Intervistuar nga Sam Weller

Ray Bradbury ka një shtëpi pushimi në shkretëtirën e Palm Springs, Kaliforni, në këmbët e maleve Santa Rosa. Është një çështje qysh prej epokës së Rat Pack–ëve (grupim aktorësh në vitet ’60 me në qendër Humphrey Bogart) me një kuzhinë në nuanca të kromit dhe të bruztës, me një pishinë të vogël nga pas. Bradbury ka lindur më 1920 –ën në Waukegan, Illinois, i biri i një fillshtruesi nga një kompani vendase energjie. Si fëmijë, zhvilloi pasionin për librat e

L. Frank Baum –it dhe Edgar Allan Poe –së dhe e zhyti veten në kulturën popullore; nga kinemaja, revistat me ilustrime e te cirqet lëvizës. Për shkak se i ati ishte shpesh jashtë për punë gjatë viteve ’20 dhe ’30, familja u shpërngul disa herë mes Illinois –it dhe Tucson –it, Arizona. Ndjesia se ish pa rrënjë dhe ajo e shpërnguljes vinin nga vdekja e gjyshit të tij të dashur kur ishte pesë vjeç dhe vdekja e motrës më të vogël prej pneumonisë dy vite më vonë. Përvoja e humbjes së madhe shfaqet shpesh në veprën e tij. Pavarësisht pengesave të fundit –një goditje cerebrale më 1999 –ën dhe vdekja e Margaritës, gruaja e tij prej 56 vitesh, më 2003-shin –Bradbury ka mbetur jashtëzakonisht aktiv. Vazhdon të shkruajë, duke mbetur i hijshëm dhe plot me ngazëllim djaloshar. Kur ha darkë jashtë, porosit rregullisht akullore me vanilje e me salcë çokollate për desert. Sapo ka përfunduar një përmbledhje me tregime të shkurtër, të titulluar paraprakisht “Juggernaut” (Kamion i rëndë). Kohëve të fundit më rrëfeu se ende jeton me kredon e tij të vjetër “Hidhu nga shkëmbi dhe ndërtoi flatrat ndërsa bie!”.

Përse shkruani fanta-shkencë?

Fanta-shkenca është trilli i ideve. Idetë më ngacmojnë dhe me t’u ngacmuar, adrenalina rritet dhe ajo çka di më pas është se po huazoj energji nga vetë idetë. Fanta-shkenca është çdo lloj ideje që ndodh në kokë dhe që ende nuk ekziston, por do të ekzistojë së shpejti dhe do të ndryshojë gjithçka për këdo dhe asgjë nuk do të jetë më njëlloj. Sapo ke një ide që ndodh në disa pjesë të vogla të botës, atëherë po shkruan fanta-shkencë. Është gjithmonë arti i së mundshmes, kurrë i së pamundurës. Merre me mend se 60 vjet më parë, në nisje të karrierës sime letrare , pata menduar të shkruaja një tregim rreth një gruaje që kapërdiu një hape dhe shkatërroi Kishën Katolike, duke shkaktuar kështu ardhjen e çlirimit të grave. Tregimi me gjasë do ishte përqeshur, por ishte brenda sferës së të mundshmes dhe do të ish bërë një fanta-shkencë e shkëlqyer. Nëse do kisha jetuar në fund të 1800-ës, do të kisha shkruar një tregim që parashikonte se mjetet e çuditshëm shumë shpejt do të kalonin nëpër horizontin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vrisnin dy milionë njerëz në një periudhë prej 70 vitesh. Fanta-shkenca nuk është thjesht art i së mundshmes, por i së dukshmes. Me t’u shfaqur automobilat mund të kishe parashikuar se do të shkatërronin aq njerëz sa vërtet kanë bërë.

A përmbush fanta-shkenca diçka që letërsia e përgjithshme nuk e bën dot?

Po, e bën, sepse e përgjithshmja nuk i ka kushtuar vëmendje të gjithë ndryshimeve në kulturën tonë gjatë 50 viteve të fundit. Idetë më kryesore të kohës sonë –zhvillimet  në mjekësi, rëndësi e eksplorimit të hapësirës për të përparuar llojin tonë –janë  neglizhuar. Kritikët zakonisht janë gabim, ose janë 15 apo 20 vjet me vonesë. Është turp i madh. Atyre u kanë shpëtuar shumë gjëra. Përse trilli i ideve duhet të neglizhohet kaq shumë, kjo është përtej meje. Mund ta shpjegoj, veçse në termat e një snobizmi intelektual.

