nga Suadela Balliu
Scripta Manent! Edhe mbi fletët e zverdhura që mbajnë datë shtypi mesin e shekullit të 16-të, nga shtypshkronjat e Venedikut, Padovës, Vatikanit, Romës e Stambollit.
Të paprekura nga përmbytja që dëmtoi rreth 12 mijë botime, qershorin e 2018-s, antikuarët e Bibliotekës Kombëtare që këtë vit mbush 100 vjetorin e themelimit, i kanë lënë arkivat e godinës së institucionit për t’u shfaqur para syve të publikut në mjediset e hollit të kryeministrisë, në atë që është pagëzuar si Qendra për Hapje dhe Dialog.
E para, ndoshta edhe e fundit herë që këto thesare biblioteke dalin nga konservimi për një ekspozitë, thonë nëpër korridoret ku pushojnë, të paktën deri më 2 nëntor.
Ndoshta ishte kërkesë e drejtorit të Bibliotekës, Pirro Misha, i cili sapo pat marrë detyrën që shprehur se hyrja e godinës së institucionet është depresive dhe shkronjat e vogla të emërtimit mbi portën ende prej alumini qysh nga koha e regjimit të shkuar, dukej fyese, që kjo ekspozitë e cilësuar nga organizatorët si unikal, të bëhej gjëkundi.
Edhe ajo me pasqyrimin e themelimit të Bibliotekës më 10 korrik të 1920-s, u shtri në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar e po ashtu ajo me Librat e Ndaluar, në oborrin e Shtëpisë me Gjethe. Nuk është hera e parë që ekspozitat me lira e dorëshkrime të BKSh-së, e kapërcejnë godinën, aq më shumë kur qeveria ka premtuar ndërtimin e një godine të re.
Premtim që u rifreskua nga vetë kryeministri, gjatë çeljes së ekspozitës “ Verba Volant, Scripta Manent: Thesare të Bibliotekës Shqiptare” , megjithëse u tregua i matur për të dhënë një datë.
Pak kohë më parë pat thënë se në fund të mandatit të dytë qeverisës do t’i kishte hedhur themelet e godinës së re, në zonën pranë Gardës së Republikës, por siç do të thoshte gjatë fjalës në çeljen e ekspozitës dëmet e tërmetit dhe të pandemisë, e detyruan të tregohej koprrac. “Kam besim se do të shkojë deri në fund edhe pse nuk mund ta them sot se kur po jo pa diskutim jo aq gjatë dhe aq vonë sa është vonuar deri më sot”, do të thoshte Rama, ndërsa mjediset e çelura të kryeministrisë me nismë të tij, si Qendra për Hapje dhe Dialog e bëjnë të zotin e vërtetë të shtëpisë, edhe në rastin e kësaj ekspozite që ka nxjerrë nga fondi i librave të rrallë të Bibliotekës Kombëtare 800 ekzemplarë, ku shumë prej tyre datojnë pas shekullit të 16-të dhe fare pak në fillimet e shekullit të 20-të.
Kjo është edhe ekspozita më e madhe e organizuar nga BKSh, qysh prej themelimit të saj më 1920, kur kishte një fond me vetëm tre mijë libra, ndërsa sot numëron një milionë e treqind mijë njësi bibliotekare, mes tyre dorëshkrime, koleksione gazetash e harta. Një ndër synimet e drejtorit Piro Misha, është pasurimi i mëtejshëm i fondit.
Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës i kushtohet trashëgimisë së shkruar të popullit shqiptar , duke u kufizuar për shkak të hapësirës vetëm në ato vepra e autorë që vunë gurët e parë në themelet e trashëgimisë sonë të shkruar apo në historinë e mbrujtjes së identitetit kombëtar. E megjithatë t’u kushtosh të gjithëve kohën e duhur kthehet në angazhim të mirë, disa orësh.
Meshari dhe gjurmët e hershme të shqipes së shkruar
“Meshari i Buzukut”, libri më i vjetër i shkruar në gjuhën shqipe zë hapësirë të veçantë dhe mbërthen menjëherë syrin e vizitorëve.
