Reportazh/ E lagur nga Adriatiku e Joni, sup më sup me tokën puglieze, kalabreze e kampanjole shtrihet rajoni më historik i Italisë antike, pozicionuar në këtë territor që prej shek V. p.e.s. Sot quhet Bazilikata emër që e merr pas formimit të Republikës Italiane, e cila ia hoqi emërtimin Lukania, përdorur gjatë periudhës fashiste, por e njohur si e tillë qysh në epokën bizantine. Ndër gati gjysëm milioni shqiptarë që jetojnë në 21 rajonet italiane, mbi 2000 banojnë në Lukania, pra Bazilikata
Nga Alba Kepi
Pandemia na mësoi të rikonceptojmë qëllimin e jetës, të vlerësojmë edhe ato detaje që i konsideronim se, na detyroheshin, pavarësisht se si, kush e pse u krijuan apo se i meritonim pa menduar se mund dhe t’i humbisnim. Pandemia na detyroi pothuasje një vit të palëvizshëm nga shtëpia, pa stresin e trafikut ditor, lodhjes fizike, kohës larg familjes, por edhe na mësoi të rizbulojmë qëllimin e hershëm të fjalës pushime. Nëse deri pak muaj më parë niseshim me konceptin e pushimeve nën hijen e një rëre të bardhë e ujin e kristaltë, hedhjen në pishinë e aperitivë shumëngjyrësh nën perëndimin e diellin, sot pushimi është udhëtimi, zbulimi i asaj cka humbëm për mëse një vit të tërë. Pushuesit janë bërë udhëtarë e zbulues të një turizmi që vlerëson kohën, natyrën, kuriozitetin, njohurinë, historinë, mirëqënien shpirtërore e shëndetësore, qetësinë.
Vendet e super frekuentuara dikur nga muzika e lartë e kërcimet deri në orët e para të mëngjesin, ia kanë pole position shumëvjeçarë, një turizëm eksperimental me vlerën e vëmendjen asaj ç’ka kemi pranë e larg. Sot të gjithë jemi më të vetëdijshëm se gjithçka mund të ndryshoj shpejt e thellë e bashkarisht jemi të bindur se asgjë nuk do të jetë më si më parë e as turizmi.
Italia në vitin 2019 qe ndër vendet më të vizituara në botë me 94 milionë turistë nga anekënd globi e një vit më pas, më 2020, vendi më i goditur nga pandemia, me rrugë, qytet e kufij të mbyllur. 27 miliardë euro humbje në sektorin e turzimit u shënuan vetëm gjatë 2020.
Vende pune të rrezikuar e familje në vështirësi për të jetuar prej muajsh, sensibilizuan aktorët politikë e drejtuesit e enteve e institucioneve lokale në përgjegjesinë për të vlerësuar se turizmi nuk është vetëm bregdet e qytet arti, por dhe bukuri mesjetare, pejsazhe natyrore, tradita të trashëguara prej shekujsh në komunitete të vogla ku deri më sot turisti i huaj ka qënë një rallësi.
Lukania sot Bazilikata
E lagur nga Adriatiku e Joni, sup më sup me tokën puglieze, kalabreze e kampanjole shtrihet rajoni më historik i Italisë antike, pozicionuar në këtë territor që prej shek V. p.e.s.
Sot quhet Bazilikata emër që e merr pas formimit të Republikës Italiane, e cilia ia hoqi emërtimin Lukania, përdorur gjatë periudhës fashiste, por e njohur si e tillë qysh në epokën bizantine.
“Përkrah Italisë qe e njeh gjithë bota, duke shkuar drejt jugut, ekziston një Itali e dytë, e panjohur por jo më pak interesante se ajo tjetra e as më inferiore për bukurinë e pejsazheve e madhështinë e memories historike. Vështirësitë e komunikimit, mungesa e rrugëve e strukturëve i kanë mbajtur larg udhëtarët në këtë rajon kaq të bukur ku kostumet ruajnë aspektin e tyre kaq piktoresk…”
Kanë kaluar gati dy shekuj nga ky përshkrim i arkeologut francez Francois Lenormant, i frymëzuar nga Lukania në kujtimet e tij për një territor unik sa e gjithë Italia.
Dhe pse të limituara, përshtypjet e Lenormant reflektohen dhe sot. Mungesa e linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë e infrastruktura moderne e vështirësojnë hovin që meriton turizmi në këtë rajon, dhe pse strukturat turistike janë kaq mikpritëse e të shumëllojëshme sa do ta kishte zili çdo rajon i madh italian.
Por pas një eksperiencë kaq të fortë krize jetësore siç qe viti pandemik, Bazilikata i ofrohet turizmit e udhëtarëve nga e gjithë bota si një dritare për të zbuluar një Itali të dytë, atë të natyrës së virgjër, historive antike, traditës e kulturës popullore shekullore, fotografive bardhë e zi e aromës së pjatave që si një fill shpirtëror lidh qyteza e venbanime multietnike.
