“Mësues i nderuar,
Djali im nis shkollën sot. Do të jetë gjithçka e çuditshme dhe e re për të për disa kohë dhe unë uroj që ju ta trajtoni atë me mirësi. Kjo është një aventurë që do ta bëjë atë të kalojë kontinentet. Gjithë avendurat me shumë mundësi përfshijnë luftërat, tragjeditë dhe fatkeqësitë. Të jetosh një jetë të tillë kërkon besim, dashuri dhe guxim.
Ndaj i dashur mësues, a mundeni ta kapni atë për dore dhe t’i mësoni gjërat që duhet të dijë? Ta mësoni me butësi, nëse mundeni. Mësojeni se për çdo armik, ka edhe një mik. Ai duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë dhe se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë. Por mësojeni edhe se për çdo faqezi ka një hero dhe për çdo politikan egoist, ka një lider të përkushtuar.
Mësojeni se 10 monedha të fituara kanë më tepër vlerë se 1 dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë herë më me nder të dështosh, se sa të kopjosh. Mësojeni atë se si të humbasë me krenari dhe ta shijojë fitoren, kur të fitojë.
Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mësojeni t’i qëndrojë larg zilisë dhe të kuptojë sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër. Mësojeni nëse mundeni, se si të qeshë kur është i trishtuar dhe të mos shohë turp tek lotët. Mësojeni atë se ka dështime të ndershme dhe fitore të turpshme. Mësojeni t’i përqeshë cinikët.
Mësojeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por jepnini edhe kohë për të shijuar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell dhe të luleve në një kodër të gjelbër. Mësojeni të besojë tek idetë e tij, edhe nëse të gjithë do t’i thonë se janë të gabuara.
Përpiquni t’i jepni djalit tim fuqinë për të mos e ndjekur turmën, edhe kur gjithkush e bën atë gjë. Mësojeni të dëgjojë këdo, por mësojeni edhe ta kalojë çdo gjë që dëgjon në makinën e së vërtetës dhe të marrë vetëm më të mirën prej tyre.
Mësojeni ta shesë talentin dhe trurin e tij tek ofruesi më i majmë, por mësojeni edhe të mos pranojë asnjë çmim për zemrën dhe shpirtin. Lejoheni të ketë durimin për të qenë guximtar. Mësojeni të ketë besim të fortë tek vetja, sepse vetëm ashtu do të ketë besim tek të tjerët, tek Zoti.
Këto janë kërkesat e mia, mësues, por ju bëni ato që mund të bëni më mirë. Ai është djalë shumë i vogël dhe i mirë. Dhe ai është biri im.
Me respekt, Abraham Lincoln”.