Ekzemplari i futur në një kuti prej druri, me stemën e shtetit të Vatikanit, shoqërohet nga një fashë e kuqe, bashkëlidhur një pllake metalike me shënimin e gdhendur “Kopje speciale e librit të parë në gjuhën shqipe: Mesharit, vepër e murgut Gjon Buzuku, dhuratë nga Papa Françesku. Autori de viti i botimit -1555 – janë marrë nga pasthënia. Fleta e parë bashkëngjitur ekzemplarit është e dorëshkruar nga Mario Roques, që jep të dhëna për fletët që mungojnë, ndërsa fleta e dytë e dorëshkrimit jep të dhëna për publikimet e mëvonshme të Mesharit.
Një tjetër thesar është “Çeta e Profetëve” e Pjetër Bogdanit, doktor në filozofi dhe teologji, ish-peshkop i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, kryepeshkop i Shkupit dhe administrator i tërë mbretërisë së Serbisë. Vepra e përpiluar në italisht dhe në shqip epirotie, u botua në Padova , në vitin 1685.
Në Venecia, më 1691-shin, Pjetër Bogdani, boton “E vërteta e pagabueshme e besimit katolik”, shpjeguar në italisht dhe shqip (schiava).
Nuk është thjesht një përkthim apo përshtatje, por një vepër origjinale në prozë, e para që njihet në gjuhën shqipe. Ajo është e ndarë në dy pesë dhe është shtypur në dy kolona; majtas në italisht dhe djathtas në shqip. Varianti shqip është shkruar në alfabetin latin të përshtatur prej italishtes, duke përdorur gërmat cirilike të Budit dhe Bardhit. Në parathënien, autori jep mendime rreth ruajtjes dhe përpunimit të gjuhës shqipe si mjet për zhvillimin e kulturës. Në të dy pjesët e librit gjenden edhe 11 poezi të autorit, përkthime dhe origjinale.
“Doktrina e Krishterë”, botim i tretë që mban datën e botimit 1664, hartuar me urdhër të të përndriturit Papa Klementi VIII, nga shumë i nderuari atë Robert Belarmino, prift i Urdhrit Jezuit, më vonë kardinal, u përkthye nga Pjetër Budi prej Gurit të Bardhë, peshkop i Sapës dhe autor i katër veprave fetare në shqip. Budi njihet si shkrimtar i letërsisë së hershme shqipe.
Një përmbledhje dokumentesh nga Nikolla Jorga, i njohur si zbuluesi i Formulës së Pagëzimit në Bibliotekën Laurencian të Firences, mban datën e botimit , Bukuresht 1915.
Kuvendi i Arbrit dhe Historitë mbi Skënderbeun
Nën Papa Klementin XI, u botua edhe Kuvendi krahinor kombëtar i Arbrit , më 1706 në Romë. Vepra me rëndësi për historinë e Shqipërisë dhe të kishës, vendimet e kuvendit të Arbrit mbajtur më janar 1703, në kishën e Shën Gjon Kryeprmeit, në fshatin Merçi të Lezhës për t’i bërë ballë islamizimit të vazhduar të popullsisë, organizimit të gjendjes së kishës, përdorimit të gjuhës shqipe dhe në literaturën fetare, hapjen e shkollave dhe botimin e librave në gjuhën shqipe, etj.
Aktet e Kuvendit të Arbrit, në gjuhën shqipe, u shtypën si botim më vete në gjuhën shqipe që më 1706, kanë vlerë në radhë të parë si dokument gjuhësor me rëndësi.
“Mbi Rrethimin e Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut nga Marin Barleti. Në librin kushtuar princit të Aristokracisë Venedikase Leonard Loredani, vijnë ligjërata të ndryshme, të mbajtura me mjeshtri nga Mehmeti, princi i turqve dhe nga komandantë të tjerë të ushtrisë.
Historia Skënderbeut, botohet në Romë më 1508-1510, nga Marin Barleti, ndërsa një përshkrim i vërtetë origjinal dhe i shkurtër i të gjitha luftërave dhe bëmave kreshnike e të famshme, të Skënderbeut, dukë i Epirit dhe Shqipërisë i kreu kundër dy sulltanëve të Turqisë, vijnë të botuara edhe nga Frankfurt mbi Majn, më 1577-n.
