Në janarin e vitit të kaluar, nominimi për të dytën herë i Luljeta Lleshanakut për Çmimin “Poeti Evropian i Lirisë” u bë një nga lajmet kryesore letrare në vendin tonë. Vetë Lleshanaku, ndër të tjera, tha për “ExLibris”:

Në 2012, unë e konsiderova kapitull të mbyllur punën e çmimeve në Gdansk, por ja ku jemi prapë…Natyrisht që  ndihem mirë që jam midis finalistëve, sepse çdo herë që futesh në garë, bën një lloj testimi të vetes;  gjërat lëvizin, ndryshojnë, madje shumë shpejt, e kështu edhe shijet e lexuesit, dhe ti nuk e di kurrë nëse je në kohë si autor.  Nga ana tjetër, ky konkurs zhvillohet në Poloni, në vendin që gjatë shekullit të XX-të i ka dhënë botës katër poetë të mëdhenj: Szymborkskën, Herbertin, Mikloszin dhe Zagajevskin, kështuqë po konkuron në një vend me një traditë nga më të mirat poetike.

Vështirësia e kësaj gare është se përveçse të jetë e pëlqyer, poezia duket edhe të trajtojë temën e lirisë, por të lirisë në botën moderne, një koncept që fillon tek liria politike dhe mbaron tek liria seksuale.  Natyrisht, të gjitha poezitë në një mënyrë a në një tjetër, sikur të çojnë tek liria, por në këtë rast ky element duhet të jetë i prekshëm dhe i zhvilluar mirë.  Kur i kam shkruar poezitë, natyrisht që nuk kam pasur asgjë të tillë në mendje, por duke i parë nga ky këndvështrim tani, përveç temës së lirisë politike (sidomos tek “Ujë dhe karbon”), mendoj se ka diçka tjetër, pak më të veçantë si temë, dhe që përbën një nga konfliktet e brendshme të njeriut modern: liria dhe identiteti. Zhvillimi i vrullshëm teknologjisë së informacionit, nxorri në mënyrë të ndjeshme në pah nevojën e vjetër të individit për identitet: facebooku, instagrami, televizioni me prirjet e veta drejt reality show-t … Vetë historia e eksploratorëve të Polit të Jugut tek “Homo Antarcticus”, qe një model se si çlirimi nga identiteti dhe statusi social, e zgjeron lirinë deri në pakuptimësinë e saj, deri në absurditet. 

Mendoj se kam qenë me shumë fat që përkthyesja ime është Dorota Horodyska, dhe i jam mirënjohëse që ka zgjedhur poezitë e mia për konkurim. Me Dorotën njihem prej 10 vjetësh, e njoh mënyrën se si punon,  dhe tashmë e di që nëse diçka nuk do të funksionojë, nuk do të jetë për shkak të përkthyesit.  Dhe si çdo herë tjetër, uroj të jetë një garë e pastër, se për ndryshe çfarë kuptimi ka e gjitha kjo?!

Pak ditë më parë, ky çmim u nda për herë të parë ndërmjet dy poeteve. Dhe, bashkë me ukrainasen Marianna Kiyanovska, laureate e tij ishte edhe shqiptarja Luljeta Lleshanaku me poemen Ujë dhe karbon.

Për poezinë e Lleshanakut, juria u shpreh:

Ujë dhe karbon është një kryevepër, e plotë dhe tërësore. Struktura precize dhe ekonomia e jashtëzakonshme vetëm sa e rrisin impresionin e përkryerjes. Poezitë e Lleshanakut në mënyrë prekëse përshkruajnë sesi dikush përpiqet për lirinë në botën e skllavëruar ku ka lindur e është rritur. Poetja është gjithashtu erudite, bën bashkë përvoja të ndryshme në punën e saj, jo vetëm të sajat, duke e bërë poezinë e saj universale. Ajo ngjan si kristal i pastër, i patëmetë.

