Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vlerësoi sot rolin e sistemit në përballimin e pasojave të krizës ekonomike. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, ai u shpreh se bankat po përmbushin më së miri misionin e tyre, jo vetëm duke marrë përsipër një kosto të konsiderueshme nga shtyrja e kredive, por edhe duke vijuar kreditimin e ekonomisë.
Madje, edhe raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër rënie të lehtë në muajin maj dhe zbriti në nivelin 8.1%, megjithëse impakti i vërtetë i krizës në këtë tregues do të qartësohet në tremujorin e fundit të vitit.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar është duke ushtruar funksionin e tij të amortizuesit të goditjeve në ekonomi. Ky sektor ka vijuar të kreditojë sektorin privat të ekonomisë, e në veçanti atë të bizneseve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në muajt prill e maj, rritje e cila ka qenë e pranishme kryesisht në sektorin e bizneseve, duke i mbështetur këta të fundit me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Po ashtu, sektori bankar ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin publik dhe privat,” tha ai.
Megjithatë, Sejko nëvizoi sërish se sektori bankar nuk mund dhe nuk duhet të përballojë i vetëm barrën financiare të goditjes. Sipas tij, qeveria duhet të rrisë stimulin fiskal, ndërsa bizneset duhet të rrisin kujdesin dhe eficiencën operacionale.
Guvernatori përsëriti se rritja e borxhit publik në këtë situatë është një sakrificë e domosdoshme për të shmangur pasoja të rënda në ekonomi. Ai inkurajoi qeverinë të vazhdojë të përdorë stimujt fiskalë për të mbështetur sektorin privat.
“Paketat fiskale të ndërmarra deri tani kanë ndihmuar në zbutjen e pasojave të krizës. Banka e Shqipërisë pret një rishikim të Buxhetit për pjesën e dytë të vitit, rishikim i cili pritet të rezultojë në një deficit më të lartë fiskal. Sikundër e kemi thënë, politika fiskale duhet të ketë një rol primar në adresimin e sfidës që po përballemi. Rritja e kujdesshme dhe e përkohshme e borxhit publik është një kompromis i pranueshëm për të zbutur efektin e goditjes në ekonomi dhe për të mbështetur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit,” tha ai.
Guvernatori tha se pasojat e krizës janë tashmë të prekshme, të ilustruara me një rënie të ekonomisë prej 2.52% në tremujorin e parë dhe e humbjen e 17 mijë vendeve të punës. Sejko tha se kriza do të arrijë pikun në tremujorin e dytë, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit rënia pritet të jetë më e kufizuar.
“Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021,” tha Sejko.
Por, ky skenar ngelet i lidhur ngushtë me ecurinë e epidemisë së Covid-19. Një përkeqësim i situatës, në formën e një vale më të rëndë dhe të shoqëruar me kufizime të reja, do të reflektohej në përkeqësim më afatgjatë të treguesve ekonomikë. Megjithatë, Guvernatori tha se për momentin nevoja për të përdorur një plan kontigjence në formën e programit të lehtësimit sasior është më e largët. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mërkurën të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 0.5%.