Komentar i klerikut dhe humanistit shqiptar Dhimitër Frëngu mbi bëmat e turqve dhe të Skënderbeut, botuar më 1539. Libri ndahet në 42 kapituj, shkruar mbi bazën e “Historia e Skënderbeut” të Barletit. Por ka të dhëna interesante që nuk i gjejmë tek Barleti.
Dhimitër Frëngu vë në gojën e Lekë Dukagjinit shprehjen shqip Embetha (E mbë ta), e cila jepet dhe e përkthyer në italisht “che in albanesse vuol dirr a dosso.)..
Rilindësit
“Poesie Albanesi” e Jeronim De Radës, mban datën e botimit 1847 në Napoli dhe vjen e ekspozuar në stendë bashkë me veprat e Sami Frashërit; drama me gjashtë pamje “Besa”, botuar në Sofje më 1901 nga shtypshkronja “Mbrothësia” dhe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”- mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë. Botuar në Bukuresht, më 1899, nga shtypshkronja e shoqërisë.
“Fyletia Arbënore” e Dora D’Istrias, një botim i 1867-s shtypur në Livorno, sjell historinë e Shqipërisë nga pushtimi osman deri tek fillimet e Rilindjes shqiptare dhe Arbëreshët e Italisë. Një tjetër botim i D’Istrias, i vitit 1870, mban titullin “Gli Albanesi” , si pjesë e letërsisë dhe gjuhës shqipe.
Fjalori shqip-greqisht nga Kostandin Kristoforidhi, botuar në Athinë pas vdekjes së autorit, më 1904 i kushtoi atij 20 vite punë, siç edhe e shkruan në parathënie.
Dorëshkrimi i këtij fjalori, i cili po ashtu shfaqet për publikun, mban datën 1884, me titullin “Pjesë etimologjike e gjuhës shqipe. To Etymologlkon meros tis Alvanikis flossis”.
I quajtur nga bashkëkohësit “babai i shqipes” në historinë e leksikografisë shqiptare, punimi njihet si Fjalori i Gjuhës , i Kostandin Kristoforidhit. Është përgatitur si fjalor dy gjuhësh shqip-greqisht, por ka elementë të një fjalori shpjegues; alfabeti është me shkronja greke të plotësuara me shkronja latine.
Faik Konica paraqitet jo me një vepër, por me të gjithë bibliotekën dhe shtampën e tij “Ex Libris F.K”, dhuratë nga Katedralja Shën Gjergji dhe biblioteka Fan Noli, në Boston. Dorëzimi i shtampës jetëson amanetin e Faik Konicës, për të qenë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare.
Në një tjetër ekspozitor shfaqen dy letra të Faik Konicës drejtuar At’ Shtjefën Gjeçovit. Njëra letër mban datën 15 nëntor 1907, ndërsa tjetra nuk ka të dhëna për vendin dhe vitin. Konica shkruan mbi përdorimin e alfabetit të shoqërisë Bashkimi (1899) në revistën e tij Albania si shembull për të tjerët dhe për punët që është duke kryer në fushë të shqipes, ngre probleme të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe shqetësimin mbi qëndrimin ndaj tij të kundërshtarëve të shoqërisë Bashkimi.
Sjell njoftime mbi historinë dhe botimin e librave shqip si edhe punën e atdhetarëve shqiptarë janë vendit për çështjen kombëtare. Mes thesareve të bibliotekës së Konicës, me 300 libra, është edhe një kopje e “Lahuta e Malcis” të At’ Gjergj Fishtës, i cili pak ditë më parë u përkujtua në 149 vjetorin e lindjes.
Nga Shtjefën Gjeçovi, Biblioteka prezanton një dorëshkrim të vitit 1908, “Trashëgime pelazgjësh– beet, besimet e do doke tjera mass’ cillash dishmohet vjetërsia e komit shqyptar.
Autori me argumente historike, etnologjike dhe fetare vërteton lashtësinë e kombit shqiptar, mbronte tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët, nënvizon faktin se shqiptarët janë popull më i vjetër se grekët e latinët dhe hyjnitë, doket e zakonet ata i kanë trashëguar nga të parët e tyre pellazgë. Gjenden shtesa dhe shënime të anëshkruara të bëra më vonë, vizatime dhe nënshkrimi i Gjeçovit.
