Ligjërata e drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, e mbajtur dje (13 dhjetor 2021) në konferencën ndërkombëtare: “Zhdukjet me forcë dhe të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare, si dhe mjediset bashkëkohore: një vlerësim social, ligjor dhe historik i politikave dhe mekanizmave të tranzicionit dhe transformimit”. Konferenca u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Qendra për Drejtësi dhe Transformin/Universiteti i Tiranës

Dr. Çelo Hoxha

Regjimi komunist la shumë plagë në trupin e shoqërisë shqiptare. Në një shoqëri, e cila e ka mallkim të rëndë shprehjen “Të humbtë varri!”, besoj se mosgjetja e varreve të qindra personave të ekzekutuar ose të vdekur në burg është plaga më e madhe. Pas rënies së regjimit komunist, njerëzit kanë bërë përpjeket e tyre dhe një numër i madh i varreve janë gjetur. Referuar statistikave ekzistuese, për gjetjen e varreve, rreth 10% mund të kenë mbetur pa zbuluar ende. Mirëpo, vitet e fundit është rritur vëmendja e institucioneve dhe organizatave jo qeveritare, shqiptare ose të huaja, për kërkimin e një kategorie njerëzish të dëmtuar nga regjimi komunist, për të cilët mungojnë të dhënat. Kjo kategori quhet “të zhdukurit”. Në këtë ligjëratë do të mundohem të trajtoj konceptin ligjor për të zhdukurit, varret masive, mënyrën e varrimit të të ekzekutuarve dhe atyre që vdisnin në burgje, të dhënat për zhvarrimet pas rënies së regjimit komunist, dhe disa konsiderata e rekomandime.

Ligjet e drejtësisë transitore dhe të zhdukurit

Ligjet e drejtësisë transitore, të cilat përkufizojnë llojet e persekutimit, nuk kanë përkufizim specifik për persona të humbur gjatë regjimit komunist.

Kategoritë e personave që konsiderohen të persektuar politikisht gjatë regjimit komunist janë përkufizuar në ligjin nr. 7748, 29 korrik 1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, dhe janë:

1. Persona që kanë humbur jetën ose janë të sëmurë psiqik për shkak të përndjekjes.

2. Persona që janë dënuar me heqje lirie ose kanë qëndruar në arrati brenda vendit për shkak të përndjekjes.

3. Persona që janë dënuar me internim ose dëbim për shkak të përndjekjes; persona shqiptarë që kanë pasur shtetësi të huaj, sot shtetas shqiptar, e që kanë jetuar në kampe përqendrimi, të ngritura posaçërisht për ta.

4. Persona që kanë humbur të drejtat qytetare, kulakët e fshatit, të deklasuarit dhe, ata, që kanë pësuar privime të llojeve të ndryshme për shkak të përndjekjes. Ky është ligji kryesor që bën përkufizimin e kategorive të persekutimit. Zhdukja e personit nuk njihet si kategori. Personat e zhdukur, përkufizimi ligjor. Deri vitin e kaluar nuk ka pasur përkufizim për të zhdukurit në komunizëm. Koncepti për të zhdukurit është përdorur për herë të parë në ligjin nr. 45/2015, ku përmendet 18 herë. Personi i zhdukur, i përmendur në këtë ligj, përkufizohej sipas Kodit Civil. Ky koncept ishte futur në ligjin nr. 45/2015, për të lehtësuar punën e AIDSSH, nëse ndokush interesohej pranë atij institucioni për “ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur”. Referenca për përkufizimin e Kodit Civil u hoq dhe, më 29 korrik 2020, me ligji nr. 114/2020, u miratua një përkufizim i ri, në përputhje me fushën e veprimit të ligjit nr. 45/2015: “Person i zhdukur”, sipas fushës së veprimit të këtij ligji, është personi i arrestuar, i burgosur, i rrëmbyer, ose të cilit i është hequr liria në çdo formë tjetër nga agjentë të shtetit apo nga persona të tjerë a grupe personash, që kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të heqjes së lirisë ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur, a e vendit ku gjendet ai, duke e shkëputur nga mbrojtja e ligjit.” Referuar këtij përkufizimi, duhet të plotësohen dy kushte, që një person të konsiderohet i humbur:

1. Personi duhet të jetë arrestuar, burgosur, rrëmbyer ose t’i jetë hequr liria në forma të tjera, nga agjentë të shtetit apo nga persona të tjerë a grupe personash, të cilët kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit.

