nga MARJANA YMERI
Sot, Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit organizoi simpoziumin (?!) “Kufijtë dhe gjuha”. Një ide interesante, sidomos në një ditë të veçantë për përkthimin.
Nuk isha ndër pjesëmarrësit (dhe nuk di nëse botuesit kanë qenë të ftuar), por propozimi më i rëndësishëm, që pret të materializohet, me sa lexoj, është organizimi i “Urdhrit të përkthyesit”, i cili, siç lihet të kuptohet është nismë dhe do të varet nga QKLL.
Natyrshëm më lindin disa pikëpyetje: Këto Urdhra apo grupime apo shoqata, nga kush organizohen zakonisht? Nga shteti, përmes ingranazheve të tij apo nga grupimet e interesuara e të pavarura?!
Cili do të ishte autoriteti i këtij “Urdhri”? Sa detyrues mund të jetë ndaj aktorëve të tregut kulturor? Atij lokal? Atij ndërkombëtar? A ekziston një Urdhër i profesioneve të tjera intelektuale? Urdhri i muzikantëve? I shkrimtarëve? I piktorëve a skulptorëve etj…
Përkthyesit zyrtarë i certifikon institucioni përkatës, p.sh. Ministria e Drejtësisë etj. dhe regjistrohen në Gjykatë, po kush do të përcaktojë se cili përkthyes (i letersise fiction dhe nonfiction) është i përshtatshëm për “tregun” kulturor?
Një organizim profesional të vetë përkthyesve e kuptoj, do të ishte shumë i dobishëm: mund të kishte një platformë që do të ndihmonte në rritjen e një brezi të ri përkthyesish, në radhë të parë do të punonte e të bashkërendonte punën për kualifikimin dhe mund të bënte trajnime, mund të lobonte për probleme të ndryshme të përkthyesve etj.
Shoh në fotot e botuara nga kjo ngjarje disa përkthyes të njohur, por jo botues, të cilët janë aktorë me shumë peshë të tregut letrar. Nuk e di cili ka qenë opinioni i përkthyesve për këtë. Mbase kur t’u botohen kumtimet e mbajtura në simpozium, mund të qartësohet ideja e Urdhrit dhe sidomos probleme, të cilat shpresoj janë rrahur dhe që presin zgjidhje, në bashkëpunim edhe me ekspertë të fushave të tjera.
Gezuar Diten e Perkthimit!