“Historia e yets e veprave t’Gerg Kastriotit,emnue prei Osmanllive Skander Bheg, i pari ndër Szotni t’Schkghiptariis Kfhirsch, në mot 1441”, nga Zef Jubani një ndër përfaqësuesit më të spikatur të mendimit politik dhe të lëvizjes sonë kombëtare, mendohet të jetë shkruar rreth viteve 70 të shekullit 19. Në parathënie nënvizohet fakti që arsyeja e shkrimit të veprës është lëvrimi i gjuhës shqipe që sipas autorit ma e moçma e gjuhëdve qi yan fol motit n’Europ, pasunimi i letërsisë e i kulturë shqiptare si edhe zgjimi i ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve për luftë çlirimtare, nga pushtuesi osman. Krahas përshkrimit të jetës dhe veprës së Skënderbeut, gjenden edhe poezi kushtuar figurës së tij.
Letërsia e Bejtexhinjve apo letërsisë shqoi me alfabet arab, vijnë me Nezim Frakullën në mesin e shekullit të 18-të dhe Muhamet Kyçykun, në gjysmën e parë të shekullit të 19-të.
Albanologë dhe udhëtarë
Një vend krejt të veçantë zënë 9 ditarët e mbajtur nga dijetari i shquar austro-hungarez, Franz Nopça, gjatë udhëtimeve të tij në veriun e Shqipërisë, që datojnë nga 1905 deri më 1921.
Dorëshkrime me laps, në formë ditari me përshkrime dhe mbresa të autorit nga udhëtimet dhe ekspeditat në Shqipëri dhe Bullgari. Numërohen shtatë vëllime, të cilat janë njësi unikale ende të pabotuara. Gjashtë vëllimet mbi Shqipërinë janë të mbajtura mes viteve 1905 – 1913. Përmbajnë mbresa të autorit gjatë udhëtimeve dhe ekspeditave në Shqipërinë e Epërme.
Një thesar vëzhgimesh, shënimesh dhe njoftimesh të hollësishme gjeografike, gjeologjike, historike, etnologjike dhe demografike mbi trevat shqiptare shoqëruar me harta, vizatime, skica dhe ilustrime të shumta, si edhe të dhëna të ndryshme statistikore për vitet 1890 -1913.
Kontributi për studimet shqiptare është një pjesë e pandashme e trashëgimisë sonë kulturore dhe shkencore. Ka ardhur disa herë në Shqipëri duke qëndruar gjatë, ku realizoi eksplorime intensive. Numërohen rreth 25 studime dhe vepra shkencore në fushën e etnologjisë, paleontologjisë, gjeografisë dhe gjeologjisë së Shqipërisë.
Mes albanologëve është edhe vepra “Hulumtime gjuhësore” e Norbert Jokl, i konsideruar si një nga themeluesit e albanologjisë. Vepra u botua në Berlin më 1923-shin. Albanologu austriak me origjinë hebreje, që pat trashëguar dorëshkrimet e Nopçës në ekspeditat shqiptare, u përpoq të shpëtohej nga kthetrat e nazizmit nga një sërë figurash të njohura, si Lasgush Poradeci, At’ Gjergj Fishta e Ernest Koliqi. Ky i fundit iu drejtua me një letër konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë, ku e njoftonte se kishte angazhuar profesor Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Albanologu mendonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale. Por më 1942-shin, u arrestua nga Gestapo në banesën e tij.
“Vëzhgime gramatikore” në gjuhën shqipe nga atë Françesko Maria Da Lecce, botuar në Romë 1716, konsiderohet si vepra e parë tërësore që njihet mbi gramatikën e gjuhës shqipe, me rëndësi për historinë, etimologjinë strukturën gramatikore dhe ortografinë. Sjell të dhëna për fonetikën morfologjinë, sintaksën, dialektologjinë dhe leksikologjinë shqiptare.
