Ky libër që kemi në dorë ka një histori më vete. Relacioni i ipeshkvit Vincenc Zmajević i vitit 1702/1703 është vepër e tre autorëve: Vincenc Zmajević, Peter Bartl dhe Injac Zamputti. Zmajević e ka shkruar këtë relacion nga vizita apostolike në ipeshkvitë e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë më 1702/1703. Këtë relacion e ka botuar italisht (versioni i arkivit të Vatikanit) Peter Bartl më 1979 në librin “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte Im 17. Und 18. Jahrhundert“ fq. 1-186, përcjellë me shpjegime e shënime nga Bartl. Shqip është përkthyer nga Injac Zamputti më 1988, përkthim i pabotuar deri tani.
Vincenc Zmajević – relacioni i 1702/03 dhe Kuvendi i Arbënit 1703
Vincenc Zmajević ka lindur në Perast (Mali i Zi) më 23. 12. 1670 në një familje kroate e njohur në historinë e rajonit dhe më gjerë. Në shkrime të ndryshme ndeshim në disa variante shkrimi të emrit: p. sh. Vinzenco, Vincenc, Vinçenc, Vincent, Vicko, Visk, Vink, Vinko dhe Zmajević, Zmaievich, Zmajevich, Zmaieuich, Zmajeviq, Zmajevik, Zmajeviç… Në këtë libër kemi dy versione: në parafjalë është përdorur emri e mbiemri i tij siç e gjejmë në shumicën e shkrimeve internacionale Zmajević, kurse tek shkrimet e përkthyera kemi respektuar versionin që e shkruajnë përkthyesit: Vinçenc Zmajeviq dhe Vinko Zmajeviq, kurse titullin e kemi sipas versionit të dokumentit nga Arkivi i Vatikanit.
Xhaxhai i tij, Andrija Zmajević, ishte ipeshkëv i Tivarit (1671-1694). Me ndihmën e tij dërgohet në “Collegium Urbanum” në Romë, ku përfundon studimet në filozofi e teologji, doktoroi më 30. 03. 1695. Pas shugurimit meshtarak, më 1696 kthehet në vendlindje dhe emërohet famullitar në Perast. Më 1701 papa Klementi XI e emëroi ipeshkëv të Tivarit me dekretin: “Vicentius Zmajevich, archiep. Antibarensis 8 Iulii 1702 deput. visit. apost. ecclesiarum et missionum prov. Epiri seu Albaniae iuxta decr. S. Congr. Prop. 13 Iun. 1702 emanatum et a S.S. 19 Iun. 1702 approbatum”. Vincenc Zmajević ishte ipeshkëv i Tivarit deri sa u emërua ipeshkëv i Zarës në Kroaci, më 1713, ku edhe vdiq më 11.09.1745. Pas emërimit të tij ipeshkëv i Tivarit më 1701, Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) emëroi Zmajević Vizitator Apostolik në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bullgari, dhe këtë vizitë e filloi në shtator të vitit 1702 e që zgjati deri në shkurt 1703. Për këtë vizitë ai shkroi një relacion tejet të rëndësishëm për historinë shqiptare. Kjo vizitë ishte edhe pararoja e Kuvendit të Arbërit që u mbajt në Mërqi, në janar 1703, të cilin e thirri Zmajević. Dorëshkrimi i Zmajević-it është i njohur me emrin “Notitie universali dello stato di Albania, e dell’operato da monsig.r Vincenzo Zmaievich arcivescovo di Antivari visitatore apostolico dell’Albania“ (“Njoftime të gjithanshme mbi gjendjen e Shqipërisë dhe të veprimtarisë së imzot Vincent Zmajević kryepeshkop i Tivarit vizitator apostolik i Shqipërisë” – sipas përkthimit të Zamputti-t) dhe ruhet si dorëshkrim në dy versione (gati identike); njëri është në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, Barb.Lat 4577, dhe tjetri në arkivin e Propaganda Fide SC, Albania, 5. F. 535-661. Po ashtu edhe një pjesë e këtij relacioni është botuar nga Jovan Tomić “Gradja za istoriju gornje Arbanije (Spomenik Srpske Kraljevske Akademije” XLII, Beograd 1905, f. 61-72, të cilin Tomić e kishte blerë në Venedik nga një antikuariat. Kjo tregon se ishte edhe një tjetër version i këtij dorëshkrimi.
