Një gazetar unik shqiptar, nisi karrierën në moshën 22 vjeçare, duke kontribuar edhe në hapjen e gazetave shqiptare në Amerikë, por, ndoshta është i vetmi i cili ka pasur bashkëpunimin më të gjatë, rreth 13 vite, të pandërprerë me gazetat  e huaja duke pasur faqen e tij për Shqipërinë. Në periudhën me ngjarjet historike më intensive për Shqipërinë, vitet 1911-1924 shfaqet Sotir Gjika, me pseudonimin “Shkëmb’ i Mbletës”, pothuaj i panjohur, që sëmundja e mori herët, duke u ndarë nga jeta në vetmi, në moshën 38 vjeçare

nga Violeta Murati

Letërkëmbimi me Asdrenin dhe letra koefidenciale me Ahmet Zogun

***

Kanë kaluar më shumë se 100 vjet, për të kujtuar se rrallëkush mund të krijonte një përvojë gazetarie në dy kontinente siç qe ajo e Sotir Gjikës. Një emër krejtësisht i panjohur, që nisi gazetarinë fare i ri, në moshën 22 vjeçare, por me ndarjen fatale të herët.

Fillimisht tek “Dielli” (Boston, SHBA), më 1911 për të vijuar me shpërnguljen e tij në Milano (Itali), në të përditshmen e Barit “Corriere delle Puglie”, më pas tek “Atdheu” (1912-1914), (Kostancë, Rumani), më tej “Përlindja e Shqipëniës”, (Vlorë), te “Liri e Shqipërisë” (1911-1915), (Sofje, Bullgari), me të cilën bashkëpunoi për rreth dy vjet e gjysëm, për të krijuar me “Kuvendi”, nëRomë një atmosferë politike për fatet e Shqipërisë, “Agimi”, “Shqiptari i Amerikës”, (Korçë), “La Gazzetta di Puglia” dhe e përfundon pas 16 vjetësh më 12 prill 1927, kur edhe ndërron jetë në moshën 38-vjeçare në një spital të Veronës, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme. Jetë e shkurtër, por e gjitha gazetari me pseudonimin “Shkëmb’ i Mbletës”.

Askush deri më sot nuk kishte krijuar një profil prej këtij gazetari. Ekziston një paraqitje nga ish konsulli i Shqipërisë në Bari, një shkrim nga Gjovalin Kamsi botuar në vitin 1930, shkruar pas tre vjetëve të ndarjes nga jeta të mikut të tij, Sotir Gjikës.Me këto të dhëna, nipi i tij, Eugjen Merlika, tanimë i njohur në publicistikën shqiptare por edhe për kontributin në botimin e trashëgimisë së familjes së tij, Merlikëve, e sidomos Mustafa Krujës, pati indicie nga këto të dhëna duke na njoftuar për herë të parë ekzistencën e Gjikës në vitin 2006, me botimin e shkrimit “Përtej mjegullës së historisë”.

Duke parë një pasuri publicistike që i dha zë Shqipërisë në Evropë, në periudha të veçanta për fatet e shqiptarëve, vitet 1911-1924, Eugjeni i dha formë idesë për të pasur në një libër këtë trashëgimi. “Trashëgimia e tij ishte veprimtaria publiçistike, e filluar në vitin 1911, në moshën 22 vjeç, në fletoret e ndryshme shqiptare, kryesisht “Dielli”, me që aso kohe banonte në Boston të SHBA-ës, por edhe në të tjera të përkohëshme, siç shihet në faqet e këtij libri. Krahas këtyre shkrimeve në shqip, që vazhduan edhe mbas shpërnguljes nga Amerika e vendosjes në Milano t’Italisë, ai pati edhe një tjetër veprimtari gazetareske të rregullt, që filloi në 6 gusht 1914, në moshën 22-vjeçare e mbaroi me fundin e jetës së tij.Në këtë drejtim është ndër të paktit, në mos i vetmi, që ka patur një bashkëpunim kaq të gjatë (13 vite) e të pandërprerë me gazeta të huaja, në rastin e tij, italiane”.