Ndër përshtypjet e udhëtarëve të huaj në Ballkan e Shqipëri vijnë ilustrimet e piktorit Edëard Lear. Ditarë të një piktori peizazhesh në Shqipëri, botuar më 1851. Vepra përshkruan natyrën dhe ka të dhëna gjeografike për trojet, përshtypje udhëtimi nga Manastiri, Ohri, Struga, Elbasani, Lezha, Shkodra, Dibra, Durrësi, Kavaja, Berati, Apolonia, Vlora, Himara, Tepelena, Gjirokastra, Çamëria dhe nga Janina, Driloni, lumi Vjosa, lumi Drino.
“Sanxhaku i Beratit në Shqipëri”, botuar në Vjenë 1904, nga Karl Patsch, sjell përshkrime udhëtimesh të autorit në vitin 1900, kryesisht në vise e qytete të Shqipërisë së jugut, pjesë të sanxhakut të Beratit, në Vlorë, Myzeqe, Mallakastër, etj. Një vepër ku gjenden të dhëna të hollësishme gjeografike, historike, arkeologjike dhe etnografike për këto vise mënyre jetesës, shtëpitë e banimit, numri i tyre sipas besimit, etj., vllehtë e këtyre zonave, të dhëna për Bylisin, Apoloninë dhe Orikun.
“Noctes Pelasgicae vel symbolae ad cognoscendas dialectos Graciae Pelasgicas…”, nga dijetari gjerman Karl Heinric Theodor Reinhol është fletorja e famshme e kopjuar me dorë e veprës së autorit, që e botoi më 1855-n. Kryemjek i flotës detare të shtetit grek, ai u dashurua pas gjuhës së marinarëve arbëreshë të Greqisë dhe nëpërmjet të cilëve mblodhi materiale folklorike.
Çmohet pasi për herë të parë bota e kulturuar u bë me dije për shqipen e folur në Greqi dhe ishujt e saj. Dorëshkrimi përmban skicë gramatikore, vëllim leksikor, si edhe tekste poetik në dialektin shqip të ishujve të Greqisë, Poros dhe Hydras.
Antikuarë
Rreth 80% e librave e dorëshkrimeve të kësaj ekspozite, siç kanë bërë me dije organizatorët ekspozohen për herë të parë. Pjesa dërrmuese e tyre janë botime te para viteve 1800.
Biblioteka disponon një koleksion të rëndësishëm të përbërë me disa prej botimeve më të hershme të autorëve të antikitetit në Europë, si të Aristotelit, Strabonit, Demostenit, Plinit, Eskilit, Sofokliut, Ciceronit, etj.
Aristoteli i botuar në greqisht dhe latinisht, në Bazel më 1550, 52 letra të Papa Piut II, drejtuar disa personaliteteve të kohës dhe princërve të krishterë Inkunabël, 17 libra mbi gjeografinë të Strabonit, në gjuhën greke dhe në atë latine, me tregues shumë të pasur të çështjeve dhe të fjalëve më të përmendura. Jep një gjeografi të hollësishme fizike e historike të botës së lashtë… Vepra ka të dhëna gjeografike, historike edhe mbi Ilirinë dhe Epirin e Lashtë. Fiset ilire, pirustët, ardianët, japodët, dasaretët, dardanë, kaonët, molosët, tesrpotës, bylinët, enkelejtë, etj.
“Histori e natyrës” e Plini II, përkthyer nga latinishtja në dialektin fiorentinas,1516, ka të dhëna mbi fiset e Ilirisë dhe Epirit; liburnët, enkelejtë, japodët, taulantët, paethinët, tesprotët, dardanët, kaonët, etj., dhe shtrirja e tyre.
Jo më pak me interes është dhe koleksioni i dorëshkrimeve orientale: arabisht, persisht dhe osmanisht, disa prej tyre me vlerë të madhe. Vlen të veçohet biblioteka e Bushatllinjëve, me rreth 130 dorëshkrime.
“Ebil-Teth al-Kemal. Ifadat al Ziyadan”.Dorëshkrim në arabisht për fenë myslimane, mban vulën e Bibliotekës së Bushatllinjve. Pa të dhëna për vitin dhe vendin.
Poezitë e poetit të madh persian Saadi Shirazi, mban sërish vulën e bibliotekës së Bushatllinjve.