Relacioni i Zmajević-it i viteve 1702/03 është tepër i rëndësishëm për historinë shqiptare, por Zmajević duhet kujtuar edhe për dy ngjarje shumë të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar: 1. Thirrja e Kuvendit të Arbrit më 1703 nga ana e tij, dhe 2. Shpërngulja e shqiptarëve në Arbanasi afër Zarës. Pasi Zmajević kishte vizituar si i dërguar i Vatikanit ipeshkvitë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Bullgari, kishte parë gjendjen e mjerueshme të katolikëve shqiptarë, jo vetëm materiale por edhe organizative, strukturore nën perandorinë osmane… Prandaj e pa të arsyeshme që të ndërmarrë diçka konkrete për Kishën Katolike në trojet shqiptare. Kështu falë Zmajević-it u thirr dhe u organizua Koncili apo Kuvendi i Arbrit i cili u mbajt më 14 dhe 15 janar 1703 në Mërqi në afërsi të Lezhës, ku u tubuan ipeshkvijtë e klerikët katolikë, apo më mirë të themi, përfaqësuesit kishtarë shqiptarë për të diskutuar dhe vendosur rregulla për jetën kishtare në trojet shqiptare. Kuvendi i Arbrit kishte një frymë të koncilit të Trentit, i mbajtur qysh më 1545-1563. Dëshmi për punën e vyer të Zmajević për Koncilin e Arbrit 1703 mund të shihen në botimet e ndryshme të akteve të Koncilit. Këtu duhet përmendur vepra e A. Vinçenc Malajt “Kuvendi i Arbënit 1703” (Prishtinë 1998) për këtë temë.
Për termin koncil shpesh mund të përdorim edhe fjalën tjetër sinodi, që, në shekujt e parë të Kishës, kishte të njëjtën domethënie. Ky term, më vonë në Kishën perëndimore (latine) u zëvendësua me fjalën koncil ekumenik. Në fakt, kemi të bëjmë me të njëjtën gjë, përveç se termi koncil rrjedh nga latinishtja (concilium) kurse ai sinod (synodos) është fjalë greke. Në shqip mund të përdoret për këtë edhe emri kuvend apo këshill. Nganjëherë, në kohën e sotme, termi sinod përdoret për një mbledhje kishtare të një rajoni apo ipeshkvie. Fjala koncil është fjalë latine, dhe në shqip mund ta përkthejmë: mbledhje, tubim, pleqnim, kuvend, takim, pjekje. Në Kishën katolike ekzistojnë dy lloj koncilësh, ai provincial (koncil partikular apo sinodi ipeshkvor), që përfshin një rajon apo një vend (shtet) dhe ipeshkvijtë që përfaqësojnë kishën vendore, dhe ai që përfshin Kishën e gjithmbarshme nën udhëheqjen dhe thirrjen e Papës, pra ku marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë katolikë të botës dhe quhet koncil ekumenik. Kuvendi i Arbrit është koncil partikular, i ftuar nga Vincenc Zmajević, gjithsesi me dijeni dhe leje të Papës Klementit XI. Sinode ipeshkvore apo ndëripeshkvore shqiptare kishte edhe më parë gjatë historisë kishtare, por “Kuvendi i Arbrit” ishte me përmasa të mëdha, pasi për këtë ishte informuar mirë Papa Klementi XI dhe dokumentet e botuar pas Koncilit ishin të shumta, latinisht e pastaj edhe shqip, e që kanë interesa të ndryshëm studimi, kishtare, historike, gjuhësore, etnografike… Një ndër koncilët shumë të rëndësishme të mëparshme në trojet ballkanike, ishte Koncili i Tivarit, i mbajtur më 1249/1250 që, për kohën, ishte shumë i rëndësishëm, apo sinodi diocezan në Letnicë, më 1642.