Libri “Detyra ime mbaron me jetën time”, përmban artikuj në gazetat italiane dhe shqiptare 1911 deri në  1924, si dhe letërkëmbime me miq.Letrat e Gjikës kanë dalë nga AQSH, të cilat s’janë shumë në numër, porn ë këtë libër janë vendosur në një kapitull të veçantë.

Në këto letra gjinden emrat e Mirash Ivanajt, Visarion Dodanit, të Jani Vruhos, Andon Zako Ҫajupit, Asdrenit, Ahmet Zogut. Dy kapituj më vete do të përbëjnë letërkëmbimet me Terenc Toçin dhe ai me Luigj Gurakuqin, i cili, fatmirësisht tregon Eugjeni është më i plotë.

***

Shqipëria sapo ishte hedhur nga perandoria osmane, dhe shqiptarët rronin gjithnje si tani, e atëhere me mendje për të ikur, në emigrim.“Për djalërinë e Kolonjës dy qenë udhët: njena e armëve n’urdina turkoshake, humbunkëso bote në djerret e largta t’Anadollit e të Jemenit, prej kah të paktë ishin ata që ktheheshin; tjetra udha e mërgimit, edhe kjo jo ma pak e vështirë se e para, por mos tjetër shum mâ e lehtë, e frytshme dhe e përcjellun me të gjitha dëfrimet e nji jetës përparimtare dhe të sigurtë për ata djelm qi kishin fatin të mund t’a merrshin, thomi fatin, pse kolonjarëve mundësinat financjare shpesh u mungojshin. Dhe kështu, mbas vllaut të madh, i erdh rasti edhe Sotirit që të dalë në mërgim”, shkruan nga Bari, në vitin 1930, Gjovalin Kamsi në një profil të gjatë e të vetëm që ekziston mbi Sotirin.

Një jetë e paimagjinueshme pas kësaj, në moshë të re kalon Detin Mesdhe për Misir, duke zënë vend në Kartum të Sudanit. Kamsi na sjell dëshminë e Sotirit, çfarë trazimesh po kalonte?E çka ngjau në shpirt të tij?Këtë e thoshte vetë ai, në kallzimet e tij për mërgimin:“nuk mund të jetoja n’at vênd pse shifshe se edhe aty nji popull, si populli shqiptar, ishte i shkelun prej të huejsh, vuente nji robnì së cilës un i ishe largue, dhe ndonse sunduesit i kishin sjellun atij Vêndi përparim të madh”. Qysh në këtë kohë, ëndrra për një botë tjetër, për Amerikën ishte bërë qysh askohe “andërr për çdo shqiptar”, ku ëndërronin shpëtimin nga vuatjet shpirtërore, por dhe financiare.

Sotir Gjika me bashkeshorten, Elenen

Sotiri u vendos në Boston, ku bashkë me të vëllain mblodhën kursime, të cilat nëçdo rast që “aty u dilte për m’i vjeftë “çâshtjes kombtare””.Fillimisht me shoqërinë “Besa”, e më pas me federatën panshqiptare “Vatra”, vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare e kulturore, si dhe autoqefalin e Kishës.

Kamsi na njofton se kjo qe një periudhë e vështirë pasi propaganda greke me qëllim që të shuante këto lëvizje përhapte përmes organeve të veta të shtypit, lajme të frikshme ndër shqiptarë që kishin familje në atdhe.

