nga Shkelzen Gashi /Sbunker

Nga njëmbëdhjetë rrëfimet e të burgosurve politikë në këtë libër mësojmë shumë për torturat e rënda fizike e psiqike, kushtet e rënda nëpër dhomat e burgut, ushqimin e keq, detyrimin për punë të rënda kundrejt një pagese të mjerë, vizitat e rralla të familjarëve edhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, e imponimin që bisedat me familjarët të zhvilloheshin në gjuhën sërbe.

OJQ Integra ka botuar një libër me rrëfimet e njëmbëdhjetë të burgosurve politikë shqiptarë që kishin vuajtur dënimet prej shtetit jugosllav në burgun famëkeq të Goli Otokut gjatë periudhës 1945–1989. Në libër, të titulluar “Hije të shtrembëruara – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut”, njëmbëdhjetë protagonistët kanë këtë renditje: Hasan Kastrati, Jeton Radoniqi, Pajazit Jashari, Sabri Novosella, Teki Dervishi, Fadil Bajraktari, Basri Ibrahimi, Masar Shporta, Rrahim Rama, Ali Aliu dhe Ibrahim Kryeziu.

Rrëfimet e këtyre të burgosurve mund të klasifikohen në katër grupe. Në grupin e parë të intervistuar për këtë libër mund të hyjnë Hasan Kastrati, Masar Shporta dhe Ali Aliu, të tre të arrestuar për shkak të kundërshtimit të regjimit komunist jugosllav gjatë viteve ‘50. Janë disa momente që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, të cilat kanë pasur ndikim në formimin e këtyre të arrestuarve. I pari është menjëherë pas përfundimit të Luftës, kur dënoheshin kundërshtarët e regjimit jugosllav, kryesisht veprimtarë të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH). I dyti është në vitin 1953, kur Josip Broz Tito nënshkruan një marrëveshje xhentëlmenësh me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Köprülü-në, për ta siguruar dëbimin e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. I treti është në vitet 1955/56 kur pushteti jugosllav e nis fushatën për grumbullimin e armëve në Kosovë. Momenti i katërt është procesi i turqizimit të shqiptarëve, të cilin më së miri e ilustron rasti i bashkëpunëtorit të regjimit jugosllav, Hashim Mustafa, i cili ndërsa mbahej shqiptar, vajzës ia vë emrin Drita, kurse pasi regjistrohet si turk prej trysnisë së pushtetit, djalit ia vë emrin Eroll.

Kjo më së miri ilustrohet në këtë fragment rrënqethës të Sabri Novosellës, njërit prej të intervistuarve në këtë libër: 

“Baba e kishte nji punëtor që i ndihmojke. Tu kalue kah ‘Fabrika e Tullave’, i pashë disa njerëz që ishin tubue. U afrova, kur u afrova aty ishte ai punëtori jonë, të cilin policia e kishin torturue në mënyrë të tmerrshme gjatë ‘Aksionit për Mbledhjen e Armëve’. I kishin thanë, ‘Ose ke me na prue armën ose kena me ta ba ma zi…’. Ai armë nuk ka pasë. Nuk ka dashtë torturë ma tepër dhe ishte varë. E pashë kufomën e tij të varun… Edhe nuk ishte varë në konop se s’ka pasë pare me ble nji konop, po ishte varë me tel, që e kishte gjetë aty në Fabrikë të Tullave. Ajo skenë më ka mbetë e paharrueshme”.

Të gjitha këto ndikuan edhe në grupin e dytë të të intervistuarve, ku mund të hyjnë Sabri Novosella e Teki Dervishi, të arrestuar për veprimtari kundër regjimit komunist jugosllav gjatë viteve ‘60, si pjesëtarë të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), që ishte themeluar nga Adem Demaçi, Ramadan Shala dhe Mustafa Venhari. Të burgosurit e këtij grupi arrestohen meqë më 1964, bashkë me veprimtarë të tjerë të LRBSH-së, nëpër qytetet kryesore të Kosovës kishin shpalosur 99 flamuj shqiptarë dhe nëpër mure kishin shkruar parullën RRNOFTË SHQIPNIA – NANA JONË!