Relacioni i vitit 1702/03 i Zmajević nuk është me interes vetëm për historianët e shekullit XVII. Përmbajtja e tij do të mund të përshkruhet në pika të shkurtra kështu. Faqet e para ia kushton gjendjes jo vetëm historike shqiptare, por edhe asaj ekonomike, pozicionit gjeografik, dioqezave në trojet shqiptare, gjendjes së mjerueshme të të krishterëve nën sundimin otoman, por edhe kritikat ndaj klerit katolik nuk mungojnë. Në këtë pjesë, Zmajević shkruan se duhet thirrur një koncil provincial shqiptar, çka edhe bëri më 1703 (Kuvendi i Arbrit). Përshkrimet e Zmajević në këtë relacion janë detaje për kohën, jo vetëm për jetën e besimtarëve apo të klerikëve, për hapësirën gjeografike që ai vizitonte, për shkatërrimin e kishave, tjetërsimet nëpër kisha, por jep edhe numra të saktë të besimtarëve katolikë nëpër famulli. Në këtë kohë, siç dihet, islamizimi kishte shtrirë rrënjët jo pak në popullin shqiptar dhe jeta ishte tejet e vështirë jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata që ishin islamizuar. Kishte edhe të tillë që, në brendi mbaheshin të krishterë, kurse jashtë si myslimanë. Ishin të krishterë të fshehtë, pra edhe çështja e apostazisë ishte temë në këtë relacion.
Relacioni trajton, me nga një kapitull të veçantë, dioqezat që ai vizitonte e ku jetonin katolikët, si ato të: Tivarit, Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës, Administratën e Durrësit, Budues, gjendjen e kishave të Serbisë dhe Administratën e Shkupit, gjendjen e të krishterëve në Bullgari. Jep po ashtu edhe ide për dalje nga kjo gjendje e mjerueshme, nevojat e misionarëve françeskanë etj. Kur trajton dioqezat, jep me hollësi edhe informata për klerin e famullitë e dioqezave përkatëse.
Një ngjarje tjetër interesante nga veprimtaria e Zmajević është edhe shpërngulja e shqiptarëve në Arbanasi afër Zarës (Zadar) të Kroacisë. Ikja e tyre nga vendlindja ishte për shkak të jetesës së vështirë si katolikë nën sundimin otoman. Për jetën e Zmajević duhet pasur përherë parasysh autorët Daniele Farlati, Pavao Butorac, Peter Bartl, po ashtu edhe Lovorka Čoralić, Vinçenc Malaj… Zmajević ka botuar disa vepra, tekstet e kuvendit etj. P.sh. “Corona poetica”, “Rasgouor Duhouni”, “Musarum chorus in laudem Antonii Zeni”, “Specchio della verità“etj., por për ne janë të rëndësishme tekstet e Kuvendit të Arbënit në gjuhën latine që bëri Zmajević. Tentoi botimin e „Ljetopis crkovni” të Andrija Zmajević, por nuk arriti ta botonte. Zmajević ka lënë dorëshkrime që duhet hulumtuar sipas Čoralić, e cila ka botuar një libër me tema nga historia shqiptaro-kroate (Albanisches Institut në St. Gallen & Hrvatski Institut za povijest në Zagreb botuan më 2022) “Odabrane teme iz povijesti albansko-hvatskih veza” (shqip: Tema të zgjedhura nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-kroate). Në këtë libër një pjesë jo të vogël ia kushton Zmajević, jetës dhe veprimtarisë së tij në Zarë, ku ruhet edhe testamenti i tij. Testamentin e Zmajević do ta sjellim në shtojcën e këtij libri. Është interesant se në testament Zmajević përmend një kryq që ia kishte dhuruar Papa Klementi XI. Po ashtu këtu kërkon nga Kongregacioni që të përkrahë ipeshkvijtë dhe misionarët shqiptarë, kërkon nga kolegji Urbanian që të ndihmojë për studime dhe të sigurojë libra për ta „giovani provvedersi di qualche libro di più“. Por në këtë testament është një fjali interesante kur thotë: „e l’Albania Cattolica, che s’estende da Antivari sino a Durazzo“. Këto gjëra do të jenë interesante për historianët.
