nga Dom Gjergj Meta
Nëse ka diçka, në këto dit vjeshte, që më zgjon mall, janë vitet kur kam qenë ndërmjet 6 dhe 10 vjeç.
Rrushi që kishim vjelur në shtator, apo në fillim të tetorit, ishte bërë gati për kazanin e rakisë. Ne kishim shumë rrush në bahçe. Kishim edhe një hurmê të madhe që nuk ka njeri në fshat që s’e mban mend, pasi një pjesë e degëve të saj varej mbi fushën e sportit të fshatit. Fëmijëve por edhe ndonjë të rrituri i shkonte goja lëng për të marrë ndonjë frut aty. I thonin “hurma e xha Gjergjit”. Kështu quhej im gjysh.
Kam ende në hundë aromën e bërsive të rrushit, e para syve fuçiat e mëdha prej druri të mbushura plot, por mbi të gjitha kujtoj kohën kur zihej rakia. Gjyshi bashkë me Linin, burri j hallës time të madhe, mbushin kazanin e rrinin e prisnin derisa të dilte pika e fundit e rakisë. Më pas e hiqnin, derdhnin bërsinë, ndërronin ujin që ftohte tubin dhe fillonin nga e para. Nuk mbaj mend sa kazanë bëheshin në ditë. Unë si fëmijë rrija e shihja. Dija çdo veprim përmendësh, por isha i vogël për t’i ndihmuar. Herën pas here nëna ime sillte nga pak meze që të provonin rakinë e re. Unë rrija pranë zjarrit e ngrohesha, ndërsa ata pinin raki ose luanin nga një dorë letra.
Çastet më të bukura ishin kur vinte babai, dhe se nga i kishte gjetur, na sillte gështenja. Në fshatin tim nuk rriten, por ai i gjente. Pasi i prisnim pak, i fusnim në tiganin e shpuar dhe i piqnim te prushi i kazanit të rakisë. Kur bëheshin gati gjyshi më thërriste:
– Gjergj hajde ke baba. Ulu ktu!
Më merrte në prehër e më qëronte gështenjat e pjekura. Unë i haja gjithë lezet.
– Ha t’keqen baba – më thonte herë pas here – se do rritesh e do bohesh çun i modh.
– Sa do bohem o gjysh? Sa ti?
– Ma i modh se baba do bohesh. Se baba do zvoglohet e ti do rritesh.
Dhe qeshte. Unë kullufitja gështenjat një e nga një në prehrin e gjysh Gjergjit. Sa do doja të isha ashtu i vogël e ta përqafoja, por ja e shoh në ëndërr herë pas here dhe e përqafoj fort e i them:
-Ja o gjysh u rrita unë.