nëse bie shi, ai mur shkrihet i tëri, por nëse tërmet i rrënon shtëpitë e këtij lloji, qerpiçi e mban fort. Ky korridor i gjatë, ku ndodhen dhe nja dy sëndukë, jo shumë të vjetër, por të mbajtur keq, bën lidhjen me dhomën e ndenjes. Oxhaku, mangalli dhe një sënduk i mbajtur mirë janë të vetmet sendet që tërheqin. Sënduku flitet të jetë gati 100-vjeçar dhe mbi të është ovalja femërore, shenja e gjarprit. Është sënduk i çiftit mësojmë nga specialistët e muzeut. Sërish këtu ndeshemi me matriarkatin mbisundues – e dhënë kjo përmes kodit të ngjyrave që lidhen sa me universalen, aq dhe me lokalen, zonën ku qëndron ky muze.

Dalja në korridor na përcjell tek dhoma e fundit, aty ku njerëzit e shtëpisë mblidhen për t’u ngrohur. Quhet ndryshe shtëpia e zjarrit. Aty gatuhej dhe hahej. Në mes të dhomës është zjarri, një oxhak i ngritur në formë kali, dhe litari që lëshohet nga trarët në të cilën varej një kusi. Por me këtë imagjinatë, dhe gjurmë të memories asgjë nuk ka të ngjashme. Sepse në shtëpinë e zjarrit nuk ka mbetur ky sistemim. Aty sot çuditërisht ndodhen rafte të vjetër, që mezi mbajnë librat mbushur plot pluhur, dhe një në sergjen duken disa maska kundër pluhurit. Është biblioteka e transferuar aty nga Pallati i kulturës. Për këtë askush nuk guxon ta çojë më tej bisedën. Duhet të ndalësh këtu- për ta marrë këtë sugjerim si dava e humbur.

Dhe për të mos e këmbyer këtë udhëtim me pjesën e errët të atij qyteti, në oborrin e muzeut puset na prishin mendjen drejt mistikes – si imagjinatë popullore të ripërtëritjes së jetës!

*Ribotim, “Standard”, 2010

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Tirana me klub tenisi, ballo dhe tiranasit me furçë dhëmbësh
Një Itali e dytë me emrin Lukania!
Figura femërore në botën bizantine
Matanë Gjallicës, kah “Guri i Mëngjesit”
Karnavalet…
Visar Zhiti në shtëpinë e Heminguejt
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>