nga Dr. Agron TUFA 

(Përsiatje mbi studimin monografik të Prof. Rahim Ombashit Historik i shtypit periodik shqiptar (Sprovë për një poetikë historike

Duke lexuar dorëshkrimin e këtij studimi monografik të profesor Rahim Ombashit, me nëntitull Sprovë për një poetikë historike, m’u forcua mendimi mbi rolin e jashtëzakonshëm prijëtar, që revistat dhe periodikët kanë luajtur në jetën shpirtërore, politike e shoqërore të botës shqiptare.

Historia e revistave nis të numërojë që nga viti 1665, nga momenti i daljes së Journal des scavans, të cilën është bërë zakon ta quajnë si të parën revistë në botë. Mandej revistat kanë ruajtur funksionin e përhapjes se ideve (në formën e dijeve shkencore, krijimtarisë letrare, pikëpamjeve bashkëkohore të fiksuar në memuare, ditare, letra e refleksione), duke shtruar kështu perspektivën, si një projeksion i së ardhmes, krejt në akord me kuptimin e origjinës franceze të fjalës journal, që do të thotë «ditar, i përditshëm». Theksoj dhe veçoj formën mbizotëruese journal, sepse në këtë studim të Prof. Rahim Ombashit i caktohet një vend qëndror ekuivalentes shqipe – revistë, e cila, nëse mundohemi ta karakterizojmë si llojin dhe formatin më të ndeshur të shtypit poligrafik, është ai tip i përmbledhjes periodike, që përmban tekste të shtypura, që variojnë nga shkrimet dhe trajtesat publicistike, çështjet politiko-shoqërore, deri tek krijimtaria letrare e shkencore. Në monografinë e R. Ombashit flitet qartë për llojin e revistave dhe periodikëve me natyrë politiko-atdhetare, letrare e religjioze me një kronologji që nis në ag të zgjimit kombëtar e deri në ditët tona. Kështu na përvijohet pashmangshëm, tok me historinë e shtypit shqiptar të revistave e periodikëve dhe historia e kulturës, ideve kulturore e qytetëruese, letërsisë dhe mendimit shqiptar, nga zanafilla e shkrimit deri tek peizazhet moderne të kulturës sonë.

Si në të gjitha kulturat kombëtare ballkanike, që u pavarësuan përmes përpjekjesh të mundimshme (tërtherjesh, sikundër citon Ombashi), edhe në elitat e hapërdara shqiptare të shekullit XIX, nxorrën krye dhimbat e pengjet e “ëndërrimtarëve të kombit” përmes revistave, këtyre tribunave të mendimit kulturor e politik, në radhë të parë, programacioni i tyre me historinë politike, kryesisht me akcent në konsolidimin kombëtar.

Rilindasve shqiptarë në këto shkrime revistash e periodikësh, u binte barra, që para se të botojnë krijimtarinë e tyre letrare, të krijonin një histori nacionale dhe të formojnë bazën, që do të mundësonte përemrin e përbashkët «ne», «e jona». Që Shqipëria ishte dikur një “zonjë” dhe gjuha shqipe është më “e bukura”. Kësisoj hedh shtat tok me identitetin kulturor dhe identiteti kombëtar përmes metaforave që përbëjnë titujt e revistave, dominanten semantike të të cilave e vë në dukje në këtë studim autori (Fiamuri i Arbërit, Albania, Kalendari Kombiar, Dielli, Drita, Hylli i Dritës, Ylli i Mëngjesit, Zani i Naltë, Përpjekja Shqiptare, Minerva, L.E.K.A.DiturijaAgimiRilindja, ABC, Bota e Re, Cirka, Diana, Fryma, Illyria, Mirvana (Minerva 2), Normalisti, Njeriu, Revista Letrare, Shkëndia, Shpresa, Shqipnia, Vatra e Rinisë, Vullnetari i Lirisë).

Një studim i peizazhit mediatik të revistave e periodikëve, të shtrirë përgjatë më se një shekulli, duket i pamundur brenda një monografie. Ndër virtytet shkencore, që e bëjnë të mundshme qasjen, ose më saktë, kaleidoskopin e qasjes, është strukturimi i fenomenologjisë së problemit. Prof. Rahim Ombashi ka përdorur një strategji shkencore efikase, duke kombinuar e bashkërenduar teoritë dhe idetë bashkëkohore që e kundrojnë produktin e revistës si ndikim i ndërsjellë pasojash pozitive e negative, tërësore e të pjesshme, në akord me postulatet teorike të adeptëve më në zë të mediologjisë. Kjo i jep dorë ta këqyrë materialin në mënyrë konceptuale, duke e shtjelluar atë në binarë krahasues, sipas devizave që shtronte domosdoja e kohërave (‘Me falë pa gjykue: me çmue!’; ‘krijimi i shpirtit të njësuar kombëtar’, etj), që përbëjnë dhe premisat poetikës së revistave.

