“Kinematë dhe teatrot” – Projektet arkitektonike në Shqipërinë komuniste, (1945-1990) redaktuar nga prof. Karl Kaser nga Universiteti Karl-Franzens në Grac/Austri. Ky botim, – realizuar nga një grup autorësh, si Anjeza Llubani, Gjergj Thomai, Karl Kaser, Anna Bruna Menghini, Renato Rizzi dhe Spartak Bagllamaja, – paraqet një përmbledhje të projekteve arkitektonike të Kinemave dhe Teatrove të realizuara në Shqipëri përgjatë viteve 1945 – 1990. Fokusi kryesor i këtij botim, është paraqitja e evolucionit të një filozofie të arkitekturës së ndërtesave me karakter kulturor në Shqipërinë komuniste, e cila kulmoi me projektimin e Pallatit të Kulturës.
Realizmi socialist si ‘një stil e gjysmë’, duke zënë një pozicion të mesëm midis avangardës moderniste të fillim-shekullit të 20-të dhe eklektiçizmit ironik postmodernist të pjesës së fundit të shekullit…Përndryshe, ajo mund të vijë në ekzistencë si një formë e hershme, embrionale e modernizmit sesa e mëvonëshme; mund të jetë “gjysmë stili” dhe jo vetëm “një stil e gjysmë”. (Raino Isto, 2015) Interpretimet e arkitekturës së shekullit të XX tregon një lidhje të fortë dhe formale midis ideologjisë së shtetit dhe stileve arkitektonike të prodhuara nga arkitektët e asaj epoke. Ka një debat të gjerë mbi zhvillimet e arkitekturës komuniste në vende të ndyshme të Evropës Lindore, nisur nga konteksti historik, roli i përplasjeve ideologjike, dhe ndikimi i stileve dhe lëvizjeve të caktuara kulturore. Për këtë, është e rëndësishme përcaktimi i kujdesshëm i periodizimit, ideologjisë dhe stilit, marrëdhënien midis tyre, dhe se si ato ndikuan dhe përcaktuan identitetin kulturor arkitektonik në vende të ndryshme. Arkitektura e shekullit të XX në Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore njohu tre periudha zhvillimore: periudhën avangarde të viteve 1920, atë neoklasike staliniste nga mesi i viteve 1930 e deri në vitet 1950, dhe modernizmin post-Stalinist nga mesi i viteve 1950 e deri në shpërbërjen e regjmit socialist (Yakushenko, 2016: 3). Lëvizja avangarde e artit dhe arkitekturës e pati zanafillën në Rusinë Sovjetike në vitin 1917, por jehona e saj u përhap edhe në vende të tjera të Lindjes dhe të Perëndimit (veçanërisht në Gjermani) dhe zgjati deri në vitet ‘50.
Avangarda ruse, lëvizja moderne e botës lindore, siguroi pamjet e para të potencialit për arkitekturën komuniste në vitet 1920, por stili më vonë u denoncua si ‘formalizëm borgjez’, dhe pas 1933 u zëvendësua në Bashkimin Sovjetik nga Realizmi Socialist historik.Modernizmi dhe ideologjia e majtë u përkrahën dhe përfaqësuan nga konstruktivizmi në Bashkimin Sovjetik të viteve 1920-30, ndërsa më pas Bashkimi Sovjetik shfaqi një interpretim të kundërtën, ku tashmë Tradita dhe e majta shkonin së bashku e përfaqësuar nga Realizmi Socialist (Åman, 2006: 387-390). Konstruktivizmi ishte një qasje krejt e re e të ndërtuarit të objekteve. Konstruktivizmi zëvëndësoj krijimin artistik me ‘konstruksionin’. Konstruktivizmi synonte të shprehte stilin përmes formave themelore. Objektet duhej të krijoheshin nga një analizë e mirëfilltë e materialeve dhe formës të cilat të çonin në hartimin e objekteve funksionale dhe jo shprehive artistike. Konstruktivizmi kërkonte një analizë teknike të kujdesshme të materialeve dhe sjelljes së tyre dhe jo shndërrimin artistik të materialeve bazë në diçka të bukur. Konstruktivistët synuan të ndërtojnë dhe t’i shërbejnë shoqërisë së re komuniste, ku punonjësit e kulturës së bashku me shkencëtarët të ishin në kërkim të zgjidhjeve të problemeve të kohës përmes dhënies së ideve që mund të viheshin në përdorim për një prodhimin masiv. Lëvizja konstruktiviste, ose faza e njohur si Produktivizëm, solli edhe kalimin e arkitektit nga studioja në fabrikë. Arkitektët konstruktivist synonin të ngulitnin avangardën dhe modernen në jetën e përditshme, duke ndërtuar hapësira në të cilat mund të arrihet utopia e re komuniste.
