Për herë të parë që nga perurimi, më 28 tetor 1981, Muzeu Historik Kombëtar, institucioni muzeor më i madh në Shqipëri, qëndron i mbyllur me kompensata. “Nuk ka qenë në këtë gjendje as në trazirat e vitit 1997”, shkruajnë të shqetësuar Forumi për Mbrotjen e Trashëgimisë, që vë alarmin në këtë reagim, ndoshta me të drejtë, shoqëruar me dyshime se çfarë do të ndodhë. Protesta e të rinjve në shenjë revolte ndaj vrasjes së të riut Klodian Rasha, që u qëllua me plumb pas shpine, nga një efektiv policie, nuk kurseu zemërimin e tyre as institucionet në qendër të Tiranës. Bibliotekës Kombëtar iu thyen disa xhama, po ashtu dhe nga fasada e Operas, si dhe Muzeu Historik. Mjaft e harruan protestën, dhe vdekjen e të riut, duke thënë se këto “thyerje xhamash” nuk duhej të ndodhnin, dhe se ishte hera e parë që protestuesit e shfrynin dufin mbi institucionet e kulturës. Mjaft u përpoqën për ta shpjeguar se çfarë qe ky zemërim, në këtë formë? Asnjë sociolog  nuk ka folur për këtë. Duke ia lënë gjykimin e lirë mediave, u duk sikur xhamat e thyer nga kanë dëmtuar imazhin, atë kulturor. Por, në fakt çfarë fshihet pas këtij zemërimi me gjasë mbajnë një faktor shumë të madh, mjedisi kulturor se si rriten e ushqehen të rinjtë, nga një anë. Në anën tjetër, mjaft dyshime shkojnë për mënyrën se si qeveria i sheh institucionet e kulturës. Në fakt, këta muaj kanë treguar se nuk i sheh fare, madje dita ditës ekzistenca e tyre sa vjen e po shuhet. Mungesa e një kuptimi të tillë, është afria më e madhe që mund të justifikojnë atë grup të rinjsh që shfrynë zemërimin e tyre duke goditur me gur xhamat e institucioneve të kulturës në qendër.

Duke parë se si ka reaguar qeveria ndaj këtyre dëmtimeve bindemi se interesi për këto vende të kulturës është zero. Më shpejt u ngrit në këmbë, dhe u bë siç ishte pema e vitit të ri, në mes të sheshit, se sa të ishin vënë skelat në fasadat e institucioneve të kulturës, dhe brenda 24 orëve të ishin riparuar dëmtimet.

Nëse do ishte ky reagim qeveritar, dhe sensibilitet i duhur, atëhere nuk do t’ju jepej asnjë konotacion veprimeve “huligane” të të rinjve.

Kompensatat që kanë bllokuar hyrjen, dhe gjithë fasadën e Muzeut Historik Kombëtar të lë një imazh të trishtuar se sa indiferencë të madh ka qeveria. Kujtojme se godina e “Muzeut Historik Kombëtar” zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve.

Pavijoni i Lashtësisë konsiderohet një nga pavionet më të rëndësishme, me afro 400 objekte që vijnë nga epoka e bronzit. Kryevepër e padiskutueshme e sallave të këtij pavioni është mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, që daton në shek. IV para Krishtit, dhe është punuar me gurë zalli të formave të ndryshme. “Dea e Butrintit” është gjithashtu një nga objektet më të njohura të zbuluara në Shqipëri, ku arti klasik vjen përmes gjithë shkëlqimit të vet.

Pavijoni i Mesjetës ka dy salla, ku vizitorët njihen me organizimin dhe zhvillimin e jetës shoqërore nga shek. VI deri në XV-të. Nga ekspozita e kësaj periudhe spikat Epitafi i Gllavenicës i shek. XIV,  qëndisur me fije ari në mëndafsh nga murgu Savia me porosi të Gjergj Arianitit. Disa objekte të tjera që do të hasni këtu përfshijnë prodhimet artizanale, monedha të principatave shqiptare, stemat arbërore etj. Pavioni i Rilindjes Kombëtare është fare pranë pavionit të Pavarësisë, dhe dëshmojnë periudhën e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe atë të shpalljes së Shqipërisë shtet në vitin 1912.

Pavioni i Ikonografisë me një koleksion prej 65 ikonash të shek. XIV-XIX, është i përfaqësuar nga mjeshtrit e artit fetar të pikturimit si Onufri, i biri Nikolla, Onufër Qiprioti, Kostandin Shpataraku, David Selenicasi, Kostandin e Athanas Zografin etj. Një tjetër pavion i rëndësishëm është ai i Etnografisë me mbi 250 objekte, apo ai i Luftës së Dytë Botërore. Janë 200 relike të dëshmorëve apo të rënëve të luftës, që plotësojnë më së miri Pavionin e Luftës Antifashiste. Së fundmi, në muze do të mund të shihni dhe një nga pavionet më të rinj, atë të Genocidit Komunist, me ngjarje nga ’44-’91, që mban mbi 130 objekte, dhe që shërben si një dokumentim i një periudhe të errët që nuk duhet të rikthehet kurrë më. arteka.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Ndërtesa që na rrëfejnë diktaturën
Modernizmi dhe realizmi socialist ose, kontruktivizmi dhe neo- klasicizmi
Në “Tempull” të gazetares Anisa Ymeri/ Kafja e Madhe në Shkodër u shemb!
Kafja e Madhe – Tokë e zanë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}