Zmajević ishte ipeshkëv i Tivarit deri më 1713 dhe pastaj ishte ipeshkëv i Zarës deri në vdekjen e tij, më 1745. Shpërngulja e shqiptarëve në Arbanasi të Zarës u bë me ndihmën e përkujdesjen e Zmajević-it. Kjo shpërngulje nga pjesa e liqenit të Shkodrës filloi më 1726 dhe vazhdoi deri më 1733. Shqiptarët e shpërngulur në Arbanasi, atë vend e quanin “Arbëneshi”. I njohur në botën perëndimore është edhe emërtimi i tij Borgo Erizzo, që mori sipas gjeneralit venedikas Nicolò Erizzo, nga i cili Zmajević kishte kërkuar leje që t’i sistemonte të shpërngulurit shqiptarë në Zarë. Për këtë temë shih më shumë Tullio Erber dhe Kruno Krstić. Sipas Kruno Krstić, fëmija i parë shqiptar i pagëzuar është djali i Lekë Perës, më 3 maj 1726, me prejardhje nga Brisku, të cilin e pagëzoi kapelani i gjeneralit Erizzo. Zmajević ndërtoi me të hollat e veta kishën e Zojës Loreto për Arbëneshët e Zarës: pse pikërisht të Zojës? A mos ka të bëjë ndonjë paralele me Zojën e Shkodrës duhet hulumtuar. Zmajević kujdesej edhe për të shpërngulurit e tjerë katolikë shqiptarë. Kështu, për shpërnguljen e kelmendasve nga vendlindja e tyre në Peshter, më 1705, Zmajević i shkruan Pashës së Pejës që në këtë grup të veprojnë dy misionarë katolikë, por, kur kuptoi se kelmendasit kishin ikur, Zmajević “kurseu” misionarët françeskanë që të mos vriten nga turqit. Zmajević e njihte shumë mirë problemin e kelmendasve që kishin bërë rezistencë ndaj pushtuesve dhe se jeta e tyre ishte në rrezik. Kelmendasit u shpërngulën prej Peshterit në Sllavoni afër Osjekut, me ipeshkvin e Shkupit Mikel Summa në krye, të cilin Zmajević e kishte udhëzuar që të lëshojë ipeshkvinë e vet në Shqipëri, për shkak të gjendjes së vështirë në këtë territor. Shpërngulja e kelmendasve ndodhi më 1737 dhe, më vonë, për shpërnguljen e shqiptarëve në Sllavoni dhe ipeshkvin Mikel Summa duhet shfletuar shkrimet e Frok Zefit (Frok Zefiq).
Peter Bartl dhe botimi italisht i relacionit të Zmajević
Peter Bartl (1938-2022) ishte njohës shumë i mirë i historisë shqiptare, tërë jetën ia kushtoi historisë shqiptare. Veprat që kanë lënë mbresa në historinë dhe historiografinë shqiptare janë sidomos publikimi i dokumenteve nga arkivi i Propaganda Fide i Vatikanit, ato të Zmajević, dhe Vepra në 5 vëllime me titullin “Albania Sacra” që përmban dokumente të dioqezave shqiptare: 1. Ipeshkvia e Lezhës (2007), 2. Ipeshkvia e Durrësit (2011), 3. Ipeshkvia e Sapës (2014), 4. Ipeshvkia e Pultit (2017) dhe 5. Ipeshkvia e Shkodrës (2021). Bartl e kam njohur qysh prej 1996.
Bartl ka botuar dy vepra më titull: “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte im 17. Und 18. Jahrhundert” I dhe II. Vepra I është botuar tek shtëpia botuese Harrassowitz (Wiesbaden) më 1975 dhe vepra II është botuar tek shtëpia botuese Trofenik (München) më 1979. Që të dyja kanë të bëjnë vetëm me Vincenc Zmajević-in. Vepra e parë ka të bëjë me jetën, biografinë e Zmajević, dhe një pjesë të madhe të letrave të tij apo personave që kanë të bëjnë me të, të dërguara në atë kohë. Veprën II ia kushton Giuseppe Valentini-t me këto fjalë: “Josepho Valentini/Rerum Albanicarum/Indagatori Egregio”, libër në të cilin është botuar relacioni i Zmajević i vitit 1702/03, fq. 1-186 me disa letra të tjera të tij.