Kjo çoi në krijimin e projekteve utilitare kryesisht për punëtorët. Nga viti 1927, ata punuan në projekte për Klubet e Punëtorëve, objektet e përbashkëta të kohës së lirë të ndërtuara zakonisht në rrethinat e fabrikave. Kjo tipologji e re arkitektonike dhe urbane përfshinte pallatet dhe shtëpitë e kulturës, klubet e punëtorëve dhe kino-teatrot të cilat mishëronin nocionin e kulturës proletare dhe strehuan një mori aktivitetesh Proletkult-kultitproletar, nga propagandimi dhe agjitacioni anti-fetar te performanca amatore apo spektakle masive (Bokov, 2017: 404).
Ndërsa, realizmi socialist në arkitekturë ishte parimi i ri dhe përcaktohet ‘jo si stil, por si një metodë’. Parimi kryesor i tij ishte ‘asimilim kritik i trashëgimisë’ që nënkuptonte identifikimin dhe çuarjen përpara të atyre elementeve të kulturës tradicionale apo të sistemit estetik të cilat akoma kishin lidhje ideologjike pozitive. Realizmi socialist kishte parim kryesore ‘përmbajtjen socialiste’ dhe ‘formën kombëtare’, parim i cili u eksportua dhe u zbatua menjëherë në të gjithë Evropën Lindore. Metoda e realizmit socialist sovjetik u quajt edhe stil i proletariatit, pasi kombinon imazhin artistik me ideologjinë komuniste. Studiuesit kanë hequr paralele të karakteristikave të përbashkëta midis kulturës Moderne Avangard dhe Realizmit Socialist, përfshi mospërfilljen ngaj tregut, dëshirën për të transformuar dhe jo thjesht për të përfaqësuar jetën, epoka e dallimit epistemologjik midis artit të lartë dhe të ulët, si dhe besimin në një vizion të vetëm, gjithëpërfshirës (totalist) artistik (Siegelbaum, 1999: 84). Gjithsesi, qëllimi i bërjes së formës ti shërbejë funksionimit – krijimit të Njeriut të Ri ishte qartë në të dy rastet, si në parimin e Realismit Socialist ashtu edhe në stilin Konstruktivist. Për më tepër, gjatë periudhës së komunizmit, arti i realizmit socialist si dhe ai i modernizmit (socialist), duhet të kishte ‘formën kombëtare dhe përmbajtjen socialiste (Isto, 2016). Arkitektët e Evropës Lindore, shumë prej tyre të cilët ishin trajnuar dhe praktikuar si modernistë në periudhën midis luftërave botërore, u përballën me një krizë të ngjashme kur presioni i ngritur në fund të viteve 1940 për të përqafuar parimet e Realizmit Socialist për të simbolizuar lidhjet e reja të vendeve të tyre me Bashkimin Sovjetik. Sidoqoftë, domosdoshmëria për të punuar nën parimet e Realismit Socialist dhe stilit neoklasik stalinist ishte jetëshkurtër. Pas vdekjes së Stalinit, në vitin 1955 filloi ajo që u quajt ‘likuidimi i ekzagjerimeve në ndërtesa dhe ndërtime’ dhe arkitektura moderne u rikthye në ndërtimin e banesave në një shkallë të madhe industriale, e ndjekur më pas nga lloje të ndryshme të ndërtesave publike (Åman, 2006: 393).
