Një nga kryeveprat e Tomas Man, “Mali Magjik” një punë sizifi nga përkthyesi i njohur Afrim Koçi. Nacional-socialistët e damkosën “Malin magjik” si “himn të dekadencës” dhe shpifje ndaj “heroizmit soldatesk” të propaganduar prej tyre. E megjithatë, vepra nuk figuronte në listën e zezë të Ministrisë së Gëbelsit dhe ka mendime të ndryshme nëse ishin apo jo edhe veprat e Manit në turrën e librave që u dogjën publikisht në 10 maj të vitit 1933. Pas vdekjes së tij, vepra e Tomas Manit, si “Shkrimtar borgjez” dhe sidomos kryevepra e tij, “Mali magjik”, u gjend nën zjarrin e kritikës së rretheve të majta letrare

“Mali magjik”, një nga kryeveprat e letërsisë gjermane, shkruar nga nobelisti Tomas Man, në shqip është e përkthyer nga Afrim Koçi. Tomas Man, shkrimtari më i shquar gjerman i shekullit, ndër më të shquarit edhe në letërsinë evropiane dhe botërore të të gjitha kohëve, nuk është i panjohur për lexuesin shqiptar.

Të përkthyera në shqip, tashmë janë botuar “Budenbrokët, “Vdekje në Venecie”, “Tonio Krëger”, “Mario dhe magjistari”, “Ligji”, “Zotëria i vogël Frideman” dhe tregime të shumta. Por krijimet e tij më të rëndësishme (përjashto “Budenbrokët” dhe “Vdekjen në Venecie”) nuk njihen ende. “Përkthimi dhe botimi i “Malit magjik”, veprës së tij më të njohur, ka qenë një dëshirë e kahershme imja. Dhe kështu iu futa një pune sizifi dhe ia nisa një maratone të mundimshme, që kërkonte kohë dhe shpirt, që e vinte përkthyesin para përballimit të frikshëm me nivelin intelektual, artistik dhe ndjenjësor të këtij shkrimtari, me stilin e tij simbolik dhe ironik, me thellësinë e tij psikologjike dhe kritike. Po edhe me vëllimin material prej 1.000 faqesh”, – ka thënë përkthyesi me rastin e ardhjes në shqip. Paul Tomas Man u lind më 6 qershor të vitit 1875 në Lybek të Gjermanisë dhe mbylli sytë më 12 gusht të vitit 1955 në Cyrih të Zvicrës, në moshën 80-vjeçare. Ishte djali i dytë i Tomas Johan Hajnrih Manit (senator i qytetit dhe tregtar drithërash), dhe i Silva Bruhns (braziliane nga stërgjyshër gjermanë e që kishte ardhur në Gjermani në moshën shtatë vjeçare). E ëma ishte e besimit katolik, por atë vetë i ati e kishte pagëzuar në kishën luteriane. I ati vdiq në vitin 1891 dhe firma e tij u likuidua. Familja shpërngulet në Mynih. Fillimisht mësoi në gjimnazin e Lybekut, pastaj ndoqi studimet në Universitetin Ludvig Maksimilian të Munihut dhe në Universitetin Teknik të po këtij qyteti, në të cilat, duke u përgatitur për një karrierë gazetari, studioi histori, ekonomi, histori arti dhe letërsi. Jetoi në Mynih nga viti 1891 deri në vitin 1933, përjashto një vit që e kaloi në Palestrina të Italisë, së bashku me të vëllain më të madh, Hajnrihun, edhe ai romancier.

Në vitet 1894-1895 punoi për Kompaninë Gjermanojugore të Sigurimeve nga zjarri. Karrierën letrare e filloi duke bashkëpunuar në revistën “Simplicissimus”. Novelën e tij të parë, “Zotëria i vogël Frideman” (Der kleine Herr Friedemann) e botoi në vitin 1898.