2. Agjentët e shtetit, ose personat e tjerë, apo grupet e personave, të cilët kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, duhet ta kenë mohuar faktin që kanë arrestuar personin, që e kanë burgosur, rrëmbyer, ose që i kanë hequr lirinë në forma të tjera. Përkufizimi është i qartë. Çdo person që është ekzektuar me gjyq, ose që është vrarë pa gjyq, por që ekziston i pasqyruar në raporte apo dokumente të tjera zyrtare, çdo person i burgosur, i internuar, apo që i është kufizuar liria në forma të tjera, me procedurë ligjore apo administrative, nuk përmbush kushtet për t’u klasifikuar ligjërisht si person i humbur. Institucioni apo personi që ka vepruar me miratimin e shtetit, me lëshimin e dokumentit e ka pranuar aktin. Dokumenti është pohim dhe, në këtë rast, nuk plotësohet kushti i dytë i përkufizimit të zhdukjes (mohimi). Si kanë punuar, pa përkufizim ligjor, institucionet dhe organizatat që pretendojnë se kërkojnë personat e zhdukur prej vitesh, nuk e kuptoj. Ajo që mund të them është, se të punosh pa një përkufizim të tillë do të thotë kërkosh një objekt që nuk i di as formën, as ngjyrën, as aromën, as përmasat – d.m.th të kërkosh diçka të paidentifikueshme.

Varret masive

Në dijeninë time, në Shqipëri nuk ka varre masive të zhdukurish nga regjimi komunist. Mund të ketë, nuk e përjashtoj si mundësi, por deri tani nuk rezulton të jetë zbuluar ndonjë i tillë. Në një raport të ICMP (International Commission on Mising Persons), 2 mars 2021, thuhet se ICMP ka synuar gërmimin në dy varreza masive “të njohura”, në Dajt dhe në Ballsh. Të njohur, nga kush? Në të folmen e përditshme mund të thuhet se, në Dajt e në Ballsh ka varre masive, por jo në raporte të institucioneve apo organizatave të specializuara. Varr masiv mund të quhet një territor i njohur si i tillë nga institucione me autoritetin ligjor dhe ekspertizën e nevojshme, për ta bërë një gjë të tillë.Për Dajtin, di që ishte vend pushkatimi dhe që janë tërhequr eshtra që viti 1992. Nuk besoj se, kanë mbetur shumë pa u gjetur. Sa i përket Ballshit, bëhet fjalë për varrezat e ish-kampit të riedukimit (kamp pune). Aty ka një varrezë, jo një varr masiv. Është shumë me rëndësi të bëhet ky dallim.Varreza masive të të ekzekutuarve (jo të zhdukurve) ka pasur, janë gjetur, dhe mund të ketë të tjerë. Një rast është varri i 22 të ekzekutuarve, më 26 shkurt 1951. Ata ishin varrosur në një gropë, u zhvarrosën më vonë, dhe janë rivarrosur, sërish në një varr masiv, për shkak të pamundësisë për të identifikuar eshtrat, në Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë. Këta persona, dhe shumë tjerë, nuk janë të zhdukur.

