Akademia e Studimeve Albanologjike ka ndarë, javën që shkoi, çmimet e karrierës në Albanologji për 14 studiues që tërhiqen nga karriera aktive akademike. Ata janë studiues të historisë, gjuhësisë dhe letërsisë, arkeologjisë, antropologjisë dhe arteve, si Ana Lalaj, Pëllumb Xhufi, Shpresa Gjongecaj, Ferid Hudhri, Josif Papagjoni, Klara Kodra etj.. të cilët kanë dhënë kontributin e tyre profesional në disa dekada, duke përfshirë të dy sistemet.
Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson akad. prof. dr. Pëllumb Xhufi “për kontribute të shquara në fushën e Historisë së Mesjetës të Trojeve Shqiptare”.
Akademik Pëllumb Xhufi ka filluar studimet klasike për latinisht e greqishte të vjetër në gjimnazin e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Studimet e larta për Letra Klasike i ka kryer në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Është thelluar në studimet për histori e filologji mesjetare e bizantine në Greqi (1981), Gjermani (1991-1992), Austri (1992). Është autor e bashkautor i Historisë së Shqipërisë (Mesjeta), Statutet e Shkodrës, Dilemat e Arbërit, Nga Paleologët te Muzakajt, Ikje nga Bizanti, L’Albania veneta, Çamëria – një vështrim historik e etnokulturor, Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII si dhe i një numri të madh punimesh e artikujsh të botuar në periodikë shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2017 Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka vlerësuar me çmimin “Çabej” për shkencat albanologjike.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Fatmira Musaj “për kontribute të shquara në ndriçimin e historisë së shqiptarëve përgjatë viteve 1912-1939”.
Profesore Fatmira Musaj ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega Histori-Gjeografi. Nga 1979 ka qenë studiuese në Institutin e Historisë, e fokusuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe atë të Pavarësisë e Konsolidimit të Shtetit Shqiptar. Autore e monografive: Isa Boletini 1864-1916, Gruaja në Shqipëri 1912-1939, Republika Shqiptare 1925-1928, si dhe e një numri të madh artikujsh, botuar në periodikë shkencore, brenda e jashtë vendit. Bashkautore në studimin me karakter sintetik Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëllimi II dhe III. Pjesëmarrëse në mjaft konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si dhe pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji. Në vitin 2019 u nderua me “Çmimin e Albanologjisë”, akorduar nga Akademia e Studimeve Albanologjike.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Ana Lalaj “për kontribute të shquara në fushën e historisë bashkëkohore të Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Ana Lalaj është historiane e njohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Prof. Lalaj ka qenë studiuese në Institutit e Historisë prej vitit 1979, si dhe pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës që prej vitit 1990. Për 8 vite prof. Lalaj ka mbajtur postin e drejtoreshës së Institutit të Historisë. Gjatë karrierës së saj, ajo ka kryer një sërë specializimesh dhe kërkimesh arkivore në SHBA, Britaninë e Madhe, Austri, Norvegji, Hungari, Bullgari, Poloni, Greqi etj. Autore e një sërë punimesh monografike, përmbledhjesh studimesh, artikujsh studimorë të botuar dhe të vlerësuar si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Pjesëmarrëse në shumë aktivitete shkencore në hapësirat mbarëshqiptare dhe ato ndërkombëtare. Fusha studimore e prof. Lalaj përfshin historinë politike, diplomatike e juridike të Shqipërisë dhe Kosovës për periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Ajo është intelektuale dhe historiane kurajoze me kontribute të veçanta në rishkrimin e historisë dhe përgatitjen e studiuesve të rinj. Në vitin 2017 i është akorduar nga Presidenti i Republikës titulli “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Ilirjan Gjipali “për kontributin e vyer në identifikimin, gërmimin dhe studimin e shumë vendbanimeve të periudhës së neolitit, për ndihmesën e madhe në fushën e studimeve muzeologjike, si dhe për kontributin në procesin e mësidhënies dhe formimit të brezave të rinj të arkeologëve”. Ilirjan Gjipali (1949), midis viteve 1977-2015, ka marrë pjesë ose ka drejtuar projekte kërkimore të rëndësishme në vendbanimin neolitik të Rajcës në Librazhd, në Via Egnatia, në Butrint, në Shpellën e Himarës, në Tumën e Kamenicës, në Shpellën e Rezës së Kanalit në Karaburun, në vendbanimin neolitik – Bisht Pallë, në Luginën e Vjosës dhe Langaricës etj.. Ai është autor i monografive “Vendbanimet neolitike në Rrethin e Librazhdit”, “Epoka e Gurit dhe Shqipëria” dhe i shumë artikujve në revista e periodikë shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
Profesor Gjipali ka organizuar dhe drejtuar ngritjen e disa ekspozitave dhe muzeve arkeologjikë në Shqipëri dhe jashtë saj. Për një kohë të gjatë ka dhënë mësim në Fakultetin e Historisë e Filologjisë dhe më vonë në Shkollën doktorale të QSA-së (MA dhe PhD).
Ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, i ICOM-it (International Council of Museum), i Bordit Ndërkombëtar të ICOM SEE (South East Europe), i Forumit Ndërkombëtar të çmimeve për Muzetë.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof.dr. Dhimitër Çondi “për kontributin e vyer në njohjen dhe studimin e rajonit të Kaonisë antike, duke realizuar gërmime dhe kërkime afatgjata në shumë qendra të rëndësishme të këtij territori, si Antigone, Butrint, Foinike”.
Profesor Çondi (1951) është mjeshtër kërkimesh në banesat e fortifikuara – Vila në Kaoni. Ai ka drejtuar për një kohë të gjatë Departamentin Arkeologjik në Butrint dhe Muzeun Arkeologjik të Butrintit. Prej vitit 1982 ka qenë punonjës shkencor në Departamentin e Antikitetit Ilir.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof.dr. Shpresa Gjongecaj “për kontributin e vyer në studimet mbi numizmatikën, me impakt kombëtar e ndërkombëtar, për bashkëthemelimin dhe bashkëdrejtimin e kërkimeve shqiptaro-italiane në Foinike dhe për kontributin në procesin e mësimdhënies dhe formimit të brezave të rinj të arkeologëve”.
Shpresa Gjongecaj (1951) e ka filluar karrierën në fushën e arkeologjisë në vitin 1974 duke u specializuar në Numizmatikë. Ka marrë pjesë në gërmimet arkeologjike të kryera në qendrat antike si Apolloni, Butrint, Foinike, Antigone etj. Ka dhënë dhe vazhdon të japë leksionet e Numizmatikës në Universitetin e Tiranës për vitin e dytë Bachelor në degën e Arkeologjisë dhe në vitin e dytë Master në degën e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë, si dhe kurse për specializime të ngushta. Ka dhënë leksione dhe seminare për nivelin post-doktoraturë në Univeritetin Paris IV- Sorbone, profesore e ftuar gjatë muajve nëntor-dhjetor 2008.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Ludmila Buxheli “për kontribute të shquara në fushën e gramatikës”.
Ludmila Buxheli është e specializuar në fushën e gramatikës së gjuhës shqipe me profilizim më të ngushtë në fushën e fjalëformimit, të morfologjisë e të morfosintaksës. Ajo ka botuar monografitë Modelet e caktimit rasor në gjuhën e sotme shqipe, Formimi i foljeve në gjuhën e sotme shqipe, Fjalët e përngjitura në gjuhën shqipe, Foljet njëvetore në gjuhën shqipe, si edhe tekste mësimore, botime me bashkautorësi etj. Prof. Buxheli ka dhe një veprimtari gjurmëlënëse në mësimdhënie, në Universitetin e Tiranës dhe në shkollën masteriale pranë QSA me kurset e saj të morfologjisë, morfologjisë teorike e sintaksës, si dhe me udhëheqje doktoratash. Në vitin 1988 ajo është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të tretë”.
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Klara Kodra “për kontribute të shquara në fushën e letërsisë arbëreshe”.
Klara Kodra (1945) është autore e shumë artikujve dhe punimeve shkencore mbi letërsinë e arbëreshëve të Italisë me specifikë romantizmin dhe tipologjinë e poemës. Ajo ka qenë pjesë e projekteve të bashkëpunimeve ndërinstitucionale me objekt historinë e letërsisë shqipe.
Ka botuar Vepra poetike e Zef Serembes, Poezia e De Radës, Tipologjia e poemës arbëreshe, Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë, Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqiptare etj. Punimi më i fundit monografik i saj titullohet Santori, poet dhe dramaturg.
Ka bashkëpunuar për përpilimin e zërave mbi autorët e letërsisë arbëreshe në dy botime përkatëse të Fjalorit enciklopedik shqiptar (1986; 2009).
- Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof.as.dr. Spiro Gjoni “për kontribute të shquara në fushën e letërsisë shqipe”.
Spiro Gjoni (1957) ka kontribuar në studimet mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare me punimet Shtegtim në jetën dhe veprën e Mitrush Kutelit, Faik Ballanca, paradigmat e një krijimtarie, Tregimi i viteve ‘80, Për Kutelin dhe miq të tjerë të letrave. Ka qenë për shumë vite përgjegjës i Arkivit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe anëtar i redaksisë së revistës Studime filologjike
Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof.dr. Thanas Feka “për kontribute të shquara në fushën e leksikografisë”.