Me angazhimin tim, u realizua përkthimi/botimi i tij dhe u botua vepra e tij më 1999 „Shqipëria nga mesjeta deri sot“, përkthyer nga Shkumbin Brestovci, që e botoi Ipeshkvia e Prizrenit, nën përkujdesjen dhe përkrahjen e ipeshkvit të Prizrenit Mark Sopi. Pastaj përkthyem disa shkrime të ndryshme që u botuan në revistën “Urtia” duke vazhduar deri tani. Së fundi, kemi një libër me 17 artikuj të Peter Bartl të përkthyer shqip, që do të botohet së shpejti me këta artikuj në shqip. Kur u botua libri i Bartl, më 1999, mendoja atëherë se ky ishte përkthimi në shqip i pari, por më vonë mësova se Zamputti kishte përkthyer më herët nga vepra të Bartl pikërisht relacionin e Zmajević, por që nuk ishte botuar deri më tani. Në një intervistë të gjatë që kam bërë me Bartl, më 06.12.2015 në shtëpinë e tij në Pullach/München, e cila është ende e papublikuar, e kam pyetur Bartl se a dinte për përkthimin e këtij relacioni në gjuhën shqipe dhe ai më tha se nuk dinte asgjë për përkthimin e Injac Zamputti-t.
Përkthimi shqip i relacionit të Zmajević nga Injac Zamputti
Injac Zamputti (1910-1998) është njëri ndër historianët më të rëndësishëm për historinë e mesjetës shqiptare. Vendlindja e tij ishte Shkodra, me të cilin qytet ishte i lidhur shumë. Zamputti kishte babanë italian, kurse nënën shqiptare. Albanisches Institut dhe Shtëpia Botuese “Faik Konica” kanë botuar deri më sot disa vepra të Injac Zamputti-t. Arsyeja e botimeve të veprave të Zamputti-t është respekti që kemi për punën e tij. Plotësisht jemi të vetëdijshëm se kjo do të vlerësohet më vonë nga historianët e vërtetë dhe institucionet përkatëse. Nuk është dëshirë e jona që vepra e Zamputti-t të shkallmohet apo edhe degradohet nga psoudohistorianët, këtë ia lëmë kohës ta gjykojë. Vepra e tij është pa dyshim themeli dhe shtylla kryesore e historiografisë shqiptare. Zamputti kishte kuptuar rëndësinë e dokumenteve dhe e kishte marrë përsipër këtë si një mision që të sillte në shqip dokumentet më të rëndësishme për historinë shqiptare. Në fakt, ai ishte pothuajse i vetmi që e kuptoi si askush tjetër se njohja e burimeve është mundësia më e mirë për të studiuar si duhet historinë e një vendi dhe përmes kësaj nisme ai synoi të krijonte breza të rinj historianësh të mirëfilltë. Modeli i transkriptimit, përkthimit dhe botimit të dokumenteve në gjuhën shqipe dhe origjinale (italiane e latine), ka mbetur sot e kësaj dite ende i “vetmuar“. Në Universitetin e Triestes të Italisë, Zamputti kishte mbrojtur tezën me titull: “Il Settecento Veneziano e l’albania Turca” (Ignazio Zamputti) më 1941. Ky titull doktorate (laure) në Shqipëri nuk i është njohur kurrë Zamputti-t. Për të parën herë është publikuar kjo tezë për publikun nga Albanisches Institut & Faik Konica, më 2020 bashkë me shumë studime e artikuj të tjerë të Zamputti-t në vëllimin me titull “Studime Albanologjike (1941-2013). Në këtë tezë doktorate (laure) Zamputti trajton, në disa vende, punën dhe veprën e Zmajević, Kuvendin e Arbrit dhe punën e tij për Arbanasit e Zarës (Kroaci). Pra, për Zamputti-n vepra e Zmajević ishte e njohur. Zamputti e dinte vlerën e Zmajević dhe kjo është arsyeja që përktheu në gjuhën shqipe këtë relacion. Relacioni i përkthyer nga Zamputti ruhet në fondin personal të Drejtorisë së Përgjithshme e Arkivave, Arkivi Qendror Shtetëror, Fondet Personale, Fo 846 Injac Zamputi, V. Material i grumbulluar, D. 104, 105 dhe 106. Në këtë libër kemi disa faksimile nga dorëshkrimet e tij. Ka edhe ndonjë kopje tjetër të përkthimit, p. sh. një ruhet tek arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë. Duhet cekur se përkthimi që ruhet në Arkivin Shtetëror ka dy versione, me dorë shkruar nga Zamputti dhe me makinë të shtypur po nga ai vetë.
Arsyen e mosbtimit të këtij përkthimi nga institucionet përkatëse nuk e kam kuptuar kurrë, edhe pse në jo pak raste përmendet apo citohet ky përkthim.