Të vdekurit në burg dhe të ekzekutuarit

Gjatë regjimit komunist, të vdekurit në burgje dhe të ekzekutuarit, bazuar në dokumente arkivore, të botuara, varroseshin në vende të caktuara. Për varrimin e tyre mbahej një regjistër i veçantë, i cili, kur mbushej dërgohej në arkiv. Afati i ruajtjes ishte i përhershëm, prandaj ato regjistra, ose një pjesë e tyre, duhet të jenë diku. Regjistri mbahej në tre vende: repartet e riedukimit, burgje dhe Degën e Zbatimit të Vendimeve Penale. Në shtyllën nr. 16, të regjistrit, ishte e detyrueshme të shënohej: emri apo vendi i varrezave, parcela, rreshti, dhe nr. i varrit. Në regjistër shënohej gjithashtu mënyra e vdekjes; vdekje ose ekzekutim. Për ekzekutimet shënohej data e ekzekutimit dhe numri e data, e shkresës. Veç kësaj, shënohej dhe data e njoftimit të familjarëve, i cili bëhej përgjithësisht me telegram. Për të vdekurit në burgje, kjo procedurë vërtetohet nga dokumente të botuara. Burgu i Spaçit i varroste të vdekurit në Shpal, Mirditë. Për burgun e Qafë Barit, nuk e di emrin e vendit të varrimit, por ekzistenca e tij vërtetohet me një fletë nga regjistri i të vdekurve, e botuar. Në periudhën tetor 1983 – maj 1986, në Qafë Bari vdiqën 8 të burgosur. Me sa kam mësuar në rrugë informale, me përjashtim të njërit, eshtrat e tyre janë marrë nga familjarët. Eshtrat e vdekurve në burg janë identifikuar nga emri i gjetur në një shishe të futur në varr, bashkë me kufomën. Por, ka dokumente, që vërtetojnë se dhe të ekzekutuarve u është futur shishja e identifikimit në varr. Kjo është e vërtetuar, në rastin e gjetjes së eshtrave të Sokol Sokolit, i ekzekutuar bashkë me Tom Ndojën, në Shkodër. Edhe në varrin e Ndojës u gjet shishja, por ishte e hapur dhe letra, me sa kuptohej, ishte kalbur. Të burgosurit që kanë vdekur në spital varroseshin në varrezat e qytetit ku ishte spitali. Nga informacioni që kam, të burgosurit shtroheshin vetëm në Tiranë, dhe, për rrjedhojë, të burgosurit e vdekur në spital, të paktën pas vitit 1960, duhet të jenë në varrezat e Tiranës, jo në parcelë të veçantë. Për një rast, e di nga dëshmitarët, një person e konsideronte të humbur xhaxhain e vdekur në burg. Kur i tregoi një personi tjetër, ai e mori dhe së bashku shkuan në Tufinë. U interesuan te administrata e varrezave dhe, në pak minuta, e gjetën varrin e xhaxhait “të humbur”. Personat, e ekzekutuar dhe të vdekur, të varrosur me procedurën e mësipërme, nuk mund të konsiderohen persona të humbur. Mes tyre ka që nuk u janë gjetur varret, por humbja e varrit nuk i kualifikon ata, si persona të zhdukur në kuptimin juridik të këtij koncepti.

Kërkimi për personat e zhdukur dhe prokuroria

Sipas raportit të 2 marsit 2021, ICMP ka kërkuar leje nga prokuroria për gërmim në Dajt dhe Ballsh, por ajo nuk ka dhënë leje. ICMP thotë, në raport, se prokuroria nuk është përfshirë me justifikimin se nuk ka pasur buxhet për ekspertët që do të përfshiheshin në proces. Në një prononcim publik të një përfaqësuesi të prokurorisë nuk jepet mungesa e fondeve, si arsye e mosveprimit të prokurorisë, por mangësitë ligjore të procesit. Sipas Sokol Stojanit, drejtor për Bashkëpunimin Institucional pranë Prokurorisë të Përgjithshme, i cili ka folur për BIRN, “zhdukja me forcë në kuptim të konventës dhe Kodit Penal ka kuptimin e marrjes me forcë nga autoritetet shtetërore dhe mohohet fakti i vendndodhjes së tyre. Pra, ka kuptim të ndryshëm nga mostregimi i varrit, ku prehet personi i dënuar me vdekje apo i vdekur gjatë fazës së vuajtjes së dënimit. Identifikimi i vendndodhjes dhe procedurat e gjetjes së eshtrave, në kuptim të marrëveshjes me ICPM dhe ligjeve tona, janë hetime administrative. “Kjo do të thotë se, procedura e kryer nga ICMP dhe bashkëpunëtorët e tij nuk përmbush standartet juridike të kërkuara për të zhdukurit, që të justifikojë përfshirjen e prokurorisë. Fajësimi i prokurorisë duket si një alibi për të justifikuar mosgjetjen e eshtrave të personave të supozuar të zhdukur.

