Si në Shqipëri dhe Kosovë me librin duket se politika, qeveritarët nuk i kanë punët mirë. Në Shqipëri sa është njoftuar se nuk do mbahet panairi i përvitshëm i librit, që mendohet të jetë më i rëndësishëm në rajon. Do mbahet online. Por, si për mungesë të panairit dhe për mbatjen online ka pasur zëra të vakët, kundërshtues. Në Kosovë duket se është i njëjti fat me librin. Botuesi më i rëndësishëm atje, me përvojën 50 vjeçare, “Buzuku” as në kohën e luftës nuk e ka parë këtë situatë. Edon Zeneli, pasardhësi që mban sot këtë shtëpi botuese ka reaguar në rrjetin e tij social duke u shprehur se: “Në këto shtatë-tetë vitet e fundit, sivjet është viti më i rëndë për botuesit dhe fushën e librit në Kosovë. E, në këto shtatë-tetë vitet e fundit, më së keqi është neglizhuar botuesi dhe libri sivjet. Po hyjmë në muajin nëntor dhe për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit koncepti ‘libër’ është inekzistent.
Projektet e fushës së librit, që s’lidhen fare me gjendjen e re të krijuar (e për të cilën Minsitria do të duhej të vepronte dhjetëfish më shumë e më shpejt) për çdo vit janë publikuar e realizuar shumë më herët. Sivjet, meqë gjendja e kërkonte të reagohej më shpejt e më mirë, këta kanë dështuar krejtësisht. Në manualin “Si ta shkatërrojmë një vend”, Kapitulli ‘Shkatërrimi i kulturës’, shembull ilustrues mund të jetë sjellja e shtetit të Kosovës karshi librit. Çdo vit mendojmë “s’ka më keq se kaq dhe mbase padituria e neglizhenca ka prekur fundin e do të fillojnë të lëvizin gjërat për më mirë”, gjërat marrin për më keq. Qeveri teknokratësh thonin. Qeveri neglizhence, kurrgjë tjetër”.