Shqipëria – një bashkësi etnokulturore me strukturë trenare (religjionet) dhe me një identitet të vetëm (gjuha), fillon të komunikojë për herë të parë mesvedi vetëm në dhjetëvjeçarin e dytë të shtetit të saj të parë, e mandej, me kohën e Mbretnisë. Në shqyrtimin e kësaj periudhe, R. Ombashi ka ditur të na japë një panoramë idesh, stilesh e pozicionesh, por dhe kufizimesh, që përbënin kulmin e “parajsës” mediatike midis dy luftrave. Iluministët shqiptarë, idealistët e vërtetë, që janë rrekur për të ndërtuar modelet utopike të një Shqipërie me një profil kompakt, autentik e vetidentifikues, e kanë parë realizimin e mundshëm të kësaj utopie kryesisht tek Gjuha Shqipe dhe kultura e kësaj gjuhe, tek krijimi i një kulture dhe letërsie unike, ku të pikëtakohen të gjithë elementët me tendenca centrifugale. Duke kërkuar e synuar qendërzimin në një identitet të fortë gjuhësor e kulturor, inteligjencia shqiptare e fundit të shekullit XIX dhe ajo e gjysmës së parë të shekulli XX, gjakonin për kah disiplinimi i kaosit dhe anarkisë së faktorit kulturor e religjioz (tre qarqet), mendor, social e ideologjik (struktura etnopsikologjike e zakonore, klasore, pasionet politike); ata ishin edukatorët e një nacionaliteti të ri që do t’i prezantohej botës si njësi etniko-shtetërore me strukturë shpirtërore trenare – shumësi dhe identitet njëherësh – ku pikëtakim fatlum i ndryshueshmërive do të ishte: zhvillimi gradual dhe shpërthyes i mikro dhe makronjësive kulturore. Këtë situatë e gjejmë të pasqyruar në këtë studim me tërë dinamikën e vet të gjallë, çka përbën një arritje të shënuar për këtë periudhë, që pak kush e ka të qartë.

Autori i monografisë na tërheq lehtë, embël e intrigueshëm në këtë sferë të kulturës, që dominohej nga revistat me kahjet, tendencat, rrymat e shkollat e pasura, të cilat gërshetohen e përftojnë kontekstin e jashtëm e të brendshëm të frymëmarrjes së kulturës shqipe. Të ashtuquajturat vite ’30 janë vitet e sintezës së gjithçkaje të krijuar më parë në kulturën shqiptare. Qëllimisht nuk po them letërsisë, pasi letërsia, edhe pse zinte vendin qendror, tashmë ishte vënë nën kontekstin e përgjithshëm të një vlerësimi e interpretimi kritiko-estetik, krahasues e klasifikues dhe gjëllonte përfundimisht në suazën e Shkencës së Letërsisë, duke përfshirë pothuaj gjithë llojshmërinë e zhanreve deri tek publicistika dhe përkthimi me rrjetin e fuqishëm e cilësor të botimeve, revistave, gazetave, almanakëve, antologjive shkollore dhe folkloristikës, e cila, ç’prej botimeve nëpër revista, u botua në serinë Visaret e Kombit. Kësisoj, krahas zhvillimit dhe larmisë së zhanreve të tjera, lulëzimit dhe hyrjes në skenë të sprovave të para gjuhësore, antropologjike, filozofike, sociologjike, ekonomike, etj., letërsia filloi ta shohë veten tanimë gjithnjë e më ngushtë me status e kontekst kulturologjik mbarëshqiptar, çka dhe ishte ëndrra e vërtetë e intelektualëve tanë të kohës. Sepse kultura shqiptare në këto vite, kurrë nuk e kishte parë veten më të çlirët, më pa komplekse, më autentike dhe më ëndërruese dhe kurrë më të gjallë se në këto vite.

