Nji shikim poezis të vjetit 1957 në Shqipni
Nga Martin Camaj
Cilido që ka jetue larg Shqipnis gjatë këtyne vjetve të fundit dhe befas ballafaqohet me botimet e reja letrare, mbetet i shtanguem para sasis së madhe të tyne: revista mujore të vllimshme, romane, përmbledhje vjerrshash, drame dhe përkthime me shumicë. Por, me të parin shikim të përjashtëm dhe mandej tue i shfletue, vetëm nga veshja tipografike, kujtohemi se pushteti i ep nji randsi të madhe sasis së prodhimit edhe se nuk kujdesohet – apo i mungojnë mjetet? – t’u vejë në dorë lexuesëve botime të pregatituna si u kanë hije veprave letrare, ashtu si shofim se bahet gjithkund nëpër botë.
Utilitarisht prodhimin e shumtë nuk e dënon kurrkush, madje nji veprimtari këso dore ndoshta ka me ba që libri të depërtojë “deri në katundet ma të lanuna të vendit tonë”, por asgjamangut – mbasi këtu flitet kryesisht në nji seli estetike – ky fakt asht nji shkak lehtsues i ligësht për të mbulue të metat e cilsis artistike. Mun, me të gjithë ata shkrimtarë të rregjistruem në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tiranës, përpjesërisht dhe veçorija kryesore e nji hartimi letrar duhej t’ishte në nji shkallë ma të naltë se sa në veprat e shkrimtarëve të paraluftës. Lexuesët shqiptarë kanë të drejtë të lypin nga vjerrshatarët e prozatorët bashkëkohorë dishka ma tepër pse të vjetrit iau lanë këtyne mjaft të lavruem mjetin krysuer shprehës, gjuhën, si dhe trajtat e përshtatuna të shum gjinive letrare. Përvoja e tynë si në krijimet e sukseshme, si n’ato ma pak të mirëdaluna duhej t’u kishte hapë puntorëve të sotshëm letrarë rrugë të reja në çdo kuptim e drejtim. Dhe vetë faza e zhvillimit të popullit tanë ka hapë në kët mes perspektiva të reja.
Njofja e njerëzve të krahinave tona njani me tjetrin dhe bashkëjetesa e tyne në nji shtet shqiptar tash 40 e sa vjet, gja që ka sqarue e pasunue gjuhën e shkrimit me elementa të çmueshëm të djalekteve e nëndjalekteve, kanë kollajsue patjetër dhe kushtëzue mundësin objective e të nji përparimi ma të madh të poezis e prozës sonë. Këto janë udhët dhe rrethanat nëpër të cilat kanë kalue dhe letërsinat e hueja përpara se t’u piqshin mirë e të baheshin të zojat me kapërcye dhe kufijt kombtarë.
Sot në Shqipni janë krijue tjera paparapame n’ecjen e nji zhvillimi normal, prandej dhe letërsija përshkohet nëpër shtiqe përkatse.
Gja që duhet marrë gjithmonë para sysh asht dhe gjendja e artistit në të cilën krijon. Si u tha ma parë Shqipnija njehë nji pamvarsi katërdhetë e sa vjeçare, por shteti shqiptar i përparshëm nuk u interesonte për zhvillimin e arteve e të letërsis. Pak nga injoranca e drejtuesëve të shtetit dhe ma shum nga nji paramendim ase mentaliteti i vjetër mbrapambetës shkrimtari u mbante prrallaxhi, poeti bejtaxhi dhe të dy në jetën praktike mund të kishin nji funkejon çatipi. Poeti, në rasa të jashtazakonshme, mund të hynte në punë për të shkrue ndoj hymën apo fjalët e ndoj marrshit.
Por në çdo kohë të kësaj perjudhe eksistojshin rrethen private përqark revistave letrare e kulturore që kanë ndihmue dhe ba të njoftun talented nji publiku lexues të vogël, por të zgjedhun. Historija e revistave Hylli i Dritës, Leka, Diturija, Ilirija, Shkëndija etj, asht historija e letërsis dhe e kulturës sonë mes dy luftavet botnore.
