Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK), në bashkëpunim me Bibliotekën e Shkodrës, kane organizuar në mjediset e kësaj biblioteke, promovimin e librit “Mollët e vjetit të ri”, me autor Filip Guraziun, botim i ISKK, 2021. Në emër të ISKK, i përfaqësuar në aktivitet nga drejtori ekzekutiv, dhe studiuesit E. Mërtiri dhe Brisejda Lala, foli drejtori ISKK.

Drejtori i ISKK, Çelo Hoxha, e vlerësoi librin si një nga botimet më të veçanta të vitit të kaluar. ISKK ka botuar prej vitesh një numër të konsiderueshëm librash me kujtime nga ish të përndjekurit politikë gjatë regjimit komunist, me synim grumbullimin e materialit informues për format e persekutimit dhe jetën e vështirë nën dhunën e diktaturës. Libri në fjalë ishte i veçantë, sepse ai rrëfen jetën e vështirë të një personi i cili, teknikisht, ishte i lirë. Ai ishte nxënës gjimnazi, sportist, e më vonë një i rritur që punonte si mësues apo ushtronte profesione të tjera, kurdoherë nën ndjekjen e vazhdueshme të policisë së regjimit komunist, Sigurimit të Shtetit.

Ndjekja e tij nga Sigurimi nisi, që kur, ai ishte ende një fëmijë, në gjimnaz; punonjësit e Sigurimit kishin ngarkuar një shoqen e klasës që të survejonte z. Guraziu dhe të informonte ata. Sjellja e shoqes së tij tregon një dimension tjetër të shoqërisë ose individëve të caktuar të saj. Në vend që të raportonte shokun te Sigurimi, vajza minorene zgjodhi t’i tregonte shokut të vet për detyrën që i ishte ngarkuar dhe i kërkoi atij të sillej me kujdes, për të ruajtur veten dhe atë.

#Z. Guraziu i përkiste një familje të goditur nga regjimi, babai i tij u pushkatua më 1951, së bashku me 22 persona të tjerë, dhe ishte e logjikshme që veprimtaria e tij sportive të kufizohej, megjithëse ai ishte një djalë i talentuar. I ndodhur nën presionin e përndjekjes, kur ndodhej në Rumani për një aktivitet sportiv, z. Guraziu rrëfen se u përball me dilemën; mes mundësisë për t’u arratisur, kur e kishte këtë mundësi, dhe kthimit në atdhe, dhe ai zgjodhi të dytën, i nxitur nga dashuria për nënën dhe motrën, të cilat do të persekutoheshin, nëse ai zgjidhte të ishte lirë.

Autori rrëfen me shumë besueshmëri detaje që ilustrojnë faktin se shoqëria komuniste, sado e politizuar dhe e përçarë, nuk ishte bardhë e zi, në mbështetës të regjimit dhe kundërshtarë të tij, ose, më mirë, të anatemuar si klasa të përmbysura që shihen me dyshim, frikë e përbuzje. Palët ndërvepronin me njëra-tjetrën, duke shfaqur fuqinë e humanizmit në shpirtin e shoqërisë, kur u jepej mundësia të vepronin me vullnetin e tyre. Një detaj mjaft interesant është vizita e sekretares së partisë së lagjes në shtëpinë e autorit, së cilës, gjatë qëndrimit, iu desh të shkonte në banjën e familjes, ku, në vend të letrës higjenike, që mungonte, familja pritëse përdorte fletët e veprave të diktatorit. Përkundër frikës së rrëfyesit, ajo nuk e denoncoi kurrë sakriligjenin e familjes Guraziu. Ky libër, në vlerësimin e z. Hoxha, është një dëshmi aspekteve interesante të jetës në diktaturë. Për të pranishmit ISKK dhuroi një sasi librash.

Me poshtë, një fragment nga libri “Mollat e vjetit të ri”, dromca kujtimesh, botim i ISKK:

Rrufeja në natën me yje

Në thellësinë e natës së 22 Shkurtit, të ramet e forta të derës së shtëpisë, ma nxorën gjumin, hapa sytë e mbeta i çuditun… Të tanë ishin të çuem e në lëvizje; mbas pak, baba Pjerin iu afrue derës së jashtme e, me za të fortë, pyeti: -Kush jeni e çka doni, në kët orë të vonë?

Nji za u ndigjue prej jashtë: – Hape derën, jemi Sigurimi i Shtetit, kemi ardhur për kontroll!

Baba vazhdoi: – A asht me ju përfaqësuesi i Këshillit të Lagjes, filani….? Pa praninë e tij, nuk ju hap derën!

Nji za prej jashtë, urdhnoi njerëzit e tij: Urgjent, sillni këtu përfaqësuesin e Këshillit të Lagjes….