Ky boom i vërtetë e aq premtues vinte duke u konsoliduar me kontributet përplot dashuri të intelektualëve tanë të shkolluar jashtë. Kurrë nuk ka patur në historinë kulturore shqiptare një etje, mall, dashuri e përkushtim ndaj gjuhës shqipe dhe nocionit të papërlyem të fjalës “atdhe” sesa në këto dekada shqetësimi të vërtetë, për të themeluar një vetëdije shqiptare reflektuese, racionale e vetëkritike, një ethe për të pastruar vetëdijen e shqiptarit nga ndryshku mendor i prapambetjes anadollake, për ta aftësuar atë përballë një kahu tjetër civilizmi, që s’duhej të kishte më gjë të përbashkët me ndryshkun e shekujve të shkuar. Pikërisht në këtë kontekst duhet kundruar edhe pathosi kulturor, thënë më saktë, lëvizja kulturore e viteve ’30. Debatet dhe polemikat proverbiale të Konicës, Fishtës, Nolit, Merxhanit, Zavalanit, Krist Malokut, Koliqit, Kutelit, Bulkës, Haxhiademit, S. Rizës, J. Rrotës, Harapit, Z. Valentinit, etj., kishin në thelb të njëjtin shqetësim: kërkimin e shenjës. Edhe më të shquarit, tashmë klasikët më të padiskutueshëm të modernitetit tonë letrar: Kuteli, Poradeci, Koliqi, Migjeni dhe Mekuli, janë vërtetimi më i mirë i kësaj paradigme, e cila na përshkruhet thukët në faqet e studimit monografik të Prof. Rahim Ombashit.

Rahim Ombashi 1

Historiku dhe konsolidimi i medias, sidomos i revistave, është njëherësh dhe historiku i themeluesve, dhe historiku i personaliteteve qendrore që janë protagonistët e shkrimit dhe diskurseve, dhe historiku i personaliteteve letrare e publicistike. Në këtë kuptim rrënjësor, një imazh të rëndësishëm e thelbësor të historikut të revistave e përbëjnë penat që e dominuan atë në periudha të ndryshme. Në këtë studim na janë dhënë përmasat minimonografike të profileve që kanë ndikuar në progresin, transformimin dhe modernizimin e revistave e periodikëve shqiptarë në të gjitha periudhat. Këto profile përbëjnë dhe një antologji enciklopedike të veprimtarisë së penave më të shquara nga Konica, Çajupi, Noli, Merxhani e deri Kadareja, Sami Repishti e Aurel Plasari.

Kur vështrojmë përpara, shohim rastësinë. Kur shohim prapa – këto rastësi bëhen për ne ligjësi! Dhe prandaj historiani sheh gjithnjë veçse ligjësi, sepse ai nuk mundet të shkruajë atë histori e cila nuk ndodhi (Lotman 39: 42). Nga ky pikëvështrim, historia, në të vërtetë, është njëra prej rrugëve të mundshme. Rruga e realizuar është në të njëjtën kohë humbja e rrugëve të tjera. Gjithë kohës diçka përftojmë – dhe gjithë kohës diçka humbim. Çdocili hap përpara është humbje… Dhe ja, këtu ndeshemi me domosdoshmërinë e artit. Arti na jep aventurën e rrugëve të papërfunduara, d.m th., të asaj që nuk ndodhi… Dhe historia e së pandodhurës është madhështore dhe shumë e rëndësishme. Arti është prore mundësia për të përjetuar të papërjetuarën, e kthimit prapa për ta riluajtur dhe ribërë sërishmi. Arti është përvoja e asaj që nuk ka ndodhur. Ose e asaj që do të ndodhë” (Lotman 39:44). Ajo çka ndodhi me boom-in kulturor të viteve ’30, shndërrohet paparashikueshëm në tragjedi fatale të historisë shqiptare. Gjithë sa ndodhi më vonë, me natën komuniste dhe shkatërrimin e strukturës etnopsiqike, etnokulturore të shqiptarit, zhdukja (eliminimi fizik, pushkatimet dhe burgjet) jo vetëm e njerëzve që përuruan “kohën e artë” të letërsisë e kulturës tonë, por edhe e shenjave që lanë ata dhe, mandej, zëvendësimi i këtyre shenjave me propagandë, parrulla, rituale që gradualisht sillnin çintegrimin e personalitetit dhe, më së mbrami, tredhja graduale e gjuhës si e jeniçerëve, dëftejnë se ç’prej fundi, përposh, thellë e përthellë vetëdijes sonë plazmike, rron dhe arketipi i pavetëdijshëm i vetëshkatërrimit nacional. Këtë e reflektojnë dukshëm revistat e periodikët e pasluftës së dytë, me instalimin e diktaturës komuniste. Autori na ka pranëvënë modele mbizotëruese të këtyre pak revistave të kontrolluara nga regjimi. Vetë përmbajtja e tyre që në fillim me Literatura jonë e deri tek Nëntori, vjen si stinë rrudhje e shprishjeje.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore në vend që të sillte lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur, shënoi një thyerje shpirtërore e një çarje të madhe kombëtare. Shqipëria doli nga Lufta për të hyrë në një skllavëri të re ideologjike me orientim doktrinar edhe në kulturë sipas modelit socrealist sovjet. Janë tërësisht të pasinqertë ata studiues e akademikë të nomenklaturës së djeshme, që përpiqen ta minimizojnë shkallën e pariparueshme të së keqes 50-vjeçare, që pësoi kombi dhe kultura jonë. Duhet të kesh zemrën gur, syrin qorr dhe mendjen myk të mos dallosh spastrimin egër të Letërsisë shqipe nga klasikët e saj; të mos kuptosh se tjetërsimi i traditës shkoi paralelisht me ndërrimin e binarëve për Letërsinë e re; se kodi i letërsisë sonë do t’i nënshtrohej modeleve të importuara letrare, një mish i huaj për shëndetin e saj. Edhe për këtë periudhë “stinë të thatë”, flasin vetë raportet semantike të titujve që mbizotërojnë.

