Një i sëmurë mund të shërohet, ose ka gjasa të shërohet, nëse fillon që sëmundjen e tij ta trajtojë nga prejardhja e saj, pra, nga ajo se çfarë e ka shkaktuar. Mirëpo, për të ardhur deri në këtë mënyrë të trajtimit të sëmundjes është një rrugë nëpër të cilën i sëmuri duhet të kalojë, sidomos koha para sëmundjes. Çka do të thotë kjo? Do të thotë se ky i sëmurë përpara se t’i binte sëmundja në qafë, ishte vetëdijesuar në një proces të vazhdueshëm arsimimi dhe kulturimi. Ky proces edukativ është i shumanshëm dhe në raste të tilla vështirësia vepron jo nga impulset, por nga baza racionale. Është i bindur se kurimi do të ndodhë vetëm atëherë kur sëmundja do të merret dhe pastaj të trajtohet seriozisht. Ndërsa e kundërta e kësaj është i sëmuri që nuk e beson sëmundjen që i ka rënë, ose e beson, por e neglizhon, qoftë edhe duke u sjellë me arrogancë se atij nuk ka çka t’i bëjë. Ose mund të ketë edhe të atillë që nuk e besojnë sëmundjen dhe janë të bindur se ajo është një makinacion që disa njerëz e përdorin për qëllime të veta. Gjithashtu, ka edhe të atillë që sëmundjen e besojnë, mirëpo nuk e besojnë kurimin e saj me anë të mjekësisë, sepse ky soj njeriu nuk i beson shkencës, sepse shkenca për këta është diçka që e kanë prodhuar shtete apo individë për përfitime dhe jo për shërim. Pra, këta të sëmurë besojnë se sëmundja do të kurohet nëse ata i drejtohen ndonjë hoxhe apo prifti ose ndonjë fallxhori/je, sepse sëmundja që u ka rënë besojnë se është diçka që vjen nga lart, nga transcendenca. Nga gjithë këta, grupi më problematik (e që shpeshherë mund të jetë shumicë në një shoqëri) është nga këta të fundit. Janë këta që nuk e besojnë shkollën shekullare, nuk e besojnë shkencën, nuk e besojnë mjekësinë, mirëpo, besojnë se Zoti është ai që ua ka dërguar sëmundjen edhe si sfidë dhe se ajo mund të kurohet ose me vetë vullnetin e Zotit, ose përmes besëtytnive të ndryshme, e që bien në kundërshtim edhe me doktrinën religjioze që ata përfaqësojnë. Ky lloj i të sëmurit është vështirë i shërueshëm dhe në rase të jashtëzakonshme (siç tani është rasti me pandeminë COVID-19 këtu tek ne) mund të bëhet edhe pengues, i rrezikshëm. Pse pengues dhe i rrezikshëm? Sepse duke mos e besuar sëmundjen, sikur tani me rastin e pandemisë, bëhen pengues për sistemin shëndetësor për arsye se e relativizojnë sëmundjen, kurse të rrezikshëm, për arsye se bëhen edhe infektues të dyfishtë – e para: infektojnë të tjerët me mendësinë e tyre, kurse, e dyta: infektojnë të tjerët konkretisht me sëmundjen.
Në të njëjtën linjë mund të shpjegohen edhe shoqëritë, sepse në raste të caktuara edhe shoqëritë gjallojnë pothuajse sikur një trup i vetëm. Andaj, shoqëritë që i ngjajnë mendësisë së të sëmurit të parë, atij që sëmundjen e beson dhe se kurimi i saj bëhet duke e marrë seriozisht dhe me shkakun e saj, janë shoqëri që kanë një të kaluar emancipuese, pra, ku arsimimi, kulturimi i tyre ka qenë dhe është permanent. Në rastin e kësaj pandemie edhe mund t’i verifikojmë se cilat janë ato shoqëri dhe për ta ilustruar më qartë marrim një ngjarje që ka ndodhur në Britaninë e Madhe gjatë kohës se karantinimit. Dominic Cummings, që njihet si strategu kryesor i fushatës “Vote Leave” (e për të cilin kohë të fundit është bërë një film, “BREXIT”), që proklamonte nxjerrjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, e që në fund triumfoi, së fundmi ishte këshilltari kryesor i kryeministrit Boris Johnson. Në një hulumtim të përbashkët nga tabloidët The Guardian dhe Daily Mirror, të 22 maj 2020, kishin zbuluar se Dominic Cummings i kishte thyer rregullat e karantinës, sepse kishte marrë një rrugëtim qindra kilometra për t’i vizituar prindërit e tij. Ky hulumtim nxiti debat shumë të ashpër në Britani, sepse konsiderohej se rregullat nuk mund të jenë për qytetarët e zakonshëm ndryshe dhe për zyrtarët e pushtetshëm ndryshe. Prandaj, pas një debati të gjatë u kërkua që Dominic Cummings të japë dorëheqje, ose që në mëngjes kryeministri ta shkarkojë atë, sepse nga qytetarët britanikë pandemia ishte marrë seriozisht dhe po ashtu rregullat që i kishte caktuar Qeveria ishin marrë seriozisht. Andaj, ata nuk do ta pranonin që një njeri i veshur me pushtet dhe i papërgjegjshëm të sillet vërdallë nëpër rrugët e Anglisë, kur të gjithë ishin në karantinë dhe e respektonin atë. Pra, ky rast na flet se si shoqëritë e emancipuara, që e kanë të mishëruar sensin e përgjegjësisë, janë të parezistueshme me delikuentë të tillë, qoftë edhe kur këta të fundit janë të pushtetshëm.
