Ekskluzive/Dirigjenti Bujar Llapaj, në këtë intervistë ekskluzive na kthen 22 vite më parë kur Edi Rama, atëhere ministër kulture, duke treguar si dështoi projekti për rrafshimin e teatrove; Asnjë plan restaurimi tregon dirigjenti nuk ka pasur në atë kohë, kundërshtimi i fortë vinte për projektligjin e Teatrit; Llapaj thotë se lëvizja qytetare duhet të luftojë për kthimin e Republikës e cila tashmë botërisht ka rënë…

-Z.Llapaj si  i keni përcjellë ngjarjet e fundit në Tiranë? E kam fjalën për shembjen e Teatrit që ka trazuar kryeqytetin…

– Shembja e Teatrit Kombëtar ishte një krim makabër, jo vetëm për orën në të cilën u realizua (orë hajdut-pulash), por edhe mënyrën barbare kur brenda godinës kishte njerëz dhe gjithë rekuizita, libraria, fonoteka dhe qoftë paisje teknike që do të ishin një vlerë muzeale e historisë së Teatrit në Shqipëri. Mënyra tinzare dhe barbare tregoi qartë për këdo fytyrën e vërtetë të regjimit të instaluar në Shqipëri: Barbar, Hileqar, Hajdut, Anti-Shqiptar dhe Abuziv me pushtetin në raport me qytetarët dhe ligjin.

-Teatri, ja ku na ktheu sërish para 20 viteve, godina e shembur, por teatri i operas në ironi e rikonstruktuar. Ka diçka paradoksale këtu, kur luftën e para 20 viteve, rezistenca nisi nga ju, pikërisht në Opera, me një forcë më të madhe kundërshtuese se ata të Teatrit Kombëtar. Rama tha se ju grevistët, e keni penguar “restaurimin”, ndërkohë kundërshtimi vinte për projektligjin…Çfarë kujtoni nga ajo kohë, çfarë po ndodhte me Operan, Teatrin?

– Përpara 20 vjetësh ne artistët e Operas kundërshtuam me forcë “Projektligjin për Teatrin” i paraqitur nga ish ministri i kulturës, sot kryeministër. Pas disa muaj protestash me koncerte në sheshin Skënderbej, ku kërkonim me ngulm diskutimin dhe riformulimin e atij projektligji, që synim nuk kishte reformën në institucionet artistike por grabitjen e godinave të tyre. Është fakt që atëhere asnjëherë nuk është përmendur nga Rama fjala “Restaurim” i godinës së TOB dhe është mashtrim i radhës justifikimi se ne grevistët e kishim penguar atë. Në atë kohë nga njerëz të panjohur mateshin sallat e baletit për tu dhënë si studio televizive (pyesni Koço Kokëdhimën për më shumë detaje), nga një kompani franceze mateshin bodrumet, sepse godina e TOB ishte vend ideal që me pak shpenzime mund të kthehej në një “Moulin Rouge” prandaj edhe vuri drejtor një person “ideal” për spektaklet. Thelbi i atij projekt ligji ishte shkëputja e godinave teatrore nga trupat artistike rezidente, dhe rezistenca jonë i preu dorën makute ish ministrit.

Nuk kam qenë dhe nuk jam kundër restaurimit të TOB, por Rama, pasi dështoi atje, po e përdor restaurimin si propagandë për “justifikimin” e rrafshimit të Teatrit.