“Cihan numi” apo histori e botës, botuar në Stamboll më 1732, nga Katip Çelebi, përmban pushtimin e Vlorës nga turqit, më 1690. Hartë e brigjeve të Adriatikut, ku përfshihet edhe bregdeti shqiptar, Toponime si Ulqin, Ulgun, Durrës, Diraç Drin, Lodrin, Vlorë, Avlonya, Sazan, etj.
Një vend të veçantë zënë botimet me natyrë fetare të tre besimeve fetare kryesore në vend, ku BKSh ka një koleksion mjaft të pasur me botime mjaft të rralla, mes të cilave një sërë Biblash e Kodikësh të 1500, botime nga Papa Piu II e Shën Agostini të shekujve të 1400 e 1500.
Përshkrim i mrekullueshëm plot elegancë e hijeshi Azisë dhe Europës, nga Papa Piu II, përfshin ngjarje herë të vjetra e herë të reja, të denja për t’u përmendur.
Vepra përmban edhe të dhëna historike e gjeografike për Epirin dhe Ilirinë e Lashtë; kaonët, molosë dhe luftimi i tyre kundër pushtuesve romakë. Njoftime për Apoloninë dhe Dyrrahun, Skënderbeun dhe luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë …. Alfonsi i Aragonës dhe Skënderbeu. Doket, zakonet dhe mënyra e jetesës së arbëreshëve të Peloponezit dhe Italisë.
Dorëshkrime bizantine
Një vend të veçantë zë dhe koleksioni i autorëve bizantinë. BKSH disponon një koleksion të jashtëzakonshëm të Korpusit Bizantin, d.m.th me vepra të autorëve kryesorë bizantinë, në edicione dygjuhëshe (greqisht e latinisht).
Aleksiada ose jeta dhe bëmat e perandorit Aleks nga e bija, Ana Komnena, në 15 libra. Me parathënie dhe shënime të David Heshlit, botim i vitit 1610, përshkruan Shqipërinë gjatë krizës politike të Bizantit të shekullit XI dhe në fillim të shekullit XII. Revolta e strategëve, dukës së Durrësit Nikifor Brieni 1077 -1078. Sulmi i parë i normanëve në Shqipëri. Robert Guiskardi dhe lufta e Durrësit 1081. Sulmi i dytë i normanëve. Luftërat midis ushtrime bizantine dhe atyre të Boemudit në tokat shqiptare të Arbërit, Arbanon. Vlora, Butrinti, Kanina, Orikumi, Petrela, Janina, Dibra dhe qëndrimi i shqiptarëve në këto luftëra.
Appianus –historian grek me shtetësi romake i njohur si Apiani i Aleksandrisë. Luftërat civile të romakëve, botuar në Venecia më 1575.
Shqipëria dhe qytetet e aj bregdetare në luftën e Cezarit kundër rivalit të tij, Pompeut, Dyrrahu dhe Oriku. Legjenda e themelimit të Epidamnit dhe origjina e emrit Dyrrah. Botuar në një njësi me vepra të tjera të këtij autori.
Luftërat si të jashtme dh të brendshëm të romakëve, bashkë me historinë e luftërave ilirike dhe të asaj kundër Hanibalit epo të njëjtit autori, e rigjetur rishtar në gjuhën greke dhe e përkthyer në italisht. Të dhëna të shkurtra për Pirron e Epirit, kalimi i trupave romake nëpër Epir.
Tre libra të Apianit nga Aleksandria, për luftërat që zhvilluan romakët në Spanjë, për luftërat e romakëve kundër ilirëve, si edhe për atë që Hanibali bëri në Itali. Përcaktimi i kufijve gjeografikë të Ilirisë sipas autorëve grekë dhe romakë. Fiset ilire. Shteti ilir i Ardianëve, Agroni dhe pushtimet e tij. Teuta dhe lufta e parë iliro-romake. Shteti i ardianëve gjatë sundimit të Gentit dhe Lufta e Tretë iliro-romake, luftërat e ilirëve të veriut kundër pushtimit romak.