Në Shqipëri, nuk kemi një traditë të veçantë apo vazhdimësi të lëvizjeve kulturore apo stileve arkitektonike tonat, në fakt ne diskutojmë për shfaqjen e prirjeve, stileve, dhe ideologjive në një periudhë dhe kontekst të caktuar historik dhe si ato shpërndahen, përshtaten dhe marrin formë në një rast konkret si p.sh. kinematë dhe teatrot në Shqipëri. Për këtë lind nevoja, të kuptojmë lëvizjet artistike (Realismi Socialist dhe Modernizmi), stilet (neoklasicizmi –konstruktivizmi) dhe marrëdhëniet e tyre të cilat ndikuan arkitekturën shqiptare. Në rastin e Shqipërisë, në veçanti, modernizmi është i mëvonshëm, ai vjen në dekadat e fundshekullit të 20-të dhe u kultivua në vazhdën e realizmit socialist, ndaj dhe mund të konsiderohet si ‘gjysëm-stil’ (Isto, 2015). Realizmi socialist në Shqipëri, për aq kohë sa kërkonte të transformonte jetën nëpërmjet dhe sipas artit ka patur një frymë avant-gardë, dhe për aq kohë sa ka zhvilluar ndërgjegjjen historike të arteve pamore ka nota modernizmi (Isto, 2016). Në arkitekturën e viteve 1945-1990 në Shqipëri kryesisht kemi ndikimin sovjetik, manifestimeve të Realizmit Socialist si dhe nota të Modernizmit.
Arkitektura e Kinemasë dhe Teatrit komunist
Teatri, radioja, kinemaja t’i shërbejnë propagandës sonë dhe të zhvillohen në mënyrë që të lartësojnë nivelin kultural të masave punonjëse. Shtëpitë e kulturës të shumëzohen, por të organizohen si qendra për të përhapur kulturën dhe jo si janë sot…Masat punonjëse kanë nevojë për çlodhje dhe ta gëzojnë jetën. Ne duhet të mendojmë për dëfrimin e tyre. Ky duhet t’i shërbejë lartësimit kultural dhe shëndetit të tyre. Prandaj parulla duhet të jetë sot: më pak pijetore, më pak kafene dhe më shumë klube kulturale, më shumë teatro, më shumë shoqëri dhe fusha sportive. (Nga Konkluzionet dhe Vendimet e Plenumit V të KQ të PKSH, 21 shkurt 1946, (I. i S.M.L, 1971, 346). Ky botim paraqet një përmbledhje të projekteve arkitektonike të Kinemave dhe Teatrove të realizuara në Shqipëri përgjatë viteve 1945 – 1990. Fokusi kryesor i këtij botim, është paraqitja e evolucionit të një filozofie të arkitekturës së ndërtesave me karakter kulturor në Shqipërinë komuniste, e cila kulmon me projektimin e Pallatit të Kulturës. Gjatë shekullit të XIX, me rritjen e rëndësisë të jetës shoqërore komunitare, institucionet kulturore në të gjithë Evropën kishin një funksion gjithëpërfshirës, në ndryshim kjo nga shekujt e mëparshëm ku çdo ndërtesë kulturore projektohej veçmas sipas interesit, qëllimit dhe nevojës specifike që kërkonte zhanri dhe ngjarja kulturore p.sh. veçmas teatro, kinema, biblioteka, apo salla koncertesh (Chovancová, 2018: 14). Këto struktura të reja që do të përfshinin në një godinë të vetme të gjitha llojet e aktiviteteve argëtuese dhe kulturore u krijuan të tilla për të pasur hapësirë për përdorime të shumfishta. Arkitektura e Kinemasë dhe Teatrit komunist në bllokun lindor, e influencuar nga konstruktivizmi dhe realizmi socialist, ka një shtrirje në konceptin e kino-klubeve, kino-teatrove, shtëpive të kulturës dhe duke kulmuar me pallatet e kulturës të cilat prezantojnë jo vetëm një pamje të re mbi kinemanë dhe teatrin por edhe simbolikën e pushtetit të rendit të ri shoqëror. Këto ndërtesa të hapësirës sociale ‘të kultit të masës’ do të zëvëndësonin objektet argëtuese dhe fetare, në disa raste duke i konvertuar dhe adaptuar ato dhe në raste të tjera duke ndërtuar vëllime të reja hapësinore me funksion çlodhjen dhe argëtimin e klasës punëtore pas një dite pune. Shtëpitë dhe klubet e kulturës së komunizmit në bllokun Lindor ishin hapësira publike për të përfshirë punëtorët në aktivitete të ndryshme social-kulturore në kohën e tyre të lirë, ashtu si Dopolavoro (pas punës) e Italisë fashiste dhe Kraft durch Freude (fuqia përmes dëfrimit) e Gjermanisë naziste (Siegelbaum, 1999: 78-79).