Dhe ju, vetë, u bëtë dëshmitarë të injorimit që ai u bëri artistëve me “inagurimin” e restaurimit, Edi Rama qartë ju tha artistëve: “Nuk kam nevojë për ju sa të kem Ballat, Pallat dhe Spiropallat.” Jam i sigurt që artistët dinjitozë të Operës, orkestra, kori, por edhe solistët do të dinë që në mënyrë qytetare dhe artistike do të dinë si ti përgjigjen këtij sharlatani. Sa për mospërkrahjen e aktorëve të teatrit nuk është e vërtetë, aty me ne kanë qenë i paharruari Vangjush Furxhi, Mirush Kabashi të cilit me zemër i uroj shërim të shpejtë, Agim Qirjaqi, Kastriot Çipi dhe shumë të tjerë. Këtu flitet për dy rezistenca, me të njëjtin qëllim, por në kohë të ndryshme të cilat përcaktojnë edhe rezultatin: a) Në 2000 Edi Rama nuk ishte aq i fuqishëm dhe PS – ja nuk ishte kthyer akoma në një sekt kriminal si sot. Në ndryshimin e Ligjit ne patëm përkrahjen e shumë deputetëve socialistë si kompozitori Limos Dizdari, Gramoz Ruci dhe të vet ish kryetarit Fatos Nano. b) Nga vetë struktura TOB ka më shumë trupa homogjene si orkestra, kori, trupa e baletit që janë më të bashkuar, ndërsa solistët barazohen me aktorët për nga individualiteti, cmira dhe kultura e të vepruarit në komunitet. c) Krahasuar me sot ne nuk kishim në dispozicionin mjete sociale, që nga një anë ishte avatazh sepse njerėzit ishin më të prirur të ishin prezent në shesh sa të mjaftoheshin me një koment në Facebook, apo të kishte keqkuptime dhe sharje publike. d) Kohëzgjatja e protestës tonë ishte 4 muaj deri në finalizim të ndryshimit të Projektligjit. e) Duke e njohur dinakërinë e Edi Ramës, ne nuk lejuam që në protestën tonë të përzihej asnjë parti dhe politikan dhe kërkuam që përkrahjen e tyre ta shpehnin nga parlamenti ose selitë e tyre, ndryshe ne do të ishim përçarë. Partitë e opozitës është normale të përfitojnë nga pakënaqësitë e qytetarëve dhe i kanë të gjitha mjetet për të përkrahur kauzat e drejta por pjesëmarrja direkt e liderve politikë rrudh pjesëmarrjen dhe zbeh vetëveprimin qytetar. f) Në protestën tonë çdo gjë ishte e hapur dhe e konsultuar me të gjithë protestuesit, unë si kryetar isha thjesht një zëdhënës i mendimit dhe vendimeve të marra sëbashku. Ne e dinim që kishim edhe spiunë edhe provokatorë midis nesh por ne nuk u morëm me ta, as me ata që kishim kundër, por përqëndruam gjithë energjitë tek ndryshimi i Ligjit i cili i hoqi të drejtën Edi Ramës të ndryshonte destinacionin, aq më pak ti rrafshonte godinat teatrore në gjithë territorin e Republikës. Dhe pas ndryshimit, ai Edi nuk pati më interes për ligjin dhe sa ishte ministër kulture nuk e vuri në zbatim.

-Kujtoj se juve iu pushuan nga puna, bashkë me pesë artistë të tjerë, e njëjta drejtuese si edhe sot. Cila është e vërteta juaj?

– Këtu ka vetëm një të vërtetë : Pas gjithë tentativave të pasukseshme të Ramës për të shantazhuar, përçarë dhe blerë artistët përfaqësues të asaj proteste aq civile dhe paqësore ai do vinte tek përdorimi i shtetit, pushimin nga puna të artistëve elitarë si Fatos Jaho, Besnik Doshlani, Ilir Mërtiri, Suzana Turku, Edmond Tullumani, Alban Zadeja etj. Ish dhe është drejtoresha e TOB, si gjithë të emëruarit e Ramës janë vetëm vegla qorre, pa dinjitet, personalitet, kulturë, që ashtu si Rama e kanë ndërtuar rrugën e “suksesit” mbi skandalet dhe shkeljen me këmbë të çdo vlere, duke lënë pas tokë të djegur që prodhon përbindsha të sojit të tyre. Ne kurrë nuk e quajtëm veten “viktima” që të prisnim mëshirë apo shpërblim, ne kurrë nuk i thamë vetes “heronj” që të prisnim poste apo temenara. Ne e filluam dhe e mbaruam protestën si artistë-qytetarë të bindur se po mbronim një pasuri kombëtare ndërtuar nga paraardhësit tanë dhe do t’ju shërbejnë edhe brezave të ardhshëm. Shumë nga ata që na kanë “sulmuar” e “denigruar” atëkohë, ju deshën 20 vjet të kuptonin se kush është Edi Rama i vërtetë, edhe pse i paralajmëruam se ai është shumë i rrezikshëm po të ketë më shumë pushtet. Megjithatë ne jemi përkrah kujtdo që lufton kundër kësaj lubie – mostër që ka asfiksuar shtetin, ka mbytur lirinë.