Ra heshtje…, baba erdhi me shpejtësi në odën e gjumit dhe lëvizi sintoninë e radios, veprimin e kuptova…( sintonia duhej të ishte te Radio Tirana…!)

Mbas pak u ndie zani i përfaqësuesit të Këshillit të lagjes, e baba hapi derën: Tre njerëz, të veshun me tesha ushtarake, u futen mbrendë. Njani, duket kryetari i grupit, pyeti babën:

-Ti je Pjerin Guraziu?

Dhe pa marrë përgjigje, me za të naltë, i tha:

– ‘Në emër të popullit je i arrestuar’, do vish me neve, për një sqarim në Degën e Punëve të Brendshme, bëhu gati!

Heshtje vorri në shtëpi…Nana ndihmoi baben për përzgjedhjen e teshave. Baba veshi tabaren e tij, të trashë, të zezë, prej leshi, vuni kapelen republika (nën vrojtimin e panderpremë të rojes) e doli në korridor, ku e izoluen në nji qoshe.

Vetem mue, si fëmijë, më lejuen t’i afrohem. Kurrë nuk mundem me e harrue atë skenë, që fatalisht, paska pasë qenë e fundit! Baba kërkoi barnat, që merrte kundër sëmundjes së ulçers, e pyetjes së Dadës së shtëpisë, Dilës: “Çka na bane more Pjerin, more në qafë vedin e familjen?”, iu përgjegj me za të naltë, për me e ndi të tanë:

– “Mos u bani marak, rrini të qetë, jam i pafajshëm, nuk kam ba kurrgja, çdo gja ka me u sqarue, e shpejt kam me u kthye në shtëpi!”

Hijet e natës erdhën, morën me vete babën dhe u zhdukën në errsinë…

Të nesërmen u muer vesh se, në Tiranë, gjatë netëve 20 deri 22 Shkurt, ishin arrestue mbi 170 vetë!

Nji ditë mbrapa erdhën lajme, se shumë prej atyne që ishin arrestue, kishin fillue me u lirue, lajme që zgjuen shpresën në familje për lirimin edhe të babës, për të cilin të gjithë kishin besim të plotë se ishte i paster, sepse ai dinte: “vetëm punë e familje, e vetëm familje e punë”. Kaluen ditë e baba nuk u kthye, por shpresa ishte e fortë, të tanë kishim besim…!

Ndër ato ditë ankthi e trishtimi, mue më çuen çdo ditë në shkollë, vazhdojsha me zor mësimin, por mendjen e kisha tjeterkund…

Në datën 29 Shkurt 1951, në orën e dytë të mësimit, erdhi motra (Sisi) në klasë e më mori për në shtëpi. Gjeta shumë njerëz, përveç pjestarëve të familjes sime e të Zef Guraziut (axha i babës), më kujtohen; kushrini Emil Shiroka e shoku i babës, ing. Filip Geci. Të gjithë, të veshun për zi! Heshtje e vajtime, vajtime e heshtje; heshtje e vajtime, vajtime e heshtje…!

Atë moment kuptova se, në vend të ardhjes së babës, kishte pasë ardhë nji pusull me shkrimin: “Pjerin Guraziu është pushkatuar si Armik i popullit dhe i Partisë”. Rrufeja komuniste kishte mblue në zi familjen e Pjerin Guraziut, dhe kishte përplasë përtokë, pa ndjeja, të vejën 36 vjeçare të Pjerinit, nanën Inda!

#Biografi

Ka lindur më 18 qershor të vitit 1943 në Tiranë. Ai është djali i Pjerin Guraziut intelektual i shkolluar në perëndim, mbante detyrën e shefit të financave në Ministrinë e Bujqësisë deri sa u pushkatua nga shteti komunist në vitin 1951. Pushkatimi i Pjerin Guraziut lidhet me shpërthimin e dinamitit të hedhur në oborrin e ish-ndërtesës së Ambasadës Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951. Pas ngjarjes u arrestuan rreth 150 persona dhe u pushkatuan 22 intelektualë.

Njoftimin se babai ishte pushkatuar si “armik i popullit”, familja e Filip Guraziut (i cili ishte vetëm 7 vjeç) e mësoi pas ekzekutimit. Familja u zhvendos nga Tirana në Shkodër në shtëpinë e gjyshërve. Gjatë viteve në vijim e gjithë familja Guraziu është survejuar vazhdimisht nga Sigurimi. Në moshën 14 vjeçare Filip Guraziu u zhvendos në Tiranë për shkollën e mesme dhe falë aftësive të mira sportivë arriti të integrohej.

Gjatë viteve të komunizmit për shkak të luftës së klasave ai ështe përballur me përjashtim nga sporti, arsimi dhe ka punuar në fabrikën e druve dhe si punëtor krahu. Me këmbëngulje dhe vështirësi Guraziu ndoqi shkollën e natës dhe punoi si llogaritar në kooperatvë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}