Tre Majat- Tricarico- Qëndra Europiane e Maskave Antropologjike
Për të mbërritur tek udhëtari i turizmit post pandemik, Bazilikata, ky rajon me mbi gjysëm milioni banorë, ka zgjedhur si trokitje të parë qytezën Tricarico, që në etimologjinë latine e greke do të thotë Tre Majat. Nuk ka vend më përfaqësues të bashkejtesës urbane të epokës arabe e normane në jugun e Italisë, se sa Tircarico.
Arkitektura e sotme e qytetit është pothuajse e njëjtë me atë të mbi 10 shekujve më parë.
Asgjë nuk ka ndryshuar në pjesën lindore të qytetit ku shfaqen ndërtesat e stilit arabik rrjedhë e pushtimeve arabe në shekullin IX-X e po asgjë nuk ka ndryshuar as në ndërtesat të stilit norman në pjesën perëndimore të qytetit, pasojë e sundimit norman në shekujt XI-XII.
Ndërsa Tricarico modern është sot një qytet arti me një pasuri autentike arkitektonike, historike e artistike e jashtëzakonshme e territorit.
“Qyteti u zgjua nga një natë e thellë, me një zhurmë arkaike të instrumenteve prej druri si këmbana të shpuara; zhurma e një pylli primitiv që të hynte në palcë si një thirrje infinit e së shkuarës”. Është Carlo Levi që shkruan në librin e tij “Krishti u ndal në Eboli” e ku përshkruan natën e gdhirjes së festës së karnevaleve në qytezën e Tricarico së bashku me mikun e tij poet Roço Scotellaro, i cili kish lindur e ish rritur në këtë komunë.
Ishte 17 janar e prej kush e di sa shekujsh banorët e kësaj qyteze e evokojnë cdo vit këtë festë, që i ka merituar sot të quhet Qëndra Europiane e Maskave Antropologjike.
Maska shumëngjyrëshe që fshehin fytyrën e identitetin e personit që i vesh, me simbolikën e kafshëve, janë kapele gjigande shumëngjyrëshe që shoqërohen me rite e zakone në ditën e Shën Antonio Abate, shënjëtori mbrojtës i kafshëve.
I gjithë rituali zhvillohet në pikën më simbolike të qytetit, Kulla Normana, monument kombëtar që prej vitit 1931, e lartë 27 metra me legjendën e një murgeshë të vetëvrarë nga lartësia e saj.
Nën këmbët e kësaj Kulle gjëndet një thesar unik artistik e fetar. Quhet Kisha Shën Chiara ku ruhet një kryq gjigand, i datuar 1696, me një vlerë të jashtëzankonshme e muret e veshura me afresket e artistit Pietro Antonio Ferri, realizuar në vitin 1611.
Në këtë verë të 2021, Tricarico është zgjedhur si qyteti promovues i këtij sezon turistik në prag të një eventi madhështor për territorin sic është mikpritja e më të fuqishmëve të botës, të G20.
Strangers and Strangeness
“Fotografia nuk është e kaptuar dhe as e marrë me forcë, Fotografia ofrohet. Është fotografia që të kapton”. Ky citim i përket fotografit të njohur francez i konsideruar pionieri i fotogazetarisë, Hanri Cartier Bresson. Reportazhet fotografike të tij të gjysëm shekulli më parë, janë sot album turistik i një udhëtari pa epokë që zbulon në tokën lukane eksperiencën unike ku bashkohet e djeshmja me të sotmen. Ashtu si arktitektura urbane e qytetit të Tre Majave që vë përballë dy epoka të ndryshme historike të jetës së qyteti, “Strangers and Strangeness” është ekspozita fotografike, e promovuar nga kjo komunë së bashku me atë të Materas e rajoni i Bazilikatës, që dëshmon jetën lukane në optikën e dy artistëve botërorë Hanri Cartier Bresson e Eli Dijkers.
Thjeshtësia e vështrimit bardhë e zi, e fokusit të Bresson që dëshmon jetën e zakonet e banorëve të disa dekadave më parë, bashkohet në dritën e ngjyrave dhe detajeve realiste të artit të hollandezit Eli Dijkers. E “Strangers and Strangeness” nuk mund të konceptohet pa vizituar më parë në Pallatin Dukal të Tricaricos, kaptimet fotografike të mjeshtrit Arturo Zavattini, drejtor fotografie i veprave më të rëndësishme të kinematografisë italiane si “Dolce Vita” e bashkëpunëtor i regjizorëve të njohur si Felini, De Sica e i babait të tij Cesare Zavattini.
Në merkatë me nëna Rozën
Çdo mëngjes herët në merkatën e Tricaricos gjen të parkohet një Fiat Panda me vite shumë mbi vete. Dorë më dorë zbresin nëna Roza 87 vjeç e bashkëshorti i saj.
Me dashurinë e asaj që e njeh mirë tokën nga ku janë vjelur prodhimet në shitje, nëna Roza zgjedh çdo ditë perimet e frutat që i duhen për restorantin e saj, pozicionuar mes pyjeve e vetëm pak kilometra larg Tri Majave. Më pas kthehet në “kështjellën” e saj kulinare ku çdo ditë përgatit e gatuan pjatat e saj tradicionale. “Frizzuli”, makaronat e gjata gati një metër, përgatitur vetëm me miell e ujë, si dhe petat “pzzlatedda” të mbushura me gjizë deleje janë specialitetet më të kërkuara nga klientët e përgatitur nga duart e vetë nëna Rozës.