-Ju jeni përballur drejtpërdrejt me kryeministrin shqiptar. Kam qenë dëshmitare, kur ishit në grevë urie, më keni kaluar një telefonatë, për ta dëgjuar me veshët e mi, se çfarë kërcënimesh merrnit, të adresuar nga ministrit i athershëm i kulturës, sot Rama kryeministër. Nëse e kuptoni, nga kjo përvojë po ju kërkoj një profil të kryeministrit tonë, në përballjen e tij me kulturën, institucionet dhe ligjet?

Ne, jo me pasionin e artistit por me përgjegjshmërinë e qytetarit, kërkonim që projektligji të kthehej për shqyrtim dhe diskutim edhe me artistët, ose grupet e interesit, dhe kurrë nuk kemi qenë kundër reformave, përkundrazi, ndryshe nga administratorët e emëruar, duke e konsideruar shtëpinë e operas si shtëpinë tonë, kishim kryer studime dhe ishim gati të përballeshim me hartuesit e atij projektligji. Ja një detaj nga debati i zhvilluar me Edi Ramën në ministri në tetor 1999 ku pas protest-koncertit të parë ai thirri me urgjencë gjithë kupolën drejtuese të TOB jo për tu konsultuar për zgjidhjen e krizës por për të kërcënuar me pushime nga puna :

  1. R: Bujar futi njerëzit në punë ndryshe do të shkarkoj. (isha drejtor artistik).

Unë: E para, ata artistë nuk janë nën urdhërat e mia por kanë një sindikatë që vendos dhe unë respektoj vendimet e tyre, por më e mira do të ishte që të dialogohet për ta zgjidhur këtë ngërç dhe si fillim tërheqja e projektligjit do të çtensiononte situatën. E dyta, unë jam drejtor artistik i zgjedhur, jo i emëruar, kështu që nuk mund të shkarkohem nga ju por nga ata që më kanë zgjedhur. Kurse për projektligjin duam të debatojmë me grupin që e ka hartuar.

  1. R: Nuk ka grup, unë e kam bërë.

Unë:  Që nuk e keni bërë ju për këtë jam i sigurt por, meqënëse themi “ta bėjmë Shqipërinë si gjithë Europa” a mund të thoni në cilit model europian i jeni referuar, atij Anglez, Francez, Grek, etj?

  1. R: S’ka lidhje, Shqipëria nuk është si ato vende.

Unë:  E di që Shqipëria nuk është si Europa, por a nuk do të ishte rrugë më e shkurtër drejt Europës sikur të vendosim ligjet dhe normat e saj dhe të përpiqemi  të ecim në atë rrugë?

-Mbaj mend se në atë kohë për ju, mediat e huaja shkruanin për talentin tuaj: “burri i madh, i vogël” duke pasur parasysh respektin që kishin si dirigjent, ndërsa këtu denigrim total, pse ndodh kjo në Shqipëri, keni reflektuar?

– Faleminderit për komplimentat, i vlerësoj, por unë në përgjithësi jam indiferent dhe shpesh dyshues ndaj tyre sepse nuk jetoj për ato, përkundrazi, njohja e vetvetes dhe përpjekjet e përditshme për të mësuar nga historia, nga gabimet e mia dhe po ashtu nga im bir, pra e ardhmja, më bën që mos shikoj të sotmen me kokën mbrapa, të jetoj në harmoni me të tashmen dhe të mos bëhem pengesë për të ardhmen. Kur shkoj në fshat fle tek dhoma e prindërve të mi, fatmirësisht, vëllai i vogël kur rinovoi shtëpinë, atë dhomë e la të paprekur. Aty unë kujtoj edhe fjalët e embëla, edhe përkëdheljet e prindërve, sakrificat e tyre për të na ushqyer dhe shkolluar,  prapësitë e mia, por edhe dajakun e padrejtë nga im atë, që, megjithë respektin për ndershmërinë, drejtësinë,etj virtyte të tij, unë nuk u pajtova kurrë as me justifikimin se “ashtu ishte koha” apo se ” ai dru të bëri më të mirë”. Shoqëria shqiptare është e dhunshme sepse vazhdon të dhunohet në familje, në shkollë, nga institucionet dhe përfaqësuesit e shtetit. Rrjedhimisht do të ketë reagime të dhunshme dhe “të dhunuarit” e kërkojnë “shpëtimin” tek “heronjtë” e fortë, brutalë, gojështhurur, etj. Kur lëvizjet qytetare dhe shqiptarët do të ndjejnë nevojën të udhëhiqen nga dituria, qytetaria dhe ndershmëria atëhere ka shpresë për të ardhmen.

