Kristoffer Leandoer

Në një shfaqje teatrore në Shqipëri më thonë të thyej qafën, mua personalisht. Pjesa ”The Handke project” vë në pikëpyetje çmimin Nobel të letërsisë, dhënë shkrimtarit Peter Handke – një vendim në të cilin kam pjesë, siç dihet, edhe unë.

Ka gjithmonë një herë të parë. Ndodhem në Teatrin Eksperimental në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Salla është plot, e gjithë Tirana e artit të skenës është e pranishme për të ndjekur pjesën nga Kosova të dramaturgut dhe projektuesit Jeton Neziraj, si edhe ansamblin e përzgjedhur ndërkombëtar që luan në anglisht.

Shfaqja titullohet ”The Handke project” dhe figura e burrit në afishe, i veshur në të zeza, me krahë të bardhë engjëjsh, është një aludim ndaj ”Qielli i Berlinit”, poezia hyrëse e të cilit, ”Këngë për fëmijërinë”, bën pjesë në kolazhin e mbrëmjes me tekste, dëshmi dhe blasfemi. Meqenëse Handke e nisi udhën e vet të famës me pjesën ”Fyerje publikut”, nuk ka më të përshtatshme se sa një hyrje e tillë flakëruese, ku publiku hetohet me ngritje dore për simpatitë politike e letrare dhe lutet të largohet nga salla nëse është racist, seksist, mohues gjenocidi, ose nëse ka lexuar diçka nga Peter Handke. (Unë nuk luaj nga vendi, rrenacak deri në fund.)

Shpërndahen kafe dhe anketa me pyetje për publikun. Mandej tregohet historia e gjenocidit në Bosnjë, një përmbledhje e shkurtër e udhës letrare të Handkes deri në daljen zot të Serbisë, çfarë ka thënë dhe shkruar për këtë temë, varrimi i Millosheviçit zë një vend qendror, si dhe çështja e marrjes së çmimit Nobel në letërsi. (Pjesa përcjell në vija trashanike çështjen e Forumit dhe krizën e Akademisë Suedeze, me tezën vijuese: cila është mënyra më e mirë për të maskuar një skandal, përveçse me një skandal tjetër?)

Ka ballonë, pushkë me plumba gome dhe krahë engjëjsh, burra me mantele priftërinjsh dhe me funde. Ka numra varieteje, teatër pllakatash me kontakt publiku një qind për qind dhe një bazë dëshpërimi të sinqertë. Një skenë me aktualitet të madh është kur na mësohet arti i të vënit në pikëpyetje të fakteve historike të pranuara tashmë, në mënyrë që të vihet në diskutim e vërteta.

Në një afishe të shfaqjes, fytyra e fituesit të çmimit Nobel, Peter Handke, shkrihet dhe bëhet një me fytyrën e Sllobodan Millosheviçit. Millosheviç ishte president i Serbisë dhe më përpara i Jugosllavisë.

Është argëtuese mënyra se si përdoret fjala “letrare” si mburojë sa herë që nxjerr kryet ndonjë fakt i pakëndshëm, mburojë e cila nga ana tjetër mbulon një faktor që ”The Handke project” zgjedh ta injorojë, atë që Peter Handke është njëmend një shkrimtar i rëndësishëm, të thuash diçka tjetër është budallallëk.

Por kjo nuk ma prish përjetimin, në asnjë mënyrë. Ja ku jam ulur në plate, në Tiranë, dhe jam dëshmitar i shfaqjes së reagimit të fuqishëm të Ballkanit perëndimor ndaj një vendimi në marrjen e të cilit qeshë pjesë edhe unë. Edhe unë, si anëtar i komitetit të Nobelit të atij viti, përfaqësohem në skenë. Për gati katër vjet kam jetuar mes njerëzish të cilët ky vendim i bëri ta përjetonin të nënvlerësuar traumën e vet kombëtare. Hera e parë që kam folur për letërsi gjatë një gare vrapimi, për shembull, ka qenë gjatë një maratone në Tiranë në vitin 2019, një javë pasi u bë i njohur çmimi i Handkes. (”Where you from? Sweden? Today we HATE Sweden who give Nobel Prize to Holocaust denier!”)

”The Handke project” përfundon si filloi: kërkohet ndihma e publikut. “FUCK YOU” bërtitet me zë të lartë. ”FUCK YOU, komisioni i Nobelit”. Kurrë më përpara nuk më kanë thënë nga një skenë teatri, mua personalisht, të thyej qafën. Por siç e thashë, ka gjithmonë një herë të parë.

Nga gazeta e përditshme qendrore suedeze “Svenska Dagbladet”, 24 prill 2023

Përktheu: Entela Tabaku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: Si u bëra “artist i merituar” në diktaturë
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
“Nëna dhe djali” i Jan Fosse: Të mos humbësh kohën me modesti të rreme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}