Po mbyllej viti 1911 dhe po afrohej shpallja e pavarësisë,  se “po afritej andrra e ushqyeme prej idealistvet shqiptarë”. Ngjarjet historike pasonin me shpejtësi lëvizja e malsorëve po ndizte shkëndijën e Luftës Ballkanike; një grup patriotësh me në krye Ismail Qemalin ngritën flamurin në Vlorë – në këto situata, Sotiri niset drejt atdheut. Konferenca e Londrës, që siguroi me një akt ndërkombëtar pavarsinë e Shqipërisë, që deri atëherë ishte mbajtur bllokuar nga grekët… “Sotiri ishte i qëndrueshëm ndër parime të veta ; nuk njifte menjanime para veprave, sado guximtare t’ishin. Qe nji djalë qi i kishte krijue vehtes, me nji vullnet e qindresë të pashoqe, nji pasuni kulturore mjaft të shëndoshë. Prej puntorit të thjeshtë hyp në shkallën e nji gazetari të mbaruem, me nji kulturë të mirë në fushë të fletorizmës, me nji njoftim gjuhësuer të greqishtes e italishtes mâ vonë.E këtê kulturë e kishte të gjithë prej vehtes. Qe nji “autodidakt” në kuptimin e vërtetë të fjalës.Qe nji djalë idealist, me nji zêmër ari, buzqeshun, shpirtmadh në çdo vepër, si njerzore ashtu patriotike.Sa herë e qitte rasti të bânte nji të mirë, nuk u kursente, ka i herë jashtë fuqive të veta, tue i a heqë vedit. Sa e sa kanë qênë të mirat e tija qi dihen e nuk dihen, sa herë ai të papasunve dhe të pasunve u ka vjeftë, dhe askush nuk e ka dijtë. Sot ndoshta nuk e kujtojnë kohën kur Sotiri u ka qênë vëlla e përmbi vëlla”.

Kamsi me këtë përshkrim, i jep jetë por na bëhet garant sot mbi një figurë prej atdhetari dhe një burri të drejtë e të pathyeshëm, që bindte çdo kundërshtar me idetë e tij. Kryefjala e tij ishte: “me i shërbye atdheut me besë e me nderë”.

Kishte rastin të bëhej i pasur, por me misionin e gazetarit, me atë rrogë të vogël, Sotiri edhe pse ishte i sëmurë, punoi deri në fund për zbulimin e vrasësve të Gjeneral Telinit, derisa u nda nga jeta, më 12 prill 1927 në vetminë e një bjeshke, duke lënë gjurmë me idealin e rrallë nacional, për të cilën u pat përgjigj: “Mâ parë më thehen duert se thej besën t’eme. Do të vdes i vobekët, por due të vdes me nder. Fmija do të trashëgojë prej meje vobekësinë, e dij mirë, por nji êmën të jetuem me nderë. E për kaq jam krenar”.

Gazeta italiane ku Sotir gjika dha
kontributin e tij, si redaktor

Në vitin 1914 mori pjesë, me armë në dorë, në betejën e Rashbullit, nën komandën e kolonelit holandez, Thomson, ku mes shumë të tjerëve, por për shkak të tradhëtisë së kryer edhe Sotiri mbeti i plagosur, dhe ra në dorë të kryengritësve Elikjamas.

Ndërhyrja e të Fuqive të Mëdhaja e shpëtoi, duke hyrë në radhën e trimave, e nderuar me medalje ku gdhendeshin fjalët: Besë e Bashkim, ndonëse siç shkruan Kamsi: “fjalë qi  për Sotirin kanë qênë nji apostullatë e shkrueme me germa gjaku në zêmrën e tij patriote”.

Pas kësaj nisi një etapë tjetër në jetën e Sotirit, që i përket edhe historisë kombëtar (siç thekson Kamsi). Duke kaluar Adriatikun, dhe me ikjen e Mbretit nga Durrësi, përpara gazetarit nisi lufta “nën nji flamur tjetër, por me njatë besë qi kurrë nuk e kishte tradhtue, si nuk mund t’a tradhtonte pse e kishte la me gjak të vet”.

Në gusht 1914 Sotiri ishte i njohur tashmë, dhe i vlerësuar prej ish Adjutantit të Mbretit Wied, kapitenit Italian, Castoldi, i cili e zgjodhi si një nga penat më të mira për të ndjekur çështjen shqiptare duke pasur një shtyllë në faqet e një gazete që do të dilte në Bari të Italisë.

