nga Suadela Balliu
Më shumë sesa prerja e shiritit të një feste, ceremonia e çeljes së edicionit të 23-të të Panairit të Librit i ngjante një përcjellje lamtumire të një forme kremtimi, që pak dihet nëse do të rikthehet më. Njerëzit e librit nuk mungonin. Të pranishëm për fjalë të mira e premtime mbështetje ishin edhe institucionet e qeverisjes, qendrore e vendore. Mungonte libri.
Flitej për ta, ndërsa fizikisht librat ishin tjetërkund. Jo të shkarkuar e të vendosur nëpër stenda si në këto dy dekada e ca, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, por siç do të theksonin botuesit , librat do të jenë si gjithnjë në librari, ose të ekspozuar në faqe online.
Vendndodhja e librave nëpër rafte librarish në kryeqytet, por edhe në rrethe dhe blerja online, flasin për një realitet të vjetër e të ri, por nuk thërrasin për ngjarje kremtuese.
Festa, sipas organizatorëve, do të fokusohet tjetërkund kësaj here e jo tek gëzimi i marrjes së një autografi nga autori i parapëlqyer apo sikleti i zgjedhjes mes morisë së botimeve që ofrohen me çmime të ulura. Kryefjalë do të jenë diskutimet, bisedat, shtjellimi i problematikave të librit apo edhe promovimeve të titujve të rinj, që për herë të parë ndoshta do të dalin nga rrethi i ngushtë i njerëzve të librit për t’u transmetuar jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në ekrane të mëdha LED, të vendosur në disa pika në Tiranë.
E gjitha bërtet futurizëm. Mbërritjen e një kohe ku mbretëron teknologjia e informacionit e megjithëse Shoqata e Botuesve Shqiptarë u përpoq ta përshtaste këtë edicion duke marrë shembull organizimin e Panairit të Librit në Frankfurt, që i kaloi zhvillimet drejt botës virtuale, por pak janë të përgatitur botuesit shqiptarë që jo vetëm ankohen për largim edhe të thellë të lexuesve, rënie të shitjeve, por pak janë të hapur në gamën e produkteve veç atij në letër si audiobooks apo e-books.
Ministria e Kulturës, duke optimiste për atë që e cilëson “ndryshim mendësie”, edhe pse Shoqata e Botuesve Shqiptarë i bëri kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për ta realizuar si çdo vit Panairin e Librit, duke renditur edhe masat e marra të higjienës dhe distancimit fizik, për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
“Ndoshta në fund të kësaj përvoje, do të jetë më mirë”, u shpreh ministrja Margariti, duke shtuar se zhvendosja e veprimtarive të librit “në hapësira librarish, hapësira virtuale, që mund t’i bashkohen më shumë të rinj, e shoh këtë ndryshim mendësie të organizatorëve me pozitivitet dhe i përkrah që të vijojnë gjatë gjithë vitit”.
Ministrja e Kulturës foli për mbështetje dhe hapësira bashkëpunimi me Shoqatën e Botuesve, ndërsa vitin e kaluar kreu i saj Petrit Ymeri ngrinte alarmin se libri ishte në gjendje emergjence dhe kërkoheshin lehtësi fiskale për sektorin. Këtë vit, do të zbulonte Margariti mbështetja ka qenë simbolike përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kreu i botuesve e falënderoi këtë qendër, megjithëse nënvizoi se kishin marrë një ndihmë “me thërrime”.
“Por kur je i uritur”- tha ai, “edhe thërrimet janë shumë të dobishme”. Vite më parë Ymeri ngrinte shqetësimin se bibliotekat e qytetit apo edhe ato të institucioneve arsimore nuk i pasuronin fondet e tyre me botime, ndërsa ironizonte se Bashkia me restaurimin e bibliotekave të lagjeve investonte më shumë në tulla e vetrata, sesa në libra.
Këtë vit, Bashkia e Tiranës është një nga mbështetësit e panairit online të librit, duke përkuar kjo veprimtari në kuadrin e kremtimeve të 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet.
Një mbështetje e mohuar prej shumë vitesh nga Bashkia, e cilësoi Petrit Ymeri, duke shtuar se shpreson që “ky mirëkuptim të hapë rrugën për një bashkëpunim të ri, mes bashkisë dhe botuesve. Kemi shumë punë për të bërë”. Ymeri foli edhe njëherë për nevojën e pasurimit të bibliotekave të lagjeve, për të cilat bashkia ka investuar vitet e fundit dhe nevojën për më shumë librari.
Me të njëjtin ton entuziast si të kryetarit, nënkryetarja Anuela Ristani tha gjatë ceremonisë çelëse se Bashkia Tiranë ka pasur ndër prioritetet për edukimin e brezit të ri, pikërisht leximin, duke krijuar lehtësi në qasjen me librin dhe kulturën.
“Panairi do të zhvillohet në mënyrë më eficiente, me shitjet online. Edhe për librin ishte koha të porosisim e të na vijë në shtëpi. Pavarësisht se nuk mund të jemi në turmën e njerëzve, arrijmë ta kemi aksesin tek botimet cilësore, qoftë për të rriturit ashtu edhe për fëmijët, që janë të limituar në aktivitetet e tyre”, do të shprehej Ristani, e cila përshkroi radhë të gjata në librari para izolimit nga pandemia, ndonëse këto pamje kanë ardhur nga kryeqytete të tjera të Europës dhe jo nga i yni.