***

Historia është shkallarja deri në qiell, që iu shtir n’ëndërr Jakovit. Edhe historia e revistave dhe periodikëve (që në fakt është histori e letërsisë dhe kulturës) nuk bën përjashtim: bota shqiptare është flakur shpesh herë nga kjo shkallare, duke përfunduar në Labirint. Të dalësh nga Labirinti me Minotaurin brenda, për t’iu ngjitur shkallës prej së cilës je flakur – të tejkalosh mallkimin e Sizifit – ja cila është detyra e shoqërisë së sotme shqiptare dhe, më përveçmas, e strategjisë së kulturës sonë: infrastrukturën e revistave e periodikëve. Minotauri i labirintit tonë, është moskomunikimi konstant, një lëngatë e hershme, që vazhdon dhe sot. Zbehja e rolit të revistave kulturore si tribuna të mendimit dhe krijimtarisë, e bën fragmentare njësimin e trupit tonë shpirtëror. Si në planin letrar e shkencor, ashtu dhe në planin frymor e shpirtëror (me periodikët dikur të lavdishëm fetarë), ne po priremi drejt një forme të kulturës banale, masovike, pa thellësinë që kishin revistat në pikun e tyre të viteve ’30, për të cilët flitet imtësisht në këtë studim monografik.

Letërsia e kultura shqipe, në më të shumtën, janë krijuar në kontekste dramatike, kur autorit mund t’i shkonte koka në satër; ajo shpesh është ndërprerë nga sëmundjet, helmi, internimi, linçimi publik, anatemimi, ndalimi, djegia e denigrimi. Fletët e Letërsisë shqipe kullojnë gjak, lotë, klithma e rënkime. Këto fletë shpesh janë ndërprerë me breshëri plumbash! Ajo është shkruar si vetëdënim, si dëshirë vetëprojektimi individual e shoqëror, për të tejkaluar vetveten, brenda qelive torturuese, në skamje, në privimim nga çdo lloj lirie! Prandaj vlerat e saj janë të rënda, kanë peshën e dheut dhe kockave, kanë shijen e hidhur të fatit përndjekës, kanë etjen për një gllënjkë ajri lirie të vjedhur për t’i shpëtuar asfiksisë, sikurse kanë breroren përshkënditëse të shpirtit që shkapërcen angështinë e rraskapive tokësore drejt lirisë dhe dinjitetit. Janë të shumtë paraardhësit tanë të largët e të afërt që e dhanë jetën, ashtu siç shprehet poeti ynë Azem Shkreli “Për secilin varg/ për secilën fjalë”.

Këto mendime e përjetime vijnë natyrshëm duke shfletuar studimin monografik të prof. Rahim Ombashit Historiku i shtypit periodik shqiptar (Sprovë për një poetikë historike). Monografia të krijon mundësinë e njohjes, rinjohjes, kuptimit e rikuptimësimit të një përpjekjeje e rezistence idealiste, e cila e përftoi idenë e kombit dhe atdheut si corpus anima, si entitet shpirtëror, si realitet metafizik, përpara se ai të bëhet një realitet fizik, konkret. Dhe për këtë duhet t’u jemi mirënjohës atyre mendjeve të ndritura iluministe, ëndërronjësve të pamposhtur, që e realizuan si projekt, duke i bartur mediumet e revistave ngado që i shkapeti dallga e fatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Letra e Aldous Huxley për George Orwell pas leximit të 1984
Një përballje e frikshme me Tomas Man
Ray Bradbury, Arti i Fiksionit
Beteja e librave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}