Raporti i ICMP, 2 mars 2021

Në raportin e ICMP, thuhet se numri i të zhdukurve gjatë regjimit komunist në Shqipëri llogaritet rreth 6000 persona. Kjo shifër jepet pa referencë të ndonjë burimi zyrtar. Në vijim, ICMP thotë se, 5501 persona u dënuan dhe u ekzekutuan për arsye politike në periudhën 1944-1991, dhe se eshtrat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjes. Në të njëjtën periudhë, sipas ICMP, duke iu referuar të dhënave zyrtare, 987 perosna kanë vdekur në burg, familjarët e të cilëve nuk dinë gjë për varret e tyre. Këtu duhen bërë një qartësim: 1) të ekzekutuarit dhe të vdekurit në burgje nuk klasifikohen si të zhdukur, në kuptimin ligjor të konceptit, 2) varret e një pjese të tyre janë gjetur. Nuk mund të them, me saktësi, pse ICMP i ka prezantuar këto shifra jashtë standardeve ligjore me të cilat punon, të cilat gjenden të publikuara në faqen zyrtare të ICMP. Nëse informacioni është prezantuar në mënyrë që të zmadhojë objektin e punës së ICMP, atëherë ICMP ka treguar standard profesionalizmi të ulët. Deri në dhjetor 2020, IIPP (Instituti Integrimit të ish-të Përncjekurve Politikë) ka regjistruar 643 kërkesa nga familjarë që kërkojnë eshtrat e të afërmëve të tyre. Këto kërkesa janë grumbulluar në periudhën 2014-2020. Artimetikë e thjeshtë: (5501 të ekzekutuar + 987 të vdekur në burgje) – 643 aplikime për gjetjen e eshtrave = 6424 persona, eshtrat e të cilëve, ose janë gjetur, ose familjarët nuk kanë treguar interes. Përgjatë viteve janë bërë gërmime dhe janë gjetur eshtrat e shumë personave, por nuk mund të krijojmë statistika bazuar në deduksione logjike. Kjo çështje kërkon hetime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse varret e të ekzekutuarve të tjerë ose të vdekurve në burgje janë gjetur apo, thjesht, familjarët nuk kanë treguar interes.

ICMP dhe ISKK

Tani mund të them me një farë autoriteti se, ICMP e përcjell informacionin në mënyrë spekulative, në shërbim të qëllimeve të veta dhe jo të vërtetës. ICMP i kushton Instiutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) një paragraf, në raportin e vet, me përmbajtjen e të cilit nuk pajtohem. Në raport thuhet se, ISKK nuk mban të dhëna të ndara për personat e zhdukur, pa shpjegime të mëtejshme, duke e përcjellë konstatimin e tij si të metë të ISKK. Gjej rastin t’i informoj përfaqësuesit e ICMP në Shqipëri se:

1. ISKK “analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit. “Krimet që dokumenton ISKK janë përkufizuar në ligjin nr. 7514, 30 shtator 1991, dhe, bazuar në atë ligj, janë përcaktuar kategoritë e persekutimit nga ligji nr. 7748, 29 korrik 1993. Pohimi negativ i raportit të ICMP është krijuar bazuar në pritshmërinë e ICMP dhe jo në realitet.