Sot interesimi i shtetit shqiptar për artistët asht i madh pse arti nga pushteti e partija mbajet si mjet me përdorimin e të cilit përhapen pikëpamjet dhe idet zyrtare në fuqi. Çdo vepër – roman, poemë, dramë etj, – që nuk përmban në vete vulën e vijës së partisë, nuk botohet. Nji letërsi kështu e kanalizueme, si do të shofim ma andej shembujt, merr nji ngjyrë e trajtë të njillojtë si hartime mbi nji temë, zhvillue nga nxansit në klasë. Ndër këta shkrimtarë mund të bahet kollaj nji shkallzim vlerash tue i nda grupe grupe në kategorina, ku individi humb plotsisht. Duket se në këto kushte asht i pamujtun dallimi individual pse hapsija e lëvizjeve të artistit asht e ngushtueme nga rregulla të paracaktueme e nga atmosfera e vetë rrethit ase e kolegiumit, ku mediokrit nuk I mungon dhepnija dhe mënyrë për t’i prishë punë shokut ma të zot.
Historija e kësaj rryme – ma pikrisht metode – të realizmit socialist mund të thomë se fillon nga idenat dhe mendimet e shkëputuna të Marxit, Engelsit e Leninit rreth artit në përgjithësi dhe posacce letërsis. Këta ideologë kishin kuptue me kohë se cc’rol kishte luejtë e lonte gjithnji veprimtarija artistike në kritikën e drejtueme kundra padrejtsive shoqnore. Asht e njoftun mandej se vetë shkrimtarët borgjez rus (Dostojevksi, Tolstoj, A.N.Ostrovski, Ccehov e sa e sa të tjerë i dhanë shkas të shënueshëm përhapjes s’idenave revolucionare.
Mbas fitores të Tetorit dhe vendosjes mandej të regjimit sovjet, kritikuesët e shoqnis nuk u panë ma me sy të mirë. Por artistët që kishin ndihmue revolucionin nuk ishte kollaj t’eliminoheshin në kambë e në dorë, prandaj pregatitjet e vehet në veprim nji operacjon sistematik për zhdukjen e tyne nga qarkullimi (1).
Nga ana tjetër prej radhëve revolucionare kishin dalë dhe shkrimtarë të talentuem, por pa ndonji kulturë të naltë, që përgjithësisht tregojshin përjetimet e veta thjeshtësisht në romane në trajta kronikash apo jetshkrimi. (fq229) Këta prunë disa elementa të vlefshëm në letërsi: nji ton shprehës të natyrshëm, pasunimin e gjuhës me fjalë e konstrukte të reja por u mungojshin të gjitha ato cilsi artistike në sajë të cilave shkrimtarët klasikë rus kishin habitë botën. Përpjekjet e shtetit sovjetik për t’I organizue këta krijimtarë të rij që të shkruejshin mbas urdhnave zyrtarë dështuen disa herash. Detyra organizuese i qe mbështetë dhe Majakovskit, poet me vlerë, i cili, kur s’i dijti shtek vetes as këtynë problemeve, bani vetvrasjen. Gorki vetë, si mbas këshillave të Leninit, shkroi ndonjë vepër si Nëna përkthyer në shqipet qyshë para luftës së dytë. Kjo vepër u ba për nji kohë si model i artistëve zyrtarë në Rusi dhe sot vijon të jetë sidmos ndër shtetet komuniste jashtë BRSS.
Dhe mbas ardhjes së Stalinit në fuqi si dhe sot e kësaj dite ka pasë e ka grindje idenash e “kriza” në rrethet e artistëve sovjetikë, shej ky i nji rëmimi shpirtnuer e sinqeriteti të saktë. Gjithë këta në Shqipni nuk ka ngja, prandej vetvetiu vihet në përfundim me e nda realizmin socialist në dy degë: 1) rryma e disa shkrimtarëve rus, pjesërisht e Gorkit, e Vladimir Dudincev, e Pilnjakut, e Leonovit, me shokë që luhaten me hove të shfrenueme nga romantizmi, shpesh herë ekstrem i shpirtit rus, deri në verizëm; dhe 2) rryma teorike zyrtare që mbërthen grumbullin e disa normave mbi art, farkue ndër forumet e partis bolshevike e cila ka bindjen se dhe art, si ccdo gja tjetër, asht pronë e saj. Në Rusi mbas këtyne urdhnave deri në sot ia kanë arrijtë t’ecin pa shmangëje vetëm shkrimtarët e dorës së dytë. Veprat e këtij lloji janë eksportue nga BAshkimi Sovjetik dhe paraqiten si modele sidomos ndër shtetet e “demokracive popullore” në të cilat ban pjesë edhe vendi ynë.