-Protesta e atëhershme ka qenë arsyeja që ikët nga Shqipëria? Dolët pa punë por di që ajo situatë ju keqësoi edhe shëndetin…

– E vërteta është që edhe pse mbeta pa punë për më shumë se një vit, mbijetova falë mbështetjes së miqve për të cilët nuk më mjaftojnë fjalët e falenderimit dhe të mirënjohjes. Por unë nuk u largova nga ajo arësye, por në jetë vjen një moment që duhet të zgjedhësh midis karrierës dhe familjes, unë zgjodha këtë të dytën.

-Po të ishim në një vend normal, mendoni se për “sjellje të tilla politike” si e pushtetarëve tanë do vazhdonin të kishin jetë? Çfarë nuk shkon me shoqërinë tonë sipas jush, individin shqiptar?

Shqiptarët nuk janë as më të mirë as më të këqinj se popujt e tjerë. Ajo që i mungon shoqërisë tonë është kultura e ulët demokratike, e cila në këto 30 vjet duhet të kish qenë përparësi në edukimin e brezave, të ndërtimit të institucioneve të një shteti demokratik në vend të shtetit personal që funksionon sipas humorit, kulturës dhe vullnetit të njëshi.

Por ashtu si socializmin edhe kapitalizmin e bëmë alla-shqiptarçe,” me vesh” i themi ne muzikantët. “Luftë” dhe vetëm “luftë” : luftë klasash, luftë brezash, luftë “komunizmit”, luftë Koronë, luftë Teatrit , etj. Dhe dihet që në luftë vriten “ushtarët”, varfërohet populli, pasurohen kontrabandistët, dekorohen kriminelët dhe drejtojnë Kaçakët.

Dihen viktimat e komunizmit, por nuk janë dënuar persekutorët e tyre që kanë emër dhe mbiemër. Në emër “të paqes” sociale u shpall “të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë” dhe lufta kundër “komunizmit” u bë si lufta e klasave, u drejtua kundër individit, komunistit të thjesht dhe familjarëve, ndërsa shumë persekutorë, sigurimsa e hajdutë u vunë të drejtojnë punët e shtetit dhe të persekutuarit realë u “shpërblyen” me të holla por dinjiteti i tyre akoma është i nëpërkëmbur. Shoqëria shqiptare jo vetëm nuk u pajtua, sepse nuk ka pajtim pa drejtësi ose më e pakta pendesë, por ajo u përça deri në pragun e luftës civile. Pajtim deri më sot kanë bërë vetëm politikanët me njeri tjetrin për të mbuluar zullumet e tyre, natyrisht për hatër të “stabilitetit” skllavërues të popullit. Përkulem me respekt dhe nderim për të gjithë qëndrestarët dhe sakrificat e tyre 27 mujore. Unë shpresoja dhe akoma shpresoj që AMT të kthehet në një lëvizje qytetare për kthimin e Republikës e cila tashmë botërisht ka rënë. Protesta e studentëve aq e bukur, pa patetizma, me fantazi, e freskët ja hoqi maskën, ja pshurri bojën, ja uli brekushet Ramës, një protestë e fuqishme qytetare, ku të bashkohen të gjithë ata që duan lirinë, vendin duhet ti heqi atij pushtetin.

Intevistoi: Violeta Murati

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Magazina e “Nëntorit”
Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: Si u bëra “artist i merituar” në diktaturë
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}