Në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ’70, gjendja në Kosovë ndryshoi radikalisht, si në politikë, ashtu edhe në ekonomi, në arsim, në kulturë, e me radhë. Shi në këtë kohë, në kulmin e zhvillimit të Kosovës, në fund të viteve ’70, u zhvilluan aktivitetet nga grupi i tretë i protagonistëve të këtij libri: Fadil Bajraktari, Basri Ibrahimi e Rrahim Rama, të përfshirë nëpër organizata të ndryshme ilegale të kohës. Në grupin e katërt të emrave prej këtij libri hyjnë Jeton Radoniqi, Pajazit Jashari dhe Ibrahim Kryeziu, të arrestuar pas demonstratave të vitit 1981. Pjesëtarët e këtyre dy grupeve të fundit nuk formësohen prej represionit të regjimit jugosllav, por më shumë nga kujtimet e brezave të mëparshëm mbi këtë represion, si edhe nga propaganda nacionaliste e kohës, si nga lëvizja legale, ashtu nga ajo ilegale.

Ndërsa dy grupet e para angazhoheshin për shkëputjen e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë, dy grupet e fundit konsideronin se rrethanat politike në Kosovë e në Jugosllavi, e edhe në botë, kishin ndryshuar ndjeshëm dhe se kërkohej angazhim për avancimin e statusit të Kosovës nga Krahinë autonome në Republikë të Jugosllavisë. Sidoqoftë, e përbashkëta e të katër grupeve është angazhimi për lirinë e Kosovës. E përbashkëta tjetër është vuajtja nëpër burgje, ndonëse në dy dekadat fill pas Luftës së Dytë Botërore, dy grupet e para vuajtën dënime ndjeshëm më të rënda sesa dy të fundit që i vuajtën në dy dekadat e fundit.

Image

Nga njëmbëdhjetë rrëfimet e të burgosurve politikë në këtë libër mësojmë shumë për torturat e rënda fizike e psiqike, kushtet e rënda nëpër dhomat e burgut, ushqimin e keq, detyrimin për punë të rënda kundrejt një pagese të mjerë, vizitat e rralla të familjarëve edhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, e imponimin që bisedat me familjarët të zhvilloheshin në gjuhën sërbe. Po ashtu, një tjetër e përbashkët e pothuajse të gjithë këtyre të burgosurve është shpërfillja e tyre pas daljes nga burgu: stigmatizimi, vështirësitë për të gjetë punë, mungesa e risocializimit, mostrajtimi i traumave të këtyre të burgosurve, që për fat të keq nuk u bë as pas lirisë e as pas pavarësisë së Kosovës.

Këto rrëfime janë shumë të rëndësishme për ta kuptuar të kaluarën tonë, por për një tablo më të plotë të kësaj periudhe, ato nuk mjaftojnë. Na duhen edhe rrëfimet e kundërshtarëve politikë të veprimtarëve të përfshirë në këtë libër. Duhet po ashtu të shohim edhe se si paraqitej veprimtaria e këtyre të intervistuarve nëpër shtypin legal e ilegal të kohës, si dhe nëpër dokumente të rëndësishme, siç janë aktakuzat e organeve të drejtësisë kundër të intervistuarve, deklaratat e të intervistuarave gjatë hetimeve, fjalët mbrojtëse të tyre në gjykata, si dhe verdiktet finale.

Për fund, është me rëndësi të thuhet se në rast ribotimi, do të ishte mirë që ky libër t’i nënshtrohej një korrekture, redakture e përpunimi të themeltë, në mënyrë që tekstet të lexoheshin si rrëfime, e jo të mbeteshin vetëm zbardhje të intervistave gojore. Pastaj, do të ishte mirë të sqaroheshin kriteret e përzgjedhjes së të intervistuarve, të strukturoheshin intervistat, të hartoheshin biografi të shkurtra me të dhëna relevante për secilin prej të intervistuarve, të cilat do të ishte e preferueshme të shoqëroheshin me nga një fotografi të të intervistuarve. Po ashtu, renditja e intervistave do të duhej të bëhej sipas kriterit kronologjik, në fillim të librit të jepej tabela e përmbajtjes e në fund indeksi i emrave, mandej disa të dhëna për vetë burgun e Goli Otokut, e kështu me radhë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Letra e padërguar e inxhinierit Kujtim Beqirit, dy ditë para ekzekutimit
“Nuk i lejojmë!”: Shteti dual, martesat e shqiptarëve me të huajt dhe ligjshmëria socialiste
Letra denoncuese e ’85 në shtypin grek për regjimin e Enverit dhe Ramiz Alisë
Dëshmia tronditëse e Shpresa Selfo: Puna më e vështirë që kam bërë nuk ishte ngarkim shkarkimi i tullave por ruajtja e qingjave…
Një ditë në komunizëm
Legjislacioni dhe mendimi juridik në fushën e së drejtës penale në Shqipërinë moniste
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>