Në vitin 1905 martohet me Katia Prings´hajmin, bijë e një familjeje të njohur laike intelektualësh hebrenj dhe pati me të gjashtë fëmijë, Erikën, Klausin, Angelus Gotfrid Tomasin “Golo”, Monikën, Elizabetën dhe Mihaelin. Në vitin 1933, pas ardhjes në pushtet të Hitlerit, Mani emigroi në Kyznaht të Zvicrës, në vitin 1946 merr nënshtetësinë dhe një pasaportë çekosllovake, në vitin 1939 emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jep mësim në Universitetin e Princetonit. Në vitin 1942 familja e Manëve vendoset në Pacific Palisades, në perëndim të Los Anxhelesit, Kaliforni, ku qëndroi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Por që nga 23 qershori i vitit 1944 ai ishte natyralizuar dhe bërë qytetar i Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1952 kthehet në Evropë për të jetuar në Kilhberg, afër Cyrihut, Zvicër. Ai nuk u kthye me kurrë për të jetuar në Gjermani, edhe pse shkonte rregullisht atje. Udhëtimi më i rëndësishëm atje ka qenë në vitin 1949, me rastin e kremtimeve të 200-vjetorit të lindjes së Gëtes, në Frankfurt mbi Majn dhe Vajmar, si përfaqësuesi më i shquar i kulturës gjermane jashtë kufijve të rinj politikë. Vdes nga arteroskleroza në vitin 1955 në një spital të Cyrihut dhe trupi i tij digjet në krematoriumin e Kilhbergut. Gjatë Luftës së Parë Botërore Mani përkrahu konservatorizmin e Kajzerit Vilhelm II dhe sulmoi liberalizmin, por që në 13 tetor të vitit 1922, në leximet që bëri në sallën “Bethoven” të Berlinit, ai ngrihet në mbrojtje të republikës. Andej e tutje pikëpamjet e tij politike zhvendosen dalëngadalë drejt ideve liberale dhe parimeve demokratike. Në vitin 1930 boton një shkrim të titulluar “Thirrje arsyes”, ku dënon rreptë nacional-socializmin dhe nxit qëndresën kundër tij.

Vijojnë pastaj ese dhe lexime publike të shumta ku ai sulmon nazizmin dhe shpreh simpatinë ndaj ideve socialiste. Ardhja e nazistëve në pushtet në vitin 1933, e gjeti Manin së bashku më të shoqen me pushime në Zvicër. Duke pasur parasysh kundërshtimin e tij të rreptë ndaj politikës naziste, i biri, Klausi, e këshillon të mos kthehet në atdhe.