Petullat i gjen në çdo tavolinë. pothuajse në vend të bukës. Edhe pse një traditë krishtlindje, nëna Roza i servir në çdo ditë të vitit. Por një nga simbolet më të padiskutueshme të gastronomisë së Lukanias është speci i kuq (peperone crusco), krokant, i ëmbël e me një shije qe e dallon nga llojet e tjera të specave. E gjen në çdo pjatë, në antipastë, në makarona, në mish e garnityrë, amdje dhe në ëmbëlsirë veshur me çokollatë.
Shqiptarët e Lukanias
Ndër gati gjysëm milioni shqiptarë që jetojnë në 21 rajonet italiane, mbi 2000 banojnë në Lukania, pra Bazilikata. Kësaj shifre i bashkohet numri i banorëve të pesë qytezave arbëreshe të pozicionuara në këtë territor; Barilli, Zhura, Mashqiti, Shën Konstadini i Arbëreshëve, Shën Palo i Arbëreshëve.
Të gjitha komunat arbëreshe i gjen të pozicionuar pranë Mali Vulture, apo i njohur ndryshe si Montiçhio, ish vullkan i shuar prej 130 mijë vitesh. Në qytetin e Tri Majave që u bë porta hyrëse e këtij sezoni turistik gjen gjurmët e mbesës së Skëndërbeut, Irina Skënderbeu, martuar me princin Pietro Antonio Sanseverino, që drejtonte këtë qytet e dëshmuar nga një koleksion dokumentash të publikuar në Këln mes viteve 1572-1618 nën emërtimin “Theatrum urbium praecipuarum mundi” e G. Braun e F. Hogemberg. Gjurmë të forta shqiptarësh gjen dhe në Matera, qytetin më të vjetër të Italisë e një nga 10 qytetet më antike të botës, ku një lagje e tërë vazhdon të qyìuhet dhe sot Lagjja e shqiptarëve. Dikur vendbanim i arbëreshëve kjo lagje është sot një nga pikat në të vizituara nga turistët. Quhej e tillë pasi shumica e banorëve të kësaj lagje ishin shqiptarë që pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbe emigruan drejt Italisë për t’i shpëtuar barbarisë pushtuese të Perandorisë Osmane duke krijuar rreth 50 qyteza arbëreshe të shpërmdara në 5 rajone të ndryshme italiane. Familjet e para arbëreshe që mbërritën në këtë territor mbanin mbiemrat Scutari, Paternosto, Mazzeo, Albanese etj e merreshin me përpunimin e lëkurës, bakrit si dhe me blegtori.
Sot në lagjen e shqiptarëve është ngritur Muzeu Demo etno antropologjik i qytetit dhe një nga guvat banesë është shndërruar në një shtëpi muze,
Dëshmi e pranisë dhe përfshirjes ekonomiko sociale të arbëreshëve në këtë territor të Bazilikatës, e gjen dhe në prodhimin e një prej pijeve alkolike, ekselent i zonës që është likeri Lucano, (Amaro Lucano). Etiketa që e shoqërpn këtë pije mban simbolin e një gruaje me veshje tradicionale.
“Kostumi i saj plot ngjyra është tipik arbëresh” , thotë giuda turistike. Ngjyrat e motivet e saj shfaqen kaq familjare. Sipas gojëdhënave thuhet se gruaja e pikturuar në këtë etiketë ishte një vajzë arbëreshe me bukuri të rrallë që banonte në lagjen Torreveçhia në pjesën e sipërme të komunën Pistiçi. Likeri Amaro Lucano u krijua si pije më 1894 nga një pasticer profesionist Pasquale Vena që banonte në qytezën e vogel Pistiçi ne Bazilikata. I apasionuar pas bimëve aromantike ai krijoj këtë liker me nje shije unike e të pa ngatërrueshsim.
Amaro Lucano përgatitet nga një formulë kombinesh erëzash e bimësh që ende sot është një sekret i ruajtur nga familja Vena. Përmban 30 bimë aromantike e me një përzierje alkoli që arrin deri në 28 gradë. Prej më shumë se një shekull Amaro Lucano është një histori suksesi made in Italy. Simbol i kësaj pije është gruaja me veshje tipike tradicionale të klasës se ulët fshatare artizanale.
Shkrim qe sjell shume kuriozitete mbi jeten e Italise se Jugut skajor, ku prania e pellazgeve dhe pastaj e arberesheve ka qene pjese e jetes se perditshme. Nga bijte e emigranteve te sotem qe jetojne ne Italine e Jugut, uroj qe te formohen dy a tre studjues si historiane e arkeologe e te sjellin pasuri te panjohura e te painterpretuara me pare ne lidhje me pranine e rolin e gjakut tone ne ato territore e me gjere.