Thanas Feka ka kontribuar si bashkëhartues në gjithë fjalorët kombëtarë shpjegues të shqipes si Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Fjalori i shqipes së sotme, Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe, po edhe për Fjalorin shumëvëllimësh të gjuhës shqipe (vëllimi II, III) në dorëshkrim në kartotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndihmesë tjetër e rëndësishme është edhe puna për pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes dhe shkencorizimin e saj. Janë vjelë mijëra faqe librash dhe janë bërë mjaft ekspedita leksikologjike në të katër anët e vendit.
Profesor Feka ka shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh në revista të specializuara brenda dhe jashtë vendit. Si mësimdhënës në Universitetin e Tiranës dhe në shkollën doktorale dhe masteriale pranë QSA-së ai ka qenë i angazhuar në kurset e leksikologjisë dhe semantikës.
Është anëtar i shoqatës shkencore europiane të leksikografëve EUROALEX që nga viti 1993. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të tretë”.
Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof.dr. Josif Papagjoni “për kontributin e vyer në fushën e studimeve të teatrit dhe kinematografisë”.
Josif Papagjoni (1950) ka kontribuar në fushën e studimeve mbi teatrin, kinematografinë, estetikën dhe letërsinë. Prej vitit 1987 ai ka qenë punonjës shkencor në Qendrën e Studimeve të Artit të Akademisë së Shkencave e deri vonë në Departamentin e Arteve në IAKSA.
Ka ligjëruar në Universitetin e Arteve prej vitit 1972 me lëndët Dramatologji, Estetikë, Historia e Teatrit Shqiptar dhe Estetika e Artit, edhe në Universitetin e Prishtinës.
Ka drejtuar revistën shkencore Studime mbi Artin, organ i IAKSA-së dhe ka qenë përgjegjës i redaksisë së kulturës dhe arteve për Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH). Është hartues dhe drejtues i projektit kombëtar “Enciklopedia e Artit Shqiptar” me dy vëllime. Është autor i mjaft librave studimorë dhe i artikujve të shumë.
Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof.dr. Ferit Hudhri “për kontributin e vyer në fushën studimit të arteve pamore”.
Ferid Hudhri (1949) është specializuar për Histori Arti në Muzeun e Luvrit, më 1990 dhe në Universitetin e Europës Qendrore (CEU), në Pragë (1994-1995). Midis viteve 1986-2017 ka qenë punonjës shkencor pranë Qendrës së Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, e më vonë pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Prof. Hurdhri është autor i disa veprave të suksesshme si Shqipëria në veprat e piktorëve të huaj, Arti i Rilindjes Shqiptare, Shqipëria nëpërmjet artistëve, Shqiptarët në Artin Botëror.
Autor i shumë artikujve në revista shkencore, brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Si mësimdhënës ka kontribuar në shkollë doktorale “Etnologji-Folklor” dhe në institucione të tjera universitare.
Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Miaser Dibra “për kontributin e spikatur në fushën e folkloristikës”.
Miaser Dibra (1951) ka një eksperiencë 35-vjeçare si mësimdhënëse dhe studiuese në institucione akademike. Autore e monografive individuale dhe librave me bashkautorësi. Për një periudhë 10-vjeçare, ka qenë kryeredaktore e revistës “Kultura popullore” dhe e 5 vëllimeve studimore të IAKSA-së. Fushat themelore të studimit të prof.Dibrës kanë qenë folklori gojor dhe letërsia shqiptare. Ka botuar mjaft artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe ka qenë pjesë e projekteve kombëtare si për shembull për studimin e epikës legjendare, botimin e saj dhe ka mbështetur dosjen për kandidim të kësaj vlere kulturore në UNESCO.
Akademia e Studimeve Albanologjike vlerëson prof. dr. Agron Xhagolli “për kontributin e spikatur në fushën e folkloristikës”.
Agron Xhagolli (1949) midis viteve 1975-2017 ka qenë punonjës shkencor në Institutin e Folklorit, më pas Instituti i Kulturës Popullore, sot IAKSA. Interesat shkencore të tij kanë qenë dhe janë drejtuar mbi historinë dhe brendinë e folklorit dhe folkloristikës shqiptare. Ka kryer ekspedita folklorike në të gjitha rrethet e Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni dhe midis arbëreshëve të Italisë. Ka realizuar, vetë ose me bashkautorë, botimin e nëntë veprave folklorike, dy nga të cilat janë përshirë në korpusin “Trashëgimi kulturore të popullit shqiptar”.
Ka botuar artikuj, përmbledhje studimore, bibliografi të folklorit dhe etnologjisë, në revista shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Pedagog i lëndës së folklorit në degë të ndryshme të Universitetit të Tiranës, Korçës dhe Vlorës.