Një botim i rrallë nga biblioteka e Voskopojës është “Shërbesë e atit tonë të shenjtë dhe çudibërës Visar, kryepeshkop i Larisës”, redaktuar nga Grigor Voskopojari dhe Grigor Kostandinidhi, në Voskopojë 1744. Ngritja e shtypshkronjës më 1720 dhe hapja e akademisë më 1744 u shoqërua me një bibliotekë të pasur, ku ruheshin kode, dorëshkrime, vepra të klasikëve grekë, latinë e francezë, libra të botuar në Venedik etj.
“Hyrje në gramatikë nga mësuesi i ndritur e i nderuar i Akademisë së sapo themeluar të Voskopojës”, Theodor Kavaljoti, botuar më 1760, konsiderohet i fundit botim i realizuar në Voskopojë.
Botime të Venedikut
E kështu mund të vazhdohet me pavijonin e veçantë të botimeve veneciane, kushtuar një vargu botimesh mjaft të rrallë nga Rilindja Italiane e ajo europiane.
Historia e Korfuzit nga Andrea Marmora, fisnik nga Korfuzi, botuar në Venecia më 1672. Kolonitë helene në bregdetin e Ilirisë: Dyrrahi, Buthroti, Apolonia, Vlora, Pirroja i Epirit, Luftërat turko-venedikase dhe qytetet bregdetare shqiptare në këtë kohë.
Kujtime historiografie të mbretërisë së Moreas, Evvias dhe vendeve fqinje, përshkrime të udhëtime në Greqi ku gjenden të dhëna hartografike mbi brigjet e detit Jon, Ngushticën e kanalit të Korfuzit dhe Epirin, botuar në Venecia më 1686.
“Atlante Veneto”, botuar në Venecia 1696, përshkruan harta, tablo, plane skica, për ishujt e botës Pjesë e bregdetit verior të Shqipërisë si Tivari, Ulqini Shkodra, Lezha, etj., lumenjtë, Buna dhe Drini. Trojet shqiptare të Kosovës nga gryka e Kotorrit deri në Artë dhe qytetet Shkodër, Lezhë, Krujë, Apoloni, Vlorë, Himarë, Kaninë, Pargë, Gumenicë, ishullin e Sazanit, etj.
Giammaria Biemmi, prift historian italian, shkruesi i parë i historisë së Skënderbeut. Libri njihet si një ndër burimet kryesore mbi jetën dhe bëmat e tij, botuar në Breshia në vitin 1742.
Dy ligjërata të Marin Beçikemit Shkodranit, humanist shqiptar, historian, shkrimtar, profesor dhe orator, të botuara nga Akademia e Retorikës së Padovës. E para, një përgëzim për shumë të kthjellëtin princ të venedikasve, Andra Gritin…tjetra një ligjëratë e përmortshme … mbi meritat e Xhovani Pietro Stelës.. botuar në Venecia në vitin 1524.
Traktat për luftën dhe bashkimin e princave të krishterë kundër turqve dhe të pabesëve të tjerë. Botuar në Venecia më 1572, nga eruditi dhe shkrimtari asket Cosimo Filiardhi.
Për ta përfunduar me koleksionin e pasur të disa prej veprave më përfaqësuese të Iluminizmit Evropian, duke nisur nga botimi i parë i Enciklopedisë së famshme të Didëroit me 39 vëllime, vepra e përmbledhur e Zhan Zhak Rusoit me 13 vëllime, apo seria e botimeve të para të Volterit, të Isak Njutonit, Adam Smithit, e shumë e shumë të tjera…
Por qëllimi i vërtetë i organizatorëve, siç e kanë zbuluar vetë, ka qenë ekspozimi i dorëshkrimeve të panjohura jo vetëm për publikun, por edhe nga vetë studiuesit. Nga ekspozita del i trullosur nga numri i madh i librave të ekspozuar, nga luksi i botimeve venedikase apo ato arabe, por si kudo ku flitet për thesare edhe ato janë të ndaluara të preken dhe leximi mjaftohet me ato të fishave sqaruese, nd’anë botimeve. Por si një ekspozitë e veçantë, e pandodhur në përmasa të tilla në 100 vjet, qysh se nga Kongresi i Lushnjës u vendos për krijimin e një Biblioteke Kombëtare, ku do të pasqyrohej kultura dhe etja për dije e qytetërim i një kombi, nuk duhet humbur…(Gazeta Si)