Trekëndëshi historik Valentini/Bartl/Zamputti
Është një trekëndësh interesant i dijetarëve Valentini/Bartl/Zamputti. Valentini ishte mësuesi i Zamputti-t. Lufta II botërore i ndan ata. Giuseppe Valentini jetoi dhe veproi deri para luftës në Shqipëri, kurse pas saj në Itali. Zamputti në Shqipëri. Bartl njohu Valentini-n në arkivin e Vatikanit (sipas intervistës së tij më 2015 të pabotuar) dhe veprën ku publikoi relacionin e Zmajević ia kushton Valentini-t. Këta tre dijetarë kanë një gjë të përbashkët, “Sanctum documentum”, dokumentet për ta ishin të shenjta. Këta ishin të vetëdijshëm se, më së miri, historia shqiptare shkruhet përmes publikimit të dokumenteve. Nëse shikohet publikimi i dokumenteve të përgatitur nga këta tre studiues dhe kur analizohet periudha me shekuj vërehet një gjë me rëndësi. Valentini kishte një periudhë të historisë, sidomos të mesjetës së mesme dhe të vonshme. Gati aty ku përfundon Valentini, fillon Zamputti, gati aty ku përfundon Zamputti fillon Bartl. Vetëm se tek Zamputti është një tragjedi më vete, që nuk arriti t’i prekte me dorë ato dokumente relike, që Valentini e Bartl e bënin, sepse sistemi në të cilën jetonte Zamputti nuk ia lejonte. Por, mos të harrohet një gjë, se Zamputti ishte i vetmi që i botoi në dy gjuhë, italisht e shqip, pra ato edhe i përktheu në shqip. Po mos të ishin këta tre dijetarë, nuk di se në çfarë gjendje kaotike dhe rrëmuje do të ishte historiografia shqiptare sot.
Rreth botimit të këtij libri
Titulli i këtij libri është: “Vincenzo Zmajevich, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë/ Relazione dello stato d’Albania e Serbia (1702-1703).” I ngjashëm është edhe titulli i relacionit që ruhet në Archivio de Propaganda Fide në Vatikan (krahaso faksimilin e kësaj faqeje në këtë libër). Libri është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është relacioni i Zmajević në dy gjuhë, italisht (origjinali) dhe shqip, në italisht e ka botuar Bartl dhe përkthimi i Zamputti-t nga libri i Bartl. Pjesa e dytë është shtojcë mbi jetën dhe veprimtarinë e Zmajević me tri shkrime. Relacioni i Zmajević ka të shënuar anash disa shënime të shkurtra, për përmbajtjen e tekstit në ato pjesë. Këto i ka botuar Bartl në librin e tij. Zamputti nuk i ka përkthyer këta rreshta, e për këtë arsye, nuk i sollëm edhe këtu. Në fund, kemi pjesën e dytë, si shtojcë të këtij libri me testamentin e Vincenc Zmajević që na e ka siguruar Lovorka Čoralić dhe dy artikuj të tjerë: njëri i Peter Bartl dhe tjetri i Frok Zefit, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë e Vincenc Zmajević.
Pasi që përkthimi i relacionit të Zmajević është marrë nga libri i Bartl, Albanisches Institut siguroi të drejtat e botimit dhe përkthimit edhe nga Bartl, kurse nga familja e Zamputti-t i kishim edhe më herët.
Pjesërisht shpenzimet e këtij botimi i mbuloi autori i këtyre rreshtave, si respekt për punën dhe veprën e Injac Zamputti dhe Peter Bartl.
Këtë botim e bëjmë së bashku Albanisches Institut në St. Gallen me Shtëpinë Botuese Faik Konica në Prishtinë për të cilën e falënderojmë Nazmi dhe Arbër Rrahmanin për përkrahjen e tyre. Një falënderim të veçantë duhet shprehur për Zef Nokën për desing e përgatitjen teknike të librit dhe Jozef Zamputtin për përgatitje në word të relacionit italisht e shqip.
Ky botim i këtij libri ishte një udhëtim i gjatë dhe me disa peripeci, por gjithsesi është pak për mburrje, pasi ia dolëm ta botojmë në këtë mënyrë.
Albert Ramaj, Zürich 2022