2. ISKK nuk krijon statistika bazuar në një realitet imagjinar.

3. Shumica e 6000 emrave, që ICMP pretendon se janë zhdukur në Shqipëri, janë të identifikuar si viktima të regjimit komunist, në 10 vëllimet e Enciklopedisë së Viktimave të Terrorit Komunist, që ISKK e boton prej vitit 2012. Në Enciklopedi, por dhe botime të tjera, është shënuar, aty ku kemi pasur informacion, që x person nuk ka varr, nuk i është gjetur varri, ose i ka humbur varri, etj.. ICMP, nëse është i interesuar, mund ta gjejë këtë vepër monumentale në çdo blibliotekë të Shqipërisë.Në raportin e ICMP thuhet, gjithashtu, se ISKK nuk ka bashkëpunim zyrtar për çështjen e të zhdukurve me IIPP. ICMP bën një konstatim për të përcjellë negativitet, në dëm të ISKK, duke përdorur informacion të panevojshëm. Që ISKK të ketë bashkëpunim zyrtar për çështjen e të zhdukurve me IIPP, duhet që ligji ta parashikojë një gjë të tillë. Ligji nr. 10242, i cili përkufizon fushën e veprimit të ISKK, nuk parashikon gjë për këtë çështje. Veç kësaj, nëse ICMP vërtetë mendon se, këto dy institucione duhet të kenë bashkëpunim zyrtar, ky shqetësim nuk gjen shprehje në rekomandimet e ICMP për Kuvendin e Shqipërisë që shoqërojnë raportin. Sa i përket bashkëpunimit të ISKK me IIPP, për çështje me interes për të dy institucionet, mund të them se është i shkëlqyer. ICMP mund ta verifikojë këtë duke shfletuar disa vëllime të Enciklopedisë, ku gjendet një falenderim për IIPP. Po përmend këtë fakt, që është lehtësisht i verifikueshëm, por ne kemi zhvilluar vazhdimisht aktivitete të përbashkëta. Aktiviteti i përbashkët, më i fundit, ishte përurimi i librit të Islam Spahisë, ish-i burgosur politik, botim i ISKK, në verën e këtij viti. Bashkëpunimi, më i fundit, ka qenë shkëmbi i informacionit pikërisht për përgatitjen e këtij materiali.

Rekomandimet e ICMP

Raporti i ICMP, mbyllet me shtatë rekomandime për institucionet shqiptare. Katër prej rekomandimeve synojnë rritjen e rolit të Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AAIDSSH), në kërkimin e të zhdukurve, për të cilët, deri tani nuk ka statistika zyrtare. E thënë në mënyrë të përmbledhur: ICMP kërkon që të mbyllet Sektori për Gjetjen e të Zhdukurve pranë IIPP dhe të hapet pranë AIDSSH. ICMP nuk jep argumente pse duhet bërë ky transferim. Nga rekomandimet e ICMP, mësohet se AIDSSH është përfshirë në proces, pa bazë ligjore. Ligji nr. 114/2020, parashikon që qeveria të nxjerrë aktet nënligjore për të rregulluar punën e AIDSSH. Kjo do të thotë përcaktim procedure, fonde dhe personel. Deri në 2 mars 2021, aktet nënligjore nuk kishin dalë. Përfshirja e AIDSSH në proces, pa aktet nënligjore, është bërë në dëm atij institucioni, sepse ka angazhuar personel dhe fonde, të parashikuara për gjëra të tjera.Veç kësaj, roli protagonist i AIDSSH në çështjen e të zhdukurve ka qenë shumë më i ekzagjeruar se parashikimi ligjor. Amendimet ligjore të 29 korrik 2020, nuk e ndryshuan fushën e veprimit të AIDSSH, pra, ajo është e kufizuar me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ajo që parashikon ligji nr. 45/2015, i ndryshuar, neni 22/1, është rol bashkëpunimi i AIDSSH me institucione të tjera, qendrore ose vendore, është rol ndihmës. Ky angazhim, nëse ligji lexohet mirë, duhet të jetë brenda parashikimeve të nenit 10, të atij ligji. Kjo do të thotë që, AIDSSH mund të ndihmojë me informacion, që mund të gjendet në arkivin që ajo ka nën administrim, përndryshe del nga fusha e veprimit parashikuar në ligj (neni 10). Veç kësaj, ky ligj nuk parashikon bashkëpunim të AIDSSH me institucione të huaja për çështjen e të zhdukurve.