Rregulla kryesore për artistët shqiptarë asht: krijimi i veprave që të kenë përmbajtje socialiste dhe formë kombëtare. Kjo formulë nuk ka nevojë për shpjegime. Nga shkrimtarët shqiptarë kërkohet ma këmbëngulje krijimi i tipave perfektë të komunistit, të reakcjonarit, të kullakut, të femnes së përparueme, të paraqitun nga shokët sovjetikë me qinda herë ndër shkrimet e tyne. Nji imitim i tillë paralizon sidomos të rijt dhe mbyt çdo përpjekje në sajimin e tipave të gjallë e të vërtetë, me vertytet e të metat e botës shqiptare.
***
Në kushte të tilla krijimi, na duket se gjinija letrare, që humb ma tepër asht ajo e poezis, që posaccërisht lyp hov të lirë në shprehjen e ndjesive ma instinctive (1 për kët shqyrim ësht marrë për bazë posaçërisht landa e kolekcionit të revistës Nëndori 1957. Janë zgjedhë vjerrshatarët tashma të afirmuem në letërsinë e re shqiptare ). Prodhimet e vjerrshatarëve që ma poshte paraqiten mund të merren si pasqyra vlerash e të metash, madje vende vende afshi poetik i disave kapërcen dhe kufijt e rrymës dhe atmosferës konvencionale të paracaktueme. Kjo asht nji poezi, në pjesën ma të madhe, me trajtë të caktueme, me nji rritëm që përsëritet sidomos deri në mërzi në hartimet e gjata. Kur nuk mbizotnon toni tregues i thjeshtë, tue ba pak përjashtime xen fill nji retorike deklarative që hap vetëm krahët e frymzimit në vend, pa u çue fluturm. Gjua jo fort e pasun asht mjaft e përpikt dhe e unjisueme.
Tue qene se Ismail Kadare asht karakteristik për kategorinë e talentueme të vjerrshatarëve të rij, po ndalemi pak ma tepër në shqyrtimin e vargjeve të tija. Ky në poemin “Nji ngjarje në pushime” tregon se si nji studenteshë, lexuese me afsh e revistës NËNDORIT, ndahet nga shoqet në Tiranë dhe niset për pushime në fshatin e vet. Niset me nji paragjykim se nji vajzë me shkollë si ajo nuk ka se si dashunohet në një traktorist. Paraqitet katundi shqiptar me rruga qerresh, me plaka përgojuese për lirin e tepërt të rijve. Studentesha, Liljana, në kët rreth dashunohet me traktoristin, I cili asht njikohësisht dhe sekretari i partis në fshat. Nën mbulesën e nji traktori, në nji ditë shiut, vajza përjeton puthjen e parë.
Bardhylit, traktoristit, nji ditë i vjen lajmi nga Tirana se asht zgjedhun nga partija për nji misjon në Kinë. Vasha, që ka nënccmue dashunin për nji traktorist katundi, vuen. Kalon vera e vjen vjeshta e Liljana gjindet përsëri në Shtëpinë e Studentit në Tiranë pa gazin e haren e përparëshme.
Si tregimi në vete ashtu shtjellimi janë fare të thjeshtë.
Toni asht krejt i ultë në tregimin e gjanave t’afërme e shumë të njoftuna:
Dëgjo këtë zhurmë vajzërore,
Te qeshurat,
Zërat –
Dëgjo:
Lexojnë revistën “nëdori”
Dhe flasin c’ju teket ato.
Për djemtë?
Asnjëra nuk fliste,
Por flisnin për art, poezi,
Në duart e tyre revista
M’e bukur të dukej tani.
Ma andej, ku Bardhyli e Liljana gjinden nën hanë vetëm, Kadare këput tregimin befas dhe familjerisht i sillet lexuesit:
Ti prêt puthje,
Lexonjësi im,
Lot e madh,
E të tilla punë:
Po më kot,
E nuk ësht’ faji im:
Gjeresa s’puthen ata,
ç’të bëj unë?
Kjo shkëputje ase pushim në mes të ngjarjes asht përdorë shum nga shkrimtarët rus mbas revolucionit sidomos nga tregimtarët. Kjo trajtë në vetvehte, kur të dihet të shtihet në punë me shije, pëlqehet prej kujdo.
Kemi dhe copa nga letrat që studentesha u dergon shoqeve në Tiranë:
…”Kështu po punoj bashke me shokë.
Në plazhë si ja çoni?
Lum ju!
Kam mbetur tek “verbum”,
Ne kokë
S’më hyn latinishtja këtu…
Ah gati harrova, moj Shpresa
Këtu më vjen rrotull një.