Mirëpo, kur folëm më lart, pra kur i kategorizuam të sëmurët, problematike paraqitej kategoria e dytë dhe analoge me këtë kategori është shoqëria kosovare. Këtu tek ne është një numër shumë i vogël që e ka sensin racional karshi problemeve dhe sfidave, pjesa dërrmuese jemi të papërgjegjshëm, sepse jemi të paedukuar mirë, të arsimuar keq dhe si rrjedhim kulturalisht të dobët. Kjo papërgjegjësi nuk është e shtrirë vetëm te qytetari i zakonshëm, por është e theksuar sidomos tek ata që udhëheqin shtetin dhe institucionet e ndryshme. Kur erdhën rastet e para të infektuar me COVID-19, Qeveria e atëhershme shumë shpejt ndërmori masa të rrepta të mbylljes totale, të cilat në raport me pandeminë kishin efekt, mirëpo, nuk ishte sqaruar se çka më pastaj. Diçka që kishte ndodhur atëherë dhe vazhdon tani e tutje është politizimi i pandemisë. Nuk vonoi shumë dhe u shkarkua Qeveria dhe erdhi në pushtet Qeveria që kemi tani dhe virusi shpërtheu gjithandej. Filloi fajësimi ndaj njëra-tjetrës. Ata që dje ishin në pushtet dhe krenoheshin për mirëmenaxhimin e pandemisë, tani akuzoheshin se kishin organizuar një tubim të madh dhe ku shumica ishin jashtë rregullave që i kishte përcaktuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Në këtë tubim doli edhe vetë ish-ministri dhe mbajti një fjalim para të pranishmëve, e i cili me të drejtë u kritikua, sepse ndërsa ishte në pushtet ishte bërë shëmbëlltyra dhe shpresa e shumëkujt, kurse me daljen në atë tubim sikur i kishte rënë shkelm gjithë atij perceptimi. Kurse Qeveria aktuale nuk gëzon respekt, qytetarët nuk i përmbahen rregullave, por duhet theksuar ama se shumica e politikanëve (e që duhet të jenë model për qytetarët), janë ata që nuk i respektojnë rregullat e përcaktuara, duke filluar nga Presidenti i Republikës e tutje. Mesazhi i dhënë nga ta bie ndesh me veprimet që ndërmarrin.
Po ashtu, janë edhe njerëz të sferës publike, të cilët nuk besojnë në ekzistencën e virusit si: këngëtarë, sportistë, hoxhallarë, priftërinj, aktorë, edukatorë etj. Këto figura të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri, në këtë kohë po bëjnë një fushatë edhe antishtet, sepse duke diskutuar në publik se si virusi nuk ekziston ata po i nxisin të tjerët që mos t’i përfillin rregullat që i ka përcaktuar shteti.
E gjithë kjo mënyrë e sjelljes shoqërinë kosovarë e nxjerr si një shoqëri të paarsimuar mirë, të paedukatë dhe kulturalisht të vobektë dhe si rrjedhim të papërgjegjshme. Në këtë pandemi e kemi shpërfaqë qenien tonë të vërtetë, e kemi vënë në pah edhe kapacitetin tonë intelektual, i cili lë shumë për të dëshiruar. Kjo pandemi na ka treguar se sa keq e kemi shëndetësinë, se sa joprofesionale e kemi shumicën e personelit mjekësor. Gjithashtu, na ka treguar se sa të dobët e kemi shkollën. Na ka mësuar se sa politikanë të këqij dhe egoistë të shfrenuar kemi, sa që edhe në kulmin e pandemisë veprojnë për t’i përmbushur egot e tyre. Dhe po, kjo pandemi na ka treguar se jemi një shoqëri e edukuar keq, ku një hoxhë apo një këngëtar (i pashije) na bën të besojmë ndryshe për gjëra që janë aq të holla dhe komplekse. Me një fjalë, një virus i padukshëm na nxori në dukje gjithë llumin që e kemi përbrenda e që çdo ditë kamuflohet nga një aparencë shtiracake.
Autori: Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online “sbunker.net”. Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në “The British School Kosova”. Bashkautor në projektin kulturor televiziv “Filozofema”, në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit “Prizma”, në televizionin T7.