Vonnegut –i ka shkruar fanta-shkencë për një kohë të gjatë. Më pas vendosi se nuk pati qenë kurrë  shkrimtar fanta-shkence dhe u shpengua për të përgjithshmen. Kështu ai u bë “letërsi” ndërsa ju jeni ende në prag. Mendoni se Vonnegut-i  ia doli për shkak se ishte një Kasandra?

Po, është pjesë e kësaj. Është i tmerrshëm negativiteti krijues, i admiruar nga kritikës e Nju Jorkut, ajo çka shkaktoi edhe famën e tij. Njujorkezët pëlqejnë shumë të viktimizohen, si edhe ta ndëshkojnë veten. Nuk më është dashur të jetoj në atë mënyrë. Jam djalë nga Kalifornia. Nuk i them kujt si të shkruajë dhe askush nuk më thotë mua.

Sa herët e keni nisur të shkruarit ?

Ka nisur me Poe –n. E imitoja qysh kur isha 12 –vjeç derisa mbusha 18. Rashë në dashuri me xhevahiret e Poe –së. Ai është një prarues gurësh të çmuar, apo jo? E njëjta me

Edgar Rice Burroughs –in dhe John Carter –in. Kam shkruar tregime tradicionale tmerri, më të cilat mendoj se e nisin të gjithë ata që ecin në këtë fushë –e keni parasysh…njerëz që mbeten të mbyllur nëpër varre. Kam skicuar labirinte egjiptiane. Gjithçka shkoi për fermentim në atë vit, 1932 –shin, kur isha 12 –vjeç. Ishte Poe –ja , Carter –i , Burroughs –i, ilustrimet. Kam dëgjuar shumë shfaqje radiofonike imagjinare, sidomos një të quajtur  “Chandu, Magjistari” . Jam i sigurt që ishte krejt vjeturinë, por jo për mua. Çdo natë, sa mbaronte shfaqja ulesha dhe duke e mbajtur mend, shkruaja të gjithë skenarin. Nuk ndalesha dot. Chandu –ja ishte kundër të gjithë të ligjve që botës e ashtu isha edhe unë. Ai u përgjigjej thirrjeve psikike e unë po ashtu. Më pëlqente të ilustroja, kam qenë karikaturist. Gjithnjë kam dashur librin tim me ilustrime. Kështu që jo vetëm shkruaja rreth Tarzanit, vizatoja edhe panelet e së dielës. Bëja zakonisht tregimet me aventura, i vendosja në Amerikën e Jugut ose mes aztekëve apo në Afrikë. Kishte gjithmonë një vashëz të bukur dhe një sakrificë. Kështu e kuptoja se po shkoja drejt njërit prej arteve: po vizatoja, aktorja dhe shkruaja.

Disa nga pasazhet në “Kronikat e marsianëve” si edhe në disa prej librave tuaj të tjerë janë thellësisht lirike. Nga ka ardhur gjithë ai lirizëm?

Duke lexuar shumë poezi çdo ditë të jetës. Shkrimtarët e mi të preferuar ishin ata që i kishin thënë gjërat mirë. Kam studiuar dikur Eudora Welty –n. Ajo kishte aftësinë e mahnitshme për të të dhënë atmosferën, karakterin dhe lëvizjen në një varg të vetëm. Në një varg! Duhet t’i studiosh këto gjëra që të bëhesh shkrimtar i mirë. Welty –i  e bënte një grua të vinte në dhomë e të shihte përreth. Në një pastrim të jepte ndjesinë e dhomës, domethënien e karakterit të gruas dhe vetë veprimin. Gjithçka në 20 fjalë. Dhe ti do të thoshe: Si e bën këtë? Cili mbiemër? Cila folje? Cili emër? Si i përzgjedh dhe i vendos bashkë? Kam qenë student i thellë. Ndonjëherë merrja ndonjë kopje të vjetër të Wolfe –it,  prisja paragrafë dhe i ngjisja ato në tregimin tim, sepse nuk i rezistoja dot. Isha i pashpresë! Pastaj e rishtypja seksione të tëra të romaneve të të tjerëve për të parë sesi ndjehesh kur del. Mësoja ritmin e tyre.

Po përsa i përket Proust –it , Joyce –it, Flaubert –it, Nabokov –it, shkrimtarë që priten ta mendojnë letërsinë në temat e stilit dhe formës. A ju ka interesuar ndonjëherë kjo linjë mendimi?