Në një intervistë televizive para nisjes së Panairit të Librit, kreu i Shoqatës së Botuesve Ymeri do të thoshte se ky edicion është rezulton të jetë i kushtueshëm – për të siguruar jehonën e tij në rrjetet sociale apo edhe media – dhe sipas tij çelësi për ta hapur këtë derë ishte Bashkia e Tiranës, që për këtë 100 vjetor të kryeqytetit ofroi ekrane LED në sheshe e rrugë për të transmetuar live veprimtaritë e lidhura me këtë edicion.
Ndonëse sipas Ymerit kjo është një shërbesë ndaj leximit, edhe në këto kohë sfiduese, debatet për librin dhe problematikat e tij mbeten shqetësim i një rrethi më të vogël njerëzish të së njëjtës botë e pak ka gjasa të kthehet fjala vjen në një ngjarje të madhe, ku kalimtarët do të ndalen për të ndjekur me kërshëri diskutimet, që do të ofrohen përmes ekraneve në kohë reale.
“Debatet e librit bëhen në rrethe të ngushta, kudo në botë. Mendoni që në këtë vit do të ketë shfaqje në ekrane, në pika kryesore të qytetit të atyre debateve që do të zhvillohen online dhe për herë të parë do të marrin praninë e publikut. Në mënyrë pasive, nuk ka rëndësi. Le të filloje të flitet e pastaj të shohim rezultatet”, do të shprehej përkthyesja Diana Kastrati, kryetarja e jurisë së këtij edicioni të Panairit të Librit, ndërsa solli si shembull panairin me traditë 90 vjeçare të Lisbonës, i organizuar online këtë vit.
Petrit Ymeri solli historikun e Panairit shqiptar të Librit, që zëfilli më 1998-n. Por ai do të kujtonte sesi më herët, më 1992-shin, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ishte realizuar një ekspozitë e librit me shoqatën e botuesve gjermanë.
Shqipëria sapo kishte hyrë në të parin vit të pluralizmit dhe botuesit vinin kryesisht nga shtëpitë botuese shtetërore apo nga shtypi, edhe ai i centralizuar.
Në maj të ’92 themelohet Shoqata e Botuesve Shqiptarë e po atë vit, disa botues morën pjesë për herë të parë në Panairin e Librit në Frankfurt , ku edhe u njohën me nocione të pahasura më parë, ndër tyre edhe e drejta e autorit.
Sipas Ymerit, këtë vit të gjithë botuesit ishin entuziastë për zhvillimin e këtij edicioni online, edhe pse theksoi mungesën e botuesve nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia.
Një nga pikat e forta nga ky edicion, veç shitjeve online me çmime të zbritura, mbeten 60 veprimtaritë, të cilat megjithëse panairi vjen online, do të ketë promovime e vendtakime fizike, në librari, kafe-librari, mjedise universitare apo qendra të vogla të dedikuara kulturës. Një nga debatet kryesore lidhur me problematikat e përkthimit do të zhvillohet në Muzeun Historik, ndërsa ndarja e çmimeve, të dielën e 15 nëntorit, do të organizohet në hollin e hotel “Plaza”. Nisur nga numri i madh i veprimtarive, të shtrira në katër ditë, që do të sjellë edhe mbivendosje në orare, nuk dihet se cilat syresh janë zgjedhur për t’u transmetuar në LED-et e mëdhenj të bashkisë.
Shkrimtari Besnik Mustafaj, i shpallur si autori më i mirë i Panairit 2019, megjithëse nuk ndau entuziazmin e institucioneve vendore e qendrore për këtë edicion, u shpreh me nderim për botuesit që përpiqen të mbajnë gjallë lidhjen e lexuesit me librin, edhe në këto kushte.
“Është vit i vështirë për librin, edhe për shkak të lidhjes së brishtë që ka lexuesi me të, për arsye objektive por edhe të politikës që e ka qeverisur vendin në 30 vite e që nuk ka mundur, ose nuk ka dashur ta vlerësojë librin dhe të gjithë shërbëtorët e librit; botues, librarë distributorët, autorët, që lidhja të jetë në rritje e të mos mbetet konstante e paqëndrueshme”, u shpreh Mustafaj, i cili e sheh këtë mënyrë organizimi online më shumë si në shërbim të së ardhmes. “Nëse mali nuk shkon tek Muhamedi, shkon Muhamedi tek mali. Që libri të shkojë tek lexuesi. Rritja e një brezi që nuk e mendon librarinë dhe librin si institucion të rëndësishëm për jetën e tij individuale është dëm i madh që i bëhet së ardhmes së Shqipërisë”, tha Mustafaj duke cituar poetin e madh Naim Frashëri se “dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”.
Në fund të ceremonisë, që në kushte të tjera do të kishte hapur dyert për lexues, kureshtarë, blerës e autorë (ku ai i Librit ka qenë gjithnjë panairi më i frekuentuar nga qytetarët), thirrja e kreut të botuesve “klikoni, klikoni, klikoni!”, ishte trokitja në një tjetër epokë e ky edicion më shumë sesa ngulmojnë ta quajnë festë, është eksperiment në një rrugë që botuesit shqiptarë pak e njohin e ca më pak e kanë lëvruar deri më tani…(gazeta SI)