Auktori ka dhe nji zotsi të posaccme në përshkrimin e disa skenave dhe I ven me shije tamam ku duhen:
Më kot heshtja rrethonte ata
Kot bibilat këndonin më shumë.
U mërzit dhe hëna
Dhe ra
Si e lodhun pas bregut në lum.
Ky poemth, në planin perspektiv të vetin, rreket të trajtojë dhe nji ccashtje problematike në shoqnin e re socialiste; marrëdhanja mes intelektueles dhe puntorit komunist. Traktoristi nuk e ka kulturën e vajzës studenteshë, ndoshta as ndjeshmënin e saj, por komunistin Partija – thomë së pakut na – e ka ngritë aq nalt sa që intelektualja asht e vogël para personalitetit të tij për të cilin dhe bota asht e vogël pse papritmas fluturon prej kontinentit tonë n’atë t’Azis.
Kadare në nji vjerrshë kushtue Leninit, na tregon nji anë tjetër të talentit të vet. Ky punim asht i studjuem dhe i matun, plot nderim ndaj fytyrës s’ideologut dhe revolacionarit. Akohet se vargjet e tija nuk e kanë fuqin e furtunës rerolucionare vrrullin e flamujve që skuqin porsi zjarre.
Prandej lirikat shpesh kam ngrisur une
Sepse më dukej s’nbanin er’ furtun.
Në strofën e dytë dytë merr e thotë:
po nuk ka gjë: Iliçi le të jetë në mes pejzazheve që dua shumë
Pse ai desht bukuritë… gjethet dhe zjarrin që në fushë tutje fiket
Atij mëngjesi i bukur i kujtonte t’ardhmen për Rusinë e paane.
Dhe Mark Gurakuqi vargnon për Leninin tue përshkrue shtruetas banesën tij në Poloni ku ai pat jetue për do kohë:
Hoteli i hershëm tash âsht pa muzë.
Këtu Iliçi njiher ka banue…
Stoli e ornamente s’ke,
çdo gja prej drrase t’ thjeshtë asht punue…
Prap tue folë për Leninin në vjerrshën “aty ku ai banonte”
Ja në kte dhomë ai çonte ditët
Dy shterten të thjeshtë dhe dy komodina
Ilampa në mur derdhte këtë dritë
kur ai kërrusej n punë te tavolina.
“Legjenda e një zëmre” e Nonda Bulka-s , vlen si shembull se si prej motiveve popullore mund të ndërtohen prap mrekullueshëm vepra artistike me ngjyra e pikpamje të reja. Kso përpjekjesh bahen nga shuma pena të Shqipnisë të sotshmepor rrall ndeshim në punime të daluna mirë. Asht e provueme se kur mbesin nën modelin e kangës popullore, nji hartim i ksi Iloji âsht nën çdo kritikë.
Nonda Bulka merr e përpunon kët motiv të vjetër:
Nji djalë xen marak në nji vajzë “Nëpërkë” egoiste e çila e shtyn këtê kundra s’amës. Emocjoni mbërrin kulmin kur djali si mipas kërkesës së dashunes, i nxjerr lokes zemrën e vrapon tja çojë vajzës. Gjatë rrugës ky rrxohet e vritet për vdekje dhe zemra e nanës e pyet: a u vrave?
Kah fundi i legjendës Bulkas i shpërthejnë këto vargje:
E bardhë je o borë;
Mbi male si kurorë;
Kur djelli shindrit
Po ti o zemër e Nënës;
Më e bardhë vetëtin;
Më lart nga çdo mal;
Më e bukur nga çdo yll
Më ndritur nga çdo diell..
Dhe Mark Gurakuqi në “Zemra e nanës” e shtjellon këtë motiv gjanë e gjatë. Bulka legjendën na e paraqet në njiqind e sa vargje, ndërsa Mark Gurakuqi e lodh lexuesin me katërqind e mâ rreshta tue ia fillue ngjarjes me plot gojen ab ovo:
Në skaj t’nji fshati t’humbun kish nji kasolle t’lanë,
Të dukej se veriu çdo ccas do ta përpinte
Aty e çonte jetën me dhembje nji nanë
Se vdekja kosëmprehun gjallë fmijt sia linte
Tregon se mâ parë i vdiq i shoqi e mandej fëmijt me rend dhe i mbet mâ i vogli, Artani. Rreth Artanit e nanës thuret legjenda ne fjalë. Mark Gurakuqi, tue përjashtutue disa trajta shumë të hueja për gegënishten letrare, e ka njofsin e gjuhës dhe del në pah se asht i talentuem për letërsin fëminore, e cila në Shqipni ka marrë shkas zhvillimi sidomos në këto vitët e fundit.