Jo. Nëse njerëzit më vinin në gjumë, do të thotë se më vinin në gjumë. Oh, zot, jam përpjekur ta lexojProust –it aq shpesh dhe e njoh bukurinë e stilit të tij, por ai më vë në gjumë. E njëjta gjë edhe me Joyce –in. Joyce –i nuk ka shumë ide. Unë jam krejt i orientuar nga idetë dhe i vlerësoj disa lloje të shkruari francez dhe më shumë madje rrëfimin anglez. Nuk e mendoj dot të jem në një botë dhe ët mos magjepsem me atë që idetë na bëjnë neve.

Ju jeni i vetë-arsimuar, apo jo?

Po, jam. Jam i arsimuar krejtësisht nga bibliotekat. Nuk kam qenë kurrë në universitet. Shkoja në bibliotekë qysh kur isha në fillore, në Waukegan dhe në shkollë të mesme në Los Anxhelos dhe i kaloja ditët e gjata të verës brenda bibliotekave. Vidhja revista nga një dyqan në rrugën “Genesee” në Waukegan dhe i lexoja dhe i vija prapë në rafte, vjedhurazi. Kështu e merrja shtypin në vështrimin tim dhe qëndrova i ndershëm. Nuk doja të bëhesha vjedhës i përhershëm dhe isha i kujdesshëm të laja duart përpara se t’i lexoja. Por me bibliotekën është si me barin e maceve, mendoj: nis të vraposh në qerthuj sepse ka aq shumë për të parë e për të lexuar. Dhe është shumë më argëtuese sesa të shkosh në shkollë, vetëm sepse bën vetë listën tënde dhe nuk ke pse dëgjon askënd. Kur kam parë disa nga librat që fëmijët e mi detyroheshin nga mësuesit të sillnin me vete në shtëpi dhe t’i lexonin dhe ishin të vlerësuar – epo po sikur të mos i pëlqesh ata libra? Unë jam një bibliotekar. E kam zbuluar veten time në bibliotekë. Shkoja ta gjeja veten në bibliotekë. Përpara se të bija në dashuri me bibliotekat, isha vetëm gjashtë vjeç. Biblioteka furnizonte të gjitha kureshtitë e mia, nga dinozaurët te Egjipti i Lashtë. Kur u diplomova në shkollë të mesme më 1938-ën, nisa të shkoja në bibliotekë tri net në javë. E bëja çdo javë për gati dhjetë vjet dhe më në fund, më 1947-ën, rreth kohës kur u martova, kuptova që isha bërë. Kështu u diplomova nga biblioteka kur isha 27 –vjeç. Zbulova se biblioteka është shkolla e vërtetë.

Keni thënë se nuk besoni te vajtja në kolegj për të mësuar si të shkruani. Përse mendoni kështu?

Nuk mëson të shkruash në kolegj. Është një vend shumë i keq për shkrimtarët sepse mësuesit mendojnë se dinë më shumë sesa ju dhe në fakt nuk dinë. Ata kanë paragjykime. Ata mund të pëlqejnë Henry James –in, por po sikur të mos duash të shkruash si ai? Mund të pëlqejnë John Irving –un, i cili është një mërzi gjatë gjithë kohës. Shumë nga njerëzit vepra e të cilëve mësohet në shkolla për të paktën 30 vitet e fundit, nuk e kuptoj sepse njerëzit i lexojnë dhe përse mësohen. Biblioteka nga ana tjetër nuk ka anësi. Informacioni është i gjithi aty për ta interpretuar. Nuk ke askënd që ë thotë çfarë të mendosh. E zbulon vetë.

Librat tuaj mësohen gjerësisht në shkolla…

E dini se përse mësuesit më përdorin ? Sepse flas në gjuhë të panjohura. Shkruaj metafora. Secila nga tregimet e mia është një metaforë, të cilën mund ta mbash mend. Besimet fetare janë të gjitha metafora. Ne çmojë gjëra si Danieli në shpellën e luanit apo Kulla e Babelit. Njerëzit i mbajnë mend këto metafora, sepse janë aq të gjalla sa nuk çlirohesh dot prej tyre dhe këto janë gjërat që fëmijët e shkollave pëlqejnë. Ata lexojnë për anije kozmike dhe takime në hapësira, rrëfenja për dinozaurë. Gjithë jetën time kam vrapuar në fusha dhe kam mbledhur objekte të shkëlqyeshme. E ktheva njërën përmbys dhe thashë: “Po, ja ku është tregimi!”. Dhe këtë pëlqejnë fëmijët. Sot, tregimet e mia gjenden në mijëra antologji. Dhe unë jam në shoqëri të mirë. Shkrimtarët e tjerë janë shpesh njerëz të vdekur që kanë shkruar me metafora: Edgar Allan Poe, Herman Melville, Washington Irving, Nathaniel Hawthorne. Të gjithë këta kanë shkruar për fëmijë. Disa kanë pretenduar se nuk kanë shkruar, por në fakt e kanë bërë.