Përfundime

• Çështja e të zhdukurve, në kuptimin korrekt ligjor, është një narrativë pa substancë. Mungojnë të dhënat me vlerë juridike që vërtetojnë ekzistencën e personave të zhdukur.

• Humbja e varrit të një personi dhe zhdukja e personit, janë dy gjëra të ndryshme. Deri tani, nuk është bërë ky dallim. Përdorimi i shifrës 6000, si persona të zhdukur, ose si persona që nuk u është gjetur varri, është i gabuar, në mos abuzim.

• Shifra e personave të ekzekutuar ose të vdekur në burgje, të cilëve nuk u është gjetur ende varri, është 10 herë më vogël nga ajo që paraqet ICMP, AIDSSH, etj..

• Udhëzuesi i AIDSSH, “Për të drejtat e familjarëve të personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist”, synon të ndihmojë familjarët e një kategorie imagjinare, deri tani.

• Të drejtat e familjarëve të personave që janë ekzekutuar, ose kanë vdekur në burg, janë parashikuar nga ligjet e drejtësisë transitore: ligji për amnistinë, ligji për statusin e persekutimit, ligji për dëmshpërblimin, etj..

Rekomandime:

• Institucionet duhet ta përdorin me korrektësi konceptin juridik “person i zhdukur”. Ky neglizhim është shfrytëzuar për të krijuar narrativa imagjinare.

• Duhet rishikuar roli i ICMP. Arritjet e deritanishme kanë qenë ose rezultat i një angazhimi të pasinqertë, ose i një niveli profesional të diskutueshëm. (Konflikti me prokuorinë është i pabazuar. Rekomandimi për transferimin e kompetencave nga IIPP te AIDSSH është i pa argumentuar. Prezantimi i statistikave për të krijuar narrativa pa substancë është i dëmshëm.)

• AIDSSH të punojë brenda kornizës ligjore. (Ligji parashikon një rol bashkëpunes me institucione të tjera, për gjetjen e të zhdukurve. Gjetja e eshtrave të të ekzekutuarve, dhe të vdekurve në burgje, nuk përfshihet në këtë fushë të veprimit të AIDSSH.)

• AIDSSH duhet të përqëndrohet në kërkimin, në dokumentet e ish-Sigurimit, për çështjen e personave të zhdukur, nëse ka, megjithëse nuk besoj se ka gjëra me rëndësi për këtë çështje. Sidoqftë, ajo është fusha ligjore e veprimit e AIDSSH.

• IIPP nuk duhet të mënjanohet nga procesi i identifikimit të personave që nuk kanë varr. (Shumica e statistikave që ekzistojnë janë konstribut i IIPP. Me burime të kufizuara, IIPP ka bërë një punë të lavdërueshme. Rezultatet dhe përvoja, e akumuluar në vite, nuk mund të hidhen në kosh.)

• IIPP duhet të saktësojë terminologjinë në dokumentet zyrtare. Të mos përdorë termin “person i zhdukur”, kur bëhet fjalë për personat që nuk kanë varr. (Kjo do t’u hiqte mundësinë aktorëve të interesuar për krijimin e narrativave imagjinare duke iu referuar burimeve “zyrtare”.)

• Arkivi i Ministrisë së Brendshme duhet të bëhet funksional. Të pajiset me mjedise pune për kërkuesit, të plotësohet me personel, dhe të jetë i hapur. Aty mund të gjenden dokumentet e nevojshme për zbardhjen përfundimtare të varreve, ende të pagjetura. (Do të ishte ideale për zbardhjen e krimeve të komunizmit, sikur ky arkiv, pjesa 1944-1991, të kalohej nën administrimin e ISKK, meqë është i lidhur ekskluzivisht me objektin e punës së tij.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Gazetaria si bilanc lufte
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}