Përkthyesja e Lleshanakut, Dorota Horodyska u vlerësua gjithashtu veçanërisht. Në lajmrimin zyrtar për çmimin, mes të tjerash shkruhet:

Përkthimet brilante të Dorota Horodyskas janë paraqitur edhe në një edicion të mëherëshm të Poetit Evropian të Lirisë, në edicionin e dytë ku u përzgjodhën edhe në finale. Për përkthimin e realizuar prej saj të Fëmijët e Natyrës (Lleshanaku), Horodyska mori çmimin prestigjoz të Letërsisë nga  revista Świecie.

Në një komunikim të shkurtër, Horodyska tha se urimet për këtë çmim i takojnë vetëm Luljetës dhe se ajo e meriton këtë çmim si askush tjetër.

Lleshanaku është dhe do të mbetet një nga zërat më të çmueshëm të letërsisë shqipe dhe secili prej çmimeve ndërkombëtare që ajo merr, secili prej vlerësimeve për përkthimet në gjuhë të ndryshme, tregon se personaliteti i saj poetik kapërcen kufijtë e vendit tonë dhe po shkruhet përtej tyre, në realitetet letrare të botës.

Laureatët e mëhershëm të këtij çmimi pasqyrojnë pjesë të ndryshme nga harta e Evropës:

Në vitin 2020, Sinéad Morrissey, përkthyer nga anglishjta në polonisht prej  Magda Heydel;

Në vitin 2018, Linda Vilhjálmsdóttir, përkthyer nga islandishtja në polonisht prej Jacek Godek;

Në vitin 2016, Ana Blandiana, përkthyer nga rumanishtja në polonisht prej  Joanna Kornaś-Warwas;

Në vitin 2014, Dorta Jagić, përkthyer nga kroatishtja në polonisht prej Małgorzata Wierzbicka;

Në vitin 2012, Durs Grünbein, përkthyer nga gjermanishtja në polonisht prej Tomasz Kopacki;

Në vitin 2010, Uladzimir Arlou, përkthyer nga gjuha bjelloruse në polonisht prej Adam Pomorski.

Marre nga Exlibris

-Ju kam pyetur edhe njëherë tjetër, e mendoj se një nga poemat e tua më të forta është “Ujë dhe karbon”, në të cilën, ndoshta për të parën herë në krijimet tuaja, trajtoni dramën komuniste, duke shkuar deri në një analizë të vetë thelbit dhe skemës së diktaturave…Një angazhim jo aq i fundmë, duke pasur parasysh të kaluarën tuaj, por dhe përfshirjen “politike” në Institutin e Studimeve për Krimet Komuniste. Çfarë të shqetëson në këtë ndërgjegje sot?

Poema vjen si përgjigje e një pyetjeje që kam vite që ia bëj vetes: “Si ka mundësi që e duruam një regjim aq mizor për gati pesëdhjete vjet? Pse nuk u sakrifikuan gjysma prej nesh, që të tjerët të jetonin me dinjitet?” Por instikti i mbijetesës, i të mbeturit gjallë me çdo kusht, rezulton më i fortë se çdo gjë tjetër. Në Amerikë është e famshme një histori mbijetese që quhet “Donner Party”, ku njerëzit detyrohen të hanë edhe të vdekurit gjatë asaj aventure për të mbetur gjallë. Por ama, kjo histori, megjithëse kanibalizmi, sot e ka një monument diku në Kaliforni, si një shenje respekti ndaj vitalitetit dhe rezistencës njerëzore. Dhe janë pikërisht sistemet totalitare, luftërat, fatkeqësitë natyrore, ato që rikthejnë dilemën tonë të vjetër: a jemi ne një qenie prej uji dhe karboni apo një qenie morale? Bota është e stërngopur me rrëfime mbi nazizmin, komunizmin, dhe nuk besoj se do ta habisnin të miat. Kjo është arsyeja, që kam pritur të shkruaj ndryshe për komunizmin. Domethënë, kam pritur të krijoj një distancë kohore dhe fizike nga ajo epokë, një distance e domosdoshme për ta parë me një sy analitik me tepër se sa emocional. (Interviste e realizuar nga Violeta Murati ne gazeten Exlibris, e ribotuar ne arteka.al, e ndiqni te plote ne linkun: https://arteka.al/luljeta-lleshanaku-perse-nuk-jetuam-me-dinjitet/ )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Deti monumental i Adrian Pacit përmbyt Mudec-in
Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}