A mbani një agjendë pune fikse?

Pasionet e mia më çojnë çdo ditë të jetës në makinën e shkrimit dhe më kanë çuar aty qysh kur isha 12 vjeç. Ndaj nuk jam shqetësuar kurrë për agjendat. Diçka e re shpërthen tek unë gjithmonë dhe më planifikon ajo mua dhe jo unë atë. Thotë: Shko te makina e shkrimit tani dhe mbaroje këtë.

Ku i shkruani?

Mund të punoj kudo. Kam shkruar në dhoma gjumi dhe në dhoma ndenjeje kur rritesha me prindërit dhe vëllain në një shtëpi të vogël në Los Anxhelos. Punoja në makinë shkrimi në dhomën e ndenjjes me radion ndezur dhe mamanë, babain dhe vëllain që flisnin në të njëjtën kohë. Më vonë, kur doja të shkruaja Fahrenheit 451, shkova në UCLA dhe gjeta një dhomë shtypi në bodrum dhe nëse fusje 10 centë në makinën e shkrimit mund të blije 30 minuta kohë daktilografie.

A keni përdorur ndonjëherë kompjuter?

Deri para goditjes cerebrale, përdorja makinë shkrimi, një të markës “IBM Selectric”. Kurrë një kompjuter. Një kompjuter është një makinë shkrimi. E përse më duhej një tjetër makinë shkrimi? E kam një.

Shumë do të argumentonin se një kompjuter e bën rishikimin shumë më të thjeshtë. Për të mos përmendur auto-korrektimin.

Shkruaj prej 70 vitesh, nëse nuk di si të shkruaj tani…

A mbani bllok shënimesh ?

Jo. Me të ardhur një ide, shkruaj një tregim të shkurtër ose nis një roman, ose shkruaj një poemë. Prandaj nuk kam nevojë për bllok shënimesh. Mbaj dosje idesh dhe tregimesh që nuk i kam punuar një vit më parë, pesë vjet më parë, dhjet vjet më parë. U kthehem më vonë dhe shoh përmes titujve. Është si një baba zog që kthehet me një krimb. Sheh poshtë gjithë ata sqepa të uritur –të gjithë këto tregime që presin për t’u përfunduar – dhe ti u thua “ Kush prej jush ka nevojë të ushqehet? Kush prej jush ka nevojë të përfundohet sot?”.

Dhe tregimi që bërtet më shumë , ideja që rri më këmbë dhe hap gojën, është ajo që ushqehet. E nxjerr nga dosja dhe e përfundoj brenda pak orëve.

Pse mendoni se preferoni tregimet e shkurtër kundrejt romaneve? A është kjo çështje durimi? E quajnë çrregullim hiperaktiviteti  dhe deficit të vëmendjes në ditët e sotme.

Mendoj se ka një farë të vërtete brenda. Ktheje një pengesë në aset. Vëmendja ime nuk është aty. Kështu që shkruaj çfarë shkruaj: tregime të shkurtër.

Jeni shkrues i shpejtë. A jeni edhe redaktor po aq i shpejtë?

Jo. E shtyp draftin e parë shumë shpejt, madje në mënyrë impulsive. Disa ditë më pas e rishtyp të gjithën dhe nënvetëdija, ndërsa e rishtyp, më jep fjalë të reja. Mbase e rishtyp disa herë të tjera derisa të jetë bërë. Ndonjëherë më merr vetëm disa rishikime të vogla.

Në ç’orë të ditës shkruani zakonisht?

Shkruaj gjatë gjithë kohës. Ngrihem çdo mëngjes duke mos ditur se çfarë do të bëj. Zakonisht kam një perceptim rreth agimit kur zgjohem. Kam atë që e quaj ‘teatrit i mëngjesit’ brenda kokës, gjithë ata zëra që më flasin. Kur vijnë me një metaforë të mirë, atëherë kërcej pupthi nga shtrati dhe i mbërthej përpara se të ikin. Ky është i gjithë sekreti: të bësh gjëra që të emocionojnë. Gjithashtu, gjithmonë jam kotur pasditeve. Në këtë mënyrë, kam dy mëngjese.