Duke pasur përkrahjen e dy gazetarëve më në zë italainë, Martin Cassanos, dhe një miku të thellë tëçështjes shqiptare, kryeredaktorin Lenardo Azzarita, Sotiri nisi të shkëlqejë në karrierën e tij, e të bëhej i njohur edhe përtej kufijve për zotësinë e tij në trajtimin e çështjeve e problemeve ballkanike. Kështu për herë të parë siç shkruan Kamsi “pau dritën nji “faqe gazete shqiptare”” në gazetën e përditshme të Barit “Corriere delle Puglie” (6 – 8 – 1914).Aty nisi të shkruhaj ndoshta nga pakta rastet në favor të shqiptarëve për “Fatin e Shqipnìs, e coptueme simbas Traktatit të msheftë të Londonit (1915), nënshkrue prej Beslidhunve, ajo “faqe” dhe ajo “pêndë” nuk pushuen tue trumbetue anë e kând botës, të drejtën e Shqipnìs për kufijtë etnikë kundra idevet t’interesuemvet e vendimeve grabitëse të Beslidhunve. Nuk kurseu me artikuj t’ashpër jo vetëm anmiqt e Shqipnìs, por edhe miqt kur interesat kundërshtoheshin me ato t’Atdheut”.

Nipi i Sotirit, Eugjeni që ka përkthyer nga italishtja shkrimet, pasuron ato dhe me shënime biografike. Kështu njihemi se në vitin 1918 Sotir Gjika , me ndihmën e Konsultës që ishte një zyrë e Ministrisë së Jashtëme italiane e cila merrej me problemet e Shqipërisë, veçanërisht të kolonelit Castoldi, ish adjutantit të Mbretit Ëied, me të cilin ishte njohur në Shqipëri kur luftonte kundër rrebelëve të Haxhi Qamilit, themeloi të përjavëshmen “Kuvendi”, në një çast kritik për t’ardhmen e Shqipërisë. Gazeta kishte shkrime shqip dhe italisht e në faqet e saj botuan artikujt e tyre personalitete të njohura të jetës kulturore e politike shqiptare dhe arbëreshe si Giuseppe  Schiro, Luigj Gurakuqi, Cosmo Sermbe, Mustafa Kruja, Anselmo Loreçhio, Mehdi Frashëri, Francesco Argondizza, Lef Nosi, Visarion Dodani, Milto Sotir Gurra, Kolë Kamsi, Agostino Ribeço, Kostaq Cipo etj. Në faqen e parë, nën titullin me gërma të mëdha shqip shkruhej në italisht “E përjavëshme politike shqiptare”. Poshtë ishte shënuar data e në të dy anët e saj, në shqip dhe italisht thuhej: “Kuvêndi mbron të drejtat e kombit shqiptar”. Duke qënë në Romë, pranë parisit, ku zhvillohej drama shqiptare, “Kuvêndi dha një ndihmesë të rëndësishme në paraqitjen e çështjes kombëtare shqiptare. “Kuvêndi” reshti botimin në fund të vitit 1920, kur u konsiderua i përfunduar problemi shqiptar.

Ndërsa Kamsi na lë këtë shënim për këtë gazetë të vogël politike: “Për frymën qi jepte gjallnì, për bashkpunimin me êmnat ma të shquem e të përmêndun të gazetarìs italiane e të nacionalizmës shqiptare qi i siguroi, ai organ, i vogël në fillim, u rrit e mori nji êmën e nji randësì ndër qarqe politike ndërkombëtare, qi kaloi përtej shpresavet. U bâ nji votër, rreth së cilës u nxehshin shpirtnat, mpreheshin besat e në bashkëpunim me organin e vjetër t’idealit kombtar, qi qe “Dielli” i Federatës Panshqiptare “Vatra”, u zhvilluen luftat mâ të bukura, me triumfin e plotë mbi anmiqtë shekullorë të fisit shqiptar.” Me mbylljen e “Kuvendit” mbahet mend edhe një fakt të shprehur nga ministri i jashtëm i Italisë: tash qi u formue Shqipnija e i u njoft Pamvarsia e saj kombtare, nuk ka asnji arësye të botohet në Romë a gjetkë n’Itali nji fletë shqipe e t’a subvencionojmë, aq mâ tepër si organ qi të mbrojë interesat e saj politike”.

