Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, foli për herë të parë të mërkurën për mundësinë e përdorimit të instrumenteve jokonvencionale të politikës monetare. Ai tha se pasiguria në parashikimet ekonomike po bëhet gjithnjë e më e lartë dhe e rreziqet për skenarë edhe më të zymtë janë në rritje.
Sipas tij, rreziqet kryesore në këtë moment janë zgjatja e mundshme e pandemisë përtej tremujorit të dytë, si edhe bllokimi i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, ose përmes përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve mund të kërkojë një lehtësim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare. Në përputhje me planet tona të kontigjencës, ky lehtësim mund të marrë dhe formën e instrumenteve jokonvencionale, instrumente të cilët do të jenë gjithnjë në përputhje me realitetin dhe nevojat e tregut financiar shqiptar dhe me kuadrin ligjor që rregullon aktivitetin e Bankës së Shqipërisë,” tha Sejko.
Instrumentet jokonvencionale të paralajmëruar nga Sejko konsiston në një program lehtësimi sasior, përmes blerjes së titujve të borxhit në tregun dytësor. Ky është modeli i përdorur nga Banka Qendrore Europiane në vitet e fundit.
Në fund të muajit mars, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në 0.5% dhe vendosi të mbështesë në mënyrë të pakufizuar nevojat për likuiditet të bankave tregtare. Megjithatë, rritja e perceptimit të rrezikut dhe shtimi i kërkesës së qeverisë për hua kanë bërë që ndikimi i kësaj lëvizjeje në tregje të jetë i kufizuar.
Yield-et e bonove dhe obligacioneve qeveritare u rritën lehtë në ankandet e muajit prill, çka tërthorazi do të ndikojë edhe kostot e kreditimit të sektorit privat. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme se përdorimi i asaj pak hapësire të mbetur për instrumentet klasike të politikës monetare nuk do të bëjë diferencë të madhe.
Hapi i radhës do të jetë ndjekja e gjurmëve të BQE-së, por, sidoqoftë të panjohurat janë të mëdha. Është e vështirë të thuhet sa do të funksionojë një plan i tillë në një treg dytësor të titujve që është relativisht i vogël dhe i pazhvilluar.