Ma merr mendja se është e panevojshme t’ju pyes nëse ju kënaq të shkruarit.

Është e dukshme që më kënaq. Është gëzimi i shijshëm dhe çmenduria e jetës sime dhe nuk i kuptoj shkrimtarët që duhet të përpiqen për këtë. Më pëlqen të luaj. Jam i interesuar të argëtohem me idetë, t’i hedh ato në ajër si shirita me ngjyra dhe më pas të vrapoj pas tyre. Nëse duhet të punoj me to, dorëzohem. Nuk më pëlqen të punoj.

Përmendët goditjen cerebrale që e vuajtët më 1999-ën. Ç ‘mbani mend nga ajo përvojë?

Isha në shtëpinë time nëPalm Springs, duke punuar për një tregim të shkurtër. Po ecja përreth shtëpisë dhe papritur u ndjeva i paqëndrueshëm. Nuk mund të ecja mirë. Thirra time shoqe-ajo ishte në shtëpinë tonë të Los Anxhelosit dhe më solli shoferin të më merrte. Kur mbërriti i thashë se doja të shkoja në shtëpi dhe ai më tha: Jo, jo. Do të të dërgoj menjëherë në spital. Kështu më shpëtoi jetën. Më çoi në qendrën mjekësore Eisenhower , pranë Palm Springs –it dhe ata më bënë analiza dhe panë se isha në gjendje të keqe. Këmba ishte paralizuar, krahu gjithashtu. Kisha vështirësi në të folur. E dija se ishte gjendje kritike sepse nuk mund të lëvizja. Shtrihesha në shtrat dhe i thosha këmbës: Në rregull, lëviz! Dhe nuk mundej. Ishte si një qen i ngordhur. Rrotullohu qen i ngordhur, rrotullohu. Dhe a lëvizte dora? Jo. Pas një farë kohe, më në fund, dalëngadalë , nisi të lëvizë një gisht, pastaj një gisht i këmbës. Muajin e parë mendova se nuk do ia hidhja, por ia hodha. Më në fund këmba nisi të ndihej gjallë. Zoti u tregua i mirë me mua. Më janë dhënë gjene të mirë dhe e gjithë përvoja ishte e mirë për mua sepse rashë shumë nga pesha. Sheqeri në gjak tani është në nivel normal –Nuk më duhet të marr mjekime për këtë. Edhe presioni i gjakut u normalizua pas shumë vitesh. Gjithë këtë ia bëra vetes –nuk  fajësoj askënd. Shumë birra, shumë verë, 30 kilogramë mbipeshë dhe kish ardhur koha t’i hiqja të gjitha këto.

Ç ‘mendim keni për librat elektronikë dhe Amazon Kindle?

Ata nuk janë libra. Nuk mund ta mbash një kompjuter në dorë siç bën me një libër. Një kompjuter nuk ka aromë. Ka dy parfume për një libër. Nëse një libër është i ri ai mban erë të mirë, nëse është i vjetër mban erë edhe më të mirë. Mban erë si Egjipti i Lashtë. Një libër duhet të vijë erë. Duhet ta mbash në duar dhe t’i lutesh. E fut në xhep dhe ecën me të. Dhe rri me ty përgjithmonë. Por kompjuteri nuk e bën këtë për ty. Më vjen keq.

Me botimin e Fahrenheit 451, ju u përshëndetët si një vizionar. Për çfarë mund të na paralajmëroni sot?