Mirëpo librat e tij, në dallim me ato të të vëllait, Hajnrihut, dhe të të birit, Klaus, nuk ishin ndërmjet librave, që me urdhër të Hitlerit u dogjën me bujë në një shesh të Berlinit në maj të vitit 1933, mbase për arsye se ai ishte nderuar me çmimin “Nobel” për letërsinë të vitit 1929. Sidoqoftë, në vitin 1936 qeveria gjermane ia heq atij zyrtarisht nënshtetësinë gjermane. Në rrjedhë të luftës Mani zhvilloi në Amerikë një seri bisedash radiofonike kundër nazizmit, të titulluara “Gjermanë, dëgjoni!”, që, të dërguara në Britaninë e Madhe, transmetoheshin nga BBC-ja, me shpresë të arrinin dëgjuesit gjermanë. Çmimi “Nobel” për letërsinë iu dha atij në vitit 1929, kryesisht si vlerësim të krijimtarisë së tij të deriatëhershme: “Budenbrokët”, “Mali magjik”, “Vdekje në Venecia” etj., paçka se nën ndikimin e një anëtari me peshë të Komitetit, profesorit Böök, “mbretbërësi” i Akademisë Suedeze, i cili personalisht nuk e honepste “Malin magjik” dhe e quante atë një libër nihilist, dekadent dhe të dëmshëm, në deklaratën zyrtare përmendet vetëm “Budenbrokët”, një libër i botuar tridhjetë vjet para kësaj date. Pa mohuar vlerat e atij romani, kudo në botë emri dhe fama e Tomas Manit lidhen kryesisht e para së gjithash me “Malin magjik”. Puna mbi “Malin magjik” u nis në vitin 1912, fillimisht i menduar, si një kundërti parodike e “Vdekjes në Venecia”. Por, angazhimet e shumta të shkrimtarit, udhëtimet e tij andej këndej nëpër Evropë, puna në vepra të tjera dhe tek e fundit dhe më e rëndësishmja, Lufta e Parë Botërore, që sollën ndryshime në mendësi dhe përvoja të reja për shkrimtarin, u bënë shkak që vepra, e konceptuar siç e thamë si parodizim i novelës “Vdekje në Venecia”, vetëm si një broshurë me diku 100-150 faqe, të rritet e të fryhet deri në 1200 faqe (botimi i parë origjinal, dhe ku sipas fjalëve Manit: do të gjejë strehë një botë e tërë idesh,) dhe të përfundojë vetëm në vitin 1924, edhe atëherë nën trysninë e fortë të botuesit. Që prej asaj kohe, pas suksesit të bujshëm në Gjermani, përkthehet në gjuhë dhe vende të ndryshme të botës, me sa dimë në 27 të tillë, dhe me botimin në shqip themi bëhet 28. Ja si e përshkruan vetë autori idenë që e udhëheq në shkrimin e këtij romani: “… një roman ku do të gjejë strehë një botë e tërë idesh…” më tej: “… një histori me themeli pedagogjiko-politike, ku një djaloshi i duhet të përballet me fuqinë më joshëse që ekziston, me vdekjen dhe që në një mënyrë sa komike aq edhe të frikshme përshkon kalvarin e kundërtive shpirtërore midis humanizmit dhe romantikës, përparimit dhe reaksionit, shëndetit dhe sëmundjes, por më tepër për t’u orientuar dhe për interes shkencor, sesa për t´i parë ato si vendimtare…” Ç´kërkon të thotë ky libër? Ja si shprehet vetë Tomas Man për veprën në një kohë tjetër: “Kjo punë ka qëllime të shumëfishta: Idetë dhe meditimet e larmishme përmbi problemin e njeriut, problemin human në përgjithësi i lidhur ky edhe me politikën, të gjitha këto mendime që zgjuan brenda meje përjetimet e luftës, erdhën e u kristalizuan edhe në planin e vjetër. Rrëfimi u tregua shumë bujar për pranimin e tyre, si një sfungjer që thith gjithçka dhe gjatë kësaj punë shumëvjeçare nga novela groteske që pata pasur në mend, lindi një tablo kohore prej dy vëllimesh, me të gjitha referencat e saj filozofike dhe madje edhe mistike”. Duhet thënë se “Mali magjik” ka një rrymë të nëndheshme qartësisht autobiografike. Zhvillimi i konceptit të romanit pasqyron në një pjesë të madhe edhe zhvillimin e pikëpamjeve të vetë Tomas Manit për botën dhe njerëzimin gjatë dhjetë vjetëve që iu deshën për shkrimin e tij. Në vitin 1927 ai shprehet për “Malin magjik”: “ky është libri më i mirë apo së paku më i kompletuari, ai që shpreh thelbin tim në mënyrën më të përkryer”.

