“Ura e Bahçallëkut”, Monument Kulture i Kategorisë së Dytë mbi Lumin Drin në Shkodër, humbi rreth 60 metra nga vërshimi i lumenjve Drin dhe Kir, në nëntor 2022. Ministria e Kulturës apo Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk e shfrytëzoi periudhën e verës për të ndërhyrë për restaurimin dhe përforcimin e saj.

“Ura e Bahçallëkut”, një vepër arti Monument Kulture i Kategorisë së Dytë mbi Lumin Drin në Shkodër, mori një goditje të rëndë pas rrjedhës së furishme të pasdites së 11 nëntorit të vitit që lamë pas. 

Si pasojë e reshjeve intensive, por edhe e shkarkimeve në masë nga kaskada e HEC-eve mbi Lumin Drin, uji që përmbyti zonën përreth shembi rreth 60 metra të urës prej hekuri.

“Ekzaktësisht, këmba e parë dhe e dytë e urës në anën veriore, janë shembur plotësisht, duke marrë me vete edhe një pjesë të strukturës prej hekuri të urës (2 kampata)”, shpjegoi për Median Amfora, Helidon Sokoli, përgjegjës i Sektorit të Parqeve Arkeologjike Rozafa-Lezhë, pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër (DRTK). 

Që pas ndërtimit të urës së re pranë saj në vitet’ 70, ajo nuk përdorej më për kalim, por mbeti aty si një monument i rëndësishëm i qytetit. “Ura e vjetër e Bahçallëkut” në të shkuarën është përballur herë pas here me vërshime dhe përmbytje, por i kishte rezistuar kohës. 

Pas përmbytjes së nëntorit 2022, drejtoresha e DRTK Shkodër, Besara Podgorica, deklaroi për Amforën se duheshin marrë masa mbrojtëse për ujërat e rrëmbyeshëm gjatë dimrit, duke ndërtuar argjinatura mbrojtëse.

“Duhet ngritja e një sistemi argjinature me leje, duke filluar që në pikëtakimin e Drinit me Kirin. Një pjesë është ndërtuar, përforcimi i këmbëve ekzistuese gjatë verës, për t’i paraprirë dimrit”, tregoi Podgorica pas përmbytjes. 

Por ndërsa stina e verës po ikën pa u kryer asnjë ndërhyrje, përforëcuese apo restauruese, me afrimin e stinës së dimrit dhe të përmbytjeve të mundshme, monumenti rrezikon të shembet edhe në pjesën e mbetur të tij.

“Për shkak të përmasave të dëmtimit, vendodhjen e objektit, tipologjinë e tij, duhet një projekt hidro-inxhinierik për të cilën DRTK Shkodër nuk ka mundësi hartimi dhe zbatimi”, tregoi për situatën, Helidon Sokoli. 

Sipas tij ndërhyrje të këtyre përmasave e tejkalojnë mundësinë, kapacitetet financiare dhe logjistike të DRTK Shkodër. 

“Ndërhyrje të tilla kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim ndërinstitucional mes disa ministrive për një studim të thelluar të shkaqeve që çuan në dëmtimin e saj dhe hartimin e një projekti rindërtimi, përforcimi, konsolidimi të objektit”, shpjegoi Sokoli.

“Deri më sot, nuk ka një vendim në lidhje me pjesët e urës së dëmtuar që ndodhen nën ujë pranë urës”, shtoi ai për situatën që nuk ka marrë ende zgjidhje nga Ministria e Kulturës apo nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

“Ura e Bahçallëkut” u përfshi në listën e Monumenteve të Kulturës në vitin 2010 dhe u vlerësua në Kategorinë e Dytë. 

Mungesa e ndërhyrjeve meremetuese nuk arriti të plotësonte mangësitë e monumentit, i cili ishte plaçkitur herë pas here për t’i shitur elementët metalik.  

E ndërtuar fillimisht prej guri në vitin 1768 nga vezirët Bushatllij, ajo u dëmtua rëndë nga vërshimet e ujërave të Lumit Drin gjatë viteve 1858-59, që solli nevojën për riparimin e saj. Më vonë ajo u dëmtua sërish nga vërshimet e ujërave në vitin 1880 dhe doli përfundimisht jashtë funksionit. 

Ura u rindërtua sërish, duke shfrytëzuar themelet prej guri, por këtë radhë me konstruksion prej hekuri, ndërtuar nga inxhinierët austriakë në kuadër të punimeve sistemuese që ndërmori ushtria austriake në Shkodër, në vitin 1914. 

Ajo është vepra e dytë inxhinierike prej hekuri e ndërtuar në Shqipëri, pas urës mbi Lumin Buna, që u ndërtua në vitin 1898. Disa kilimotra nga aty, ngrihet një tjetët vepër e madhe arti që lidhi për herë të parë më rrjet automobilistik Shqipërinë e zonës së nën Matit, me zonat veriore.

“Ura e Zogut”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë rrezikon shembjen pasi njëra këmbë e saj ka çeduar. Por megjithëse qeveria shqiptare miratoi në prill 2023 fondin 57 milionë lekë për ndërhyrjen emergjente, të vetmit që punojnë aty janë faktorët më shkatërrues, eskavatorët dhe kamionët që mbushen me inertet e Lumit Mat.  (marre nga amfora.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!
Instituti i Studimeve per Krimet e Komunizmit hap ekspoziten “Gulagu Evropian”
Arti në Arkiva – kujtese a rebelim?!
Krimet e Komunizmit/ ISKK dhe vendet anëtare të Platformes Evropiane të Kujtesës, projekte të përbashkëta në 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}