Sistemi ynë arsimor ka shkuar për dreq. Ideja ime është që tani e tutja të mos shpenzojmë para për të arsimuar fëmijët që janë 16 –vjeç. Të gjithë ato para duhet t’i çojmë në kopshte. Të vegjlit duhet të mësohen si të shkruajnë dhe të lexojnë. Nëse fëmijët shkojnë në klasë të parë duke ditur shkrim e këndim, do të jemi të sigurt për të ardhmen, apo jo? Nuk mund t’i lejojmë të shkojnë në klasë të katërt apo të pestë e të mos dinë si të lexojnë. Ne duhet të vendosim libra me vizatime edukative, apo të përdorim librat me ilustrime për të mësuar fëmijët të lexojnë. Kur isha pesë vjeç, halla më dha një kopje të një libri të mrekullueshëm me përralla të titulluar  “Na ishte njëherë” dhe përralla e parë në këtë libër ishte “ E bukura dhe bisha”.  Ai tregim më mësoi si të lexoja dhe shkruaja sepse shihja vizatimin e asaj bishe të bukur e kështu desha patjetër të lexoja edhe për të. Kur isha gjashtë vjeç mësova ët shkruaj e lexoj. Duhet ta heqim nga mendja t’u mësojmë fëmijëve matematikë. Ata nuk do ta përdorin kurrë në jetët e tyre. Jepu aritmetikë të thjeshtë –një  plus një bëjnë dy dhe si të pjesëtojnë, si të zbresin. Këto janë gjëra të thjeshta dhe mësohen shpejt. Por jo matematikë, sepse kurrë nuk do e përdorin, vetëm nëse do të bëhen shkencëtarë dhe ata mund ta mësojnë më vonë. Im vëlla, për shembull, nuk shkonte mirë në shkollë, por kur ishte në të njëzetat, iu desh një pune me Byronë e energjisë dhe të Ndriçimit. Mori një libër rreth matematikës dhe elektriciteti dhe e lexoi, e edukoi veten dhe e fitoi vendin e punës. Nëse je i mençur, do të mësosh si ta edukosh veten me matematikë nëse të duhet. Por fëmija mesatar nuk do të ketë nevojë. Kështu duhet të mësojë të shkruajë e lexojë. Këto janë të rëndësishëm. Dhe kur të jenë 6 vjeçarë do të jenë plotësisht të arsimuar dhe më pas mund të edukojnë veten. Biblioteka duhet të jetë vendi ku ata të rriten.

Keni qenë i martuar për 56 vjet përpara se gruaja juaj në ndahej nga jeta më 2003-shin. Cili është sekreti i kësaj jetëgjatësie të marrëdhënies suaj?

Nëse nuk ke humor, nuk ke martesë. Në atë filmin “Histori Dashurie”, ka një fjali “ Dashuri do të thotë të mos thuash kurrë të vjen keq”. Kjo është gjëja më budallaqe që kam dëgjuar. Dashuri do të thotë të thuash të v jen keq çdo ditë për disa gjëra të vogla apo të tjera. Ti bën një gabim. Kam harruar të ble llambat.  Nuk e solla këtë nga dyqani dhe më vjen keq. E di? Të jesh i aftë të pranosh përgjegjësit, por mbi të gjitha të kesh humor, kështu gjithçka që të ndodhë mund të ketë anën e vet argëtuese.

Një javë pasi gruaja juaj u nda nga jeta, u kthyet te të shkruarit. Si ishit në gjendje ta bënit këtë?

Puna është e vetmja përgjigje. Kam tre rregulla për të jetuar. Një, kryeje punën. Nëse nuk funksionon, qepe gojën dhe pi xhinin tënd. Dhe nëse të gjitha dështojnë, vrapo si dreq!

A shkruani për një lexues ideal apo për një audiencë në veçanti?

Çdo herë shkruan për gjithkënd, pavarësisht se kush janë, pak rëndësi sa e drejtë kauza në të cilën beson, ti gënjen. Steinbeck –u  është një nga shkrimtarët e paktë nga vitet ’30  që ende lexon, sepse ai nuk shkruan aspak për kauza. Ai ka shkruar histori njerëzore që rastisën të përfaqësojnë kauza në mënyrë indirekte. “Vilet e Zemërimit” dhe librat e tij të tjerë nuk janë traktate politike. Fahrenheit 451 është në një mënyrë një traktat politik, por jo, sepse gjithçka që thotë, emocionalisht është: Secili ta lërë secilin në punë të vet!

A ka literatura atëherë ndonjë detyrim shoqëror?

Jo të drejtpërdrejtë. Duhet të ndodhë përmes reflektimit, në mënyrë indirekte.

Nikos Kazantzakis –i   thotë, “Jeto përgjithmonë!” . Ky është detyrimi i tij shoqëror. “Shpëtimtarët e Zotit” kremtojnë jetën në këtë botë. Çdo vepër e madhe e bën këtë për ty. Të gjitha veprat e Dickens –it  thonë: jetoje jetën me energji të plotë. Edgar Rice Burroughs –i kurrë nuk do ta kishte parë veten si aktivist shoqëror me detyrime sociale. Por siç doli –dhe  më pëlqen ta them sepse kjo i mërzit të gjithë keqas – Burroughs –i  është ndoshta shkrimtari më ndikues në të gjithë historinë e botës.

Perktheu: Suadela Balliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}