Libri shikohet si roman edukimi, roman zhvillimi, roman arsimimi. Studentëve të tij amerikanë, Toman Mani u këshillonte se po ta pyesnin si duhet lexuar libri, ai do t’u thotë se ai duhet lexuar dy herë. Ai është, gjithmonë sipas Manit, si një simfoni, një vepër e kontrapunktit, “një ind tematik ku idetë luajnë rolin e motiveve muzikore. Kësaj lexuesi duhet t´i kushtojë vëmendje të madhe në leximin e këtij libri që mund të quhet “roman idesh”. Nga të gjithë librat e tij është “Mali magjik” që ka më së shumti “karakterin e një partiture” dhe dialektika e tij është ajo muzikore. Që “Mali…” është një rrëfim i konceptuar në mënyrë dialektike, duket hapur. Kundërvënie, antagonizma, çifte kundërtore, në pamjen e karakterit apo të mendimit, përbëjnë në çdo hap tendosjen e këtij konstruksioni: Kastorpi dhe Cimseni, civili dhe ushtaraku, Setembrini dhe Nafta, liberalizmi dhe totalitarizmi, rënia dhe ngritja, sëmundja dhe shëndeti, shpirti dhe natyra, romantika e vdekjes dhe pohimi i jetës etj. Si në një laborator pikëpamjesh aty parashtrohen dhe analizohen të gjitha aftësitë e mendjes dhe të përfytyrimit. Ka vende, pasazhe në roman ku njeriu dyshon në është vërtet si Hans Kastorpi heroi, personazhi kryesor, apo të tilla janë idetë e trupëzuara si njerëz, gjë që do të përligjte edhe emërtimin e tij si “roman idesh”. Në shumë drejtime “Mali magjik” është një parodi e romanit vetëformues. Sikundër protagonistët e tyre edhe Hans Kastorpi largohet nga shtëpia dhe ndeshet në sanatorium me artin, politikën dhe dashurinë. Sidomos gjatë bisedave me mentorët e tij, Setembrinin dhe Naftën, ai njihet me një sërë ideologjish. Por ndryshe nga romani klasik i formimit, “edukimi” në “Malin magjik” nuk çon në shndërrimin e Hans Kastorpit në një anëtar të aftë dhe të vetëdijshëm të shoqërisë borgjeze, përkundrazi, procesi i tij personal i edukimit përfundon në boshësi, në furtunën e çeliktë dhe që shkatërron çdo individualitet të Luftës së Parë Botërore. Lidhja e romanit me titullin e tij është shumëplanëshe. Vegimi i “Malit magjik” si vend joshjeje, është i njohur në letërsinë gjermane. Ndjellësi i minjve të Hamelit, tregimi “Tabloja e mermertë” e Ajhendorfit, ku që në krye bëhet paralajmërimi për “malin magjik” ku “rinia” joshet dhe prej nga “nuk është kthyer më askush”. Arena e veprimit në romanin e Manit është sanatoriumi “Berghof”, i cili jo vetëm gjeografikisht gjendet në male, por që, sikundër “Mali magjik” në veprat e vjetra, përfaqëson një botë të mbyllur hermetikisht. Izolimi i tij krijon kushte për një përqendrim karakteresh përfaqësues, veprimtaria e të cilëve pasqyron konfliktet shoqërore, politike dhe shpirtërore të Evropës përpara Luftës së Parë Botërore. Nacional-socialistët e damkosën “Malin magjik” si “himn të dekadencës” dhe shpifje ndaj “heroizmit soldatesk” të propaganduar prej tyre. E megjithatë, vepra nuk figuronte në listën e zezë të Ministrisë së Gëbelsit dhe ka mendime të ndryshme nëse ishin apo jo edhe veprat e Manit në turrën e librave që u dogjën publikisht në 10 maj të vitit 1933.

Pas vdekjes së tij, vepra e Tomas Manit, si “shkrimtar borgjez” dhe sidomos kryevepra e tij, “Mali magjik”, u gjend nën zjarrin e kritikës së rretheve të majta letrare, prirje që, nën ndikimin e lëvizjeve të vitit 1968, arriti kulmin në vitin 1975. Por pas kësaj kohe vihet re një rilindje e Manit. Madje kritiku më i shquar gjerman i letërsisë, Marcel Rajh-Ranicki, në një intervistë pohon se ai nuk njeh romane gjermane më të mirë se “Farefisnitë zgjedhore” të Gëtes dhe “Malin magjik” të Manit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}