Ky arsyetim vinte pasi, si “faqja e gazetës shqiptare”, më parë, ashtu dhe “Kuvendi”, jetuan në një kohë kur asnjë organ tjetër nuk mbronte të drejtat kombëtare të shqiptarëve, të kërcënuar nga çdo anë. Për këtë situatë, Kamsi na sjell ngjarjen e mëposhtem “Dhe kur ndonji mik i tij i ngushtë, në shkallë me gjykue ma së mirit, pse apostull i idesë kombëtare, i pyetun me dhanë mendimin e tij për vazhdimin e jetës së “Kuvêndi”-t mbas Protokollit të Tiranës, i pat thanë se nuk mund t’u admetote botimi i nji gazete kombtare me fondet e nji qeverije të huej, Sotir Gjika, tue i u gjegjë se ishte njimêndjet me tê, pat shtue: “Un e mejtova thellë këtë gjë, përpara se t’a nisnja. Eca me filozofì objektive… Peshova mirë më parë nevojët e mëdha që kishteçështja jonë të njihej në botë dhe të mburrehej, pastaj peshovadëmet e fitimet qi mund t’i vijshin çështjes kombëtare nga një gazetë e botuar me fonde të huaja : fitimet m’u dukën të mëdha. I u përvesha pra punës, pa vështruar rrotull, pa përfillur gjëndjen e vështirë në të cilën vullnetarisht e vinja veten”. Kemi parasysh se përballë “Faqja shqiptare” tek e përditshmja italaine, që ishte organ kombëtar e shkruar në gjuhë të huaj, e për të huaj, në Evropë botoheshin në gjuhën frënge, dhe në kryeqytetet ballkanike gazeta si: në Athinë “Le Messager d’Athenes”; në Beograd “La Jougoslavie”; në Sofje “La Bulgaria” në gjuhën italiane, por asnjë shqiptare- na vëren Kamsi.

Adreni

Letërkëmbimi me Asdrenin

Bukuresht, 12 Nanduar 1919

Mik i dashur Z. Sotir Gjika,

Kaluan pesë vjet po thuaj që kur u pamë edhe u ndamë në ato ditët e dëshpërimit nga Durrësi ; me të vërtet mund t’a quaj dëshpërim, sepse tërë ay gazi q’e ndjejtim më të shkelur në tokë të Shqipërisë së lirë aq më tepër helm na i treti zemrat në të ikur. Seicili muarmë nga një rrugë e cila na shpuri atje tek mundi si gjithkush t’a zerë fillin përsëri për dëshirën q’e ndjente e me gjith dëshpërimin prap jo me shpresën të thyer.

Sot me gëzim po shof se drejton tribunën e zërit të Shqipërisë Kuvendi në Romë edhe të më besosh se tërë këtë kohën e katër vjetëve …….

(Ҫuditërisht letra mbaron këtu. Së paku kjo ka dalë nga A. Q. SH. Shënim i E.M.)

SH. F. 2D. 75 Fl. 39)

Roma, 11 shkurt  1920

I dashur Asdren,

Vjen në Bukuresht Imzot Visar Xhuvani, Arqimandrit dhe krye i Kishës s’onë në tërë Shqipërin’e Mesme; prej dokumenteve të tij do të kuptosh më mirë.