Andrea Varfi xen nji vend të dalluem mes shkrimtarëve të Tiranës. Shkruen në nji gjuhë të zgjedhun e mjaft të përpunueme tue u përpjekë të gjejë shprehje e figura të rralla. I ruhet proliksitetit dhe na paraqitet i ndryshëm në motive. Në vjerrshën “Kush ndjen mahnitjet e agimit”, kushtue vorreve të partizanve në Vlonë, din t’a mbajë toin e elegjis, në Legjendën e lisit çfaq flijimin e njeriut për botë e shoqnin njerzore, nësa n’idilin po na korrin vashat n’arë shkjepon më shum vende tue ra n’uniformizëm. Aty këtu disa strofa ngriten si plepa të naltë mbi tjera:
E ëmbëk ish buza e tyre
Siç ish i ëmbël gjiri i nënës
dhe syri i dashur e plot hire
si për dashnorët drita e hënës
Si trajtë vargu me tingull ma të natyrshëm pëlqehet ma tepër Legjenda e Lisit.
Mbi degët e mija
Këtuzë në pyll
ia thoshte i dehur bilbili
Dhe gjoksi atija i ndizej
nga afshi qe ndjente bandilli.
Ia tërhjek lexuesit vrejtjen “Diell mbi Murinë” – tabllo lirike nga Muzafer Xhaxhiu, nji tregim me gjashtërrokësha. Nji partisan kthen nga lufta në katundin Murinë, ku punon I lirë në toka që i âAndrea_Varfisht marrë begut. Fshatari martohet mandej shkon në Rusi për të zanë zanatin e mekanikut. Ndërkaq në shtëpi i lind djali dhe katundi skon tue pértri. Xhaxhiu i njeh ngjarjet ndervjellias, pa u ngritë kurr në lirizëm, me të ramit ritmik të disa kantilenave popullore. Qe, nji shembull:
Beilerë e agallarë dregi i ka marrë;
thotë Kako Rira nji menjes te kroi
Nga këta majmunë zoti na shpëtoi
tani do punojmë
si të duam vetë
tokat janë tonat për mot e jetë
desha i mbjell grurë
s’desha i lë djerr
s’punoj pot ë dua
as dimër as verë
Këto vargje as nuk mund të krahasohen me poezit e Aleks Çaçit me të njajtën tematikë, botue pikrisht dheté vjet mâ përpara. Çaçi kështu flet me fshatarin e vogël që ka ardhë më ngritjen e hekurullës.
Kasollen e le në pyll me egirsirat
ku tymi rri akoma dhe dielli rrallë hyn
Mes degëve dhe fletëve të njoma
dhe erdhe ti me këmbët gjer përtej
se s’panë kurrë opinga
në hekurullën
që ngrihet afër detit
dhe valët nisin këngën
që mbeti shekuj
i mpirë si zemra jote.
Dhe sytë e beut kur ishe foshnje
Dhe lozje nëpër ferra
me zogjtë që beu i gëlltiste të pjekur
të kanë mbetur në zemrën e vogel si gozhdë
që fiutet thellë në mur
Vjerrsha e Çaçit përmban në vete nji vrrull që fuqishëm që zbret prej rreshti në rresht tue mveshë ata shka don të shprehi me figura të gjalla e bindëse.
As Dhori Qirjazi nuk na doket se asht në naltsin e Iypun për t’u quejtë vjerrshatar i talentuem. Përkundra Dioniz Bubani shkëputet nga kjo kategori ne saje të nji tingulli dhe fryme të butë lirike.
Llazar e Drago Siligi nuk mbesin mbas shokësh, mun i pari të hyjë në rreshtin e poetënve në shêj të Tiranës. Drago ka mbetë në trajtën e vjetër të vargut, n’at varg që përdoronte dhe dhetë vjetë mâ parë. Asgjamangut. Megjithse nuk e ka gjetë nji ton të vetin ashtu si ngjan me shumicën e shokëve të tij letrarë, në shum vende ndër poezit e tija kapet në nji shkallë të dukëshme arti nëpërmjet të nji përshkrimi ndjesish të thekëshme e te qarta. Marrin si pasqyrë tansisht poemën “Në syt e tu”:
Në sytë e tu nuk ka tufan thojsha dikur.
E kisha zemrën si kallkan për ty n’krahnuer.
