nga Ergys Mertiri

Ndërtesat binjake të kompleksit teatror, nuk ishin të një arkitekture baroke ku harlisen dekoret ornamentale për të marramendur kalimtarët si ato të shek. XVIII, as pompozitetin e neoklasicizmit të mëvonshëm. Ato ishin të një natyre tjetër, që vetëm italianët dinë ta bëjnë me aq hijeshi. Ato ngërthenin një ansambël volumesh, hapësirash, simetrish racionaliste dekoruar me elementë futuristë, të cilët i jepnin atij kompleksi vlera unikale.

Fasada e pamjes ballore kulmuar nga kolona që ndajnë në mes simetrikisht secilën nga dy ndërtesat, perspektiva e krijuar nga zgjatimi i tyre në thellësi ndërprerë në hyrje nga një kolonadë e harkuar që ndërlidh mjedisin e jashtëm me oborrin e improvizuar pas saj, si dhe pishina që mbush hapësirën brenda këtij oborri i jepte asaj pamjen e një alhambreje moderne, një mjedis i paqshëm dhe i këndshëm për të konsumuar kulturë. Ai kompleks përmblidhte teatrin, kinemanë, sallën e koncerteve, bibliotekën, restorantin dhe pishinën, çfarë ishte projektuar të ishte qendra kulturore e argëtuese e qytetit dhe aspak një kumarhanë për dëfrime dopolavoro ushtarësh pushtues, siç e etiketon Rama e Veliaj.

Por ky kompleks arkitekturor ishte pjesë e një kompleksi më të madh, ndërtuar nga Brasini dhe De Fausto, i cili përbënte shtyllën kurrizore moderne të qytetit: Circolo Scanderbeg. Kompleksi teatror, i ndërtuar më vonë nga Giulio Berte, i jepte plotësinë gjithë pejzazhit urban të mrekullueshëm të krijuar nga arkiktektët italianë që fillonte nga korpusi dhe përfundonte tek stacioni i trenit. E gjithë kjo, e bënte Tiranën një qytet tepër të veçantë dhe të këndshëm.

Sot, kullat e Ramës dhe Veliajt, e kanë degjeneruar këtë pejzazh, duke prodhuar një rrumpallë akriktekturore që sakaton jo vetëm estetikisht, por edhe funksionalisht qytetin, i cili tashmë është bërë i pajetueshëm nga industria korruptive e betonit. Ky qytet është bërë tashmë i tmerrshëm nga mungesa e hapësirave, shkatërrimi i mjediseve publike, mungesa e hapësirave të gjelbërta, mungesa e vendeve për parkim, çlodhje e rekreacion, apo nga trafiku drobitës dhe ndotja vrasëse. Teatri, si dhe qendra qytetit kish mbetur si një thesar i mbuluar nga ferrat. E megjithatë, me gjithë shtesat dhe ndërhyrjet joestetike të bëra që herët, gjatë periudhës së komunizmit, kompleksi ishte i këndshëm në vetvete, ndonëse tashmë pa lidhje e pa komunikim me katrahurën urbane përreth.

E shembën pabesisht, natën, në kohë pandemie, kur qyteti, ajo pak qytetari që i ka mbetur, nuk e kish dot vëmendjen e duhur ta mbronte, pas më shumë se dy vjet rezistence. E shembi, jo vetëm fuqia e korrupsionit në një shoqëri që e ka humbur ndjeshmërinë, por edhe nevoja per të treguar dominancë e një pushteti që mbeshtetet në gangsterizëm politik, e ndoshta mbi të gjitha, një nevojë e fshehtë e shëmtisë së shpirtit barbar, për t’u hakmarrë ndaj shijes dhe hijeshisë së një epoke rivale që kontraston fort me të sotmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: Si u bëra “artist i merituar” në diktaturë
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
“Nëna dhe djali” i Jan Fosse: Të mos humbësh kohën me modesti të rreme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}