Arqimandrit Xhuvani vjen aty që të dorëzohet Dhespot. Tërë shqiptarët e atyshëm duhet pra t’i ndihin pa kursim e me të gjitha mënyrat që t’a mbushë dot shpejt e plotësisht qëllimin e tij dy herë i shenjtë: t’i ndihin, fjala vjen, moralisht e materialisht. Për triumfin e kësaj çështjeje e cila para së gjithash e mbi të gjitha është çështje kombëtare, unë të sillem ty veçanërisht, si patriot e si mik, që të bësh, nga ana jote, e Shoqërisë dhe e Komisionit të Kishës shqipe t’atyshme, atë që të mundesh. Të gjitha të rejat e këtushme dhe të Shqipërisë do t’i mësosh nga Zoti Arqimandrit i cili, veç virtytevet të tjera, ka edhe virtytin e syrit klinik të punravet.

Mbaje zêmrën sa të muntsh dhe mos më lerë pa ndonjë letër. Edhe për ne, malgrado tutto,[1] do të ketë një shoshë Perëndi.

Të përqafoj miqësisht.

Sotir Gjika

Zoti Asdren

BUCAREST

A.Q.SH.F. 2D. 74/2    Fl. 841

Roma, 28 prill 1920

I dashur mik,

Mora të tuat: një letër bashkë me një artikull dhe dy kartëposte, e fundit shkruar më 7 prill. Artikullin e botova në numrin 76 të Kuvêndit, të cilin në Bukuresht e dërgoj me rregull. Të falem me nder shumë për të gjitha lajmet që më dhe rrotull çështjes s’Arq. Xhuvanit. Kuptova pra se Qeveria rumune s’do të këpusë asnjë qime nga mjekra e saj për t’i ndihur popullit shqiptar të çlirohet nga zgjedha frymëzënëse e Fanarit. S’ka gjë. Më tutje, kur Shqipëria të ketë një Qeveri të njohur, në paçim nevojë dhe në na mësoftë e mira t’i sillemi përsëri Rumanisë për të na dorëzuar një Peshkop, unë besoj se ministri rumun i punëvet të jashtme do të sillet ndryshe, e jo si këtë herë q’u prur, jam i sigurtë, kundër vullnetit të popullit mik.

Mësova se Arq. Xhuvani bëhet gati të përshëndoshet me ju dhe të kthehet në Shqipëri. Më bën një nder të madh në qoftë se më shkruan dy fjalë si u prur e a la përshtypje të mirë ndër shqiptarët e atyshëm. Me arqitekt Sotirin s’kam ndonjë lidhje punësh a interesash. Ay, siç të shkrova, është sheshuar me familen e tij në Bari. Nuk di as se ç’punon.

Çështja jonë s’u zgith as në San Remo. Më duket se do të mbetet varur akoma edhe për shumë kohë. Po vonimi ka qënë gjer më sot i vetmi aleat i yni. Vetëm se ne jemi si mos qofshim. Në Shqipëri esadistët nisën përsëri të lëvizin. Qeveria e re në vënt që t’a mprehë energjin’e saj për të vënë për fije qeverimin e vendit, ësht’e shtrënguar t’u dalë përpara ngatërresavet të reja e trazimevet. Perëndia le t’a bëjë mirë. Ç’do gjë që të më dërgosh për botim e pres me gëzim.

Të puth si vëlla,

Sotir Gjika

Roma, 16 shtator  1920

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Dy gazetarë marrin çmimin Nobel për Paqe – sa e kërcënuar është liria e shprehjes sot?!
I lirë për të mos menduar?!
Një nuse demokratike për mbretërinë shqiptare
Çfarë duhet të dimë për sfondin pararendës historik që përgatiti Kryengritjen e Postribës…
1920-1924/ Qëndrimet në parlamentin shqiptar për çështjen e Kosovës
Letërkëmbimi i panjohur me Androkli Kostallarin/ Një vit para pushkatimit, Genc Leka kërkoi të bëhet bashkëpunëtor në Institutin e Gjuhësisë, por…
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>