Kosova dhe Shqipëria do të përdorin një platformë të përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar për vijimin e mësimit në kushte pandemie. Kjo platformë do të jetë online dhe aty do të gjenden të gjitha videot e xhiruara nga mësimdhënësit e Kosovës dhe Shqipërisë. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri, Besa Shahini dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, Ramë Likaj kanë prezantuar platformën e përbashkët digjitale të arsimit. Ministrja Shahini tha se përveç videove të xhiruara, kjo platformë mundëson pjesën e mësimit që zhvillohet në klasë në formatin digjital.
Ndër të tjera, Shahini tha se kjo platformë është menduar edhe për mësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe do të aplikohet që me nisjen e procesit mësimor me 14 shtator. Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Likaj tha se marrëveshja është përgatitur në kuadër të bashkëpunimit mes dy ministrive. Sipas tij, vendi është para një sfide për organizimin e mësimit në kushte pandemie. Ai ka theksuar se në rast të infektimit të mësuesve, shkollat do të punojnë me orë plotësuese.