S’më ndizej gjini dot për ty me t’pasë tri jetë.
Un dojsha zemër edhe sy jo aq të qetë.
Po kur ti çave terren e lashtë, kur le shtëpi
S’u trembe se dyshek me kashtë të pret n’Veri
Kur fatit t’dhanë s’i bane bisht,
I ashpër t’ jeté!
Dhe s’vune ti unazë né gisht
Qetsi me gjetë;
Në sytë e tu
un’ oqean pashë atëherë
Dhe mu duk jeta n’tufan
Si në pranverë.
E ktheva zemrën
unë zjarr për ata sy
Dëshira m’lindi deri n’varr
Të jem me ty!
Këtu në pak rreshta na paraqitet nji botë e gjanë që shkon tue u zbulue përpara vetvehtes në hapjen e horizontit të paskâj. Ky âsht nji tregim i frytshëm pse len në lexuesin nji mbresë të njimendët. Llazari përkundra del mâ guximtar e novator – së pakut per kët rreth – si në varg ashtu në shprehje. Me vargje në mënyrë të Majakovskit din të shprehet – mbas mendimit tanë – rrjedhëshëm e me figura gdhendëse:
Si nëpër gjumë ende
ndër veshë i vinin
qeshje gazmore,
kargë,
zhurmë.
Fshiu sytë e u ngrit
Jashtë mija duer
ngrinin famuj e pankarta nalt mbi turmë!
(Vetmija e nanës)
Siliqi ka përvetësue dinamizmin e poetit rus, por ka ruejtë tonin e temperamentit vetjak mirë të peshuem gjâ që i ka hije Shqiptarit. Mbahet sintetik në shprehje dhe kur gjindet mbi krahët e entuzjazmit:
Do marr me vehte nga kjo net’ gazmore
zjarr’ e rinisë,
kangën që kurr s’do vdesë.
Le të buçasë kanga rinore!
Në kanga’ zemrat le t’na i ndezë.
(Në nji mbramje dëfrimi)
Vargjet e këtij poeti mberthejnë në vete dira shêje shpresédhanse poqese dhe letrarët tjerë të Tiranës shlirohen nga deklaratizmi, tregimi i pambarim në vargje dhe proliksiteti sidomos n’analizimin e disa ndjesive të qarta e të pakapërthyeme në vetvehte; kështu që së pakut trajta e përjashtme e kësaj poezije do tu përtnirsonte në mënyrë të shënueshme.
Ndërkaq. tue përmbledhë përshtypjet nga kjo panoramë e këtij aktiviteti krijues në Shqipni dhe tue i vrejtë depërtueshëm mandej disa çashtje themelore, kollaj bashkë me lexuesin mund të vijmë në përfundimin se kjo letërsi xen fill nga premisa cënuese të vertetë të nji zhvillimi normal të tij njimend të përjetuem. Në çdo shoqni ase komb, mun çdo individ, gjejmë përjetime të ndryshme dhe dalluese simbas natyrës së tyne. Prandaj rrjedhimisht ndjesi, shprehje ndjesish apo art të ndryshëm. Pra edhe poeti shqiptar, në dashtë me bâ nji vepër artistike të ndieme, nuk do të rreket që kjo të ketë vetëm trajtën apo lëvoren e jashtme shqiptare, por aq mâ tepër edhe mendimin e ndjesin autoktone. Kët rrugë kanë ndjekë të gjitha letërsinat kombtare për të dhanë dishka artistike, thellsisht njerzore e të pëlqyeshme për mbarë botën.
“Shejzat” prill 1958
Shënime
As Gorki në fillim nuk e pat pranue revolucionin, “as si shkrimtar, as si Marxist”. Po për kët arsye qe cilsue si Marxist I dobët. Nga të gjithë shkritmarët, revolucionin e patën pranue vetëm disa përfaqësuesë të simbolizmit: Beli, Blok, Brjusor si dhe disa kubofuturista me Majakovskin në krye. Shumica dërmuese e inteligencës ruse që përpi nga furra e revolucionit, kështu që shkëputja e zhvillimit normal e letërsis, që s’u arrit ma të lidhet, ishte fatalisht e pashmangshme. Kështu ndodhi edhe në Shqipni, por me nji ndryshim themeluer: shumica e shkrimtarëve rus u zhdukën nëse ishte në kambë lufta kryengritëse, kurse në Shqipni ajo pak inteligjencë e jona u eliminue mbas fitores dhe ardhjes në fuqi të shtetit komunist.